AKTUALITET

Mbytjet/ Baballarët e dy viktimave: Lajmin e kobshëm për djemtë e morëm vesh në telefon, dhimbja jonë…

12:15 - 19.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Senad NIKSHIQI

SHKODËR

 

Një ditë pas tragjedisë së ndodhur në liqenin e Shkodrës ku humbën jetën dy kushërinjtë minorenë (djem xhaxhallarësh), familja Tahiri në fshatin Boriç i Madh në Malësinë e Madhe ka hapur dyert e mortit. Mësohet se Ervis dhe Sabian Tahiri, përkatësisht 13 dhe 15 vjeç, së bashku me dy kushërinj të tjerë dhe 3 shokë (7 persona), shkuan për t’u larë në liqen, por argëtimi i tyre u kthye në tragjedi. Rifat dhe Naim Tahiri, dy baballarët e djemve të mbytur, lajmin e kobshëm e kanë marrë vesh përmes një telefonate nga disa të panjohur.

BABALLARËT E DY VIKTIMAVE

Përmes dhimbjes së thellë, Rifat Tahiri tregoi për “Gazetën Shqiptare” se si e mori lajmin e tmerrshëm. “Unë isha në shtëpi kur më ra telefoni. Nuk e njihja numrin. Më tha personi që më mori se fëmijëve u ka ikur lundra. Fillimisht nuk mendova asgjë të keqe. Pas pak më morën sërish dhe më thanë: ‘Eja këtu shpejt se të janë mbytur djali dhe nipi’. U nisa me shpejtësi, por nuk mund të bëja asgjë sepse djemtë ishin mbytur. Nuk mund ta besoj një gjë të tillë. Sabiani ishte djali im i vetëm, ndërsa kam edhe dy vajza. Është një ngjarje shumë e rëndë për të gjithë familjen tonë. Djemtë kanë shkuar për t’u larë në liqen si shumë herë të tjera, por fatkeqësisht u ka ndodhur ajo situatë e vështirë duke u marrë jetën”, – tha babai i viktimës. Sabian Tahiri.

Ndërsa, Naim Tahiri, babai i Ervis Tahirit u shpreh: “Nuk e di se kush më ka marrë në telefon. Mund të ketë qenë ora 16:00 kur më treguan për ngjarjen. S’e besoja dot. Madje nuk dola as nga shtëpia sepse nuk e dija se çfarë të bëja në ato momente. Kur kaloi edhe pak kohë, ma konfirmuan edhe zyrtarisht ngjarjen e rëndë. Nuk e di çfarë të them dhe nuk mund ta shpjegoj atë që ndjej në këto momente. Më pas erdhi policia dhe u nxorën trupat e pajetë. Nuk patëm nevojë të kërkojmë ndihmë sepse u nxorën shpejt. Nuk e kisha menduar kurrë se një gjë e tillë mund të ndodhë. Nuk e di se si ka ndodhur ngjarja, sepse nuk kam qenë aty. Më pas më tregoi djali tjetër që ishte në lundër. Dhimbja për ne është shumë e madhe”.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.