OPINION

Korrupsionin nuk mjafton ta mallkojmë, por ta denoncojmë!

07:28 - 24.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Mentor KIKIA

 

Matja e perceptimit të publikut mbi korrupsionin, nga organizata ndërkombëtare siç është TIA, e rendit Shqipërinë çdo vit në top listën e vendeve më të korruptuara të Europës. Raporte të tilla, në fakt, nuk kanë prova, pasi nuk janë dosje hetimore, por bazohen mbi atë që mendojnë njerëzit që përballen me zyrtarët apo institucionet e korruptuara. Rrjetet sociale janë bërë një tjetër mundësi për të testuar opinionin publik dhe ne lexojmë se kudo derdhet një valë zemërimi për shkallën e lartë të korrupsionit në të gjitha hallkat e pushtetit dhe qeverisjes. Për këtë arsye, së fundi, edhe kryeministri Rama ka shpallur nismën e të “qeverisurit në aleancë me popullin”, duke u kërkuar qytetarëve të japin vlerësimet e tyre mbi performancën e institucioneve apo zyrtarëve të lartë, mbi bazën e të cilave ai do të ndërtojë edhe administratën e re. Edhe një listë e shumë debatuar si lista e zezë, me emra zyrtarësh dhe nëpunësish të korruptuar, sipas kryeministrit ishte produkt i opinioneve apo informacioneve të dërguara në faqen e tij në “Facebook” nga qytetarët. Kjo është një formë bashkëpunimi mes qytetarëve dhe qeverisë apo organeve të shtetit. Por sa mund të jetë efikase kjo në luftën kundër korrupsionit? Kjo mbetet për t’u diskutuar, pasi opinionet ndryshojnë nga faktet. Është ndryshe të mendosh se X drejtues është i korruptuar, sepse s’të mbaroi punë ty, dhe ndryshe të kesh fakte se ai është i korruptuar. Gjithsesi, në një vend ku korrupsioni konsiderohet problemi më i madh nga të gjithë, është i domosdoshëm kontributi i të gjithëve.

Por veç faqeve në “Facebook” që ka vënë në dispozicion Kryeministria, shqiptarët kanë në dorë tashmë edhe një mjet tjetër shumë më efikas për të kontribuar në denoncimin dhe ndëshkimin e korrupsionit. Ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, sapo ka hyrë në fuqi edhe në sektorin privat. Ndërkohë që në sektorin publik ai është fuqiplotë që nga 1 tetori 2016. Ligji u etiketua me emra të ndryshëm kur ishte ne fazë diskutimi në komisionet parlamentare, si “Ligji i bilbilfryrësve”, apo “Ligji i spiunëve”. Të spiunuarit për llogari të shtetit(dhe jo vetëm) nuk ka vuajtur për kontribuues në Shqipëri, por gjatë komunizmit ai degjeneroi në një ushtri njerëzish që denonconin e padisnin, duke dërguar në burgje, këdo që guxonte të belbëzonte një fjalë kundër regjimit. Kjo ndoshta ka bërë që kjo formë bashkëpunimi që parashikohet në këtë ligj, pra sinjalizimi për rastet e dyshimta të korrupsionit, të shikohej me dyshim në fazat e para të diskutimit të tij.

Por le të kthehemi te “spiunët” e korrupsionit. Unë mendoj se të luftosh korrupsionin nuk mjafton ta urresh atë, nuk mjafton të shfrysh në rrjetet sociale apo në media duke sharë zyrtarët e korruptuar, nuk mjafton të mallkosh qeverinë dhe shtetin, e në fund edhe vendin tënd. Korrupsionin duhet ta refuzosh së pari, dhe ta denoncosh. Dhe ky ligj është një mundësi e artë që qytetarët të mund të bashkëpunojnë realisht për denoncimin dhe luftën ndaj zyrtarëve të korruptuar. Nisur nga disa keqinformime, mendoj se duhet sqaruar se ligji nuk parashikon krijimin e strukturave të reja administrative për të sinjalizuar korrupsionin, pra nuk do të ketë njerëz të paguar për këtë punë. Ligji parashikon ngritjen në çdo institucion publik e privat të “Njësisë përgjegjëse të sinjalizimit”, e cila përbëhet nga zyrtarë aktualë të institucionit apo sipërmarrjes, dhe nuk bëhet fjalë për emërime të posaçme. Kjo njësi merr sinjalizimet dhe përgjigjet për shqyrtimin e sinjalizimit(denoncimit) dhe ndjekjen e hetimit administrativ, apo përcjelljen e çështjes në organet e ndjekjes penale, nëse është e nevojshme. Ndërsa sinjalizuesit nuk janë nëpunës të paguar, por thjeshtë nëpunësit apo punonjësit e institucionit dhe sipërmarrjes, që, nëse bien në kontakt me një informacion për një veprim të dyshimtë korruptiv, e raportojnë (sinjalizojnë) te Njësia e Sinjalizimit. Ligji parashikon të gjitha të drejtat e sinjalizuesit për të ruajtur anonimatin, e mbron atë nga çdo veprim hakmarrës dhe detyron Njësinë dhe këdo zyrtar që përfshihet në hetimin administrativ të ruajë konfidencialitetin. Por parashikon edhe detyrimin për të informuar sinjalizuesin se çfarë u bë me denoncimin e tij. Pra, ligji nuk mundëson penalizimin e zyrtarëve mbi bazën e thashethemeve, dhe as lejon që denoncimet e bazuara në fakte të kyçen në zyra.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.