MILOSAO

Pse u fsheh Maks Velo tek “Fshati primitiv”?!

10:29 - 14.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben ANDONI




Që kur lexuesi i thjeshtë bën përpjekjen e detyrueshme të hapi libretin e ri pikturik të artistit Maks Velo ka rënë në botën moderne. “Fshati modern”, një cikël i tërë punësh, nisur në vitet ’60 ka qenë një habitat, ku autori ka strehuar veten por ka gjetur edhe mënyrën e tij të shprehjes. Mu ashtu si e mendonte dhe e ndjente. Një cikël i tërë, me plot 500 vizatime, i cili për hir të së vërtetës ka nisur në mënyrë preçize prej vitit të largët 1964. Janë të njohura tashmë në krijimtarinë e Velos vizatimet abstrakte të asaj kohe si “Tri shenjëza”, por shumë pak të perceptueshme për të mos thënë shumë të dënueshme për një masë kolegësh të tij, që bënin karrierën e tyre me kanonet e Realizmit Socialist. Por mu ato punë do të ishin në një farë mënyre edhe shenja e dënimit dhe justifikimi mbi dënimin e tij, bajagi të gjatë. Shumë prej punëve parake të tij u ekzekutuan. Pas viteve ’90, mu në bazë të fotografive të veprave që ruheshin në dosjen e përpunimit të hetuesisë, ai i rimori si tema dhe mundi të restauronte atë korpus që i ka kapluar të gjithë artin e vet. “Cikli është një rrëfim i plotë. E bëra që fshati primitiv të mos humbiste, të kishte një magjepsje. Dhe ashtu u bë. Primitiviteti është vetë i pazakontë. Ai ka brenda tragjizmin e zhdukjes, shpresën e së ardhmes dhe madhështinë e thjeshtësisë. Sa herë jam në vështirësi dhe banoj aty dhe pastaj kthehem dhe mund të vazhdoj betejën. E di që e kam të fituar”, tha Velo. Për artistin lëkura e tij e vërtetë është letra e vizatimit.”
A ka punuar me vetëdije për t’iu shmangur Realizimit Socialist? Apo ka dashur të jetë një zë i veçantë në artin e tij? Studiuesit e interesuar kanë masën e materialit, ku mund të abstragojnë por edhe të gjykojnë, kurse vetë autori e ka përmbushur misionin edhe madje i gjeti vetes një strehë, ku mund të punonte me semiotikën e vet, por edhe me shpalosjen e ideve të veta në artin kombëtar. Një art në dukje shumë naiv, por që në vetvete ishte një kapërcim i paprecedentë për artin që predikonte Realizmi Socialist. Ka që e kanalizojnë këtë lloj arti në të ashtëquajturin art naiv. Por në kontekstin e koncepteve të artit naiv thuhet se: ai ndryshe nga arti popullor, nuk tregon domosdoshmërish një kontekst ose traditë të dallueshme kulturore. Arti naiv është i njohur dhe imituar shpesh për thjeshtësinë dhe sinqeritetin e saj fëmijëror. Pikturat e këtij lloji zakonisht kanë një stil linear të paraqitjes e me një shprehje rudimentare të perspektivës, thonë manualet që e përkufizojnë këtë art. E Maksi nuk bën një art naiv, porse u mundua që brenda kanoneve të një arti, që është larg Realizmit, të tregojë të gjithë vrundujt që e mundojnë. Ai vetë u strehua në këtë art dhe kërkoi të gjente prehjen e shpirtit por edhe shprehjen e tij artistike, duke kontribuar me njohuritë, duke përcjellë frymëzimet dhe përshtatur formën. “Shpërfytyrimet” e kësaj bote ishin në një farë mënyre vetë shpërfytyrimet reale të botës së vërtetë ku jetonte individi socialist. Dhe, për autorin duhej një përzierje e tillë pasi tek e fundit kjo përzierje primitivitet-modernitet, e grishte modernin që për të shpëtuar të shkonte e të jetonte në fshatin primitiv, atë që Maksi u fsheh për të bërë artin e tij. ”Libri është një abetare e qytetërimeve. Fshati primitiv bëri që të jem në harmoni me botën. Ai ishte vendi i veçantë ku mund të fshihesha dhe t’i shpëtoja diktaturës. Diktatura komuniste aty nuk arrinte dot. Në mes të atij fshati është ngritur busti im, ai i vërteti. Ai jam unë”.
Vazhdimisht Maksi është munduar të provokojë përmes artit të tij, por edhe të tregojë se vendos shina të tjera, ku do të trasojë rrugën e vet. Në këtë rast, kur do përmendë fshatin primitiv, ai do të thotë para publikut se: “Bishat e buta më bënë të kuptoj artin. Shkëmbinjtë filluan të vrapojnë si kuajt. Gurët fluturuan në qiellin alumin dhe u shndërruan në mozaikë. Moderniteti i primitives është fillimi i vërtetë se është fillestari që përsëritet”. Maks Velo, arkitekt në profesion, është publicist dhe shkrimtar dhe në jetë ka provuar dënimin në vitin 1978 sepse: vepra e tij “inspirohet nga Modigliani, Braque dhe Picasso, duke iu kundërvënë metodës së realizmit socialist”. Arti i tij ishte një nga arsyet që dënimi për të ishte monolit dhe i pakthim. Filloi një jetë të vështirë pas vitit 1986 kur u liria nga burgu, por që e intensifikoi artistikisht pas vitit ’90, kur Shqipëria e hodhi poshtë sistemin e vjetër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.