AKTUALITET

Vrasja e 22-vjeçarit, nëna: M’i blini një kostum djalit se do e bëj dhëndër. Ja ç’më tha im bir 30 minuta para se ta vrisnin

13:11 - 03.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




“Pavllo, mos u mërzit. Pas Marvit, do ikim edhe ne. Nuk e duam më jetën. Do biem rehat. M’i gjeni, m’i gjeni një kostum djalit, se do e bëj dhëndër. Është 1.86 i gjatë. I blemë dhe makinë kur përfundoi studimet dhe nuk e gëzoi. Marvi, Marvi, bir…”. Fjalët e Mira Mihalit rrëqethën të madh e të vogël. Të afërm, miq dhe të njohur shpërthyen në lot. Askush nuk do ta besojë vdekjen tragjike të 22-vjeçarit, i cili u masakrua me thika mbrëmjen e së hënës pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në Tiranë.

Dje, në banesën njëkatëshe të rekordmenit shqiptar Pavllo Mihali, që ndodhet në rrugën “Riza Cerova”, hynin e dilnin pareshtur njerëz që e ngushëllonin për humbjen e djalit të vetëm. Aty ndalëm hapin edhe ne. Por, nuk mundëm të nxirrnim një fjalë. Ishte e pamundur; të gjithë ishin të tronditur nga vrasja makabre e studentit të Drejtësisë. Pastaj, fliste krejt përçart nëna e 22-vjeçarit, mësuese e Anglishtes në Liceun Artistik. Mira Mihali, tregoi për “Gazetën Shqiptare” bisedën e fundit me të birin, vetëm 30 minuta para se disa gangsterë t’ia merrnin jetën djalit të saj për një karikues telefoni. Ajo tha se ishin me pushime në Sarandë, kur e telefonuan se Marvi ishte aksidentuar…

Dje, rreth orës 11:00, qindra vetë përcollën për në banesën e fundit Marvi Mihalin. Teksa po i jepnin lamtumirën të riut, fqinjët e familjes Mihali pohuan se Marvi ishte djalë i urtë dhe shumë i sjellshëm. “Ai ishte shumë i dashur dhe kur flisnim me të, thoshte gjithnjë: Ju lutem, faleminderit. Nuk duam ta besojmë atë që ndodhi”, thanë fqinjët e 22-vjeçarit.

NËNA E MARVI MIHALIT

“Unë dhe bashkëshorti ishim me pushime në Sarandë. Rreth orës 22:00 të së hënës e mora Marvin në telefon. E pyeta: ‘Marvi, ku je?’. Ai më tha se ‘jam në lokal duke pirë kafe’. I thashë: ‘Është vonë, të keqen mami, kthehu në shtëpi’. Ndërsa, djali më tha: ‘Të lutem, mami, mos më trajto si fëmijë’. ‘Mirë, të keqen mami. Më fal’. Kjo ishte biseda e fundit me tim bir”, – tha Mira Mihali. Vetëm pak minuta më pas, një telefonatë u ka ngrirë gjakun bashkëshortëve Mihali. “Marvi është aksidentuar”! Menjëherë prindërit e 22-vjeçarit janë nisur në Tiranë, por rrugës, në Tepelenë ata kanë mësuar lajmin e kobshëm për vrasjen e të birit.

“Po udhëtonim drejt Tiranës me tim shoq, kur në Tepelenë dëgjuam në radio lajmin për vrasjen e djalit. Ishte e pamundur të vazhdonim më rrugën pasi na ra të fikët. Erdhi vëllai im nga Tirana dhe na mori në Tepelenë”, – tha nëna e viktimës, ndërsa shpërtheu në lot. Përmes ngashërimeve, ajo tregoi edhe për dhuratën që i kishin bërë Marvit, pasi këtë vit kishte mbaruar Bachelor-in në universitetin “Luarasi”. “I blemë djalit një makinë, por nuk e gëzoi”.

HETIMET

Pas vrasjes së Marvi Mhalit, policia ka marrë në pyetje 4 të rinjtë, të cilët u arrestuan të martën. Ata janë shprehur se nuk kanë dashur ta vrasin 22-vjeçarin. Mësohet se fillimisht viktima dhe Dejvi Bitraj janë konfliktuar në telefon për shkak se celulari që Mihali kishte blerë ishte me probleme. Bitraj pretendon se është ofenduar gjatë telefonatës. Ata kanë lënë të takohen për t’u sqaruar në vendin ku ndodhi vrasja, por sipas të arrestuarve, edhe aty Marvi Mihali i ka ofenduar. Mes tyre fillimisht ka nisur një përleshje fizike, ndërsa 24-vjeçari Eugen Bitraj e ka goditur me thikë në zemër. Si pasojë Marvi Mihali ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi i është dëmtuar aorta.

Gazeta Shqiptare


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.