Show-Bizz

Bizneset e panjohura të VIP-ave/ Klinika estetike, bar-kafe, restorante etj., gjithçka që nuk dini mbi ta

11:54 - 03.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Tashmë nuk janë të paktë ato personazhe të njohur të botës së artit dhe televizionit, të cilët shfrytëzuan me shumë inteligjencë famën e VIP-it, duke e vënë atë në shërbim të një biznesi, i cili në të shumtën e rasteve nuk ka shumë lidhje me profesionin që ata bëjnë, por që duhet gjithsesi një shpirt artistik për ta krijuar dhe zhvilluar, shkruan “Panorama”. Personazhet tipike që e bënë muzikën biznes, janë ata që krijuan studiot muzikore.

Flor Mumajesi është më i suksesshmi nga të gjithë si një kantautor që ka prodhuar këngë pa fund, për shumë artistë dhe pothuajse shumica e tyre janë bërë hite. Siç dihet, Flori nuk është mjaftuar me biznesin e muzikës, pasi u ka hyrë edhe disa investimeve të tjera, siç është rrjeti i picerive “Proper Pizza”, ndërtimit etj.

Përfitime të mëdha nga studioja e tij muzikore ka nxjerrë edhe Noizy, edhe ai bën këngë për vete dhe për disa kolegë. Elgid Doda është një emër i ri si kantautor, por po rezulton shumë i suksesshëm në biznesin e muzikës, pasi tashmë kërkohet edhe nga këngëtarë të famshëm. Stine ka gjithashtu studion e tij muzikore, por nuk duket se ka kaq shumë punë sa tre artistët e tjerë që përmendëm më lart.

Ndërkohë, kemi të tjera personazhe që u kanë hyrë bizneseve të bukura, por dhe shumë fitimprurëse. Ia vlen të përmendim Alketa Vejsiun, e cila pas agjencisë së eventeve “Class by Alketa”, ka zgjeruar aktivitetin e saj me disa filiale, të cilat kanë lidhje me biznesin kryesor, siç janë fotografia, studio e make-up-it etj.

Ami dhe Ermali gjithashtu kanë biznesin e organizimit të eventeve, kryesisht martesave, për të cilat kujdesen që nga fustani i nuses e deri te Dj. Jonida Maliqi ka zgjedhur të merret me një dyqan veshjesh, çantash dhe këpucësh firmato, duke i shkuar kështu nga pas pasionit të saj të madh për modën. Zajmina Vasjari dhe Rozana Radi kanë hapur atelie veshjesh, të cilat mund të blihen ose të jepen me qira. Rezarta Shkurta ka një biznes me të cilin rezultoi super e suksesshme. Ajo ka hapur “Hera Company”, ku bën sete fotosh për beba dhe mami. Së fundi ka hapur edhe “Hera Shop”, me veshje për fëmijë dhe për mamatë. Çiljeta, pak vite më parë hapi një bar-restorant. Madje, bëri edhe një promovim të madh me personazhe VIP, por çuditërisht nuk është marrë më me të.

Çili duket se është një nga personazhet e showbizit ndër më dembelët për t’u marrë me biznes, ndërkohë që do ta kishte shumë të lehtë, me kaq shumë famë sa ka. Me biznesin e bareve është marrë qysh herët edhe Rovena Dilo, e cila thonë që edhe tani ka hapur një bar të ri, pasi u mbyll ai në Bllok. Po ashtu bar ka hapur edhe Jonida Vokshi, madje nëse kemi të bëjmë me të njëjtin person dhe nuk është koincidencë emrash, edhe Sinan Hoxha ka një bar diku nga zona ku ka shtëpinë e prindërve, rrëzë Dajtit. Meqë jemi te ky biznes, edhe Bes Kallaku ka një restorant në emrin e tij në Bllok, natyrisht nëse nuk ka ndonjë Besart Kallaku tjetër!

Mbase pak nga ju mund ta dinë se ish-missi Suada Sherifi i ka hyrë seriozisht biznesit. Ajo, përveçse është notere, ka hapur edhe një klinikë estetike. Ajo vetë ka deklaruar gjithmonë se e ka pasion këtë fushë dhe, mesa duket, tashmë është momenti që pasionin ta kthejë në biznes. Qendër estetike ka edhe Rudina Magjistari, paçka se nuk e shfrytëzon hapësirën e bollshme që ka në televizion, që ta promovojë, gjë që e bën goxha shpesh Alekta Vejsiu, p.sh. Kur themi Amarda Toska, ju menjëherë mendoni për biznesin e saj “Ami event” ose “Venere by Ami”. Në fakt jo, bizneset kanë emrat e saj, por nuk janë në emrin e saj, por të bashkëshortit, Ermalit. Në emrin e saj ajo ka biznesin e fitnessit, më saktë të body code, aq shumë në modë vitet e fundit në Tiranë. Eneda Tarifa ka pasur në pronësi të saj një qendër gjuhësh të huaja, të cilën e ka hapur dhe mbyllur disa herë në harkun e tri viteve dhe tani nuk e ka më. Madje, edhe një licencë që hapi në vitin 2014 për shërbime në fushën e aktrimit, e ka çregjistruar. Mund të ketë të tjerë personazhe të famshëm të kanë hapur biznese të ndryshme, por në një shkrim të vetëm është e pamundur të përmenden të gjithë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.