Kryesore

Kritikët, Kadilli: Për 4 vjet disa s’kontribuuan në PD-në e Bashës: Ja tri rrugët për ringritjen e demokratëve

10:35 - 25.08.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 

Valentina MADANI

Fatbardh Kadilli, sekretar për burimet njerëzore në PD nuk i sheh me vend zgjedhjet e parakohshme në parti, por kërkon përpjekje serioze nga kreu Lulzim Basha dhe grupi i deputetëve të rinj demokratë që të zhvillojnë një opozitë të fortë pas humbjes së 25 qershorit. Z.Kadilli nuk e fsheh faktin se disa nga kritikë t e Bashës nuk kontribuuan pr PD-në përgjatë 4 vjetëve që drejtohet nga z.Basha, por prej kryetarit fitues ai kërkon që t’i falë ata. Vendimet janë individuale thotë Kadilli për “Gazeta Shqiptare”, por sekretari i PD-së apelon për bashkimin e vlerave, pjesë marrje në vendimmarrje, më shumë mundësi gare dhe karriere, dhe aktivizim të individëve.

Z.Kadilli, ministrat teknikë publikuan dokumentin që fakton deformimin e zgjedhjeve nga blerja e votës. Çfarë do të thotë për PD-në ky dokument?

Raporti është provë e një përpjekjeje serioze dhe e një shërbimi shumë të përgjegjshëm në të mirë të vendit nga ministrat teknik. Ky raport, me gjetjet dhe konstatimet e përfshira me profesionalizëm shërben së pari, për të dokumentuar krimin elektoral. Ky dokumentim vjen nga një trupë institucionale e administratës publike dhe është krejt i ndryshëm nga raportet e partive apo organizatave jo qeveritare. Është hera e parë që kemi një raport të kësaj natyre nga një pozicion zyrtar. Është një dokument zyrtar i dalë nga institucione publike dhe që i adresohet opinionit publik, partnerëve ndërkombëtarë, dhe agjencive ligj zbatuese që të veprojnë për të ndëshkuar krimin elektoral Duhet tani që prokuroria dhe gjykatat të dëshmojnë vullnet dhe të çojnë deri në fund përpjekjet e nisura nga raporti për të ndëshkuar krimin elektoral. Për fat të keq, shumica e opinionit nuk e ka kuptuar rëndësinë e këtij ndryshimi. Kjo për dy arsye, e para se roli i ministrave dhe drejtuesve teknik u përqesh nga propaganda e maxhorancës dhe, për fat të keq, edhe nga mbështetës të opozitës që me dashje apo pa dashje krijuan keqkuptim rreth rolit të ministrave dhe drejtuesve teknikë në këto zgjedhje. Marrëveshja politike e 17-18 majit kishte si qëllim garantimin e procesit të zgjedhjeve, i cili nuk mund të vinte vetëm si shprehje vullneti nga maxhoranca, por do të kishte edhe garantët e vet. Këta ishin ministrat dhe drejtuesit teknikë, të propozuar nga opozita. Marrëveshja nuk mund të bënte zgjedhjet, marrëveshja kishte parakushtet dhe garantët – ministrat teknikë. Këta nuk mund të ndalonin krimin elektoral, por mund ta dokumentonin atë. Këtë bën raporti.

Raporti dokumenton problemet e zgjedhjeve nga pozicion zyrtar, por çfarë prisni të ndryshojë ky raport?

Deri më sot rastet e dokumentuara të blerjes së votës apo shkeljeve të tjera ligjore në zgjedhje nuk kanë munguar. Ka pasur dhjetëra raste të filmuara dhe transmetuara në emisione investigative, por ndëshkimi nuk ka ndodhur, sepse ka munguar vullneti politik. Gjithnjë është gjetur një mënyrë që ata që blejnë vota, të mbrohen nga partia. Rasti më flagrant është ai i Korçës. Blerja e votës u filmua dhe u publikua. Shkelësit e ligjit u gjykuan dhe nuk mund të mos ndëshkoheshin, por në atë rast u gjet amnistia nga shumica e majtë në parlament. Raporti ka gjetje dhe konstatime që ndihmojnë prokurorinë të kryejë hetim serioz. Ato nuk janë për një vepër individuale, por një krim tërësor elektoral me shtrirje të gjerë, me llojshmëri të madhe dhe me përfshirje të shumë aktorëve. Tashmë mbetet të verifikohet vullneti i prokurorisë dhe gjykatave. Kemi një të dhënë të fundit, daljen sasive shumë të mëdha e të panatyrshme të parave nga bankat pikërisht në periudhën e zgjedhjeve. Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave si nastradin thotë që janë përdorur për pushime. D.m.th. ai e lidh me pushimet që shqiptarët i bëkan në prill-maj-qershor dhe nuk i lidh me zgjedhjet pikërisht në kulm fushate. Prokuroria ka një pistë serioze të shikojë se ku kanë shkuar këto para.

Si do t’i vijë në ndihmë ky raport opozitës pas humbjes se 25 qershorit?

Unë besoj se krimi elektoral mund të ndëshkohet nga drejtësia. Por, kjo nuk mjafton. E para, asnjëherë nuk e dimë sa çfarë pjese të krimit ne arrijmë të dokumentojmë dhe ndëshkojmë ligjërisht. Dhe e dyta, për rastin e zgjedhjeve nuk vlen ndëshkimi, sa vlen parandalimi. Opozita udhëhoqi një protestë të pashembullt për zgjedhje të lira e të ndershme. Për 3 muaj mbështetësit e opozitës qëndruan në bulevard për këtë kauzë. Kjo protestë pati mbështetës, por pati dhe kritikë. Pati që e kuptuan, por pati edhe që nuk e kuptuan si një kauzë të vërtetë të opozitës. Opinioni publik u dend me akuza ndaj motivit të protestës. Frika nga rezultati i zgjedhjeve dhe çështja e vetingut zunë vend dhe shpesh e vunë në pikëpyetje qëllimin e vërtetë të protestës. Sot opozita nuk i ka këto gurë në qafë. Krimi elektoral ndodhi. Të gjithë janë dëshmitarë se nuk vlen asnjë aksion, argument apo qëndrim politik, asnjë kauzë, asnjë sukses apo dështim në qeverisje. Të gjithë panë se nuk vlen politikani, mjafton paraja. Sot opozita duhet t’i rikthehet me më shumë forcë kauzës së zgjedhjeve. Sot, kur nuk kemi garë elektorale përpara, kur nuk kemi veting, a ndonjë reformë tjetër, sot kauza për zgjedhje të lira e të ndershme do të gjejë shumë më tepër besueshmëri mes qytetarëve, do të ketë më shumë mirkuptim dhe ndihmë nga ndërkombëtarët. Përpjekjet për ta shpjeguar rezultatin e zgjedhjeve vetëm me dobësitë e opozitës janë amoralitet. Asnjë dobësi apo gafë e opozitës nuk i jep të drejtë kundërshtarit të kap zgjedhjet me para. Ato para që kanë dalë lumë nga bankat nuk kanë qenë për blerë pushimet, por për të blerë pushtetin. Opozita nuk ka pse të kompleksohet as nga dobësitë e veta, as nga gabimet e veta. Aspak, opozita ka misionin të luftojë për zgjedhje të lira e të ndershme. Në parlament kjo duhet të jetë kryefjala.

Denoncimi i krimit elektoral, çelja e debatit politik dhe imponimi i çdo ndryshimi ligjor të nevojshëm për të minimizuar kapjen e zgjedhjeve. Nuk ka mision më të denjë për një opozitë se sa kthimi i zgjedhjeve.

A kanë të drejtë kritikët e Lulzim Bashës kur e bëjnë atë përgjegjës të humbjes dhe a duhen zgjedhje të jashtëzakonshme në PD?

E para, rezultati i zgjedhjeve nuk ishte rrjedhojë e vetëm asaj çfarë bëri PD-ja dhe Basha. Qartësisht, në këto zgjedhje roli i parasë të pastër apo të pisët ishte përcaktues. Natyrisht Basha është kryetari i partisë dhe nëse do të fitonim të gjithë, do thoshin fitoi Basha. Sot të gjithë thonë humbi Basha. Basha ka pjesën e kryetarit në humbje. Kryetari përcakton strategjinë e fushatës, përcakton ekipin, përcakton dhe tonusin e frymës politike. Për aq sa rezultati i zgjedhjeve është rrjedhojë e drejtpërdrejtë e këtyre tre elementëve, për aq ka përgjegjë- si Basha. Ndaj çdo kritikë e fokusuar në këto drejtime, është e ndershme, pavarësisht nëse unë e gjykoj të drejtë apo të gabuar. E dyta, nuk ka më vend për zgjedhje të tjera në parti. Zgjedhjet u bënë. Demokratët ia dhanë edhe një herë besimin Bashës. Demokratët e panë atë përsëri si njeriun më të besuar për të drejtuar partinë dhe Shqipërinë.

Por, partia ka nevojë për të bërë një analizë të thellë të problemeve të brendshme dhe të dobësive të veta. Vetëm pas një analize të thellë të të gjithë ecurisë së performancës politike të katër vjetëve në opozitë dhe në zgjedhje, vetëm atëherë partia mund të marrë vendimet e duhura për ngritjen e forumeve drejtuese në të gjithë vertikalen e saj, që nga seksionet deri në kryesi.

A janë të shumtë ata që kanë humbur busullën në PD?

Nuk di a mund ta quaj humbje busulle, apo humbje orientimi. Vërej në strukturën e partisë dhe në mbështetësit tanë efektet e tronditjes pas rezultatit. Vërej edhe dëshpërim. Kjo është e natyrshme. Por vetëdija politike është e lartë. Mjafton të shikojmë pjesëmarrjen në zgjedhjet e brendshme në parti. Mjafton të shikojmë reagimin e shumtë e të zëshëm të militantëve, që nuk i ndahen debateve politike në rrjetet sociale edhe në vapën e verës. Pra, masa e partisë është atje, e motivuar për të bërë opozitë. Individë të ndryshëm, pavarësisht se ku qëndrojnë në hierarkinë politike, natyrisht rivlerësojnë nivelin e tyre të angazhimit.

A është sot PD në udhëkryq, si mund të gjejë rrugët e ringritjes?

Jo, PD nuk ndodhet në asnjë udhëkryq. Drejtimi i PD-së është i qartë. Ajo ka misionin të bëjë opozitë. Në këtë mandat të dytë opozitar, PD duhet të rishikojë gjithçka që nuk ka bërë mirë, të rikuperojë çdo humbje të besimit apo cedim të mbështetjes nga shqiptarët. Rrugët e ringritjes janë të shumta. Sfida e ringritjes së PD-së kërkon së pari të vendoset një komunikim i ri me shqiptarët. Për këtë duhet t’u ngjallim shpresën për një qeverisje më të mirë dhe të fitojmë besimin se ne, PD jemi ata që mund ta ofrojmë këtë qeverisje të mirë. Së dyti, ne duhet të adoptojmë atë sjellje dhe atë kulturë politike që t’i përgjigjet pritshmërive që kanë shqiptarët. Vetëm kështu, aksioni ynë politik opozitar dhe propozimet tona politike jo vetëm do të gjejnë mbështetje, por do ta udhëheqin vendin. Së treti, struktura jonë partiake duhet të riorganizohet në mënyrë që të përshtatet me dinamikat e sotme të zhvillimit të shoqërisë. Ne mbetemi një parti tradicionale, por shumë aspekte të organizimit kanë nevojë të rishikohen në mënyrë që të garantohet më shumë pjesëmarrje në vendimmarrje, më shumë mundësi gare dhe karriere, më shumë fushë aktivizmi individëve.

Sa po dëmtohet PD nga kritikët e Bashës? Çfarë mund ta ribashkojë atë?

Nëse flasim për kritikët e Bashës, ata nuk e dëmtojnë partinë, përkundrazi. Është e vërtetë që po shpenzohet shumë energji me kritikën dhe kundërkritikën. Por, strukturimi i procesit të analizës dhe kryerja me seriozitet e analizës do ta kanalizojë këtë energji dhe mendim kritik drejt zgjidhjeve dhe vendimeve më të mira për partinë. Sa i përket sfidantëve të Bashës, pra atyre që nuk e kanë pranuar atë për kryetar të partisë, gjerat janë ndryshe. Për këtë kategori kritika është mjeti i operimit politik, por vendimi politik është sfida, është mospranimi. Për hir të së vërtetës, për disa personalitete të politikës së PD, ky mospranim nuk është një vendim i ri. Disa prej tyre nuk kanë pranuar të kontribuojnë në PD-në e Bashës gjatë gjithë katërvjeçarit të parë në opozitë. Sot në realitetin e ri edhe ata duhet të marrin vendimet e tyre politike. Këto vendime janë individuale dhe gjithkush bën zgjedhjen e vet politike. Për këdo ka një mundësi të jetë aktiv në jetën politike të partisë. Bashës i takon të bëjë përpjekje të vërteta e serioze. Ai është fituesi dhe fituesi fal. Por, edhe sfiduesit duhet të kenë reflektimin e tyre. Janë personalitete politike të formuara nga PD-ja dhe nëpërmjet PD-së. Duhet të venë në peshore personalitetin e tyre politik dhe partinë politike, me të cilën kanë krijuar personalitet.

Aktualisht çfarë është në favor dhe çfarë është kundër Bashës?

Si shumë gjëra në jetë, gara politike fillon gjithnjë nga e para. Kështu që gjithç- ka është në favor e gjithçka mund të jetë kundër. Por më veçanërisht sot Basha ka në favor përvojën e katër vjetëve, si dhe përvojën e zgjedhjeve. Sot është edhe vetë në Kuvend dhe ka mundësi të përballet drejtpërdrejtë me rivalin e tij politik. Sot ka një grup parlamentar thuajse tërësisht të ri me të cilin mund të krijojë një profil opozitar të çliruar nga cenet e të shkuarës. Ka një qeveri që me etjen e papërmbajtshme për pushtet tëRamës po provon çdo ditë autoritarizëm të papranueshëm për shqiptarët. Të gjitha janë mundësi.

Si e konsideroni Grupin e ri Parlamentar dhe a është premtues se do të bëjë një opozitë të fortë në Kuvend?

Më shumë se gjysma e grupit shkelin për herë të parë në sallën e parlamentit. Disa vijnë nga aktivizëm politik, disa nga përvoja në administratë dhe disa nga aktivizëm qytetar. Secili ka një mundësi të krijojë profil politik të ri, të veçantë dhe të pa ngatërrueshëm. Ia uroj këtë grupit jo për karrierat e tyre personale, por për fatet e opozitës dhe të vendit. Jo vetëm të rinjtë, por çdo deputet i grupit të PD-së duhet ta shfrytëzojë me përgjegjësi të lartë këtë mundësi, sepse në rrudhjen e opozitës ata janë të vetmit që kanë privilegjin të shërbejnë nga një tribunë e lartë.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.