Speciale

Apeli i dhimbshëm i gjyshit të ngujuar: Hasmi të merret me djalin tim, familja ka 7 vjet e kyçur!

13:30 - 11.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Senad NIKSHIQI 

 

Që prej 7 vjetësh, Reshit Gjata dhe familja e tij nuk mund ta kalojnë pragun e derës në fshatin Barbullush të Shkodrës. Kjo për faktin se në vitin 2011, djali i Reshitit, Agimi vrau bashkëfshatarin e tij Ndoc Çeliku pas një sherri të momentit. Ndërkohë, nipi i 74-vjeçarit, Ambri Gjata, vetëm 10 vjeç e gjysmë detyrohet nga frika se hasmi mund ta vrasë të shkojë në shkollën e fshatit Postribë, ku ka dajat e tij. Familja e gjakësit i ka dhënë besë familjes Gjata, që Ambri ta bëjë vetëm atje shkollën dhe jo në fshatin ku jeton. Nëna e tij, Mira Gjata tha dje për “Gazeta Shqiptare” se ata jetojnë me vetëm 14 mijë lekë të vjetër në muaj, ndërsa Ambri ende nuk ka siguruar as librat dhe as rrobat për vitin e ri shkollor.

“Jetojmë në kushte shumë të vështira. Djali im nuk mund ta bëjë shkollën këtu në Barbullush, sepse familja tjetër nuk na lejon. E vetmja mënyrë është që të shkojë tek dajat e tij në Postribë. I falënderoj që na kanë lejuar ta çojmë atje. Ne jetojmë vetëm me 14 mijë lekë dhe s’kemi asnjë të ardhur tjetër. Djali është i stresuar dhe nuk mund të shijojë lirinë si të gjithë shokët e tij. Kjo mua më vret shumë. Ndjehem shumë keq. I kërkoj shtetit ndihmë në mënyrë që të mundësohet që im bir ta bëjë shkollën këtu, në Barbullush dhe të dalë si të gjithë shokët e tij”, u shpreh nëna e 10-vjeçarit.

Vetë Ambri, me një natyrë të heshtur tha se ai do që shkollën ta bëjë në fshatin e tij, por tashmë e ka kuptuar se e ka të pamundur për shkak se familja e tij është e ngujuar prej 7 vjetësh. “Unë nuk mund të shkoj në shkollë këtu në Barbullush. Jemi të ngujuar dhe e bëj shkollën në Postribë, te daja im. Nuk kam çfarë të bëj. Unë kam shumë dëshira, por s’mund t’i realizoj. Nuk kam ende libra dhe as rroba për shkollën. Ne jetojmë me frikë. Unë nuk kam shkuar kurrë në plazh dhe nuk kam luajtur kurrë me shokët ashtu si duhet. Ata vijnë këtu tek shtëpia ime, sepse s’kam zgjidhje tjetër”.

HISTORIA E GJAKMARRJES

Babai i 10-vjeçarit, Agim Gjata që vrau bashkëfshatarin e tij është penduar për atë që ka bërë dhe ka pranuar fajin. Ai i është drejtuar familjes Çeliku me një letër ku jo vetëm pranon se është fajtor, por është i gatshëm edhe t’u dalë plumbave përballë në mënyrë që familja e tij të mos qëndrojë më e ngujuar. Në letrën e shkruar para dy viteve, Agimi kërkoi që hasmi t’i japë besë familjes së tij, por familja Çeliku nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Gjyshi i Ambrit, Reshit Gjata, ka dënuar që në momentet e para krimin nga djali i tij. Reshiti kërkon ndihmë nga shteti, ndërsa familjes Çeliku i kërkon që minimalisht t’i japin besë pjesës tjetër të familjes, sepse janë të pafajshëm.

“Unë si babai i djalit që ka vrarë bashkëfshatarin tim e kam dënuar krimin që ka bërë im bir. Atë natë kur ka ndodhur ngjarja, po ta kisha parë ndokund edhe mund ta kisha sulmuar. Me familjen Çeliku ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera ndër gjithë këto vite, por në qershor të 2011 ndodhi ngjarja e rëndë. Që atëherë ne kemi qëndruar të ngujuar dhe nuk kemi mundur të dalim jashtë. Dy djemtë e mi janë në Milano, por edhe atje qëndrojnë të mbyllur për shkak se 4 djemtë e familjes tjetër janë edhe ata në Milano, vetëm 30 km larg nga fëmijët e mi.

Punojnë gratë e djemve nga pak sa për të mbajtur frymën gjallë. Unë kërkoj ndihmë nga shteti, ndërsa familjes tjetër, zonjës së shtëpisë, Rexhina Çeliku i kërkoj që ne të tjerëve të na lejojë që të dalim lirisht, sepse jemi të pafajshëm. Ajo s’ka pranuar asnjëherë që ne të tjerëve të na japë besë dhe ne qëndrojmë të ngujuar. Unë i kam dërguar fjalë me pleqtë që, le të merren me dorasin, pra djalin tim që është në burg dhe del pas afro një viti. Me atë të bëjnë çfarë të duan, por ne të tjerëve duhet që të na lënë të dalim, sepse po jetojmë me shumë vështirësi”, tha i moshuari Reshit Gjata.

Për të marrë lajmet e fundit të “Gazeta Shqiptare”, ndiq faqen tonë në Facebook.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.