KULTURË

Intervista/ Arian Miluka, shqiptari që ngriti universitetin belg të cirkut: Më dhemb rrënimi i Cirkut Kombëtar

10:52 - 23.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Fatmira NIKOLLI

Ndërsa vendi linte pas vitet e skamjes e telave me gjemba, në fillimin e viteve 1990, nipi i familjes Delvina dhe i biri i një oficeri të Zogut që kish mbërritur majat e artit në Shqipëri, e lë vendin. Kish lënë pas rreziqe dënimi, kish studiuar në Kinë, njihte 10 disiplina cirku, kish studion e tij, ishte regjisor e megjithatë, asgjë prej këtyre nuk e mbajti. E kanë cilësuar monument të cirkut shqiptarin që bashkë themeloi “Shkollën e Lartë të Cirkut”, profesionist në Belgjikë.

Arian Miluka, një artist unik që është i përgatitur në 10 disiplina të cirkut pas ikjes nga Shqipëria në vitet 1990, ia doli të bëhej drejtor i shkollës së vetme përgatitore të cirkut në Belgjikë e më tej themelues i l’Ecole Supérieure des Arts du Cirque, duke i dhuruar vetëm në një festival 5 medalje Belgjikës. Në artikujt e mediave perëndimore për të, vlerësimet janë të larta. Një prej revistave hapet me titullin “Filli i Arjanit” duke përdorur simbolikën e fillit të Arianës nga mitologjia për të nxjerrë në dritë aftësitë e shqiptarit që në moshën 48 vjeçare, emigroi për t’ia nisur nga e para për të arritur majat. Belgjika, Franca e Italia kanë fituar prej tij studentë që sot janë artistët më të mirë botërorë të cirkut. Ironikisht, në një kohë kur Cirku Kombëtar është në ditët e tija më të zeza, Ariani vjen në Tiranë për të gjetur trishtimin e lavdisë së humbur dhe zhgënjimin e gjurmëve të fshira. Shkas për këtë intervistë bëhet Bujar Kapexhiu që në të ri, i ka dhënë mësim në shkollën e regjisë Milukës. Artisti i cirkut nga 2009 është në Piemont të Italisë pranë shkollës e cirkut “Vertigo”. Më poshtë intervista e tij për “GSH”.

-Si u lidhe me cirkun?

Më ka gjetur Ali Xhixha duke u hedh nga katarakti. U habit dhe më thirri e më tha “a do që të bëhesh pelihvan?”. Unë i thashë po, por s’më lë babai. Erdhi në shtëpi dhe foli me babain, duke e bindur atë. Më mori dhe pas 2 javësh më nxori te kinemaja verore “Donika” në shfaqje. Më pas më mori Telat Agolli dhe punova me të edhe në kohën krijimit të Estradës.

-Qe i vështirë fillimi? Sa kohe punoje për një numër?

Bëheshin përgatitje gjithë kohës dhe nga kjo punë, numri ishte më i thjeshtë, pasi i ndërtoje të gjitha. Një numër do një vit punë, por para duhen 20 vjet përgatitje. Kam pasur fatin që kam hyrë në të gjitha zhanret: dinamikja, statikja, ekuilibri, vertikalizmi, teli, biçikleta, pantonimat, etj.

-Ku u specializove?

Kam bërë në Kinë specializim dhe isha i vetmi që futesha në të gjitha zhanret. Përgatitja në të gjitha zhanret më ka bërë që të isha i vetmi, unik në cirk e jo vetëm në Shqipëri. As rusët e kinezët nuk kishin njeri që i dispononte të gjitha zhanret. Jam i aftë në 10 disiplina, nga fillimi e deri në masterklas, jam absolut. Më pas, për të hyrë më shumë në brendinë e shfaqjeve, studiova edhe regjisurën, ku më dha mësim Kapexhiu.

-Si i mësuat 10 disiplina?

Përgatitja në Kinë mua më dha bazën absolute. Dhe po të kesh një bazë absolute në statikë dhe në dinamikë mund të hysh në pa diskutim në shumë zhanre. Nëse nuk e ke këtë, që është një e dhënë natyrore që e përpunon, nuk mundesh dot të hysh në disiplina të tjera. Duke kaluar nga një zhanër në tjetrin, unë njoha misteret e disiplinave, pastaj njoha teorinë, metodikën e didaktikën, përmes literaturës ruse, me të cilën u mora gjatë.

-Kur e hapët studion tuaj?

Studion time e hapa në vitin 1976. Ndërtova një libret të titulluar “Shpërthime rinore”. Patën ardhur atëherë për ta parë disa suedezë. Pas shfaqjes ata pyesnin kush ishin pedagogët, mendonin se kemi pedagogë rusë ose kinezë, por u habitën kur mësuan se qemë vetëm shqiptarë.

-Ku keni dhënë shfaqje?

Kam qenë në shfaqje në të tërë Shqipërinë, deri edhe në posta kufiri. Me makina, me plaçka në krah, mal më mal, fshat më fshat. Niveli ishte i mirë, njerëzit ishin të apasionuar, por ne si cirk ishim edhe të mirë trajtuar, kishim rroga të mira e dieta shumë të mira.

Emocionoheshe kur të shihte fshatari e punëtori që bëje ushtrime të vështira.

-Pse ike ne 90-ën nga Shqipëria?

Pati një kohë që pasi ngrita studion e u bëra regjisor i trupës, u bë një prapaskenë që unë të dilja në pension. Isha në kulmin tim e nuk mund ta lejoja, ndaj ika në Belgjikë. Isha 48 vjeç në kulmin e pjekurisë profesionale e bëja shfaqje ku edhe interpretoja vetë jo vetëm si regjisor. Pasi shumë peripecish, mbërrita në Belgjikë dhe na ka ndihmuar ish ambasadori ynë në Francë, Luan Rama. Më prezantuan e më çuan në shkollën e cirkut, ku në fillim dhashë mësim 1 javë, duke folur copa-copa italisht dhe duke interpretuar më shumë. Ata që më shihnin, kishin qenë pedagogë jo studentë, që më dhanë kontratë.

-Po më pas arrite të themeloje një universitet. Si ia dole?

Në fillim pashë programet që ishin mizerabël dhe i thashë drejtorit të shkollës se janë të dobëta programet. Më dha dorë të lirë, ndaj bëra një program që e vumë në zbatim dhe shkolla lulëzoi. Shkasin për sukses ma dha një gazetë franceze. Ajo shkroi, që, si ka mundësi që ne kemi 500 shkolla përgatitore dhe shumë studentë i marrim nga e vetmja shkollë e Belgjikës? Kjo nxori në pah nivelin e shkollës përgatitore ku isha unë. Kjo më rriti mua, sepse u bë shkolla me emër, sa që i jepte studentë Francës. Këtu më lindi ideja që të bënim shkollë të lartë në Belgjikë. E propozova dhe bëmë një dosje, që iu dërgua qeverisë, e cila na dha 6 muaj kohë që të përgatisnim studentë, që të demonstronim. Punuam gjashtë muaj shumë, e dhamë shfaqje para qeverisë, pra ministrat erdhën e na panë në shkollë. Morëm vlerësime të mëdha dhe ata miratuan ngritjen e universitetit në vitin 1998. Dhanë fonde dhe nga 2 u bëmë 40 profesorë, ku unë drejtoja.

U rrit shkolla dhe u bë më e mira e Europës. Mendoni që vetëm në festivalin e Cirkut në Paris, u fituan nga shkolla jonë e nga studentët e mi, 5 numra. Në atë festival është arritje të fitosh një numër, jo 5. Francezët e cilësuan festivalin si homazh për Belgjikën.

Sot jam drejtor në Torino në “Vertigo” dhe Federata Europiane e Shkollave të Cirkut më ka ngarkuar që bë shtete të ndryshme të jap masterkalse për studentë që janë në prag mbarimi.

-Ndërkaq sot, Shqipëria e ka humbur lavdinë kahershme në cirk…

Unë sot kur u prezantoj materiale të asaj kohe, studentëve të mi ose artistëve të mëdhenj në Europë, siç janë studentët e mi që punojnë në cirkun “Soleil” për shembull, thonë si ka mundësi që Shqipëria e vogël të ketë pasur këtë cirk. Mendojnë se produkti artistik është rezultat i një ekonomie të fuqishme e të një shteti të madh. Shqipëria është paradoks, furnizon Europën me artistë të mëdhenj. Unë nxjerr kuadro në tërë Europën që marrin medalje ari dhe nuk më jepet mundësia të ndihmoj shtetin tim, Shqipërinë. Kam dhimbje për këtë. Kam dashur të ngre një akademi ballkanike. Mediat e huaja shkruajnë ‘gjigandi e monumenti i pedagogjisë’ së artit të cirkut, por nuk ndihmoj dot vendim tim.

-Nuk ka shqiptarë që vijnë të studiojnë me ju dhe pse nuk po bëhet akademia e Cirkut?

Në Belgjikë pata folur njëherë më ministrin e Kulturës kur bëmë atje shkollën e lartë. I thashë të marrim disa studentë nga Shqipëria, por duhej të kishe mbaruar shkollën e mesme të cirkut që të bëje të lartën. Më tha po. Erdha këtu, takova Edi Ramën, që atëherë ishte kryetar bashkie dhe u tregua i gatshëm, por ministri belg para 10 vitesh u vu para faktit që nuk kishte marrëveshje atëherë Shqipëri-Belgjikë për këtë çështje. Kjo mundësi nuk u shfrytëzua, ndërsa akademia ka mbetur në ajër. Kam marrë fonde nga Europa për akademinë, por kam ngelur. Cirku është industri, do shumë materiale për sigurimin e jetës, mjete për çdo zhanër që kushtojnë mijëra e miliona para. Investon bota për cirkun. Franca ka 500 shkolla të mesme për cirkun se është art sintezë, ke dramaturgji, koreografi, skenografi, muzikën, është sintezë artistike.

-Ju që keni dalë nga shkolla shqiptare, shkëlqeni, ndërsa Cirku Kombëtar ka marrë të tatëpjetën…

Isha dhe e pashë. Faji është i dyanshëm, edhe i shtetit edhe personelit që e drejton, sepse janë gati të mbeten pas vetëm që të jenë. Ka xhelozira primitive e merren me gjëra të vogla. Se si po rrënohet një gjigand, është për të ardhur keq, e shohin si lëmoshë. Na ka vënë njollë ne që kemi qenë aty. Është një papërgjegjshmëri e madhe.

-A keni rrezikuar në regjim?

Unë jam dënuar njëherë dhe më kanë çuar në Fabrikë të Bukës, por është bërë si modë ta thuash këtë lart e poshtë. Edhe ata që kanë qenë spiunë bëjnë si të persekutuar. Vijon urrejtja klasore, ndarja mes militantëve. Rëndësi ka paqja dhe puna, duhet t’i qasemi Europës. Nuk dua të ankohem si i persekutuar.

-Pas shfaqjeve, udhëheqja takohej me artistët, ti e ke takuar shokun Enver ose shoqen Nexhmije?

Njëherë, pas një kthimi tonin nga Kina, u ftua të ndiqte shfaqjen tonë, shoku Enver. Na thanë që ai nuk qe mirë me shëndet dhe erdhi ta ndiqte shfaqjen, shoqja Nexhmije. Unë, kisha një rol me Skënder Sallakun, kur i gjuaja me pistoletë dhe atij i ikte kapela. Vijnë para shfaqjes këta të sigurimit dhe më kontrolluan. Qeshëm se më thanë, dimë ne, ‘mos e shkrepë shejtani’.

Mbaroi shfaqja dhe erdhi Nexhmija, na takoi dhe na tha: “Fëmija lindi, e kemi për detyrë ta përkundim”. Ishte një mesazh që atë kohë na vlerësonte, sepse thoshte “lindi cirku shqiptar, tani ne na takon të përkundim” dhe ta rrisim. Në fakt, ne artistët e cirkut kemi qenë të privilegjuar. Unë për shembull paguhesha me rrogë 9 mijë lekë, përveç dietave e të tjerave.

GSH.al


Shfaq Komentet (3)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. PERHENDETJE! Pioneri i cirkut shqiptare eshte Telat Agolli pa mohuar merritet e artisteve te tjere te cirkut.kETA ARTISTE E ARTISTE QE HERET REALIZUAN NUMERA TE VESHTIRE TE CIRKUT KU EDHE SOT MUND TE KRAHASOHEN ME PARTENER TE HUAJ.eSHTE PER TE ARDHURE KEQ QE SOT CIRKU PO DERGJET SI NJE I SEMURE I PLAKUR DHE PA SHPRES SHERIMI;sHKAQET JANE TE SHUMTA DUKE FILLUAR ME ATO EKONOMIKE DHE HARMONIZIMIN E NJE GRUPI KU TE VEN ZEMREN DHE VULLNETIN PER TA RIMBEKEMBURE;jEMI POPULL I SAKRIFICAVE DHE I GUXIMIT PSE MOS TA BEJME;Ne Monako eshte qeveria dhe mbreteria e cirkut boterore.fALEMINDERIT

    Përgjigju ↓
  2. Arian te pershendes e te uroj shendet. Je me te vertet vlere e Cirkut Shqipetar por dhe mbare europen. Per Cirkut tone eshte ndihmes shume e madhe ku te kemi nje “Ambasador” ku ti shtri doren ketyre artisteve te talentuar qe ka Cirku jone per tu specializuar ne disiplina te ndryshme. Kto jane politika qe duhet ti luajne drejtuesit e ketij institucioni por fatkeqesisht sot e kesaj dite e vuajme nje gje te tille.

    Përgjigju ↓