Intervista

Deputeti i ri i PD-së Bardh Spahia: Sulmet t’i drejtohen kundërshtarit tonë politik, jo Bashës

08:31 - 22.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Valentina MADANI

 

 

Bardh Spahia është rritur në një ambient familjar dhe shoqëror të bazuar kryesisht në parime e ide, të cilat në thelb kishin lirinë e individit dhe shtetin e së drejtës. Ai thotë për “Gazeta shqiptare” se formimin e tij rolin më të madh e ka luajtur babai, nga i cili mbart trashëgiminë politike… “Unë vij nga një familje, e cila përpos pasojave, asnjëherë nuk zgjodhi konformizmin, por zgjodhi të udhëhiqej nga përgjegjësia dhe detyrimi qytetar e intelektual ndaj shoqërisë ku jetojmë si dhe brezave që do vijnë”, shprehet z.Spahia. Ndaj deputeti i ri i PD-së mendon se është i domosdoshëm bashkimi dhe kontributi i gjithsecilit për t’u përballur, siç shprehet ai “me aleancën tashmë 4-vjeçare të krimit, me pushtetin si rreziku më i madh që i kanoset demokracisë, qytetarëve dhe shtetit shqiptar”. Në këtë rast, ai mendon se sulmet duhet t’i drejtohen kundërshtarit politik dhe jo Lulzim Bashës. Lidhur me mospërfshirjen e Jozefina Topallit në listën e 25 qershorit, Bardh Spahia shprehet: “Shkodrës kurrë nuk i kanë munguar figura dhe intelektualë të denjë për të përfaqësuar Shkodrën dhe të gjithë Shqipërinë, pikërisht në mbrojtje të atyre parimeve që përmenda pak më lart dhe që më së miri simbolizojnë qytetin tim”.

Z.Spahia, jeni fitues i listës së PD-së më 25 qershor, por çfarë do të thotë për ju të jesh deputet?

Një pyetje në dukje kaq e thjeshtë, por që në fakt ia kam bërë vetes shumë kohë më parë, mbart në vetvete shumë meditim, reflektim e shumë filozofi. Është e vështirë të përmbledhësh në një paragraf, kuptimin që kjo detyrë ka për mua, por me një përkufizim të shkurtër do të them që përmbledh përgjegjësinë për t’i dhënë zë komunitetit tim. Është detyrim moral dhe ligjor për të dëgjuar e për të marrë në konsideratë nevojat, kritikat, vështirësitë dhe kërkesat e shqiptarëve. Me përkushtimin më të madh, kam mundësinë të punoj fort drejt një Shqipërie më të mirë, duke ndërtuar një bazë ligjore të shëndoshë për të shënjuar rrugën drejt progresit, për të dalë më në fund nga pesimizmi dhe regresi aktual.

Ju vini nga një familje me trashëgimi politike, por cila është këshilla politike që ju dha babai juaj, i cili ishte për vite me radhë kontribuues në PD?

Unë do të thosha që vij nga një familje, e cila përpos pasojave, asnjëherë nuk zgjodhi konformizmin, por zgjodhi të udhëhiqej nga përgjegjësia dhe detyrimi qytetar e intelektual ndaj shoqërisë ku jetojmë si dhe brezave që do vijnë. Gjatë gjithë jetës sime jam rritur në një ambient familjar dhe shoqëror të bazuar kryesisht në parime e ide, të cilat në thelb kishin lirinë e individit dhe shtetin e së drejtës. Sigurisht që në formimin tim rolin më të madh e ka luajtur babai im, figura dhe shembulli i tij. Koncepti dhe bindja e thellë për politikanin në shërbim të interesit të njerëzve që përfaqëson, duke u bazuar fort në forcën e karakterit, ndershmërinë, kurajën qytetare dhe intelektuale, urtësinë e mençurinë, kanë qenë, janë dhe do të jenë për mua – edhe tani, shumë vite mbasi ai nuk jeton më – frymëzimi dhe fari orientues në politikë dhe jo vetëm.

Grupit të ri parlamentar të PD-së i mungojnë disa nga figurat qendrore të partisë, por të rinjtë e mandatuar do përpiqen të ecin në gjurmët e të “vjetërve” apo duan të sjellin një figurë ndryshe në Kuvendin e ardhshëm?

Unë mendoj që më e rëndësishme është që grupi parlamentar të pasqyrojë atë çfarë përfaqëson Partia Demokratike. Partia Demokratike lindi si parti e aspiratave të shumicës së qytetarëve me vokacion perëndimor për liri, shtet të së drejtës, prosperitet ekonomik dhe një të ardhme më të mirë. Aspirata, të cilat sot po nëpërkëmben si asnjëherë më parë nga neokomunistët, të cilët erdhën në pushtet dhe vazhdojnë të bashkëqeverisin me krimin, drogën dhe korrupsionin. Në këtë situatë, grupit parlamentar të PD-së do t’i duhet të zhvillojë një betejë të fortë parlamentare pa kompromis, duke u nisur pikërisht nga parimet që udhëheqin filozofinë dhe forcën tonë politike. Pikërisht për këtë arsye mendoj që është i domosdoshëm bashkimi dhe kontributi i gjithsecilit për t’u përballur me aleancën tashmë 4-vjecare të krimit me pushtetin, si rreziku më i madh që i kanoset demokracisë, qytetarëve dhe shtetit shqiptar.

Sipas jush, pse një humbje kaq e thellë për PD-në?

Një gjë është e sigurt, rezultati i zgjedhjeve të 25 qershorit nuk është pasqyrimi real i vullnetit të votuesve shqiptarë. Ky rezultat vjen si pasojë e blerjes masive të votës së qytetarëve shqiptarë me milionat e eurove të përfituara nga trafiqet e ndryshme, kryesisht ai i drogës, krerët e të cilëve janë pikërisht qeveritarët, me në krye kryeministrin Rama. Riaktivizimi dhe përdorimi i bandave kriminale në të gjithë vendin për të influencuar rezultatin nëpërmjet kërcënimit dhe terrorit është një tjetër arsye e deformimit të rezultatit të këtyre zgjedhjeve. Por, nuk mund të lemë pa përmendur edhe përfshirjen e të gjitha strukturave të shtetit, të cilat me urdhër politik dhe nën presionin e eprorëve të tyre partiakë ndikuan në këtë deformim.

Si e konsideroni rezultatin në qarkun e Shkodrës?

Siç e thashë edhe më lartë, edhe në Shkodër ashtu si në të gjithë Shqipërinë, rezultati i këtyre zgjedhjeve është deformuar nga blerja masive e votës si dhe nga shantazhimi dhe kërcënimi i votuesve nga kundërshtarët tanë politikë. Unë gjithsesi gjej rastin të falënderoj të gjithë votuesit e Partisë Demokratike, strukturat e PD-së, këdo që kontribuoi gjatë fushatës dhe në veçanti komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit për qëndresën dhe rezistencën ndaj një presioni të jashtëzakonshëm, që arriti kulmin ditën e zgjedhjeve. Kam bindjen e thellë që mbrojtja me çdo kusht dhe mostjetërsimi i vullnetit të shprehur me votë është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit dhe demokracisë.

A ndikoi negativisht në rezultat mospërfshirja e Topallit në listën e Shkodrës?

Raporti i bashkëqytetarëve të mi shkodranë me Partinë Demokratike shkon përtej emrave të përveçëm. Ky raport i ka rrënjët tek historia e këtij qyteti, tek shpirti i tyre i lirë dhe antikonformist, tek besimi i palëkundur që ata kanë në komb, familje, Zot, pronë – parime këto që qëndrojnë në themelin e filozofisë së djathtë dhe të Partisë Demokratike. Në këtë kontekst, unë mendoj se Shkodrës kurrë nuk i kanë munguar figurat dhe intelektualë të denjë për të përfaqësuar Shkodrën dhe të gjithë Shqipërinë, pikërisht në mbrojtje të atyre parimeve që përmenda pak më lart dhe që më së miri simbolizojnë qytetin tim.

A u ftua Topalli që të bënte fushatë në Shkodër?

Unë nuk mendoj që demokratët kanë nevojë për ftesa për të marrë pjesë në fushatë, por e konsideroj një detyrim moral, intelektual dhe qytetar angazhimin e gjithsecilit në betejën me të keqen, që po shkatërron demokracinë shqiptare nëpërmjet lidhjes së krimit me shtetin. Unë, ashtu si qindra mijëra qytetarë demokratë të tjerë në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë kam marrë pjesë në të gjitha fushatat elektorale të Partisë Demokratike, i bindur që askush nuk mund të më ftojë dhe as të më ndalojë në mbrojtjen e parimeve, vlerave të demokracisë dhe interesit të vendit tim.

Si i konsideroni sulmet ndaj kryetarit Basha?

Mendoj që në Partinë Demokratike të gjithë janë të lirë që të shprehin mendimin e vet, por e rëndësishme është që sulmet duhet të drejtohen ndaj kundërshtarit tonë politik, mënyrës se si ato deformuan vullnetin e qytetarëve nëpërmjet blerjes masive të votës me të ardhurat nga droga si dhe përdorimit të bandave e krimit të organizuar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.