KULTURË

Shuhet albanologu Antonino Guzzetta

09:20 - 28.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Është shuar gjatë kësaj jave një emër i njohur i albanologjisë. Pas një lëngimi të gjatë, është ndarë nga jeta prof. Antonino Guzzetta, lindur në Piana degli Albanesi më 14 tetor 1922. Ai qe formuar së pari në Seminarin greko-shqiptar të Palermos, themeluar nga Àt Giorgio Guzzetta, që do të ishte një pikë referimi për gjithë veprimtarinë e tij të mëpasshme. Në rininë e tij, ai iu përkushtua konsolidimit të aparkisë së Piana degli Albanesi, sipas këshillave të Rosolino Petrotta-s, që më pas do të ishte dhe mentori i tij.
I rikthyer në vendlindje, pas viteve të vështira të Luftës, Antonino Guzzetta u diplomua në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Palermos. Në këtë periudhë ai mori mësime prej studiuesish të mirënjohur të albanologjisë, si Gaetano Petrotta, Marco la Piana, Giuseppe Valentini, Marcello Durante, Rikardo Ambrosini. Shumë shpejt u bë një prej bashkëpunëtorëve të tyre, në fillim si asistent vullnetar dhe më vonë si pedagog i fonetikës dhe gjuhësisë së përgjithshme.
Më 1974 u emërua profesor i rregullt i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe në këtë detyrë shumë shpejt riktheu në jetë katedrën më të hershme të albanologjisë në Itali, që ishte ngritur në krye të herës, më 1900, pranë Institutit Oriental të Napolit. Pas një viti u transferua në Palermo, i ngarkuar me detyrën e drejtorit të Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Letërsisë dhe të Filozofisë në Universitetin e Palermos. Në vitet 1987-1990, me daljen në pension të mikut të tij të madh prof. Francesco Solano, Antonino Guzzetta dha mësim pranë Universitetit të Studimeve në Kalabri, duke siguruar vazhdimësinë shkencore dhe didaktike të njërës prej katedrave albanologjike më të vlerësuara në shkallë ndërkombëtare. Veprimtaria universitare e prof. Antonino Guzzetta-s në këtë kohë u shqua për organizim efikas, në mënyrë të veçantë për rritjen e interesit të të rinjve në aulat palermitane.
Që nga viti 1968 prof. Antonino Guzzetta mbajti detyrën e drejtorit të Centro Internazionale di Studi Albanesi që mban emrin e Rosolino Petrotta-s, e mirënjohur dhe me prestigj të lartë shkencor në Itali e në shkallë europiane, ku ai zhvilloi një numër të madh veprimtarish ndërkombëtare, kongrese dhe seminare, që patën si rezultat të denjë botime me nivel të lartë. Janë plot 23 kongreset ndërkombëtare të studimeve shqiptare që prof. Antonino Guzzetta organizoi midis viteve 1973-1997, duke e shndërruar qendrën që drejtoi në një pikëtakimi të shumicës së studiuesve albanologë që e ushtronin veprimtarinë e tyre në Perëndim (Francë, Gjermani, Austri, Rusi, Greqi, SHBA). Që nga viti 1991 në këto kongrese morën pjesë edhe studiues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Nuk është aspak e rastit që ai luajti një rol ndërmjetësuesi për bashkëpunim të shpejtë edhe me këta studiues, menjëherë pas daljes prej regjimeve totalitare.
Midis kontributeve të tjera shkencore, vlen të përmendet drejtimi i kolanës shkencore Albanica, të cilën ai vetë e themeloi dhe e bëri të suksesshme me botimin e shumë monografive dhe përmbledhjeve me studime e burime. Në aspektin qytetar, veçohet roli i tij në mbrojtje të së ardhmes së katedrës së gjuhës shqipe, për të ardhmen e së cilës ai luftoi me këmbëngulje. Ai pati meritën të bashkonte në këto përpjekje edhe kolegë studiues të shumtë italianë e të huaj.
Arbëreshët e përcjellin për në banesën e përjetshme prof. Antonino Guzzetta-n me dhimbjen që shprehin fjalët: Të kemi dashur sempri mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.