OPINION

Populizmi i Ramës dhe ambasadorët e Perëndimit

07:37 - 01.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ferdinand XHAFERRI

 

Mekanizmi i veprimit të populizmit nuk është arsyeja, por llafollogjia

Tony Blair (ish-kryeministër i Britanisë dhe këshilltar i Edi Ramës, ref: “New York Times”)

Një nga problematikat që po prodhon vera e 2017 është populizmi i kryeministrit, i cili po zhvlerëson rrufeshëm institucionet. Shohim se afishohen lista administratorësh, zyrtarësh dhe intelektualësh, që populli i ka denoncuar tek kryeministri. Shohim takime të kryeministrit me qytetarë, ku gra e burra bëjnë me dije problemet  me hipotekat, legalizimet e kështu me radhë. Më pastaj reagon Edi Rama, që gjithë pasion vepron kundër drejtorëve abuzues me problemet e popullit. Populizëm i mirëfilltë, ku edhe mikrofoni se tek kush do të shkojë komandohet nga kryeministri. Dialogu në institucione dhe me shoqërinë civile nuk na bën punë, sepse ai është pjesë e elitave. Rama po i zgjidh hallet drejtpërsëdrejti. Institucionet e liberal-demokracisë nuk janë më të dobishme.  Kush do të tentojë të mospajtohet e ka vendin thjesht në kazan.

Ka një konsensus të studiuesve se individët që dashurojnë kartën e ndryshimit radikal të statukuosë dhe ekspozojnë forcën individuale për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të korrupsionit vetëm sa përfundojnë në forma më të këqija të përhapjes së tij. Për të provuar këtë konsideratë, ata ndalen me rastet e Hungarisë, Turqisë apo edhe më përtej deri në Amerikën Latine. Për këto vende organizatat e specializuara për të mbikëqyrur korrupsionin paraqitin rezultate që pasqyrojnë ecjen krah për krah të korrupsionit me populizmin (Transparency International 2016).

Me populizmin e tij, Rama po përpiqet të përcjellë mesazhin se po sjell në qendër të vëmendjes ato çështje, të cilat i interesojnë qytetarit, por që zvarriten nga zyrtari. Deri këtu nuk kemi asgjë në kundërshtim me demokracinë. Por, populizmi i Ramës shkon më përtej dhe përjashton opinionet e kundërta dhe për rrjedhojë mohon legjitimitetin e kundërshtarëve politikë. Sikundër Rama është shprehur, atij nuk do i interesojë oponenca e opozitës në parlament, sepse ai është atje tek populli. Me këtë sjellje politike, Rama hedh në erë kulturën e debatit dhe respektin për opozitën, të cilat mundësohen dhe shprehen në Parlament. Në demokracinë sipas mendjes së Edi Ramës, çdo ditë e më pak do të përfshijmë elitat në hartimin e agjendave e çdo ditë e më tepër do të ripolitizojmë dëgjesat. Për më keq, mbas katër vitesh në qeverisje, dëgjesat publike që përfundojnë me shkarkesa, të lënë shijen se janë thjesht iniciativa zëvendësuese për të fshehur dështimin e reformave institucionale apo pafuqinë e Ramës për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.

Ajo që duhet bërë në luftën kundër korrupsionit nuk është diskretitimi i administratës, që edhe pa iniciativat e Ramës është goxha e diskretitutar, por fuqizimi i institucioneve demokratike. Përfundimi që mund të nxirret nga ekspertizat në çështjet e korrupsionit lidhet kryesisht me faktin se rrënjët e këtij fenomeni nuk qëndrojnë tek individi, por tek mosfunksionimi i shtetit dhe institucioneve të tij. Rama nuk duhet të pushojë arbitrarisht drejtorë legalizimesh, por duhet të legalizojë institucione efektive kundër korrupsionit. Pra, të reformojë sektorin publik dhe të ndërtojë kapacitet institucionale për t’i bërë strukturat shtetërore edhe më transparente edhe më efiçente.

Tashmë që Rama është legjitimuar edhe nga një shumicë demokratike, ambasadorët e Perëndimit mund të jenë të vetmit aktorë që mund të kufizojnë turravrapin populist të kryeministrit. Ata kanë qenë përgjithësisht të heshtur ndaj tendencave të shfaqura nga Edi Rama për të kontrolluar median dhe margjinalizuar opozitën (Freedom House 2016 për punë të korrupsionit dhe përparimit të demokracisë na certifikon më keq se një dekadë më parë). Me këtë sjellje të tyre, ambasadorët Lu dhe Vllahutin, që janë në mbyllje të mandatit, do të lënë si hipotekë një Shqipëri në dukje të stabilizuar, por me shumë deficite lidhur me demokracinë. Pra, heshtja e ambasadorëve të Perëndimit do të bëjë që në katër vitet që vijnë, në Shqipëri do të ndjehet gjithmonë e më pak fuqia e ligjit dhe gjithmonë e më shumë urdhri i kryeministrit. Kjo thjesht do të thotë se Shqipëria do të transformohet shumë pak nga ekspertiza e institucioneve, që formësohet nga argumentet dhe shumë nga retorika e Ramës, që formësohet nga populizmi. Pra, Shqipëria e populizmit të Ramës do të prodhojë politikë pa prodhuar politika.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.