OPINION

Lufta brenda llojit

07:46 - 27.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Sulejman MATO

 

“Lufta brenda llojit” është një shprehje e huazuar nga shkrimtari dhe filozofi francez J. P. Sartre te libri i tij “Situatat”. Luftë brenda llojit, ai quan luftën që bëhet brenda një partie. Një luftë për pushtet, e ashpër dhe e vazhdueshme. Ajo zhvillohet brenda llojit. Është një luftë e karrieristëve për pushtet. Partitë opozitare kanë më tepër solidaritet dhe mirëkuptim gjatë kohës që janë në opozitë. Kur merret pushteti, ndodh një traumë e madhe midis fitimtarëve. Këtë traumë e ka përshkruar shumë mirë shkrimtari kroat Danilo Kish në romanin e vet “Dervishi dhe vdekja”. Gjatë kohës së luftës, të dy personazhet kryesorë, njëri trim i çartur dhe tjetri frikacak, gjendeshin në të njëjtën betejë. Pas luftës, frikacaku bëhet pushtetar i madh, ndërsa trimi i çartur përfundon roja i tij. Gjëra që ndodhin në luftë dhe në paqe. Gjerë që ndodhin edhe me anëtarët e partive. Në kohë paqeje, në krye të pushtetit mund të dalin figura të panjohura, dhe jo ata që janë shquar në luftë. Kjo ka ndodhur me PS-në. Kjo po ndodh edhe me PD-në. Kuadrot lëvizin. Partitë ushqehen me kuadro të rinj. Të tjerë, për arsye të ndryshme dalin nga qendra. Përfundojnë në periferi. Lufta e ashpër për humbjen dhe më pas, për drejtimin e PD-së, e cila ka nisur me disa anëtarë të njohur të PD-së, ka sjellë një debat të madh edhe në media. Mirëpo, çuditërisht, më së shumti për këtë humbje, prononcohen figura të njohura të së majtës dhe analistë majtistë. Madje ka të majtë si filozofi S. Pëllumbi, i cili, duke i bërë analizën e humbjes së PD-së, gëzohet më shumë nga ç’duhet gëzuar për humbjen e një partie demokratike të ëndërruar prej dyzet vjetësh. “PD-ja është në ditët e saj më të zeza, pa ide, pa program. Ajo po shkon drejt shpërbërjes. Nuk ka asnjë shpresë”, – prononcohet Pëllumbi te një intervistë në gazetën “Dita”. Të pranosh ditët e zeza të një partie, është diçka e natyrshme. Kjo gjë mund t’i ndodhë edhe Partisë Socialiste, lider i së cilës, në ditët e saj më të zeza, ka qenë edhe vetë Pëllumbi, por, të thuash se ‘po shkon drejt shpërbërjes” dhe se ‘s’ka më asnjë shpresë’, kjo do të thotë që një ideator i së majtës si Servet Pëllumbi, të bëjë profetin dhe vizionarin e diagramës së një partie kundërshtare. Lëruani demokratëve ta analizojnë humbjen e tyre, shpërbërjen e tyre dhe ringritjen e tyre në vendin e merituar të një vendi që aspiron për pluralizëm. Partitë kanë dritëhijet e tyre dhe ulje-ngritjet e tyre. Partitë kanë liderët e tyre të përkohshëm, kanë karrieristët dhe biznesmenët e tyre, kanë idealistët e tyre dhe shtresën që beson te programi i tyre. Në demokraci, asnjë parti nuk mund të jetë aq jetëgjatë sa Partia e Punës.

Edhe PS-ja ka pasur ditët e saj të zeza. Tani ajo jeton ditët e saj të bardha. Problemi i saj është problemi i shqiptarëve, të cilët edhe pse ia besuan timonin timonierit socialist, ende nuk e dinë dhe vetë se për çfarë arsyesh ndodhi kjo. Për çfarë arsyesh (ose programi ekonomik) ndodhi që Partia Demokratike të rrudhej me mbi 200.000 votues më pak, dhe Partia Socialiste të fitonte shumicën në Parlament. Kam lexuar disa shkrime, të cilat ndriçojnë fakte dhe evidentojnë arsye të ndryshme dhe të shumta. Në humbjen e thellë të PD-së, të gjitha shkaqet kanë koston e tyre. Kryesorja mbetet te zhgënjimi i një mase të madhe të elektoratit të djathtë, të cilët e bojkotuan partinë e tyre. Ata kanë vite që kanë pritur punësime, kthim të pronave të veta, shpërblime, pensione etj. Për më tepër, ata kanë parë te Partia Demokratike të drejtojnë shumë figura të ish-së majtës. Këto dhe të tjera, por dhe fakti që elektorati i djathtë, në qoftë se do ta quanim të tillë, nuk është i organizuar dhe solidar si elektorati i majtë. Gjithsesi, humbja e Partisë Demokratike nuk është fundi i botës. Dhe as shkak për një entuziazëm të ri të socialistëve. Unë nuk shoh këtu ndonjë hata të madhe. Madje e kam pritur këtë humbje. Duhej një humbje e thellë për një reflektim të thellë. Muajin e fundit pati një afrim midis dy liderëve të dy partive, si dhe një platformë e cila i zbuti në një farë mase mëritë midis dy elektorateve kundërshtare. Takimin triorësh Rama-Basha shumëkush e priti me admirim dhe entuziazëm. Ka akoma syresh që aspirojnë që ky afrim të jetë jetëgjatë, në realizimin e atyre 19 pikave të miratuara. Për mua, pak rëndësi ka se kush qenë arsyet e humbjes. Qëllimi i këtij shkrimi është të vë në dukje luftën që bëhet brenda llojit, i cili është një fenomen i natyrshëm klanesh brenda partisë. Lufta brenda llojit është brenda ligjit të të kundërtave, që e forcojnë partinë kur brenda saj ka synime të qarta dhe debat të shëndoshë, për ta ringritur këtë parti dhe për ta çuar drejt një fitoreje të mundshme. Është e natyrshme që disa figura si Topalli, Bregu, Patosi e të tjerë, që i janë ngjitur vonë kësaj partie, edhe mund të largohen ose të krijojnë parti të re. Fraksionet brenda partive, koha ka treguar që nuk kanë dhënë rezultat. As nga e majta, as nga e djathta. Mendimi alternativ brenda partive e shëndosh klimën demokratike në parti. Mirëpo, duhet pranuar se edhe e ardhmja e partisë më të re, me Lulzim Bashën në krye dhe 43 deputetët që do e pasojnë, ka shenja që do të bëhet një parti autoritare, e cila nuk ka nevojë për mendimin alternativ. Kështu që, duam apo nuk duam ne, Partia Demokratike e re, e rikrijuar me shumë elementë të rinj, do të ketë një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Ajo që do t’i këshilloja miqësisht Lulzim Bashës, edhe pse i ri në moshë dhe në detyrë, është krijimi i një klime demokratike brenda asaj partie, pasi muajt e fundit ai e ka personalizuar drejtimin e asaj partie edhe më keq nga sa ka qenë. Koha ka treguar se edhe Sali Berisha, si një drejtues me vlera të jashtëzakonshme drejtuese, i ka respektuar më shumë se Lulzimi vendimet kolegjiale të kryesisë së partisë dhe statusit të partisë. Ajo që i mban partitë në këmbë është respektimi i statutit dhe frymës kolegjiale. Lulzim Basha ende e sheh të keqen te kundërshtari. Deklaratat e tij për vjedhje votash po përfundojnë në një slogan pa vlerë. Shpresoj që ai, tashmë që rifitoi besimin e shumicës në parti, ta drejtojë në mënyrë kolegjiale partinë dhe të respektojë statutin e partisë së vet. Debatet brenda një partie sjellin mendësi të reja, ide të reja dhe shpresë për të ardhmen. Si një themelues i asaj partie dhe si një simpatizant i saj, edhe për faktin se në programin e saj PD-ja paraqitet më shumë e majtë se PS-ja, ka shumë pika në të cilat shqetësohet për varfërinë, për përmirësimin e jetës, për ngritjen e nivelit ekonomik… Unë do të kërkoja prej Lulzim Bashës që jo vetëm të mbajë figurat e njohura, kundërshtare të tij, por, të kthejë të gjitha figurat e ikura prej PD-së. Më së pari të kthejë entuziazmin e munguar dhe të luftojë seriozisht për premtimet e dhëna. Kthimi i entuziazmit të munguar bëhet duke luftuar oligarkët e asaj partie. Së dyti, hapja e partisë në qendër dhe në bazë do të sjellë entuziazmin e munguar. Siç e theksova edhe më lart, koha që kalon PD-ja është një fenomen i natyrshëm. Kështu duhet vlerësuar nga të gjithë. Qysh në Greqinë e lashtë, demokracia ka lindur në kuvendet e shesheve me pjesëmarrjen e demosit në këto kuvende. Në librin e tij të fundit, Servet Pëllumbi e sheh me skepticizëm gjenerimin e vlerave demokratike në politikën liberale. Ai sjell shifra të tilla për një rënie të parimeve demokratike edhe në vendet e zhvilluara. 49 për qind janë vendet e zhvilluara që kanë “forma të demokracisë”, ndërkohë që 4.5 për qind e tyre përjetojnë një “demokraci të konsoliduar”. Vendi ynë, besoj se nuk përfshihet as në këtë 49 përqindësh. Fushata e fundit e Edi Ramës ishte një fushatë populiste, personale. Dhe fitorja e tij e fundit, për mendimin tim, ishte çuditërisht një fitore populiste, personale. Me intuitën e tij të veçantë ai kuptoi se fitoret sot janë të tipit “Trampi”. Fol shumë, ulu gju më gju me masat, premto shumë, bindi ata se ti je njëkohësisht njeriu i tyre dhe Mesia i tyre. Dhe kaq! Fitorja vjen vetë. Urdhëroni timonin, zoti Rama. Dhe na udhëhiq në këtë udhëtim abstrakt. Them “abstrakt”, pasi çdo lëvizje lind nga idetë, jo nga populizmi. E kam thënë edhe një herë tjetër; nuk ka progres kur nga “progresi” e pëson populli. Nuk ka progres me taksa të larta dhe me pensione të vogla. Nuk ka progres pa thithur investime të huaja, sidomos ato amerikane dhe gjermane. Në fushatën që kaloi, Lulzim Basha premtoi ulje taksash dhe rritje dyfish të pensioneve, por, premtimet e tij ishin tullumbace në ajër, të pakonsultuara në forumet e partisë dhe të pambështetura në fakte.

Po i mbyll këto shënime me shpresën e krijimit të një klime të re mirëkuptimi dhe kolegjiale, brenda Partisë Demokratike. Asnjëherë nuk duhet humbur shpresa. Asgjë nuk bëhet pa pak optimizëm. Çdo situatë kapërcehet kur ke shpresë dhe besim tek e ardhmja. Partia Demokratike lindi si një nevojë e domosdoshme e pluralizmit në këtë vend. Më kujtohen ato ditë e net dhjetori. Sa të gëzuar ishim! Po lindte një parti e re, e cila do të përfaqësonte në Parlamentin e ri shtresat që gjer në ato ditë quheshin “shtresa të përmbysura”. Tashmë, pas 27 vjetëve, jemi përsëri ne që meditojmë rreth kësaj partie të re, të vjetër, që u vjetrua aq shpejt, e që duhet të rilindë sërish si Feniksi nga hiri i vet.

 


Shfaq Komentet (6)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ja ke futur kot me gjithe keto zhgarravina. Pastaj…romani “Dervishi dhe vdekja” nuk eshte i Danillo Kishit, por i Mesha Selimovicit

    Përgjigju ↓
  2. Me kot lodhesh neper monopate te gjesh shkakun e shkoqjes se PD. Ajo lindi e funksionoi si nje parti e vertete fashiste. U pasurua duke rrembyer gjith c’pati ky vend mbi toke e nen toke. U mbajt ne pushtet me thonj e me dhembe duke ushtruar dhunen me te eger mbi kundershtaret e vet, u shnderruar ne parti e familjes e kuneterve dhe bijve e bijave te majmura, dhe natyrisht qe do vinte kjo dite per te. E rendesishme eshte qe kreret e saj shpellare qe e masakruan dhe e shiten Shqiperine, te japin nje dite llogariper gjithe c’i punuan vendit, pastaj demokratet e vertete qe sigurisht jane te shumte ne kete parti, do dine ta gjejne vendin e vet ne nje parti dekoratike te rilindur.

    Përgjigju ↓
  3. Gjithe sa thuhet ketu , nga z.Sulejman Mato eshte as me shume dhe as me pak , se sa nje diskutim ne forumet partiake te PD-se dhe qe nuk ka vlera per lexuesit e zakonshem. Sulejmani ka per idhull , me te neveriturin e politikaneve shqiptare ,pas `90-es, qe e shpuri vendin ne buze te gremines ,luftes civile , grushteve te shtetit,percarjeve Veri-Juge , politikes se gjuhes se felliqur e rrugacerise , vjedhjeve,abuzimeve e korrupsionit galopant , deri vrasjen ne mes te dites me gjakftohtesi te protestuesve paqesore te pa armatosur ,etj.etj. qe per kete fare burri , jane krejt normale dhe gati sa nuk i kujton me nostalgji Duket se nuk ka kapacitet mendor e intelektual per te vleresuar drejt kundershtarin politik , por perdor shprehje bajate e te pergjitheshme , ashtu sikurse ka bere e ben Saliu dhe dishepulli i tij Bashovici , i dale edhe ky nga duart e specialisteve te UDB – se .Po , per keto , as qe i bie nder mend Sulejmanit !

    Përgjigju ↓
  4. O i shkreti Sulejman. Po “Dervishin…” nuk e ka shkruar Danilo Kishi, o igno… E ka shkruar Mesha Selimoviçi, boshnjaku.Te pakten shiko ne internet. Pastaj nuk eshte ajo qe pershkruan ti permbajtja. ha,ha,ha. O te uruar kuadro te komunizmit, qe jeni bere lemsh jeni bere. Po shkoni e vdisni o te mjere ça ju duhet ju lufta brenda llojit. Ti edhe mbiemrin e ke mato qe ne italisht do te thote:… Ngaterroni Danillo me Dervish. ha,ha,ha.

    Përgjigju ↓
  5. I nderuari sulejman ( Normali jo i madherishmi), mendoj qe tentativa juaj per te shpieguar humbjen e nje partie ne zgjedhje eshte shume e dobishme; siç e permendni faktoret jane te brendeshem(programi, kandidatet per deputete,por mungon autokritika)dhe te jashtem (partite kundershtare, elektorati,fukaralliku me pasojat e veta)Per mendimin tim PD humbi sepse asnjehere nuk ka bere autokritike, nuk ka bere analize te humbjeve qe ka pesuar, nuk ka demostruar juridikisht qe eshte ndryshe nga PS. Dallimi kryesor i te majtes dhe te djathtes eshte qendrimi mbi pronen ku PD me dashje gaboi(gjithnji mendimi im)ne ligjin per ndarjen e tikave;gaboi ne trajtimin e te perndjekurve politik dhe ne krijimin e brezit te ri drejtues me pikpamje te djathta.Mendimi im eshte se ne vendin tone ka parti tarafesh dhe jo parti idesh. Ky eshte nje fenomen i lidhur me injorancen politike dhe me mungesen e ideologjise te majte apo te djathte. Ne vendet e zhvilluara quhet populizem, ne vendet ideologjikisht te prapambetura quhet feudalizem me kollare ose kepuce atlete; apo erdoganizem, siç po ndodh ne Turqi)

    Përgjigju ↓