OPINION

Si ta bindim Holandën të mos heqë vizat për shqiptarët?  

09:06 - 22.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Vincent TRIEST 

 

Pas lajmit që policia dhe prokuroria holandeze  i paska propozuar qeverisë në Hagë që të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët, rrjetet sociale u bombarduan me reagimet të ndryshme nga shqiptarët, të cilët u njohën papritur me propozimin e dy agjencive në Holandë.

Për policinë dhe prokurorinë holandeze, kjo kërkesë për masa të forta vjen pasi fenomeni i krimit të organizuar në Holandë po bëhet çdo ditë e më problematik. Çdo muaj, numri i të arrestuarve shqiptarë është në rritje dhe problematika është shumë me e madhe sesa pranohet në Tiranë.

Por, edhe sikur krimi shqiptar në Holandë të jetë fuqizuar aq shumë sesa thuhet, nuk ka asnjë arsye për të penalizuar gjithë shqiptarët! Kjo pasi Holanda nuk do të marrë kurrë një vendim aq të fortë, në qoftë se e shikon që problemi i ngritur prej tyre mund të luftohet dhe në mënyra të tjera.

Për ata që nuk më njohin, dua ta nis këtë shkrim me një prezantim të shkurtër. Unë kam lindur në Holandë, dhe kam jetuar deri para pak muajsh gjithë jetën time në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta. Aty i kam përfunduar studimet, nga ku jam nisur direkt për në Shqipëri, ku merrem çdo ditë me pasion me profesionin tim si gazetar për mediat shqiptare dhe të huaja. Para se të vija në Shqipëri, kam jetuar në qytetin e Roterdamit, ku ndodhet dhe porti më i madh i Europës. Madhësia e portit bën që ky port të jetë njëkohësisht një vend i rëndësishëm për trafikimin e drogës në Europë. Ishte ditë e shtunë herët në mëngjes, më mori një numër nga Holanda. Kur e hapa në anën tjetër të linjës u përgjigj një zyrtar i Policisë se Amsterdamit, i cili shpjegoi që një raport konfidencial i është nisur ministrit të Brendshëm. Në ketë raport është kërkuar që vizat për shqiptarët të ndërpriten, por që raporti ka përfunduar në duart e disa gazetarëve dhe prandaj me paralajmëruan dhe mua.

Sipas burimit, liberalizimi ka bërë shumë të lehtë që njerëz që vijnë me qëllime të këqija në Holandë të lëvizin lirshëm në Holandë dhe në zonën Schengen. Për ketë arsye është bëre shumë e vështirë për policinë për të ndaluar shqiptarët në Holandë, pasi kanë të drejtë të lëvizin për tre muaj lirshëm në zonën Schengen. Nuk ishte hera parë që policia e Amsterdamit me kontakton për të dhënë alarmin për përmasat e krimit shqiptar në Holandë. Pothuajse një vit me parë ata me ftuan në Amsterdam, ku me prezantua me një strukturë të sapoformuar që merrej me goditjen e bandave të Europës Lindore, ku fatkeqësisht në 90% të rasteve Holanda ka të bëjë me shtetas shqiptarë.

Shifrat nuk gënjejnë dhe mendoj që në Shqipëri nuk ka asnjë arsye për të marrë me dyshim konstatimet dhe konkluzionet E një agjencie profesionale, jo-politike dhe me një nga reputacionet me të larta për punën policore në Europë. Ata kanë ngritur vazhdimisht shqetësimet e tyre në Shqipëri, ku dhjetëra policë kanë vizituar Tiranën në mënyrë për të kërkuar një bashkëpunim me të mirë me agjentët shqiptarë. Siç duket kjo strategji nuk ka krijuar rezultate të mjaftueshme, dhe për ketë arsye janë propozuar masa më shtrënguese. Por, pavarësisht që heqja e vizave mund të jetë vërtet një pengese e shtuar për njerëz, që vijnë me qellim të keq në Shqipëri, për një shqiptar të thjesht dhe të ndershëm është me shumë se aq. Liberalizimi i vizave ka krijuar një mundësi të artë për çdo shqiptar për të ikur kollaj në vendet të zhvilluara të Bashkimit Europian për të parë me sytë e tyre se si këto vende ndryshojnë nga Shqipëria. Për biznesmenët, artistët, gazetarët, studentët, ky liberalizim e ka bërë jetën e tyre me të kollajshme. Ka shumë shembuj pozitivë që lëvizja e lirë ka ndikuar për mirë.

Nuk ka më arsye të aplikosh për një proces të gjatë burokratik për të cilin duhet të prisje me muaj para se të marrje përgjigjen e vizës. Sigurisht, abuzime kanë ndodhur, dhe jo vetëm nga persona që kanë ikur në Holandë për trafiqe të ndaluara. Të gjithë shqiptarët janë njohur me faktin që dy vitet e fundit një pjesë e madhe e shqiptarëve kanë abuzuar me lëvizjen e lirë për të aplikuar për azil, që në 99,9% të rasteve është refuzuar.

Kjo ka krijuar një klimë jo të favorshme për shqiptarët në klasën politike holandeze, e cila ka bërë vazhdimisht thirrje të mos abuzojnë me lehtësirat e garantuara nga liberalizimi i vizave. Është pikërisht kjo klasë politike që tashme do të vendosë nëse do të ndjekë propozimin e policisë dhe të prokurorisë holandeze. Por është gjeja me e kollajshme për të fajësuar Holandën tani, pa parë njëherë defektet që mund të zgjidhen vetëm në Shqipëri. Duhet të jetë Tirana zyrtare tani që duhet të udhëheqë me rezultate konkrete për të bindur Holandën të mos marrë një vendim që do të penalizonte gjithë vendin. Për ketë arsye, Shqipëria duhet të bashkëpunojë me intensivisht me Holandën, ku duhet kthehet në një partner të besueshëm për kolegët e tyre policorë në Holandë, sepse çdo shqiptarë që njeh kulturën holandeze e di që holandezët do të zgjidhnin gjithmonë bashkëpunimin e mirë mbi konfliktin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.