KULTURË

Fotografitë që manipuluan historinë

09:35 - 26.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Fatmira NIKOLLI




Në vitin 2013, disa negativë të panjohur më parë u zbuluan nga koleksioni i Marubëve. Fotografitë na dëshmojnë një histori të hershme të manipulimit të imazheve që në fillim të viteve 1860 në Shqipëri”.
Manipulimi i historisë përmes manipulimit të imazhit, duket të jetë po aq i hershëm sa vetë fotografia. A është në vetvete fotografia një e vërtetë apo pasqyrim i saj, e në qoftë pasqyrim, është një kopje e njëjtë apo manipulim?
“Manipulim” titullohet ekspozita e kuruar nga Luçjan Bedeni, që do çelet në 3 gusht në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”.
Sipas Bedenit, shpikja e fotografisë nga Nicéphore Niépce më 1825 përmes procesit të heliografisë hapi kështu “garën” për perfeksionimin e mëtejshëm të saj. Jo larg kësaj shpikjeje, do të fillonin edhe praktikat e para të manipulimit.
“Që herët fotografitë do të manipuloheshin, duke përdorur metoda e teknika të ndryshme. Ndërhyrja direkt në shtyp, retushimi me bojë, gërvishtja e imazhit, ndriçimi artificial në dhomën e errët apo ndërhyrja në negativ, kanë luajtur një rol të rëndësishëm se si ne e kemi interpretuar apo gjykuar një fotografi, duke e bërë më të rëndësishëm faktin e kryerjes së procesit të manipulimit”, – thotë Bedeni.

Ai vëren se, historikisht, fotografitë janë manipuluar për të mashtruar, për t’u mbushur mendjen shikuesve, për të sajuar të vërtetën e historisë apo krijuar “idhuj” të rremë. Pikëpamja artistike, satira, humori, fotografitë e “fantazmave”, fotografitë “magjepsëse”, propaganda politike dhe shtimi i portreteve të anëtarëve të familjeve apo grupeve, ishin të gjitha praktika të filluara në fund të viteve 1800.
NGA MJESHTËRIA, TE FSHEHJA E SË VËRTETËS
Në vijim të dëshmive të dala në dritë, Bedeni bën me dije se fotografia e Pietro Marubit e vitit 1860, “Dr. Gennaro Simini”, e cila na tregon Doktor Siminin tek pozon një herë si klient, një herë si pacient e më pas si doktor, na bën të mendojmë që ky imazh mund të ketë shërbyer edhe si reklamë e kohës. “Fotografia e portretit të Pietros vendosur në një trup më të vogël se koka dhe e vendosur në një filxhan, si dhe portretet e Kel Marubit me të motrën, manipuluar mbi trupat e dy luftëtarëve ekzotikë afrikanë, janë shembuj të tjerë të gjurmëve të para të zhvillimit të këtyre teknikave”, – shton drejtori i muzeut. Shton më tej se eksperimentimit me manipulimin e fotografive nuk i qëndruan pas as gjeneratat e tjera të Marubëve, Keli e Gega. “Imazhet e martesës së Mbretit Zog I me Mbretëreshën Geraldinë, që u realizuan më 1938 nga Keli, iu nënshtruan gjithashtu procesit të retushit, me qëllim publikimin e tyre në revistat e kohës. Njëlloj si Henri de Toulouse-Lautrec te fotografia (1892) ku pozon si artist e si model, edhe Gega na shfaqet duke pozuar brenda një fotografie në pozicione të ndryshme, në rolin e një bashkëbiseduesi me vetveten”, – nënvizon Bedeni, duke shtuar se dy fotografitë e vitit 1927 dhe 1940 të Kelit e Gegës që paraqesin At’ Anton Kirin tek fle mbështetur herë mbi karrige e herë mbi trungje drurësh, me “fantazmën” që i rri pranë duke luajtur violinë, na tregojnë një tjetër anë të panjohur deri më tani të mjeshtërisë teknike të Marubëve.  Një ndër qëllimet e retushimit ishte edhe eliminimi i “armiqve të popullit” nga fotografitë. Këtë praktikë e gjejmë edhe në vendet e tjera të bllokut lindor, si në rastin e Shqipërisë gjatë diktaturës komuniste (1944–1991). Me fillimin e shtetëzimeve, u krijuan Repartet Fotografike (1952), të cilat fillimisht ishin pjesë e Kooperativave e më pas të Ndërmarrjeve të Riparim-Shërbimeve. Fotografët, të cilët deri asokohe kishin punuar në studiot e tyre private, qenë të detyruar t’i dorëzonin koleksionet fotografike dhe të punonin për shtetin. Pjesë e këtyre reparteve u bënë vetë fotografët, teknikët e laboratorit, por edhe anëtarët e Sigurimit të Shtetit, të cilët kishin për qëllim survejimin e procesit. Kjo “makineri” propagande bëri që as fotografitë e Marubëve të mos i shpëtonin dot teknikës së retushimit me qëllim censurën ose propagandën politike që ishte përhapur masivisht. Albumi me fotografi “Gjurmë të historisë kombëtare në Fototekën e Shkodrës” (1982), hapet me njërën prej fotografive më spektakolare të manipulimit gjatë regjimit komunist. Personalitetet që kishin dalë në ballkonin e Bashkisë së Shkodrës për të mbajtur fjalimet përshëndetëse me rastin e ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të patriotëve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli më 1936, ishin fshirë të gjithë, duke na shfaqur vetëm diktatorin shqiptar Enver Hoxha tek mbante një fjalim.
Pjesë e këtij botimi janë edhe një sërë fotografish të tjera, ku spikasin si më të famshmet fotografitë e Kel Marubit të deputetëve të Shkodrës Gurakuqi, Fishta e Mjeda e vitit 1923, ku nga fotografia është fshirë poeti kombëtar At Gjergj Fishta. Kjo ekspozitë tenton të nxjerrë në pah për herë të parë, fotografitë e manipuluara si para ashtu edhe gjatë regjimit komunist, e për t’i ballafaquar ato me të vërtetën që dëshmojnë negativët origjinalë të paprekur.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ky Bedeni, me siguri do kete pase prinder spiune te sigurimit te dhtetit. Vetem atyre u shkon mendja tek gjerat qe kane bere vete. Bedenin e emeroi Sala dhe ai i kishte per zemer spiunet dhe ai ja doli dhe me Ramen, vetem me spiunllek.
    Dhe ju botoni manipulimet e spiunit sikur eshte Ajnshtajni.
    Turp

    Përgjigju ↓