Kryesore

FOTO/ Kthehet në punë Pashollari, mjeku i dënuar për mjekim të gabuar. Beollari: Më vdiq vajzën, frikë për të tjerët  

09:06 - 10.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Xhensila KODRA

Faik Pashollari, i cili është i dënuar me 1 vit burg për mjekim të pakujdesshëm pas vdekjes së një vajze 7 vjeçe, është rikthyer në punë për herë të dytë, ndonëse ndaj tij ka një vendim gjykate se për 3 vite pas përfundimit të dënimit nuk duhet të ushtrojë funksione publike. Këtë fakt e pohoi për “Gazeta Shqiptare” babai i vajzës 7-vjeçare, Hekuran Beollari, i cili thotë se do të vijojë të kërkojë drejtësi për të bijën dhe se ky mjek është një kërcënim për fëmijët e tjerë. “Ai nuk është një mjek profesionist. Ai mjek vdiq vajzën time duke i bërë mjekim të gabuar, ndërsa nesër mund t’u marrë jetën edhe fëmijëve të tjerë”, – tha Beollari.

Ndërkaq, në shtator të vitit të shkuar, “GSH” ka publikuar një tjetër intervistë të realizuar me babain e vajzës 7-vjeçare, i cili tha se mjeku Faik Pashollari kreu vetëm 3 ditë burg, pasi përfitoi nga amnistia. “Vetëm 3 ditë para se të shpallej lista me emrat e personave që do të përfitonin nga amnistia, u dorëzua vetë në polici dhe pas 3 ditësh, ai u la i lirë duke përfituar nga amnistia. Në një kohë që ligji 154/2015 për dhënie amnistie, neni 5, pika 2 thotë se, ‘Nuk përfitojnë nga amnistia personat që i janë shmangur ekzekutimit të dënimit të dhënë'”, – tha ai në atë kohë. Sakaq, disa muaj më parë, mjeku Pashollari kishte nisur të ushtronte profesionin e tij në Spitalin e Përmetit, pasi kishte siguruar dy dëshmi penaliteti ku shkruhej: “Është i padënuar”. E para mbante datën 02.03.2016, ndërsa e dyta datën 06.06.2016. Këto dëshmi, ai i kishte siguruar për faktin se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk kishte në sistem vendimin e Gjykatës së Apelit Gjirokastër, si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë, vendim i formës së prerë. Pas verifikimeve dhe shkrimeve të botuara në “GSH”, Spitali i Përmetit e pezulloi atë nga detyra.

Zoti Hekuran, mjeku pediatër Faik Pashollari, i cili u dënua për shkak të vdekjes së vajzës suaj nga mjekimi i pakujdesshëm, është rikthyer sërish në punë, ndonëse ka një vendim gjykate për moskryerje të detyrës për një periudhë 3-vjeçare. Si e zbuluat këtë gjë?

Këtë gjë unë e kam mësuar nga disa persona të ndryshëm. Nga disa prindër që kur kishin çuar fëmijët e tyre në Spitalin e Gjirokastrës për t’i vizituar, kishin parë se mjeku që vdiq vajzën time, Erën, ishte rikthyer në punë. Këta persona janë nga Përmeti dhe ne kemi njohje me ta. Sapo kanë ardhur në Përmet, më kanë treguar.

Si u ndjetë në ato momente?

Jam çuditur! Nuk e kuptoj se si ky mjek që është dënuar për vdekjen e një fëmije të futej sërish në punë, kur rezulton me një dëshmi penaliteti jo të pastër dhe për 3 vite nuk duhet të kryejë punë publike! Kjo nuk është hera e parë që ky mjek futet sërish në punë, dhe nuk arrij ta kuptoj se si ka mundur ta bëjë këtë gjë, pasi për të ka një vendim të Gjykatës së Apelit Gjirokastër. Më parë ky person është futur në Spitalin e Përmetit, duke punuar atje 6 muaj me radhë. Edhe atëherë kam takuar drejtorin e spitalit. I kam thënë se, si ky mjek ishte futur në punë kur kishte vdekur një fëmijë, dhe jo se ishte vajza ime, por sepse ai person kishte kryer një krim dhe ishte dënuar për këtë gjë.

Si vepruat më pas? A keni kontaktuar me institucionet përkatëse?

Patjetër që po! Sapo mora vesh këtë gjë, kam shkuar dhe kam takuar drejtorin e Spitalit të Gjirokastrës. Ai më tha se ‘nuk e kam futur unë këtë person në punë. Këtë mjek unë e kam gjetur këtu dhe është futur nga drejtori i parë. Por unë do të interesohem për këtë problem duke parë edhe dokumentet e tij’. Nuk e kuptoj se si ky drejtor, ky shtet apo kjo qeveri fut në punë persona që janë të rrezikshëm në profesionin që po kryejnë.

Mendoni se rikthimi i tij në punë është i rrezikshëm për fëmijët e tjerë?

Ai mjek vdiq vajzën time duke i bërë mjekim të gabuar, ndërsa nesër mund t’u marrë jetën edhe fëmijëve të tjerë, dhe askush nuk e do këtë gjë. Ai njeri është një monstër. Ai nuk është një mjek profesionist. Ai po vazhdon të punojë edhe pse ka dalë në pension, gjë që nuk i lejohet.

Po me persona të tjerë, a keni kontaktuar për këtë çështje?

Pasi u interesova në Spitalin e Gjirokastrës, menjëherë kam kontaktuar me një tjetër person tek Urdhri i Mjekut, pasi janë ata që i pezullojnë dhe po ata që i japin licencat. Kam kontaktuar me ta dhe më thanë se kishin marrë një shkresë nga një prokuror i Prokurorisë së Rrethit Përmet që ai mjek të kthehej në punë.

Cili është apeli juaj?

Unë u kërkoj Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryeministrit të vendit që t’i shohin këto raste me më shumë prioritet. Të bëhet një reformë, që këta lloj mjekësh që po marrin jetë njerëzish të mos punojnë më në këto institucione dhe të rrezikojnë jetën e personave të tjerë. Unë do vazhdoj të kërkoj drejtësi për vajzën time të ndjerë që sot nuk e kam më në shtëpi! Do hap një proces penal për ata persona që kanë futur në punë një mjek të dënuar dhe në kundërshtim me ligjin.

Mendoni se këta persona mund të jenë blerë me para nga mjeku për t’u rikthyer në punë?

Mendoj se korrupsioni në këtë çështje është tepër i madh, pasi ky mjek është futur në punë për herë të dytë edhe pse nuk lejohet me ligj. Dhe ky është një skandal shumë i madh i drejtësisë shqiptare!

 

Drejtori i spitalit: Po verifikojmë dosjen

Drejtori i Spitalit të Gjirokastrës, Përparim Muço konfirmoi dje për “Gazeta Shqiptare” se mjeku pediatër Faik Pashollari ushtron profesionin e tij në këtë spital. Sipas drejtorit Muço, mjeku në fjalë nuk është futur në punë prej tij, por është gjetur në këtë institucion në momentin që ai ka marrë detyrën, dhe se pranimi i tij ishte bërë nga drejtori i mëparshëm. “Mjeku Faik Pashollari nuk është futur në punë nga ana ime. Këtë person unë e kam gjetur në punë në momentin që kam marrë detyrën e drejtorit të spitalit. Është futur nga paraardhësi. Ai është në moshë pensioni. Duke qenë se spitali ka pasur nevojë, pasi ka pasur mungesë personeli mjekësh të kualifikuar, ai është ofruar, ka kërkuar mundësinë për të punuar vetëm si mjek roje, 4 ose 5 shërbime në muaj. Dhe kjo gjë është pranuar nga drejtori i mëparshëm i spitalit”, – tha ai. Po ashtu, Përparim Muço pohoi se po e verifikon edhe një herë dosjen e Pashollarit. “Mua më erdhi babai i vajzës për të cilën mjeku Pashollari është dënuar për mjekim të pakujdesshëm dhe m’u ankua për këtë gjë. Unë i jam përgjigjur që të bëjë një kërkesë me shkrim. Pas kësaj, u interesova në zyrën e personelit që kam dhe vendosa që ta rishikoj edhe një herë dosjen e këtij mjeku. Me këtë detyrë kam ngarkuar juristin e institucionit. E kemi thirrur personin në fjalë dhe e kemi sqaruar se, me këtë dëshmi penaliteti që ai ka dorëzuar rezulton se nuk duhet ta kryejë detyrën për 3 vite”, – sqaroi drejtori i Spitalit Gjirokastër.

 

Si ndërroi jetë 7-vjeçarja pas të vjellave në shtëpi

Ishte data 13.08.2012 kur rreth orës 04:00 të mëngjesit, bashkëshortët Zana dhe Hekuran Beollari, banues në qytetin e Përmetit, kanë konstatuar se vajza e tyre, Era Beollari kishte paraqitur shqetësime të shëndetit, madje ka vjellë 2-3 herë. Pasi i kanë matur temperaturën, që ka rezultuar normale (36.5 gradë), ata kanë shkuar në këmbë së bashku me vajzën në spitalin e qytetit, duke qenë se e kishin afër banesës. Gjatë rrugës, vajza komunikonte lirisht me prindërit. Në spital, mjeku i rojës, Jonuz Hoxha ka kryer procedurën e shtrimit dhe i ka vendosur një serum intravenoz fëmijës Era Beollari. Nga momenti i paraqitjes në spital dhe deri në orën 07:00 të mëngjesit fëmijës i janë aplikuar dy serume, ka vjellë vetëm një herë, duke mos paraqitur shqetësime të tjera. Në kartelën mjekësore, nga ana e mjekut të rojës Jonuz Hoxha është shënuar diagnoza e shtrimit “infeksion viral” dhe mjekimi përkatës, aplikimi i serumit intravenoz. Rreth orës 08:00, në spital ka ardhur mjeku pediatër, i pandehuri Faik Pashollari, i cili, pasi ka vizituar fëmijën, ka vendosur që të vazhdojë mjekimin me të njëjtat medikamente (serume). Nga ora 08:00 deri në orën 11:00 të paradites fëmija ka vjellë sërish dhe për ndalimin e të vjellave, Faik Pashollari i ka aplikuar me shiringë fillimisht medikamentin primperan dhe më pas medikamentin atropinë. Pas aplikimit të medikamentit atropinë, rreth orës 11:00-11:30 gjendja e fëmijës ka filluar të rëndohet. Për këtë arsye, i pandehuri dhe personeli ndihmës e kanë kaluar fëmijën në dhomën e oksigjenit. Rreth orës 20:00, gjendja e fëmijës ka vazhduar të jetë e rëndë, me konvulsione të gjeneralizuara, derisa rreth orës 21:00 ka gjetur vdekjen, gjatë kohës që transportohej me ambulancë drejt Tiranës, për ndihmë të specializuar. Autopsia e fëmijës nuk është kryer, pasi familjarët nuk kanë qenë dakord.

Faksimile e “Gazeta Shqiptare”, të datës 14 tetor 2016, ku i ati i vajzës tregonte se si mjeku Pashollari nga 1 vit burg që ishte dënuar bëri vetëm 3 ditë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.