SPORT

Pagoi vetëm 9,5 mln euro për të, Bentakur është “diamanti” i ri i Juves

14:03 - 22.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Rodrigo Bentankur ka qenë goditje e merkatos së verës më e nënvlerësuar në lidhje me raportin cilësitë-moshë-çmim. Në javën e furtunës në mesfushë, ku Juventusi humbi për dëmtim Khedirën, Markizion, por edhe Kudradon e skualifikuar, Alegri e kishte përsëritur shpesh: “Kemi Bentankurin, i cili mund të jetë surpriza e kampionatit”. Bardhezinjtë kanë blerë një mesfushor 20-vjeçar për vetëm 9.5 milionë euro, një operacion, bazat e të cilit janë hedhur që në verën e 2015-ës, në akordin që riktheu Karlos Tevezin te Boka.

20 VJEÇ SI VETERAN

Uruguaiani, pas një impakti mjaft pozitiv që në stërvitjet e para në “Vinovo”, kishte mahnitur në 15-20 minutat e fundit të luajtura në “Marasi”, kundër Xhenoas, në javën e dytë të kampionatit… Ndërsa më pas, në të parën si titullar në “Kamp Nou”, nuk bëri një figurë të keqe, derisa erdhi prova e tij kundër Fiorentinës…

Pas kësaj sfide, ajo që të gjithë kanë nënvizuar është fakti se sot është e vështirë të shohësh një djalosh 20-vjeçar që të ketë atë personalitet. Më të filluar ndeshja, Bentankur është i pari që kërkon topin në këmbë, nga ana e mbrojtësve, gjithmonë gati për të nisur manovrën ofensive me kokën lart…

Një futbollist i tillë, të paktën mendohet, se ka gjithçka i duhet për të mahnitur. Dhe realisht, ish-talenti i Bokas Junjorsit e di në mënyrë perfekte se kur të luajë topin e gjatë dhe kur ta mbështesë atë shkurt për shokët e skuadrës. Madje, ai lë shenjë duke rikuperuar edhe 7 topa, ndonëse statistika që la shijen më të mirë la shifra 88 për qind, në saktësinë e 92 pasimeve të ekzekutuara. Praktikisht, t’i japësh topin Bentankurit është njësoj sikur ta kesh futur në bankë.

Me kohë, kur të fitojë edhe më shumë besim, ai do të jetë i projektuar edhe më shumë për të luajtur lojën vertikale, por ajo që bie në sy në këto dalje të para është se Rodrigo është një talent i jashtëzakonshëm, kur bëhet fjalë për menaxhimin e topit, të cilin e trajton njësoj si uji në shkretëtirë…

Elegant edhe pse jo verbues, amerikanojugori ka të gjithë “armët” për t’u bërë i pagabueshëm, kur të vërë edhe më shumë muskuj në trup, ndonëse repertori i tij e bën që të duket një lojtar i kompletuar, i cili mund të përshtatet edhe thuajse në të gjitha rolet e mesfushës.

ETAPA TË DJEGURA

Kush ka luajtur një ndeshje si Boka Junjors – River Plejt nuk mund të jetë kurrsesi i turpshëm. Në dy sezone e gjysmë, “Benta” kaloi nga të rinjtë e Bokas, te fitorja e kampionatit me ekipin e parë dhe tashmë te Juventusi. Një sprint spektakolar ky, por i bërë i mundur pikërisht nga një karakter i veçantë. Kush i qëndron pranë tregon për një djalë të qetë, i dashuruar maksimalisht me topin dhe ende shumë larg tundimeve në të cilat mund të bjerë një 20- vjeçar i famshëm dhe me xhepat plot me para. Fjalët e tij pas Juventus-Fiorentina e përforcojnë edhe më shumë mendimin.

“Të veshësh bluzën e Juves të vë gjithmonë në presion dhe ai ndihet shumë. Prandaj, unë duhet të lë mënjanë komplimentet dhe të ambientohem sa më shpejt me lojën që kërkon Alegri dhe me Serinë A. E vërteta është që jam ende shumë i ri dhe kam pafundë- sisht gjëra për të mësuar, ndonëse këto dua të nis që t’i kuptoj sa më shpejt të jetë e mundur”. /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.