KULTURË

Media spanjolle, për Bashkim Shehun: Shokë të një kalvari

08:58 - 22.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ka vetëm pak kohë që është botuar në spanjisht romani “Angelus Novus” i shkrimtarit Bashkim Shehu nga Shtëpia Botuese “Siruela” me përkthim të María Roces González dhe parathënie të Bernardo Atxaga-s. Ky roman është publikuar fillimisht në shqip nga Botimet Toena në vitin 2005 Një shkrim me titull “Shokë të një kalvari” nga Ignacio Vidal-Folch është botuar për të.




Nga Ignacio Vidal-Folch

Kur Enver Hoxha vendosi ta eliminonte Mehmet Shehun (në vjeshtën e 1981-shit), në një nga spastrimet periodike paranojake me të cilat kërkonte të imunizohej nga puçet e mundshme brenda pallatit dhe nga spiunazhi i të gjitha fuqive armike të botës, edhe familja e atij njeriu, gjer atëherë të pushtetshëm dhe të frikshëm (që kishte qenë shok i Hoxhës qysh nga vitet e luftës partizane kundër pushtuesve italianë), ra në fatkeqësi, sipas normës së diktaturave të orientalizuara.
Për Mehmet Shehun s’u mor vesh më asgjë. I biri, Bashkimi, hyri në burg, prej ku do të dilte pas vitesh të shumta, me shembjen e botës komuniste, i shndërruar në shkrimtar. Po çfarë shkrimtari se! Romanet e tij, të shkruara në Barcelonën ku jeton, të gjitha të shkëlqyera, janë të mbrujtura me këto përvoja kafkiane, frymojnë atmosferën toksike që është karakteristike për totalitarizmin e burgjeve, një botë e çuditshme, në kufijtë e marrëzisë së kulluar, dhe shpalosen, duke u mbështetur në përvetësimin e kulturës europiane moderne, përmes dëshirës për të ndriçuar kuptimin e fshehtë të përvojës së tragjedisë dhe përmes një rrugëdaljeje inteligjente.
Sapo është botuar (nga “Siruela”) Angelus Novus, titull (dhe subjekt) që i referohet akuarelit të famshëm të Paul Klee-së, që e ka pasur njëfarë kohe Walter Benjamin-i, i cili, kur u nis të ikte në Shtetet e Bashkuara duke kaluar nga Spanja, ia besoi Georges Bataille-it, pastaj u bë e Theodor Adorno-s, pastaj e Gershom Scholem-it, ndërsa tani ndodhet në muzeun e Izraelit, në Jerusalem.

KUPTIMI I VUAJTJES DHE I VDEKJES
Edhe Shehu është ai Angelus Novus, ai Walter Benjamin që, pas Anschluss-it, pyeste veten “nëse është i mundshëm një konceptim i kuptimshëm i vuajtjes dhe i vdekjes”. Por, nëse do të thosha që romani i sapodalë është një meditim mbi jetën, veprën dhe vdekjen e parakohshme dhe tragjike të Walter Benjamin-it, lexuesi potencial ndoshta do të sprapsej, ngaqë Benjamin-i është mendimtari më i përmendur nga gjithfarë mashtruesish e snobësh intelektualë në këto tridhjetë vjetët e fundit, një epidemi e vërtetë. Dhe do të ishte gjynah. Angelus Novus është, gjithashtu, rrëfimi i miqësisë së fortë dhe i bisedave meditative të autorit me një bashkëvuajtës të quajtur Mark Gjoka, te bëjnë shëtitje në oborrin e burgut të Burrelit, ashtu si grekët e lashtë në Stoa. Një jetë në robëri dhe e varfër, e thjeshtuar gjer në kockë, si të thuash, por ndoshta pikërisht për këtë përjetohet dhe kujtohet intensivisht, njëlloj sikurse dhimbja e një plage na bën të vetëdijshëm për organin e dëmtuar. Liria dhe njohja, ndoshta, mund të ndihen më shumë si aspiratë sesa përvojë e arritshme. Mungesa e tyre është prania e tyre.
Ky roman i shkurtër, i përpiktë, mbi miqësinë dhe njohjen (dhe mbi Walter Benjamin-in), portretizim i tre apo katër ritakimeve të Mark Gjokës, të cilin, ashtu si mendimtarin gjerman, liria e priste (duke vështruar sahatin) në Shtetet e Bashkuara, arrin të plazmohet në mënyrë të mahnitshme dhe befasuese si monument i një të burgosuri që, pasi lirohet, bëhet mendim, duke u përpjekur të përfundojë atë punë që engjëlli, i rrëmbyer nga stuhia, me krahë të shqyer, i shtyrë drejt progresit, nuk mundi ta përfundonte.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.