DOSSIER

Ekskluzive/ Reiz Malile: “Qeveria franceze kërkon t’i akordojë Kadaresë “Des Arts et des Lettres”

10:31 - 04.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Dashnor KALOÇI

 

Ashtu siç kemi parë edhe në disa kapituj paraardhës të këtij libri, lidhur me faktin se për vite me radhë qeveria franceze hasi në refuzimin e Tiranës zyrtare në kërkesat e saj për dekorimin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, ministri frëng i Kulturës, Zhak Lang, duket se nuk është “dorëzuar” kollaj. Pasi në fillimin e majit të vitit 1990, ai ka porositur ambasadorin francez të akredituar në Tiranë, Mishel Bylmer, që t’ua kujtonte edhe njëherë autoriteteve zyrtare shqiptare, kërkesën e tij për dekorimin e shkrimtarit Ismail Kadare. Madje, duke u kërkuar atyre një përgjigje zyrtare përpara se qeveria franceze të niste procedurat përkatëse për dekorimin e Kadaresë me “Des Arts et des Lettres”. Dhe gjithashtu lidhur me atë gjë, t’i bëhej e ditur dhe t’i merrej mendimi edhe vetë shkrimtarit Ismail Kadare. Duket se insistimi dhe “mosdorëzimi i armëve” nga ana e ministrit frëng të Kulturës që ngulte këmbë në kërkesën e tij, me shumë gjasa ka ardhur për faktin e njohur se afro një vit më parë (korrik 1989), Tirana zyrtare i dha lejen Kadaresë për të marrë pjesë në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, ku shkrimtari i njohur shqiptar ishte i ftuari special i presidentit Francois Miterenad, në mes 35 kryetarë shtetesh nga e gjithë bota. Madje, jo vetëm kaq, por falë Kadaresë, nga e gjithë Lindja komuniste, aty përfaqësoheshin vetëm Shqipëria dhe Polonia. Dhe nisur nga ky fakt, duke se ministri Zhak Lang e ka konsideruar një formalitet, kërkesën e tij për dekorimin e shkrimtarit shqiptar, i cili në Francë ishte bërë si “i shtëpisë” me botimet e tij. Por duket se Zhak Lang ka gabuar në “llogaritë” e tij, pasi politika dhe aq më shumë ajo e një vendi komunist si Shqipëria, nuk funksiononte si në matematikë “me rregullin e treshit”. Kjo gjë duket qartë nga këto dokumente arkivore që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri, pasi kërkesën zyrtare të qeverisë franceze, udhëheqja e lartë shqiptare as nuk e ka marrë fare në konsideratë. Madje, e ka lënë fare në heshtje, aq sa ministri i Punëve të Jashtme, Reiz Malile, në shkresën e vartësve të tij ku e informojnë për kërkesën e qeverisë franceze, ai ka vënë shënimin “kur është bërë ky propozim zyrtarisht”. Dhe më pas ka shtuar që t’i bëhet një letër Foto Çamit, gjë e cila i është bërë po prej tij, por nga Komiteti Qendror nuk ka ardhur asnjë përgjigje. Nuk dihet me saktësi përse nuk ka ardhur ndonjë përgjigje nga Foto Çami, kur asokohe nga shumëkush mendohej dhe ishte krijuar një imazh se “shoku Foto” ishte një nga udhëheqësit që e përkrahte dhe ndihmonte Kadarenë në pengesat që i nxirrnin herë pas here atij. Mundet që kjo gjë nuk është realizuar edhe prej faktorit kohë, pasi sipas dokumenteve zyrtare (shiko faksimilen përkatëse), çështja është zvarritur deri në muajin korrik, kohë në të cilën “udhëheqja e lartë” shkonte me pushime dhe kjo gjë mund të jetë lënë për t’u diskutuar pas pushimeve në shtator. Por, kjo gjë nuk ndodhi kurrë, pasi Kadare u largua nga Shqipëria në muajin gusht dhe më 24 tetor kërkoi azilin politik në Francë. Gjithsesi, këto mbetën për t’u parë dhe rreth tyre mund të hidhet dritë nga personazhe dhe aktorë kryesorë të atyre ngjarjeve, për t’i ndriçuar ato dhe për të nxjerrë në pah të vërtetën. Ashtu si dhe pjesën më të madhe të dokumenteve në këtë libër, edhe këto publikohen të plota dhe pa asnjë shkurtim.

INFORMACION
Me rastin e pritjes që dha shoku Ramiz Alia me rastin e vizitës në vendin tonë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez De Kuelar, ambasadori i Francës, Mishel Bylmer më pyeti përsëri nëse kishte përgjigje për propozimin e dekorimit të shkrimtarit Ismail Kadare me dekoratën “Des Arts et des Lettres” nga ana e Ministrisë së Kulturës së qeverisë franceze, Zhak Lang. “Kjo gjë – tha ai – është në interes të vendit tuaj dhe do të dëshironim që t’i jepej edhe Ismail Kadaresë”.
I thashë ambasadorit se do të interesohem për këtë problem dhe së shpejti do t’i kthenim përgjigje për sa sipër.

Tiranë, më 14.5.1990
Th. Haxhi

Shënim
Kur është bërë ky propozim zyrtarisht
T’i bëhet një letër shokut Foto

Reiz Malile 15.5.1990
…………………………………..
Shoku Reiz
Këtë propozim e ka bërë ambasadori i Francës në pritjen që ka dhënë në ambasadë me rastin e ardhjes së një grupi turistik të shtëpisë botuese franceze CASTERMAN. Shoku Llazar e ka vënë në informacionin për udhëheqjen që më datën 17.4.1990.

Thoma Haxhi

Shënim
Shoku Andon
Ju vetëm e vini në dijeni shokun Foto
…………………………………..
Shokut Foto Çami

Në një pritje që dha kohët e fundit ambasadori i Francës, Mishel Bylmer, i ka thënë shokut Thoma Haxhi se ministri i Kulturës së qeverisë franceze, Zhak Lang, ka shprehur dëshirën që t’i japë shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e lartë “Des Arst et des Lettres”. “Dëshirojmë paraprakisht – tha ambasadori – të dimë mendimin tuaj dhe të Ismail Kadaresë para se të veprohet nga ana jonë”.

Mundësisht kjo çështje të shikohet nga ana juaj.

Reiz Malile
Tiranë, më 22 maj 1990


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.