Kryesore

Intervista/ Paskal Milo: Akademia, në koma nga ndërhyrjet partizane politike

10:10 - 06.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira NIKOLLI
Profesor Paskal Milo, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, reagon mbi çështjen e Akademisë së Shkencave. Duke vënë në pikëpyetje rolin e qeverisë dhe të vetë Akademisë, ai e ndan fajin mes tyre sa i takon gjendjes në të cilën është sot tempulli i shkencës.
Teksa del kundër rikandidimit të ish-drejtuesve të akademisë, shënon se nuk do të ishte sakrilegj që zgjedhjet të shtyheshin, por kritikon edhe qeveritë ndër vite “që e katandisën Akademinë në këtë farë feje, me ndërhyrjet partizane e me eksperimente të paprecedentë”.
– Pse i shihni zgjedhjet në Akademi të pavend?
Nga pikëpamja formale zgjedhjet për kryesinë e Akademisë së Shkencave mund të konsideroheshin korrekte po qe se do të zhvilloheshin në një situatë normale. Por të gjithë e dinë dhe e pohojnë, përfshirë edhe ata që u zgjodhën në kryesinë e Akademisë, por edhe anëtarët e Asamblesë se ky institucion ka vite që po vegjeton dhe është në një krizë të thellë.
Analiza më fillestare dhe mendja më naive e gjen një pjesë të madhe të përgjegjësisë për gjendjen në të cilën ndodhet Akademia te kryesia e Asambleja e saj në këto dhjetë vitet e fundit veçanërisht. E si mund të jetë ndryshe! Dhe ata që kanë këtë barrë jo të vogël përgjegjësie për rrokullimën e Akademisë ndër vite zgjidhen përsëri për ta drejtuar! Po për çfarë? Përse nuk e rinovuan kaq kohë dhe cilat janë garancitë se tani ata do ta reformojnë Akademinë?
Ka një shqetësim të përgjithshëm që Akademia u katandis në këtë gjendje. Me gjithë respektin e njohur e të provuar timin ndaj drejtuesve të Akademisë, mua më vjen keq që ata arritën deri këtu e u vunë në një pozitë që nuk i bën nder as dinjitetit e personalitetit të tyre, por dhe as institucionit.
– Kush e pengon reformimin?
Sigurisht që Asambleja dhe kryesia e Akademisë të familjarizuar me status-quo-në, nuk janë përgjegjësit e vetëm. Dhe jo vendimtarët. Është rasti të vihen fortë pikat mbi “i” dhe opinioni publik të dijë se ka qenë politika dhe qeveritë që e katandisën Akademinë në këtë farë feje, me ndërhyrjet partizane e me eksperimente të paprecedentë.
– Në kushtet që nuk ka kandidatura për kryesinë, çfarë duhej bërë? Të mbetej pa kryesi, pra, veçse honorifike të ishte edhe fiktive?
Nuk do të ishte sakrilegj që për shkak të përgjegjësive të mësipërme zgjedhjet të shtyheshin. Nuk do të ishte hera e parë. Ndërprerje dhe ndërhyrje in extremis janë bërë në Akademi vite më parë edhe kur nuk ishin shumë të motivuara e jo më tani kur ajo është në koma. Mendimi im ishte që Akademia deri në reformim e saj të plotë të udhëhiqej nga një kryesi ad hoc ose përkohësisht nga sekretari i Përgjithshëm i saj. Më mirë një drejtim i përkohshëm e me shpresë për rinovim se sa një kalçifikim zyrtar formal i drejtimit të vjetër edhe për katër vite të tjera.
– 27 vitet e fundit ka njohur reforma që e kanë çuar në këtë gjendje. Çfarë na thotë se tani do funksionojë?
E preka pak më lartë, ndërhyrjet e dhunshme të viteve të shkuara në emër të reformimit të Akademisë e bënë atë institucion të gjymtuar që është sot. Nuk duhet të bëhet më shakaja e radhës as edhe eksperimenti i ditës nga njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me shkencën. Akademia e Shkencave duhet të reformohet urgjentisht, jo me fjalë, por me vepra në kuadrin e reformimit tërësor të sistemit shkencor në Shqipëri. Jo reformë në emër të reformës. Gjej rastin dhe apeloj kryeministrin Rama që t’i rikthehet nismës së tij të para katër viteve për reformimin e sistemit shkencor. Të besojë te shkencëtarët me integritet e të përkushtuar dhe jo te burokratët apo te disa “autoritete” shkencore që nuk e njohin më Shqipërinë dhe hallet e saj.
Platforma për reformimin e Akademisë së Shkencave e përgatitur nga Komisioni i ekspertëve shkencorë i është dorëzuar qeverisë që në qershor 2014. Ajo u konfirmua edhe nga një seri konsultimesh që organizoi ministria e arsimit me komunitetin shkencor të vendit në vjeshtën e vitit 2016. Nëse qeveria e re e ka vullnetin për ta bërë reformën, baza programore e saj thuajse është gati. Veç të mos dëgjojë më sirenat e ç’akorduara për rreth saj.

– Profesor Fuga vë në dukje problemet, por nuk merr pjesë në mbledhje as në votim. A mund të përmirësohet kështu nga jashtë?
Është e drejta e Prof. Fugës të gjykojë mënyrat e reagimit. Akademia e Shkencave është e mirë publike e vendit dhe jo pronë e disa njerëzve, 30-40 akademikëve. Si e tillë pa dyshim që është e nevojshme që për reformimin e Akademisë së Shkencave të kontribuojë i gjithë komuniteti shkencor, në institute e universitete, në qendra të kërkimit shkencor dhe shoqëria civile.

– Ju, do kandidonit për kryesinë?
Mendoj se pyetja juaj nuk ka vend. Unë nuk jam anëtar i Asamblesë së Akademisë e për rrjedhojë nuk ka nevojë edhe për përgjigje. Shkencë është bërë, bëhet e do të bëhet gjithnjë edhe jashtë Akademisë. Shqetësimi im për fatin e Akademisë është thjeshtë shqetësim qytetari e shkencëtari dhe asgjë tjetër.

– Në këtë fazë çfarë duhet bërë?
Nuk ka as kohë dhe as shumë vend për t’u menduar. Qeveria e re që do të mandatohet në fund të kësaj jave duhet ta ketë prioritet reformën e kërkimit shkencor e të Akademisë së Shkencave. Shpresoj që kryeministri Rama të mos tërhiqet këtë herë.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.