BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Ina Rama “zbulon” familjen, në teatër me 2 vajzat në premierën e të atit Haxhi Rama

16:00 - 29.07.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Zbulohet familja e kryeprokurores Ina Rama kapet me bashkëshortin dhe dy vajzat larg kryeqytetit




Prej dy vjetësh ajo drejton institucionin hijerëndë të Prokurorisë së Përgjithshme. Edhe pse imazhi i saj është krejt në kontrast me atë çfarë përfaqëson. Pasi ëmbëlsia që përcjell përmes portretit, shtatit apo edhe fjalës, i thyejnë të gjitha hezitimet për t’iu afruar kryeprokurores Ina Rama. E megjithatë nëse para dy vjetësh, kohë kur ajo u vendos në krye të këtij institucioni, u tregua e hapur ndaj intervistave personale, së fundmi impenjimet në punë e kanë kufizuar së tepërmi.

Por “Bluetooth”, pas tentativave të shumta për t’u servirur jetën e kryeprokurores Rama, më në fund duket se ia ka dalë mbanë. Madje, ndjekja jonë ka arritur deri në Elbasan. Këtë fillimjavë, babai i Ina Ramës, regjisori Haxhi Rama ka dhënë premierën e komedisë “Një lidhje për zgjidhje” në teatrin “Skampa” të qytetit të Elbasanit. Ina, si një ndjekëse e rregullt jo vetëm e shfaqjeve të të atit, por të gjithë aktiviteteve kulturore, është zhvendosur në qytetin fqinj të Tiranës.

Ajo ka qenë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe dy vajzat e vogla, të cilët zbulohen për herë të parë në faqet e suplementit tonë.
Sapo është futur në teatër, krejt natyrshëm ka tërhequr vëmendjen dhe ajo si gjithmonë e mirësjellshme ka respektuar njerëzit e pranishëm, si dhe miqtë e të atit. Më tej është ulur me familjen e saj në një prej llozhave të teatrit. Sigurisht që gjatë gjithë këtij procesi ajo është shoqëruar nga sytë e kureshtarëve. E veshur me një pallto të kuqe, ajo duket se ka përcjellë atmosferën festive, e po aq binin në sy edhe dy bukuroshet e saj të veshura përkatësisht me pallto çiklami dhe të bardhë. Veshje që sigurisht janë zgjedhur me shije nga mamaja e tyre, që gjithmonë ka rënë në sy për një paraqitje sa serioze aq edhe moderne. Pasi kanë shijuar shfaqjen gjithë humor, Ina dhe familja e saj i është kthyer kryeqytetit për të vazhduar ritmin e përditshëm.

Hobet e kryeprokurores
Është njeri i ligjit, megjithatë tek ajo po aq bashkëjeton dhe arti. E në mos shpesh gjendet nën trysninë e tij. Kjo jo vetëm për sa i përket teatrit, të injektuar ndoshta në mënyrë të pavullnetshme nga babai i saj, por artit në tërësi. Është një njohëse e mirë e pikturës. Adhuruese e saj. Nuk ka ekspozitë të re, të cilën nuk shkon ta shohë me qejf. Siç kemi mësuar, jo vetëm në shtëpinë e saj por edhe në zyrë ka mjaft të tilla. Filmi gjithashtu është një tjetër hob i kryeprokurores. Sa herë që ka mundësi, shkon në kinema për të shijuar në ekranin e madh filmat e rinj që dalin. Librat janë po ashtu të pandashmit e saj. Madje, fotoja që u sjellim është bërë pikërisht në një nga ditët e panairit që u zhvillua pak javë më parë në Tiranë. Ajo është kapur nga paparaci ynë ndërsa ka qenë duke përzgjedhur librat, të cilët më pas janë bërë pjesë e bibliotekës së saj.


Nje kafe jashtë orarit
Në një ditë të suksesshme në punë, çdokush ia lejon vetes ta shijojë pak pushim. E në këtë rast, për t’u çlodhur nga ngarkesat e përditshme nuk ka më mirë se një kafe në periferi të kryeqytetit. Në këtë foto, kryeprokurorja është kapur me stafin e saj të ngushtë duke shijuar kohën e ngrohtë dhe duke bërë, pse jo, ca biseda larg temave të ditës. Pragfestat duket se kanë qenë argumenti më komod për të gjithë.
Ky shkrim u botua më 26 dhjetor 2009


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.