OPINION

Ura bashkuese mbi muret ndarëse

08:03 - 12.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga dr. Jorgji KOTE

 

Të dielën e datës 13 gusht 1961, në orën 01:54, pa pritur që të gdhihej, me qindra e mijëra forca ushtarake dhe policore gjermano-lindore filluan në fshehtësi të plotë ngritjen e Murit të Berlinit. Ndonëse është folur e shkruar aq shumë, edhe sot, 56 vjet pas ngritjes së tij, imagjinata njerëzore e ka tejet të vështirë të pranojë logjikën e këtij megaabsurdi. Sepse, siç e kam përshkruar gjerësisht në librin “Berlini pa Mure”, bëhet fjalë për një mur unikal 156 km të gjatë me katër breza me tela me gjemba, mijëra shtylla, kanale, 302 bunkerë etj. që vijoi sofistikimin teknologjik deri në vitet ‘80.

Ndryshe nga ata të mëparshmit që kishin karakter mbrojtës apo fetar – Muret e Babilonisë, Muri i Madh Kinez, Muri i Lotëve etj., Muri i Berlinit ndau për 28 vite fizikisht një qytet dhe një vend në dy sisteme dhe dy botë krejt të kundërta! Ai ishte pasojë e zhgënjimit të thellë me epërsitë virtuale të socializmit. Gjatë periudhës 1949 – 1961, mbi 2,5 milionë gjermano-lindorë vërshuan drejt Berlinit Perëndimor, nga të cilët 160.000 vetëm gjatë 6 muajve të parë të vitit 1961! Ky mur vërtet frenoi largimin në Perëndim, por jo frymën, idealin dhe dëshirën, që mbetën të gjalla deri në rrëzimin e tij; sepse, nga “Prusia e Kuqe” apo “vitrinë” e pretenduar e socializmit, Berlini Lindor ishte kthyer në një Ferr të Kuq dhe kafaz të mbyllur turpi, kurse RFGJ-ja ishte kthyer në një mrekulli të re social-ekonomike botërore.

Dihet tashmë historia e 28 viteve deri në shembjen e këtij muri që solli ribashkimin historik paqësor gjerman/evropian. Kjo falë Perëndimit, që iu kundërvu nismës ogurzezë të Hrushovit dhe Ulbricht/Honeker me hedhjen e spirancave dhe ndërtimin e urave të shumta lidhëse të mirëkuptimit, afrimit dhe bashkëpunimit. Muri pësoi krisjen e tij të parë më 26 qershor 1963, kur presidenti mitik Kennedy mes ekzaltimit të gjysmë milionë berlinezëve bëri fare pranë tij pohimin emblematik “Ich bin ein Berliner” (Unë jam berlinez).

Më 1970, Kryebashkiaku i Berlinit Perëndimor i asaj periudhe, Kancelari Nobelist Ëilly Brandt lançoi “Ostpolitik”, një platformë emblematike me objektiv final “ndryshimin nëpërmjet afrimit me Lindjen”. Ostpolitika dhe përkrahja e fuqishme amerikane ishte Harta Rrugore me “stacionet” e njohura madhore historike – Pranvera Çeke, Solidarnosi Polak, Soproni Hungarez dhe Ballkoni i Pragës, që çuan te 9 nëntori 1989 historik i shembjes së këtij muri.

Por, për të qenë realistë, me gjithë arritjet e shumta, sot bota dhe Evropa janë ende larg pritshmërive të fillimit të viteve ‘90 dhe triumfit përfundimtar mbi muret. Për më tepër, 27 vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit, vërehet sërish një zell i madh për zgjidhjen e krizave dhe problemeve të ndryshme, duke mbrojtur e, ca më keq, duke ndërtuar mure të gjithfarëllojshme – prej guri dhe betoni, fizike dhe virtuale, shpirtërore, politike, partiake, ideologjike, etnike, ekonomike, integruese, tregtare, fetare, racore, gjinore etj.; natyrisht, jo si Muri i Berlinit, por pak a shumë me të njëjtin synim dhe efekt – të ndajnë fizikisht popujt, idetë, vlerat, kulturat, ekonomitë, besimet.

Këtu nuk e kemi fjalën për muret penguese ndaj vërshimit të paligjshëm të miliona emigrantëve, si ai në kufirin SHBA – Meksikë apo dhe në Hungari; edhe pse për to mbetet i hapur opsioni i rrugëve dhe alternativave të tjera më efikase, që të pasqyrojnë imazhin dhe vlerat e vërteta euroatlantike; as për muret raketore që kanë qëllime mbrojtëse. Fjala është për vazhdimin e ekzistencës dhe ngritjen e mureve të reja brenda vendeve dhe ndërmjet tyre. Por më të rrezikshmet prej tyre janë muret në kokat dhe mentalitetin e njerëzve. Mijëra të rinj dhe në vendet perëndimore janë radikalizuar dhe rreshtuar përkrah Shtetit Islamik, sepse në vend të urave të hapjes dhe integrimit, kanë montuar në mendjet e tyre ura, bunkerë dhe gjithfarë barrierash të tjera që i kanë larguar nga realiteti.

Këto mure po mbijnë kudo. Ja, shihni Venezuelën, ku presidenti Maduro, krijoi jashtë çdo rregulli me votim-farsë Asamblenë Kushtetuese, një mur i madh ndarës me Parlamentin e zgjedhur demokratisht vetëm një vit më parë! Vetëm e vetëm për të shpëtuar pushtetin personal përballë shkallëzimit të pakënaqësisë popullore për gjendjen e pashpresë ku e ka futur vendin.

Po ashtu, kolonitë e paligjshme që vazhdojnë të ngrihen në territoret e pushtuara palestineze janë mure dhe më të këqija ndarëse dhe bllokuese për paqen dhe sigurinë se dhe vetë Muri/Gardhi i Ndarjes në West Bank që Izraeli ndërtoi në vitin 2000. Ndërsa Qipron e vogël e të bukur vazhdon ta mbajë të ndarë në dy pjesë një mur i madh politik/ushtarak i ngritur me forcën e armëve qysh në vitin 1974.

Shumë mure janë shembur në Ballkan gjatë 25 viteve të fundit. Paralelisht me këtë proces, Shqipëria ka rol të spikatur edhe në ngritjen e urave të shumta, ku spikat bashkëjetesa fetare model. Gjithsesi, sfidat në këtë fushë janë të shumta dhe të mëdha. Megjithëse demarshet, përfshirë së fundi dhe Procesin e Berlinit, krahas mbajtjes me fanatizëm të shumë mureve në rajonin tonë, hera-herës hidhen edhe themele muresh të rinj. Kështu, ka gati 20 vjet që Greqia dhe Maqedonia nuk kanë qenë në gjendje të zgjidhin çështjen e emrit; ky i fundit është kthyer në një mur të vërtetë të lartë ndarës për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Ndërkohë, pakicat etnike, këto ura të fuqishme lidhëse, kthehen jo rrallë në mure ndarëse dhe armiqësie!

Për ironi të fatit, ka dhe 5 vende anëtare të BE-së që mbajnë ende në këmbë Murin e Mosnjohjes së Kosovës, sepse sipas tyre mund të shërbejë si “precedent” për disa probleme të krijuara apo të trashëguara ato vende. Ndonëse, të paktën 10 vitet e fundit, veç njohjes së saj nga 114 vende, janë dhënë male me fakte dhe argumente bindëse ligjore edhe nga institucione të pavarura ndërkombëtare që e cilësojnë qartë Kosovën si një rast “sui generis”; kësisoj, nuk ka kurrfarë relevance me “konfliktet e ngrira” me rajinet, etnitë dhe pakicat në këto pesë vende.

Këto dhe plot raste të tjera vërtetojnë profecinë e poetit tonë të madh Xhevahir Spahiu, kur në poezinë e tij “Muret” (1999) shtron pyetjen emblematike: “A thua në një ditë me muret kemi lindur, ngrihen për t’u shembur, shemben për t’u ngritur?” Ja pse, përvjetori i Murit të Berlinit, veç kujtesës historike përbën edhe një thirrje të fuqishme për të vijuar shembjen e tyre, për të mos lejuar mure të reja dhe që mbi to të ngrihen ura të mëdha lidhëse dhe bashkuese.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.