BLUETOOTH

Erkand Qerimaj: Stërvitem në kushte të vështira, por dua të ngre lart flamurin shqiptar, jo grekun apo serbin

09:30 - 21.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Pamela ALIAJ




Erkand Qerimaj është ndër sportistët që shpeshherë na ka bërë krenarë, duke ngritur lart nëpër botë flamurin shqiptar. Por duket se mbështetja nuk është e denjë për kampionin tonë. Në një intervistë për “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”, peshëngritësi rrëfen se pas denoncimit që u ka bërë kushteve të vështira në të cilat stërvitet, ende asgjë nuk ka ndryshuar. Më tej Erkandi tregon se shpeshherë ka marrë ftesa për të ushtruar sportin e tij edhe jashtë Shqipërisë, por dëshira më e madhe që ai ka është të ngre lart flamurin kuq e zi dhe jo atë grek apo atë serb. Gjithçka perfekt duket nga jeta e tij private, ku pak kohë më parë është bërë baba. Së bashku me partneren dhe djalin e vogël, familja ka nisur pushimet në Velipojë. Nuk është i pasur dhe ndoshta kjo ia ka shtyrë edhe pak planet për një dasmë, që çifti ka kohë që po e mendon.


Si po ecën kjo periudhë për Erkandin?
Periudhë qetësie, pushim aktiv nga aktivitetet dhe garat sportive. Në dhjetor kemi kampionatin botëror, i cili është një ndër objektivat e mi.
Për çfarë po stërvitesh aktualisht?
Po presim që të fillojmë stërvitjen në Kampin Olimpik për Kampionatin Botëror, ku mesa më është komunikuar nga federata, pritet vetëm vendosja e pajisjeve, shtangave.


Keni ngritur shumë herë problematikën e kushteve e vështira të palestrës ku stërviteni, a keni marrë ndonjë përgjigje. A keni provuar të kontaktoni kryeministrin, çfarë ju ka thënë?
Jo, nuk kam provuar, pasi ka shumë institucione që janë përgjegjëse, të cilat duhet të merren me këto problematika të sportit. Po aq sa duhet psh., për ligjin për sportin, i cili ka shumë mangësi për trajtimet, siguracionet, për punësimin, shpërblimet. Mendoj që duhet të bëhet më shumë për sportin që të arrijmë të jemi të barabartë me Europën në kushte, shpërblime, në trajtimin e sportistëve medalistë elitarë dhe kampionëve, të cilët i ka me numërim Shqipëria.
A keni marrë ftesë nga ndonjë skuadër tjetër jashtë për të qenë pjesë?
Kam marrë, po dëshira ime është të çoj flamurin shqiptar, siç e bëra në Kroaci në Izrael dhe në shumë shtete të Europës dhe botës. Jo të çoj një flamur grek, serb ose të ndonjë vendi tjetër.


Jemi në verë, ku po pushon Erkandi?
Në plazhin e Velipojës kemi kaluar disa ditë pushim me familjen.
Si janë këtë vit pushimet me djalin?
Djali kënaqësi me vete, por edhe përgjegjësi, sepse do përkujdesje, megjithatë ta mbush jetën me lumturi dhe momente gëzimi.
Çfarë babai është Erkandi?
Mundohem të bëj aq sa mundem që të kujdesem sa më mirë për djalin.
A keni menduar të bëni një dasmë?
Kemi menduar për dasmë, por pak më vonë, jo tani së fundmi.
Sa i pasur jeni, sa të pasur janë peshëngritësit në Shqipëri?
Unë bëj një jetë normale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.