Kryesore

Formati i ri i qeverisë “Rama 2”, ministri edhe për Gruan e Thesarin. Emrat që ikin dhe vijnë

09:09 - 23.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Kryeministri Edi Rama dhe familja e tij kanë mbyllur pushimet në Dhërmi dhe janë kthyer në Tiranë. Mbeten edhe 7 ditë përpara se sa kryeministri të publikojë qeverinë e re, për të cilën ka pasur zëra të ndryshëm, por të pakonfirmuar. Edi Rama dje ka shkuar në zyrë ku mësohet se ka qëndruar gjatë gjithë paradites me njerëzit e tij, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, shefen e Kabinetit Vali Bizhga, Sekretarin e Përgjithshëm Engjell Agaci dhe drejtorin e Komunikimit Endri Fuga. Burime nga selia e Kryeministrisë tregojnë për “TCh” se është përfunduar struktura e qeverisë së re, e cila mesa duket do të ketë disa bashkime të ministrive aktuale. Kështu, thuhet se do të bashkohet Bujqësia me Mjedisin, Turizmi me Kulturën dhe Sportin, Ekonomia me Energjinë dhe Zhvillimi Urban me Pushtetin Vendor.

Po ashtu diskutohet për një ministri të re të Thesarit, si dhe një tjetër të Gruas dhe Rinisë. Për sa u takon emrave, flitet për një valë ndryshimesh të qeverisë së para marrëveshjes së 17 majit, ku një pjesë e figurave politike me eksperiencë do të kalojnë në drejtimin e grupit dhe komisioneve parlamentare. Ende nuk dihet nëse qeveria e re do të ketë një përqindje të lartë grash, por mbase kjo është gjëja më e lehtë të parashikohet, po të kihet parasysh Rama si flamurtar i barazisë gjinore. Ashtu sikundër nuk është e vështirë të parashikohet rikthimi i Fatmir Xhafajt në Punët e Brendshme, si dhe konfirmimi i Damian Gjiknurit. I pari krijoi në pak kohë një profil të pakontestueshëm, ndërsa i dyti, përveçse vlerësohet si një ndër më të suksesshmit e mandatit të parë dhe më të besuarit e kryeministrit, i dha Ramës dy fitore spektakolare: Dibrën dhe Vlorën. Nëse rezultati në zgjedhje do të jetë një kriter, disa prej ministrave udhëheqës të qarqeve mund të mos konfirmohen. Ndërkohë, më e pakta që mund të parashikohet është rikthimi i Lindita Nikollës, që e nxori Partinë Socialiste bindshëm fituese në qarkun e Lezhës, për herë të parë pas 10 vitesh të dominuara nga Partia Demokratike. Sidoqoftë, Edi Rama nuk ia ka përtuar surprizave, edhe kur pushteti I tij në parti dhe mbështetja në popull kanë qenë shumë më të diskutueshme sesa sot. Ai vjen nga një triumf i paparashikuar, mbi shumë armiq njëherësh, në një lojë shahu, ku ai e provoi veten si i vetmi shahist në lojë. Nëse qeveria e re do të jetë një lëvizje e radhës në skakierë, atëherë çdo parashikim mund të rezultojë nul, në momentin kur shefi i vjetër dhe i ri i qeverisë do të  shpallë ekipin e tij të radhës për ekzekutivin shqiptar.

Por mes këtyre informacioneve dhe supozimeve, një vendim i Ramës duket se është i pandryshueshëm. Gramoz Ruçi do të jetë në krye të Kuvendit të Shqipërisë për 4 vjetët e ardhshëm! Tani për tani nuk dihet ende çfarë do të bëjë Rama me ndarjen e mandatit të deputetit nga posti i ministrit, pasi përvoja e 4 viteve të para nuk dha ndonjë rezultat politik lidhur me këtë çështje. Burime qeveritare thanë për “Top Channel” se, Rama nuk ka vendosur, gjithashtu, as kur do ta shpallë qeverinë e tij të re. Opsionet janë dy, që ta shpallë të dielën në mbledhjen e Asamblesë socialiste, ose një ditë më pas. Por, kurdo që ta bëjë, është e sigurt se fillimi i javës tjetër e gjen vendin me qeverinë e re socialiste “Rama 2”.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.