OPINION

Pse Trump sillet si Trump

09:28 - 23.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Julian ZYLA

Pas dhunës së ditëve të fundit, ku një mbështetës i supremacisë së bardhë goditi me makinë për vdekje në Virxhinia një kundër-protestuese dhe plagosi rreth 35 të tjerë, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump deklaroi se dhuna ishte faj i të dy palëve në protesta. Për këtë deklaratë ai mori kritika jo vetëm nga i gjithë spektri i majtë amerikan, por edhe nga një pjesë e partisë së tij. Por pse vazhdon Presidenti amerikan të jetë kaq kontrovers? Cila është llogaria politike që e bën të sillet në këtë mënyrë, ndërkohë që mbështetja e përgjithshme për të ka qenë në rënie?

Donald Trump i fitoi zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane, duke zënë të vetmen hapësirë që kishte në dispozicion dhe që premtonte entuziazëm për një pjesë të bazës republikane: linjat e së djathtës së fortë apo ekstreme. Ai nuk ishte i pari që kishte vepruar në këtë mënyrë. Vetëm katër vite më herët kandidati tjetër republikan Mitt Romney u përball me Barack Obamën pasi ishte paraqitur në zgjedhjet paraprake republikane si i djathtë i linjës së fortë konservatore. Por, në zgjedhjet e përgjithshme, Mitt Romney ndryshoi gjuhë. Papritur kandidati u bë i moderuar, duke iu përshtatur kështu opinionit të elektoratit të përgjithshëm amerikan. Shumëkush priste që Trump të ndryshonte gjuhë në zgjedhjet e përgjithshme, në krahasim me zgjedhjet paraprake brenda partisë së tij. Por kjo nuk ndodhi. Ai vazhdoi me deklaratat e forta kundër emigrantëve, mediave dhe çdo gjëje që mund të kishte lidhje me principe të majta. Kështu, edhe për zgjedhjet e përgjithshme, kundër shumicës amerikane të moderuar, ai zgjodhi entuziazmin e bazës së djathtë ultra-konservatore.

Pas zgjedhjes si President i 45-të i SHBA-ve, shumë njerëz shpresonin se Trump mund të bëhej një figurë më bashkuese ose, të paktën, më pak përçarëse. Por as kjo nuk ndodhi. Ai vazhdoi me deklarata ekstreme, si, së fundmi, mos dënimi i drejtpërdrejtë dhe i fortë i dhunës nga supremacistët e bardhë. Kjo tregon se linja e fortë e djathtë e Trump nuk ishte përsëritje elektorale, por strategjia politike identifikuese: kali i fitores.

Arkitekti i kësaj strategjie ishte i shumëpërfoluri Steve Bannon. Por, prej muajsh, në Shtëpinë e Bardhë ishte rënë dakord për largimin e tij. Pak ditë më parë ai la detyrën. Para largimit, ishte pikërisht këshilla e tij që Presidenti Trump të mos ishte shumë i ashpër me radikalët e djathtë që shkaktuan dhunën në Virxhinia. Po tani, a do të ndryshojë Trump? Pak ditë pas largimit të Bannon, ai nuk ka dhënë asnjë shenjë se mund të heqë dorë nga retorika e tij ultra-konservatore. Trump duket se i ka parë shumë shpesh tashmë të mirat e strategjive të Bannon për t’i larguar edhe ato nga Shtëpia e Bardhë. Duket se edhe pas ikjes së tij, Trump dëshiron ta zbatojë këshillën e Bannon për të mos humbur mbështetjen e bazës ultra-konservatore. Si provë, qëndron fakti që deklaratën për dhunën në Virxhinia, nuk e tërhoqi. Mbështetësit e Trump i qëndruan besnikë Presidentit edhe pas kësaj deklarate të fundit. Ata thanë se nuk e shihnin atë deklaratë si mbështetje të Trump ndaj racistëve. Por mendojnë se është opinioni i majtë që e ekzagjeron kundër tij dhe se dhuna në Virxhinia mund të ketë qenë vërtet faj i të dy palëve. Pra, as këtë herë, mbështetësit e Trump nuk janë të zhgënjyer, përkundrazi, janë më se të rreshtuar përkrah tij. Mbi 60% e mbështetësve të tij thonë që nuk ka asgjë që ai mund të thotë ose të bëjë që mund të heqë mbështetjen e tyre për të. Por natyrisht kjo mund të ndryshonte nëse ai kthehet në një President të moderuar, të qendrës. Mbështetësit entuziastë do të mund të zhgënjeheshin. Trump nuk do që kjo të ndodhë.

Ai e di se kujt i drejtohet kur bën deklarata. Ai nuk është duke folur me mediat, sepse i sheh si përcjellës të lajmit ose si kundërshtarë. Nuk është duke folur me të majtën apo me republikanët e moderuar, një pjesë e të cilëve do ta votojnë gjithsesi për të qenë kundër demokratëve. Ai është duke folur me kalin e fitores. Është duke u pëshpëritur atyre në vesh. Është duke përkëdhelur ata. Është duke përkëdhelur shijet e tyre politike. Është duke përkëdhelur sedrën e tyre, të anashkaluar për shumë kohë.

Nëse do të kthehej në President të moderuar, ai e di që do të humbiste energjinë, e cila e ka mbajtur në lëvizje deri tani. Ai e di që do të humbiste pjesën më të rëndësishme të identitetit të tij. Politikisht, do të humbiste gjymtyrët. Prandaj, edhe pas Bannon, Trump do të vazhdojë të sillet si Trump.

Por, a ishte vërtet faji i të dyja palëve për dhunën në Virxhinia? Cilat janë llogaritë politike të një kombi që po përçahet gjithmonë e më shumë? A janë ato të njëjta me interesat e Trump? Shumë do të bërtisnin “Jo!”. Atëherë, çfarë do të ndodhë me vendin? Sistemi amerikan funksionon në bazë të rregullave. Dhe Trump do ta pësojë vetëm nëse ka shkelur rregullat, si në rastin e akuzave për lidhje të fushatës me Rusinë. Nëse nuk ka shkelje të rregullave, do të vazhdojnë të vendosin votat dhe demokracia, një lojë ku deri tani ka fituar entuziazmi i kalit të fitores së Trump.

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.