MILOSAO

Pse i është dorëzuar politikës, Akademia e Shkencave

09:04 - 25.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Nga Prof. Asoc. Panajot BARKA




Debati i fundit mbi Akademinë e Shkencave, më shumë se krijoi një realitet disaplanesh qëndrimesh në lidhje me autoritetin e saj, po demonstron një profil të avancuar të krizës në vend, i cili ka të bëjë me themelin dhe ngrehinën identitare, garant i të cilit është në fakt Akademia dhe mendimi akademik. Por, “konsensusi” i gjerë për nevojën e reformimit të saj, nuk lidhet aq me nevojën e përballimit të krizës në këtë aspekt dhe me perfeksionimin e institucionit bazë epistomologjik në vend. Më shumë lidhet me përpjekjen e politikës për ta menaxhuar këtë profil delikat krize, si një mundësi për të shmangur vëmendjen nga fusha të tjera më konkrete të krizës (ose për përfitime kompromentuese). Tregues për këtë mbetet preferimi i anës folklorike dhe dekorative dhe jo asaj shkencore, duke pasur si garanci “suksesi” traditën shekullore të popullit shqiptar në një ekuilibër bashkëjetese fetare të orientuar, pas krijimit të shtetit shqiptar, drejt Perëndimit dhe duke neglizhuar rrymat e fshehta, apo të dukshme që kërkojnë dhe imponojnë ndryshimin në të kundërt të këtij orientimi.
Këtij realiteti i shtohet fakti “i vetëdorëzimit” të institucionit të Akademisë së Shkencave te pushteti ekzekutiv në veçanti dhe politikës në përgjithësi. Ndërkohë, qëndrimet deri në ekstrem nga ana e qeverisë, së bashku me heshtjen kompromentuese të forcave të tjera politike, tregon se atyre nuk u duhet më Akademia. Dhe ky qëndrim duket se ka dy arsye. Së pari. Alternativa “Akademi Shkencash” nuk i shërbeu kurrë synimit të politikës për të marrë pushtetin. Madje, politika kurrë nuk ka kërkuar nga Akademia, studime e projekte për një drejtim e zhvillim sa më efektiv dhe afatgjatë të vendit dhe për orientimin e identitetit të tij në një bazë sa më shkencore, sa më koherente me zhvillimet e sotme ndërkombëtare shkencore e integruese.
Së dyti, Akademia, sado e mefshtë qoftë, nuk mund të pajtohet e të bëjë aleancë me të gjitha format e shfaqjes së krimit, i cili përbën një instrument me peshë në marrjen e pushtetit, kontrollin dhe ushtrimin e tij. As mund të ushqejë ideologjinë nacionaliste populiste, të cilës politika i referohet sa herë i duhet për të rritur kredibilitetin e vet patriotik, si kundërpeshë për dështimet e veta në ekonomi, shoqëri, kulturë, marrëdhëniet me fqinjët apo me të tretët etj.

Në këtë këndvështrim, reformimi i pretenduar për Akademinë  përbën një qasje shkencore të ndaluar, pasi bie ndesh me atë mit të krijuar dhe ushqyer për gati një shekull e gjysmë, në mjegullën e të cilit fshihet e vërteta shkencore prej të cilës nuk ka pse të ketë frikë identiteti social, kulturor e etnik i shqiptarit.
2.
Eshtë fakt që thënia e Pashko Vasës në mesin e gjysmës së dytë të sh. XIX, se “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”, përmblidhte vullnetin e fuqive evropiane, të cilat në krijimin e komb shtetit shqiptar, nuk mund t’i referoheshin krishterimit si element identitar e përbashkues si për popujt e tjerë të Ballkanit, por gjuhës shqipe si elementë përfaqësues “përmbi kisha e xhami”. Nga ana tjetër importimi nga arbëreshët në Itali dhe arvanitasit në Greqi të figurës së Skënderbeut dhe flamurit të tij, për t’i prirë simbolikisht lëvizjes kombëtare shqiptare për çlirim nga Perandoria Osmane, përbënte mishërimin e krishterë Evropian të realitetit shqiptar në një bashkëjetesë fetare, por  me orientim Oksidental. (Skënderbeu, me qëndrimin e tij antiosman i përkiste realitetit të krishterë shqiptar, paraosman). Pra proceset formuese të shtetit shqiptar u shoqëruan me kultivimin e një ekuilibri të ri, fondamental pro evropian, në bashkëjetesën fetare të shqiptarëve, në bazë të të cilit do të formësohej edhe identiteti kombëtar.
Kujtojmë se shqiptarët, ndryshe nga popujt e tjerë të Ballkanit, me pushtimin otoman dhe ndryshimin masiv të fesë në myslimanë, adoptuan dhe bashkëjetesën e feve të kundërta të imponuar (vertikalisht) nga pushteti pushtues perandorak, pjesë e të cilit, sipas Kadaresë dhe studiuesve të tjerë u bënë edhe ata dhe të ekuilibruar (horizontalisht) nga tradita e përbashkët e krishterë.
Drejtimi i kësaj bashkëjetese fetare përcaktohej nga pushteti fetar perandorak. Sipas Çabejt dhe historiografisë shqiptare, islamizmi ndihmoi centrifugalitetin e shqiptarëve në Ballkan dhe i mbrojti nga asimilimet e krishtera. (!) Çabej pohon gjithashtu se kultura osmane, duke adoptuar epikën heroike bizantine me heronj të krishterë që mbrojnë kufijtë e kësaj perandorie nga Arabët e Osmanët, krijoi epikën legjendare shqiptare me heronj muhamedanë që mbrojnë kufijtë e Perandorisë Otomane nga të krishterët e Evropës. (Edhe Gjergj Elez Alia lufton me “bajlozin” dalë nga deti, kur dihet se “Bajlos” ishte titulli diplomatik i Venedikut në Konstandipojë dhe se Venediku përbënte rrezikun kryesor të kufijve perëndimorë të P. Otomane në brigjet shqiptare të Adriatikut.) Pra, krijimi i shtetit shqiptar në fillimet e shekullit të kaluar, shënjohet dhe nga ndryshimi proevropianë i orientimit të bashkëjetesës fetare në të.
Këtë realitet Zogu tentoi ta institucionalizonte, nga njëra anë duke e mbështetur strukturën e shtetit të tij tek të krishterët, nga ana tjetër duke orientuar të gjitha marrëdhëniet e shtetit të tij me Perëndimin.


Sistemi komunist i E.Hoxhës me ateizmin e tij kushtetues dhe përndjekës të feve, kërkoi të krijonte një homogjenitet hibrid nacional-komunist të shoqërisë multifetare dhe multikulturore shqiptare. Megjithatë, në të gjitha relatat kulturore me perëndimin ai prezantonte Shqipërinë me vlerat e krishterimit dhe ashtu si Zogu, mitizoi në ekstrem figurën e Skënderbeut dhe të vërtetën e paverifikueshme shkencërisht, kulturën romantike të Rilindjes, me qëllim që të shpallte vetën si lartësues të denjë të vlerave të tyre. Ndërkohë, për qëllimet e veta, të “forcimit të unitetit të brendshëm” socialkomunist, ai u referua ballafaqimit permanent me Perëndimin në tërësi dhe në veçanti me shtetet fqinje të krishtera, (aksiomë kjo e fabrikuar nga P. Otomane, veçanërisht pak para fundit të vet, tek po kërkonte pasardhësit e vet në rajon midis popujve të myslimanizuar dhe shndërruar në platformë ideologjike sunduese në vetpërcaktimin etnik për shqiptarët edhe pas viteve 90).
Pas viteve 90, ateizmi i sistemit komunist u duk se i kishte dhënë trajta honorifike bashkëjetesës fetare. Mirëpo, pavarësisht se institucionet fetare në misionin e vet për krijimin e kumuniteteve të besimit të tyre, tregonin kujdes dhe për ruajtjen e vlerave të bashkëjetesës, zhvillimet treguan se po i hapej rruga faktorëve që duan ndryshimin e ekuilibrit orientues të kësaj bashkëjetese, nga referimi i tij Perëndimor në të kundërt.
Që me 1991, Shqipëria, si asnjëherë tjetër u katapultua në Konferencën Islamike. Në Shqipëri u derdhen para lumë nga organizata “bamirese” arabo-islamike. Deri edhe gjurmë të Bin Laden-it u pikasen në vend. Statistikat e krimit tregojnë “supremacinë” e elementit mysliman. Censusi i fundit zyrtar tregoi rrudhjen më ekstreme të popullsisë së krishterë në vend dhe parlamenti shqiptar, si asnjëherë tjetër në historinë e vet, përbëhet nga 75 përqind me deputet myslimanë. Për “Skënderbeun” garantin e bashkëjetesës fetare dhe unitetit kombëtar me orientim perëndimor, filluan ditë të vështira. Në vizitën e tij në Tiranë në fillim të 1993, Presidentit Turk Turgut Ozal nuk pranoi të hynte në Presidencë pa u hequr që andej busti i Skënderbeut. Monumenti i Heroit Kombëtar përballoi vështirësi në udhëtimet e tij midis popullsive myslimane shqiptare. Shumë historianë nga Anadolli, por edhe klerikë myslimanë shqiptarë, kërkojnë ta demonstrojnë atë si  renegatë dhe terrorist që u ngrit atëherë kundër fesë së sotme të shumicës shqiptare. (Pra, duan t’i heqin atributin e heroit kombëtar që garanton unitetin etnik ngritur mbi harmoninë fetare me orientim Evropian.) Të njejta vështirësi u vunë re edhe për Nenë Terezën.
Debati i pambyllur Kadare – Qose ka në qendër të tij argumentin se cilin orientim duhet të përqafojë bashkëjetesa paqësore fetare. Pra, në rastin më të mirë vihet në dyshim tradita e nisur me krijimin e shtetit shqiptar dhe, me protagonist Qosen dhe jo vetëm, po kërkohet një ekuilibër i ri, në rastin me të mirë pa orientim dhe në rastin me të keq, në favor të myslimanizmit.
Kadareja, para se në Ankara të kristalizohen dogma e neo-otomanizmit në Ballkan dhe para se institucione të ndryshme kulturore të merrnin përsipër ringjalljen e saj në terren, e ka përshkruar atë në thirrjet e drejtuara shqiptarëve (dhe boshnjakëve) për të bashkëqeverisur edhe një herë Perandorinë e ëndërruar një shekull pas shembjes së saj. Për të arritur tek Erdogani i mallëngjyer në vizitën e tij në Tiranë, me 2015 që shikon te bregu shqiptar i Adriatikut kufirin perëndimor të kësaj perandorie imagjinare.
Studiues të ndryshëm Evropian, e shohin me shqetësim fatin e pozitës së krishtërimit dhe simbolikës së tij në arealin e përbërjes fetare e kombëtare të shqiptarëve. Pra, nuk është se zbulojnë një handikap por parathonë një problem, gjë që justifikon dhe thirrjen e  Papa Franceskut drejtuar shqiptarëve me 2014 në Tiranë që të kthehen në origjinë.

3.
Në këtë prizëm ka disa momente që tërheqin vëmendjen. I përkasin realitetit dhe diakronisë. Lidhen me bashkëjetesën fetare dhe rolin e saj në identitetin etnik, me ekuilibrat ndërfetare dhe orientimin pro dhe kundër evropiane të kësaj bashkëjetese, me vetpërcaktimin etnik si produkt dhe evoluim i brendshëm apo si ballafaqim me të tjerët, me fqinjët etj. Kadareja në intervistën e tij më të fundit e pranon këtë si shqetësim dhe pasi bën përgjegjës rendin komunist si pengues në sqarimin e vlerave themelore të historisë së kombit shqiptar, thekson domozdoshmërinë për t’i dhënë fund pengmarrjes nga e kaluara të së tashmes dhe të ardhmes.
Dhe kjo kërkesë lidhet me Akademinë dhe rolin e mendimit akademik. Mirëpo, pas këtij realiteti rri strukur një dramë që i tejkalon muret e saj institucionale, por që definohet si dramë e Akademisë, pasi ajo përbën strukturën kopetente dhe përgjegjëse për të kapërcyer ngërçin. Pamundësia e misionit akademik e intelektual lidhet me faktin se politikës i vjen më mirë dorësh ideologjia nacionaliste e mitizuar, kultivuar në ekstrem dhe për qëllimet e veta, nga sistemi komunist. Po ashtu, ky nacionalizëm populist ushqen përditë masën e gjerë si alternativë për mungesën e dijës dhe për zbutjen e efekteve të krizës në sektorë të tjerë.
E vërtetë është gjithashtu se një pjesë e rëndësishme e trupës akademike vjen nga realiteti i akademisë komuniste, në të cilën, sipas Oliver Schmitt, “modelet sunduese të mendimit janë të ndikuara fort nga ideologjia nacional-staliniste e diktaturës komuniste…”  Ndërsa sipas Arshi Pipës, këto modele midis të tjerave kanë shërbyer për të “përhapur e nxitur ksenofobinë, sllavofobinë, izolacionizmin,….”. Që do të thotë se vet atyre u duhet nga njëra anë, të mohojnë një pjesë të pohimeve të tyre “shkencore”, që është më e thjeshta. Nga ana tjetër, u duhet të ndryshojnë mentalitetin e vet në gjykimin dhe interpretimin e fenomeneve të ngjizura si arritje shkencore në mitin e cituar. (Idetë dhe pohimet romantike të Rilindasve, plotësisht të justifikueshme për kohën  dhe misionin e tyre për  kultivimin e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, nuk mund të përbëjnë argumente për realitetin shkencor bashkëkohor.)
Po ashtu, kjo shtresë, për të ruajtur “integritetin” e vet shkencor, i shmanget ballafaqimit me shkencën ndërkombëtare. Kjo mungesë ballafaqimi faktikisht defaktorizon vërtetësinë dhe efektivitetin e argumentit të tyre, pra edhe dobinë e rezultateve albanologjike. Paralelisht, i çon ata objektivisht në një izolim të ri të vetzgjedhur dhe i përjashton nga aksesi i shkencës ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, çdo përpjekje institucionale apo dhe individuale për ta çmitizuar mitin konservativ nacionalist në funksion të një identiteti të mbështetur në argumentin shkencor, të ballafaquar dhe pranuar nga komuniteti shkencor ndërkombëtar, ndeshet brutalisht me një mentalitet kolektiv populist, që ka kthyer në pronë identitetformues mitin romantik, si histori pa alternativë, ose si tabu, mentalitet që shpaloset me histeri ekstreme në mjetet e informimit publik e sidomos në rrjetet sociale duke ricikluar realitete që të mbajnë pengë të së kaluarës, dëmtojnë realitetin e identitetit kombëtar dhe pengojnë integrimin me popujt evropianë dhe të ardhmen.
Ndërkohë, komunitetet fetare për efekt të rritjes së potencialit të tyre intelektual, kanë ngritur strukturat e veta universitare, të cilat bashkë me morinë e universiteteve private, që mbështesin parimin e dijës tek fitimi, e kanë lenë në hije organin kopetente udhëheqës të proceseve akademike te karakterit kombëtar.
Eshtë gjithashtu e vërtetë se Akademia dhe akademikët kanë hezituar t’i dalin ballas këtij presioni populist që ka për argument mitin në konsum masiv ose interesa të tjera pse jo të dyshimta. Por ajo që duhet nënvizuar është fakti se ky lloj populizmi nacionalist, apo dhe interesat e tjera kanë gjithmonë aleat të pashkruar politikën, e cila, me udhërrëfyes mentalitetin komunist të orientimit të studimit shkencor në funksion të politikës së ditës, i imponohet elitës shkencore ose me injorim (për të promovuar vetën në krye të populizmit), ose duke e kërcënuar me ndërprerje të fondeve, (si në rastin e fundit), ose duke mbështetur faktorë të tjerë dhe për interesa të tjera. FUND

15.09.2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.