MILOSAO

Folklor muzikor shqiptar në shek. XVII

08:44 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Bardhyl DEMIRAJ




Shkreptimë fatlume në qiell të kthjellët: kështu e perifrazuam dikur ngazëllimin tonë me do tekste këngësh e frazash në dorëshkrim, të cilat nuk kishte arritur t’i zbërthente studiuesja muzikologe Judith Haug (Uni Münster/BRD), edhe pse për ndonjë syresh ishte më se e bindur se duhej të ishte shqip, meqë emërtohej si i tillë (: <Arnavt. Turki.>), ndërsa për do të tjera dikush ishte shprehur nëpër dhembë se mos kushedi i afroheshin disi shqipes. Fatmirësisht edhe këto ishin shqip. Veçse atë çka nuk ishte ende në gjendje të përsiaste kjo njohëse e thelluar në historinë e artit muzikor oriental, ishte bash ai reaksion zinxhir që do të përcillte natyrshëm kërshëria e saj fanmirë me u përditësuar doemos me përmbajtjen e tyre. Dhe rezultati është po aq fatlum: trashëgimisë së kulturës shqiptare i shtohen tash do përmendore me vlerë disafishe, meqë kemi të bëjmë jo thjesht dhe vetëm me regjistrimet deri sot me të hershme në folklorin muzikor shqiptar —-– aty rreth vitit 1650 (!) -–, por plot tri sosh i përcjellim qoftë si tekste këngësh shqip, ashtu edhe me notacionin muzikor përkatës. Prashtu nuk ekzagjerojmë aspak, nëse u shtojmë njëherësh këtyre fjalëve hyrëse dëshirën tonë sa të patëkeqe aq edhe realiste me e përjetuar gjithkush dikur atë ditë, kur këto këngë të hershme të debutojnë në skenën e muzikës sonë folklorike.


Asgjëmangut, synimi i shkrimit tonë mëton të ndihmojë në mënyrë sado anësore edhe në këtë pikë, anipse ka të bëjë më fort me hetimin dhe përpunimin filologjik të tekstit të dy këngëve, duke bërë të mundur e saktësuar kështu edhe vendin e tyre në historinë e larmishme të kulturës së shkrimit shqip përgjatë shek. XVII. Sigurisht që kjo punë e mirëfilltë filologjike parakuptonte së pari qëmtimin e detajuar të kuadrit paratekstual, ndër të tjera: a) njohjen me autorin, në rastin tonë me regjistruesin e tyre; b) përshkrimin sado të thukët të mjedisit historik e social-kulturor, në cilin ai jetonte, si edhe c) përditësimin me kushtet ase rrethanat që e nxitën atë në një ndërmarrje të kësaj natyre. Për fatin tonë të dytë, pra po aq fatlum, këtë punë paraprake e ka përcjellë në kohë dhe ndërkohë në mënyrë thuajse shteruese zbuluesja de jure e këtyre teksteve, Judith Haug dora vetë, në disa studime të thelluara, ku është marrë në mënyrë intensive qoftë me prurjet në varg të Ali Ufki-ut në kulturën osmane të shek. XVII, ashtu edhe me letërsinë shkencore të botuar deri sot për të dhe veprën e tij në dorëshkrim. Kështu që nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të kompilojmë thukët për lexuesin sqimatar të “Milosaos” këto përshkrime të saj.
Jeta dhe karriera profesionale e
Ali Ufki-ut
Emri i tij i parë ishte Wojciech Bobowski (= i latinizuar <Albertus Bobovius>), si pinjoll i një familjeje fisnike me origjinë polake, i cili lindi aty rreth vitit 1610 në Lwow (Lemberg: sot në territorin e Ukrainës). Mendohet të ketë qenë duke studiuar dikur muzikë në atdheun e vet të parë deri aty nga mosha 20 vjeç, shi kur e paskan zënë rob tatarët e Krimesë, nëmos vetë osmanët gjatë rrethimit të Kameniec-it (Poloni), duke e transportuar si të tillë në Stamboll, në oborrin e Sulltan Murad-it IV. Aty i paskan bërë vend sigurisht në suitën e çunave të oborrit (: içoglanlar), shërbyes këta meshkuj e pa të drejta qytetare, të cilët merrnin formimin përkatës në sarajet e Sulltanit e që ishin në zanafillë kryesisht të besimit të krishterë. Dikur Alberti ynë erdhi e na u konvertua ashtu siç edhe pritej në fenë islame. Andaj mori edhe emrin Ali.

Menjëherë ranë në sy në oborr aftësitë e tija në njohjen e gjuhëve të huaja e sidomos talenti i tij i pazakonshëm në fushën e muzikës, andaj edhe u orientua qysh në fillim të studionte (këngë dhe psallter) në shkollën e muzikës së pallatit (: meºkhane), ku u dallua menjëherë si nxënës i shkëlqyer, madje ngadhënjeu po aq shpejt edhe ofiqin Santuri Ali Bey. Mbiemri Ufki (= alternativ Ufuki), me të cilin njihet më shumë, është sajuar pas gjase prej atij vetë, meqë e përdorte rregullisht, kur vjershëronte. Burimet dokumentare parapëlqejnë gjithsesi ta citojnë më fort me emrin zyrtar Ali Bey. Si i tillë ai fitoi shpejt respekt dhe nderim të veçantë tek kolegët dhe eprorët e vet, të cilët i caktuan pozicionin e mbikëqyrësit dhe mësuesit të çunave muzikantë të oborrit (: erbaþý). Aty rreth vitit 1650 u shpall, siç pritej, shtetas i lirë i perandorisë, pasi kishte shërbyer për 20 vjet rresht në oborrin e sulltanit, duke u akulturuar kështu plotësisht si pinjoll i bindur i perandorisë dhe njëherësh i kulturës orientale.
Faza e tretë dhe e fundit e jetës së tij nuk njihet në detaj. Aty rreth vitit 1650 mendohet të ketë pasë filluar si karrierë të dytë atë të përkthyesit për ambasadorin anglez pranë Portës së Lartë. Në të njëjtën kohë mori edhe detyra përkthimi prej kancelarisë së oborrit të sulltanit, madje me fermanin e dt. 12 të muajit ªaban më 1079 (= 5 janar 1669) u emërua si përkthyes zyrtar në atë kancelari, ku bëri karrierë deri në rangun e përkthyesit të dytë të Divan-it e duke veshur kështu një pozicion relativisht të lartë në oborr. Me të fituar këtë status, pati mundësi të zhvillonte kontakte të shumta me vizitorë, kronikanë, hulumtues, artdashës, tregtarë, misionarë dhe diplomatë europianë. Por jo vetëm kaq: Aliu u shërbeu shumëve syresh edhe si mësues i gjuhës turke. E bash prej sosh, çoku na shfaqet atëbotë edhe ndonjë fjalë a thashetheme ligaçe, se gjoja Aliut tonë sikur ia paskësh pasur ënda “t’ia mbathte me të katra” dikur drejt Perëndimit (pas gjase në Londër) e aty të rikonvertohej si i krishterë.
Këto historiza pa bukë e ujë sikur i vijnë përshtat fundit të tij gjithsesi i trishtë, meqë Aliut tonë i paskëshin dhënë duart një herë e mirë prej oborrit, pas gjase, për konsum të paepur alkooli. Ishte kjo pas gjase vetëm pasojë e guximit të tepruar, sepse i kishte shkrepur të niste jetë bashkëshortore në moshë paksa të thyer, aty rreth vitit 1671, punë pra e pamenduar mirë që nuk i solli fat. Mbylli sytë për të fundit herë pas do motesh në rrethana krejt të panjohura, ndërmjet viteve 1672 – 1679.
Trashëgimia në dorëshkrim
Aliu filloi të hidhte në letër shënimet e veta muzikore rreth vitit 1650, pra në prag ose menjëherë pas ngadhënjimit të statusit të ri si shtetas i lirë në perandorinë osmane. Bëhet fjalë në rastin tonë për një tip almanaku me shënime të konsiderueshme të kësaj natyre, ku përfshihen jo më kot edhe ditarë të ndryshëm udhëtimi, udhëzime e receta të shumta ilaçesh popullore, sindëkur edhe shënime të tjera, p.sh. vjersha të veta e të autorëve të ndryshëm në një numër të madh gjuhësh. Ky vëllim në dorëshkrim me titull “Përmbledhje me vjersha dhe këngë” (: Þiir ve þarký mecmu‘asý), i depozituar në Bibliothèque Nationale të Parisit është përgatitur ndërkohë për shtyp prej muzikologes Judith Haug dhe pret të shohë dita me ditë dritën e botimit.
Aliu përgatiti më vonë në dorëshkrim, por në formë thuajse të përfunduar një përmbledhje muzikore që përmban vetëm notacione, të cilën e titulloi “Përmbledhje tërësore e muzikës instrumentale dhe vokale” (: Haza Mecmu‘a-yý Saz ü Söz). Të dyja vëllimet përfunduan dikur, siç edhe pritej, në Perëndim, pas gjithë gjasash menjëherë pas vdekjes së autorit: i pari në Paris dhe i dyti në Londër. Prashtu, edhe ndikimi i tyre i mundshëm në praktikën muzikore osmane të kohës do vështruar me lupën e historianit si tejet modest, në mos aspak gjurmëlënës. Padyshim, këto përmbledhje të pasura me forma dhe stile të ndryshme muzikore janë dhe mbeten burimi më i hershëm i muzikës osmane – i regjistruar me notacionin përkatës – e për këtë arsye ruajnë sot vlera të pallogaritshme sa i përket praktikës muzikore të kësaj kulture në shek. XVII, e cila rezulton të jetë fiksuar si e tillë në letër vetëm te ky autor, duke zbatuar me këtë rast shi praktikën perëndimore të shkrimit me nota muzikore. Përndryshe, shkolla muzikore orientale vijoi deri në shek. XIX të praktikonte me besnikëri vijimin e traditës gojore brez pas brezi.
Dy këngë dashurie shqip
Mjafton t’i referohemi pikërisht kësaj veçorie të fundit në shënimet muzikore të Aliut tonë me kuptuar siç duhet pikërisht atë vlerë të paçmueshme që mëtojnë në historiografinë e folklorit muzikor shqiptar të paktën ato këngë shqip, të regjistruara po prej tij qoftë me tekstin, ashtu edhe me notacionin muzikor përkatës. Krahas dy këngëve, të cilat falë tekstit dhe përmbajtjes lejohemi t’i klasifikojmë lehtë si këngë dashurie (: erotica), në almanakun e autorit ndeshim gjithashtu një përpjekje sado modeste për një përkthim vargëzimi muzikor me notacionin përkatës. Së fundi vëmë oroe, se në këto dorëshkrime ngjërojmë edhe ndonjë dialog shqip, sigurisht aspak ngazëllues për sytë e veshët e një lexuesi sqimatar. Thënë troç, kemi të bëjmë me do sharje e fyerje me rrënjë e me degë në formën e kërcënimit të tjetrit në mexhlis, të cilat i takojnë si të tilla regjistrit gjuhësor tejet vulgar, të përdorur në situata po aq vulgare në diskursin bastard. Sigurisht që shkruesi i këtyre radhëve nuk e cilëson aspak si ngushëllues faktin, që sharje kërcënuese të kësaj natyre nuk shfaqin kurrfarë shmangieje në formë e përmbajtje, sa u përket situatave të ngjashme sot e gjithë ditën në mbarë hapësirën shqipfolëse. Kështu që në këtë shkrim u kemi anashkaluar me vetëdijë shprehjeve të kësaj natyre.
Pra, përpos këtyre katër teksteve nuk mësojmë dot diçka më shumë shqip në këtë almanak të vëllimshëm. Shpërndarja e tyre në manualin në dorëshkrim në së paku tri folje me distancë të konsiderueshme nga njëra-tjetra (fol. 33r/15a; 276r/122a; 350v/192b), lejon të përsiasim një mëdyshje të parë e më se e motivuar, se mos ndoshta informanti/rapsodi shqipfolës nuk ka qenë gjithherë e patjetër i njëjti person. Këtë mëdyshje sigurisht që nuk e kemi bërë aspak objekt përshkrimi në këtë trajtesë, ku kemi mundur gjithsesi ta verifikojmë në bazë të analizave që kemi zbatuar në një studim ballor të natyrës së mirëfilltë filologjike. Po kështu lejohemi t’i kursejmë lexuesit edhe përditësimin me atë kalvar të mundimshëm që hoqi e tërhoqi shkruesi i këtyre radhëve gjatë zbërthimit të kodit alfabetik që përdor autori në regjistrimin e teksteve shqip. Aliu, siç edhe pritej, nuk kishte qasje në kulturën (e krishterë) të shkrimit shqip të kohës me alfabet latin, anipse përdor një variant autentik në kodim brenda përbrenda këtij sistemi, duke përdorur edhe konvencione vetiake grafike. Në këtë mënyrë thellohet vetiu edhe më shumë ai hendek që mbizotëron sot bindshëm në Guinness of World Records midis vendit të parë (= kulturës së shkrimit shqip) dhe vendit a vendeve të dyta, të treta etj., sa i përket larmisë së kodeve në historinë e alfabetizimit të gjuhëve që fliteshin e fliten sot në botë.
Është bash ky konstatim i patëkeq që na lejon tash të përditësojmë në vazhdim lexuesin vetëm me dy tekste këngësh të tejshkruara, përkatësisht të përshtatura në kodin e sotëm alfabetik, duke i shoqëruar sigurisht edhe me faksimilet origjinale të dorëshkrimit në fjalë, ku nuk mungon as notacioni përkatës. Për ato fjalë a rreshta që nuk kemi mundur ende t’i zbërthejmë bindshëm, kemi përdorur pikat, të ngërthyera në kllapa katrore, si vijon:

Teksti I (Faksimile: fol. 350b / 192b)

1.    Eshk olla1 dilber, eshk olla!
Esh2, a piqemi ke molla;
Hej; ke molla, ke zerdelia;
Ke piqetë sheftelia.
2.    Kur marri një bobrek [……];
Me dhamb’ u [n]gjanjë inxhsë;
e shtat të hollë selvisë;
[……] [n]gjan gjemisë.
3.    [V]rejn e këndojnë shtatë bylbylë;
Të shtatë krahajeshilë;
Të keqenë që kam unë;
E pastë guri te lumi;
Sa i fortë, duroshumi.
Teksti II (Faksimile: fol. 276r / 122a: <Arnavut. Turki.>)

1.    Dilberi sytë të zejez;
dilberi sytë të zejes.
2.    O, i nalti Hidarelez3;
O, i nalti Hidareles;
3.    Ato zemërplasunat-o!
[T’]rana fjalët e botës – hej!
4.    Dajelan në fenë tan-o!
Po për helmit me iu ngranë – hej!
5.    Ate posht-o, te hanet-o!
[M]bike karafili vet-o! – hej!
6.    Baka hije për dy vet – o!
[….]
7.    Këndona bilbil, këndona.
[N]dë na martë gjumi qona4 – hej!
8.    Mora krahat e skifterit.
[F]lutorova pas dilberit – hej!
9.    Ja [e] bukura si do vet-o!
Kush të ka, të shkonjë jetë – hej!

Dy sqarime të rastit
Pa dashur të nxisnin sadopak një farë çorientimi negativ në rrethin e gjerë të lexuesve të Milosaos e duke dashur t’u lëmë hapur udhën kritikëve të artit dhe të muzikës folklorike, le të mjaftohemi me dy sqarime të natyrës gjuhësore-filologjike.
a)    Kështu p.sh. nuk është aspak vështirë të dallohet në këto tekste, që rapsodi i regjistruar këndon gegnisht (khs. zemërplasunat; baka etj.), veçse kemi të bëjmë me një gegnishte që në shumë tipare largohet kryekëput prej asaj të autorëve të vjetër të Veriut të shek. XVII, si p.sh.: Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani. Pa dashur të ndërhyjmë hollësisht në këtë hulli studimi, që do t’i kapërcente sinorët e një shkrimi me karakter kryesisht informues divulgativ, mund të përsiasim me pak a shumë siguri një zonë dialektore gege jugore që i takon Shqipërisë së Mesme, ndoshta në trevat qendrore dhe lindore të saj.
b)    Kënga e dytë e natyrës po aq erotike i përkushtohet dylberit. Kemi të bëjmë pa dyshim me një fjalë me përdorim në kuptimin e saj zanafillës si huazim prej turq./osm. dilber “vajzë e bukur (dhe në moshë të pjekur)” (khs. rr. 3: Ato zemërplasunat-o). Këtë kuptim kjo fjalë e ruan (ende) në kohën tonë, ashtu siç na shfaqet si emër personal i një personi femër ose mashkull: Dylbere [= *”vajzë e bukur”], përkatësisht Dylber [= *”djalë i bukur]”; e që këtej jo rrallë edhe si emër familjar: Dylberi. Lejohemi të shtojmë gjithashtu, që këtë kuptim burimor fjala erdhi dhe e rrudhi gradualisht në kohë në disa zona urbane të peizazhit social-kulturor shqiptar, ashtu siç na shfaqet përgjithësisht në shumë këngë bejtexhinjsh, sidomos pas gjysmës së shek. XVIII e në vazhdimësi në shek. XIX. Janë pikërisht rrethana të kësaj natyre që i bëjnë këto tekste këngësh folklorike të mëhershme një objekt me vlerë të veçantë edhe në studime të mirëfillta gjuhësore me karakter historik-leksikografik dhe etnolinguistik.

Përfundim
Këto dy sqarime të rastit na lejojnë të mbyllim këtu këtë shkrim me shpresën dhe dëshirën e mirë se i kumtuam lexuesit të “Milosaos” bash atë synim që i vumë vetes në fjalët hyrëse: ta përditësojmë atë me zbulimet më të fundit të përmendoreve të vjetra të kulturës shqiptare, të cilat rezultojnë të jenë regjistrimet më të hershme (me tekst dhe notacion muzikor) të këngës folklorike shqiptare: rrokull 1650-ës. Zbërthimi i kodit alfabetik dhe tejshkrimi i tyre mundësoi padyshim njohjen paraprake me përmbajtjen dhe klasifikimin e tyre si këngë dashurie tokësore. Urojmë që këtë përçapje të parë ta ndjekë edhe njohja e thelluar e notacionit muzikor, në mënyrë që në një të ardhme sa më të afërt të përjetojmë live – përse jo !? – kandin e muzikës folklorike shqiptare në shek. XVII.

(Endnotes)
1 Eshk (= ashk) “dashuri shpirtërore” (Disdari, Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë 2005 43)
2 Turqizëm i hershëm në shqipe: turq. eº “mik, shok, bashkëshort”
(Disdari, vep. cit.257)
3 Turq. Hýdýrellez„dita/festa e fillimit të verës sipas kalendarit të vjetër”.
4 /qona/ = “çona (nga gjumi)”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.