AKTUALITET

Mori paratë e nipit të vrarë/ Flet e veja e Elton Deliut: Hodhën poshtë gjakun e tyre për para, dua vetëm atë që i takon vajzës

14:48 - 26.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ina ALLKANJARI

Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm Adem Çaushin, i cili ishte akuzuar për marrjen e 260 mijë dollarëve në mënyrë të paligjshme nga llogaria e nipit të vrarë. Sipas prokurorisë, llogaria në fjalë i takon vajzës së Eltonit, të cilën gjykata ia njohu pas vrasjes dhe për të cilën familjarët e Eltonit patën kundërshtimet e tyre.

Por këto para nuk arritën të merreshin nga vajza e mitur e Eltonit, pasi gjyshi i të ndjerit e kishte tërhequr më parë llogarinë prej 260 mijë dollarësh si trashëgimtari më i afërt. Në lidhje me këtë ngjarje ka folur ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare” e veja e Elton Deliut, Ada Musaraj, e cila kërkon të drejtën për vajzën e saj të mitur. Ndërkohë, gjatë seancës së zhvilluar dje, Gjykata e Tiranës vlerësoi se marrja e shumës së parave dhe zhdukja e tyre nga Adem Çaushi nuk është pastrim i produkteve të veprës penale, por pengim i zbatimit të vendimit të gjykatës. Ky vendim ia kishte njohur vajzës së biznesmenit shumën në llogarinë bankare. Duke qenë se pengimi i zbatimit të vendimit të gjykatës është një vepër që është amnistuar në janar të këtij viti, gjykata urdhëroi pushimin e gjykimit ndaj Adem Çaushit dhe lirimin e tij nga akuza.

E veja e Elton Deliut

E veja e të ndjerit ka reaguar në lidhje me këtë ngjarje duke thënë se kjo që po i bëhet vajzës është padrejtësi, dhe ka kërkuar vetëm çfarë i takon vajzës së saj dhe të Eltonit. Nëna e fëmijës së Eltonit thekson vazhdimisht se nuk ka asgjë me familjen e tij, pasi ajo ia vendos fajin bankës. “Në momentin që ndodhi tragjedia, banka ka pasur një urdhër bllokimi, që nuk duhej të lejonte që lekët të tërhiqeshin. Unë kam depozituar një kallëzim kundrejt bankës në prokurori, nuk kam ngritur një padi për personin që ka marrë lekët, dhe sapo të kem mundësi do vazhdoj gjyqet me bankën”, – është shprehur Ada Musaraj. E veja thekson se nuk ka dashur të ketë përplasje me familjen e bashkëshortit të saj, pavarësisht se ata i janë kthyer kundër.

“Nuk dua të hap plagët përsëri, pasi është shumë e rëndë për mua, por kur Eltoni ishte gjallë, të afërmit e tij më donin dhe më respektonin, edhe unë po ashtu, isha nusja më e mirë. Por me largimin e tij nga jeta m’u kthyen kundër. Gjithsesi unë nuk kam asgjë me ata; edhe padinë për tërheqjen e parave nga gjyshi i Eltonit s’e kam ngritur unë. E vetmja procedurë që kam ndjekur ka qenë kallëzimi në prokurori për bankën”, – ka reaguar e veja. Më tej ajo ka shtuar se nuk ka pasur mundësi ta vazhdojë çështjen në gjykatë me bankën, për shkak të përqindjes që kërkohet paraprakisht për të hapur gjyq.

Ndërkohë ajo është shprehur se e vetmja seancë gjyqësore që ka ndjekur ka qenë për njohjen e atësisë për të miturën Eltona Musaraj. Ajo ka arritur t’i vendosë në dispozicion gjykatës edhe një analizë ADN-je, ku provonte se Eltona Musaraj është vajza e Elton Deliut. Me vendim gjykate është bërë edhe njohja ligjore e Eltonës si e bija e të ndjerit. “Vajzës i vura emrin e të atit, sot ajo është 9 vjeçe. Por me familjarët e Eltonit nuk dua të kem asnjë kontakt, pasi ata hodhën poshtë gjakun e tyre veç për para. Nuk dua të kem asnjë lidhje me ta, por dhe të keqen nuk ua uroj sepse nuk jam e tillë. Kam vuajtur shumë, nuk dua të ngacmoj më plagët e vjetra. Tashmë dua të rris vajzën time në mënyrën më të drejtë dhe të ndershme që mundem”, – ka thënë e veja e Elton Deliut.

Ngjarja në vitin 2008

Elton Deliu dhe nëna e tij, Flutura Deliu, u ekzekutuan me 11 plumba në banesën e tyre më 27 dhjetor 2008. Vrasja ndodhi rreth orës 15:00, në ambientet e brendshme të apartamentit të tyre, që ndodhej në katin e gjashtë, në pallatin mbrapa Presidencës, në rrugën “Perlat Rexhepi”. Mendohet se fillimisht, autorët e krimit mafioz goditën me një plumb në kokë të ëmën, Flutura Deliu, 52 vjeçe, dhe më pas qëlluan me plumba 32-vjeçarin. Vrasësit thuhet se kanë qenë dy, dhe kanë qëlluar 11 herë.

Atëherë policia mori në pyetje të fejuarën e Elton Deliut, e cila mendohet se ka qenë njeriu i fundit që e pa gjallë. Ajo ka treguar se ishin kthyer me makinë për në shtëpi dhe pasi kanë parkuar mjetin, Eltoni është ngjitur lart me ashensor, ndërsa ajo, duke qenë se ashensori ishte i bllokuar, është ngjitur nga shkallët. Në momentin që ka qenë përballë derës së apartamentit të tyre, ka parë Eltonin që po mbahej në derë dhe që ishte i plagosur.

Ai i ka thënë që e kishin qëlluar dhe i kishte kërkuar ndihmë për të lajmëruar ambulancën, por nuk ka mundur të japë asnjë shpjegim në lidhje me autorët, pasi ka vdekur në vend nga plagët e shumta që kishte marrë. Ndërkohë, gati një dekadë pas vrasjes së Eltonit dhe nënës së tij në apartamentin ku banonin të afërmit e tij, vazhdojnë gjyqet për llogaritë bankare që Deliu kishte krijuar, konkretisht për marrjen e 260 mijë dollarëve nga gjyshi i Eltonit në llogarinë e nipit të vrarë. Gjykata e Tiranës shpalli dje të pafajshëm Adem Çaushin, por ky vendim pritet të apelohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila i kërkoi gjykatës dënimin e të moshuarit me 5 vite burgim.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.