SPORT

Dede: Partizani ta harrojë titullin kampion me këtë mbrojtje, investim i kotë

14:55 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ish-mbrojtësi i Tiranës dhe Kombëtares, gjatë një prononcimi për “Zona Gol” në “Supersport” ka bërë një analizë të shkurtër të situatës ku ndodhet aktualisht Partizani. Si ish-mbrojtës, fokusi i Dedes ka qenë kryesisht te faza defensive e të kuqve, të cilin e shikon si burimin e krizës. Sipas Dedes, drejtuesit investuan në fazën sulmuese, po kanë një mbrojtje që nuk di të dalë përpara dhe që nuk është e denjë për kampion. Ja analiza e Nevil Dedes për situatën ku ndodhen “demat”:

“Partizani ka marrë disa lojtarë, të cilët për mendimin tim nuk mund ta nxjerrin kampion. Ndoshta ata nuk kanë personalitetin e duhur, cilësitë e duhura apo karrierën e duhur. Në mbrojtje nuk kanë ndërhyrë siç duhet, ku kanë marrë vetëm një mbrojtës të majtë nga Teuta. Kotobelli është një lojtar i ri dhe me eksperiencë të pakët, por ndoshta në vitet në vazhdim ai mund të bëjë diçka më shumë.

Të gjithë këto faktorë që përmenda, bëjnë që investimi i Partizanit është i kotë. Meqë drejtuesit e rinj të Partizanit kanë afruar gjithë këta lojtarë sipas një filozofie të përcaktuar, apo një projekti, nuk mund të ecësh përpara me të njëjtët futbollistë, që kanë disa vite dhe nuk po arrijnë aty ku duhet. Të jemi koncizë, por pa i fyer, me atë nivel mbrojtësish që ka Partizani, nuk ecet. Ata nuk e nxjerrin dot topin përpara. Kur nuk furnizohet mesfusha, si mund të pretendosh të furnizohet sulmi?!

Kështu që gjërat janë relative. Klubi ka investuar shumë përpara, në sulmues dhe mesfushorë. Por ata nuk furnizohen, pasi topi nuk do të shkojë me telekomandë tek ata. Nuk është basketboll, që mund ta hedhësh topin me dorë ku të duash. Ke disa kundërshtarë që rreshtohen mirë përpara dhe dinë të luajnë futboll, janë më seriozë dhe kanë projekte, ndoshta më të gjatë se ty.

Të gjitha këto bëjnë që Partizani stonon në çdo vend, mbase kjo nuk ndodh vetëm te porta. Mos të harrojmë edhe fillimin e kampionatit, ku disa nga lojtarët titullarë të sezonit të kaluar u lanë rezervë. Kur ata u futën, rezultati nuk vinte më, duke krijuar një çarje.

Një gjë më ka bërë përshtypje, pasi në ndeshjen me Kukësin u bënë të njëjtat zëvendësime dhe Partizani u bë pak më agresiv nga ana sportive për ta fituar ndeshjen. Këto ishin zgjidhje të stafit të vitit të kaluar. Pra, ti ke marrë staf të ri, ke marrë lojtarë të rinj dhe në fund fare përfundon te vendosja apo ato elemente që u përdorën një vit më parë. Këto dilema unë nuk i kuptoj, ndaj i hodha kështu”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.