BLUETOOTH

Bluetooth – Nostalgji/ Intervista ekskluzive / Kush është Anita, “tiranasja” që i fitoi zemrën kryeministrit të Kosovës Rramush Haradinaj

16:00 - 24.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Intervista ekskluzive / Kush është Anita, “tiranasja” që i fitoi zemrën kryeministrit të Kosovës Rramush Haradinaj




Kush është Anita Haradinaj…
Anita Muçaj Haradinaj është nga Opoja e Prizrenit. Ajo është vajzë e një gazetari dhe spikeri lajmesh që ka punuar pranë RTK-së dhe pranë sektorit të redaksisë në Televizionin Publik Shqiptar. Anita ka frekuentuar gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Më pas është diplomuar për gazetari, ku ka punuar edhe si gazetare terreni pranë Radio Televizionit të Kosovës. Më pas Anita ka përfunduar fakultetin e Juridikut ndërkohë që më pas kryen dhe masterin përkatës. Shquhet si një nga më të mirat në fushën e gazetarisë.

E njohur si një nga prezantueset më të bukura të ekranit kosovar, Anita Muçaj, bija e spikerit Mustafë Muçaj, u bë ndër gratë më të famshme në Kosovë, që në momentin e lidhjes së saj me njërin nga politikanët e njohur të Kosovës. Anita që ishte një vajzë shumë e urbanizuar në kuptimin e të qenurit e pranishme në çdo eveniment për të rinjtë, u shndërrua në një zonjë të rëndë, që i rrinte në krah bashkëshortit në çdo rast. Ndryshe nga liderët e tjerë të Kosovës, që shumë rrallë marrin me vete bashkëshortet, Ramushi nuk dilte askund pa Aniten në krah. Por Tribunali i Hagës, i ka ndarë që prej tre vjetësh. Derisa Ramush Haradinaj qëndron prapa hekurave i akuzuar se i doli në mbrojtje popullit të tij, Anita në Prishtinë jeton me dy fëmijët e saj, e lumtur që ka një burrë siç është Ramushi, për të cilin ajo flet në intervistën për “Bluetooth”.

Anita me Ramushin, njiheni si çifti më i famshëm në Prishtinë, si po e përballoni mungesën e bashkëshortit tuaj?
Ndoshta jo më të famshmit por ndër fytyrat publike në Prishtinë, por megjithatë Ramushi është nga ata të famshmit jo vetëm në kryeqytet por në të gjithë botën sepse ka qenë dhe mbetet kryeministër i pakontestueshëm për vendin në këtë periudhë. Ka qenë kryeministri më i suksesshëm për vendin në këtë periudhë, një sukses i arritur në njëqind përqind. Ndihem mirë kur kam një burrë me një kapacitet dhe potencial si dhe vullnet kaq të jashtëzakonshëm për jetën. Mungesa e tij ma vështirëson jetën sepse unë kam dy fëmijë, kam një punë dhe sapo kam përfunduar dhe studimet për master. E gjithë kjo ndoshta do të ishte më e lehtë sikur ta kisha Ramushin të paktën pranë meje dhe fëmijëve.
Në Kosovë dhe Shqipëri jeni mjaft e njohur si folëse në edicionet informative, por më shumë për jetën tuaj filloi të flitet pas lidhjes me Ramushin. Cilat kanë qenë thashethemet që ju kanë bërë më shumë përshtypje?
Thashetheme ka patur si gjithmonë dhe kudo. Ato janë për njerëzit dhe bëhen po nga njerëzit. Megjithatë kanë qenë të padurueshme kur kanë filluar të thuhen nga më të rëndat dhe më të ndryshmet për djalin tim. Gojëligët nuk u kursyen as ndaj krijesave më të pafajshme në botë, megjithatë jam tepër e kënaqur për ato që jeta më ka ofruar deri tani. Kam dy fëmijë, djali quhet Gjini 3 vjeç dhe vajza Hana vetëm 1 vjeç, të shëndoshë dhe të bukur si dy engjëj. Kam edhe një bashkëshort të jashtëzakonshëm. Jeta ime sado sfiduese është e lidhur në një bazament shumë të qëndrueshëm.


Si jeni njohur me zotin Haradinaj?
Me Ramushin jemi takuar gjatë punës në kohën kur unë kam punuar si gazetare terreni.
Çfarë vlerësoni më shumë tek ai?
Tek Ramushi vlerësoj karakterin e tij në përgjithësi, e adhuroj për atë që është, për burrërinë, sinqeritetin, dashurinë dhe respektin që ka për mua.
Na thoni diçka më tepër për jetën tuaj. Sa ka ndryshuar ajo pas lidhjes me një nga fytyrat kryesore të politikës?
Duke qenë se kemi një jetë mjaft sfiduese, si me të mirat ashru edhe me të këqijat e saj dhe mjaft dinamike karshi të gjitha obligimeve familjare dhe atyre ndaj vetvetes, ajo ka ndryshuar. Por unë jam munduar të ruaj Anitën brenda vetes time. E pranoj që jam bërë mjaft e fortë, kjo ndoshta mund të jetë dhe si pasojë e rritjes, pjekurisë, edukimit të vazhdueshëm të njeriut.
Sa shpesh e takoni tani bashkëshortin tuaj dhe për çfarë flisni më së shumti kur jeni bashkë?
E takoj shumë shpesh, të paktën çdo dhjetë ditë unë udhëtoj për në Hagë për t’i qëndruar afër Ramushit dhe për të hequr mallin. Me të vërtetë ndihem shumë mirë me të, diskutojmë për tema të ndryshme, plane për të ardhmen, për fëmijët, punën dhe sigurisht edhe për politikën. Ndoshta do të thoja që Ramushi është me fat që ka një bashkëshorte si unë që e do politikën dhe dua të jem pjesë e kontributit në avancimin e shoqërisë dhe në përmirësimin e jetës në Kosovë.

Kur shpresoni se Ramushi do të jetë në shtëpi me familjen?
Dua që ai të kthehet në shtëpi më shpejt sesa unë shpresoj…
Le t’i kthehemi profesionit. Keni studiuar shumë njëkohësisht duke  punuar si prezantuese. Çfarë ju shtyu që të zgjidhnit këtë profesion?
Unë kam mbaruar fakultetin e Juridikut dhe gjithashtu Magjistraturën. Studimet për master i kam bërë në degën “Managment Service and Executive Leadership”. Puna si prezantuese erdhi në mënyrë të natyrshme. E kisha mjaft përzemër. Po kështu më ka pëlqyer gjithmonë shumë puna e gazetares së terrenit.
Çfarë bën Anita në një ditë të zakonshme?
Asgjë nuk kam të planifikuar. Çdo ditë e kam tejet të ngarkuar. Pjesën më të madhe të kohës kujdesem për fëmijët. Mundohem t’u konpensoj kohën kur jam në Hagë.
Çfarë ju bezdis më tepër? Cilat janë gjërat që nuk do të dojë të ndodhnin brenda një dite?
Haha. Nuk do të doja që Gjini ose Hana të merrnin ndonjë virus gripi apo të kishin temperaturë.
Keni jetuar për një kohë të gjatë në Tiranë, çfarë kujtoni nga qëndrimi këtu? Keni nostalgji?
Po, e pëlqej dhe më mungon shumë Tirana. Kam kaluar një pjesë të bukur të jetës time në këtë vend. Kam mbaruar shkollën e mesme tek “Petro Nini Luarasi” dhe sigurisht do të doja ta vizitoja më shpesh.


Ku i keni kaluar pushimet herën e fundit me fëmijët?
Jo, nuk kemi kaluar pushime këto kohë. Jemi duke përballuar një proces gjyqësor. Por e rëndësishme është që djali im Gjini ka qenë me pushime këtë verë me nënën dhe babain tim. Ata më ndihmojnë jashtë mase dhe kujdesen shumë për fëmijët e mi.
Ku e sheh Anita veten në të ardhmen. Në televizion, ekonomi apo edhe politikë?
Nuk jam përcaktuar ende sepse ashtu siç përmenda edhe më lart, jemi duke u ballafaquar tashmë prej tre vjetësh me një proces të cilin as sot nuk e kuptoj pse ka qenë nëvoja të fillojë. E vërteta me siguri që do të dalë në shesh. Drejtësia do të vihet në vend dhe ne do të jemi të lumtur, unë, Ramushi dhe fëmijët e mi.

Ky shkrim u botua më 10 nentor 2007


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.