Speciale

Pakti i mirëkuptimit në PS: Ministrat në komision etike, nëse s’u përgjigjen deputetëve

10:13 - 27.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Darina TANUSHI

 

Ministrat dhe deputetët e PS-së nënshkruan dje një marrëveshje mirëkuptimi mes tyre për të garantuar bashkëpunimin në katër vitet e ardhshme. Dokumenti që u firmos dje nga ministrat dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla garanton që çdo ministër të përmbushë kushtet e nevojshme që deputetët të ushtrojnë detyrën. “Çdo deputet ka të drejtë të njoftojë koordinatorët e marrëve-shjes për rastet kur nuk janë përmbushur kushtet për të ushtruar të drejtat e deputetit si më sipër.

Në rast mosveprimi të përsëritur, njoftohet Komisioni i Etikës dhe takimi i kryetarëve”, thuhet në dokument. Për të forcuar llogaridhënien e përgjithshme të qeverisë, kërkesat e deputetëve në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, cilësisht dhe sipas zonës, paraqiten tek kryetari i grupit parlamentar. Ato u përcillen për t’u ndjekur dhe trajtuar përmes Sekretariatit të Përbashkët, ministrit/ministres dhe/ose kryetarit të bashkisë sipas rastit.

Në fund të çdo viti hartohet një raport vjetor i kërkesave/ankesave, si dhe bëhet analiza mbi sa dhe si janë adresuar ato. Ndërkohë, çdo muaj qeveria do të bëjë një mbledhje në një qark të caktuar, ndërsa të gjithë ministrat duhet të shkojnë të paktën një herë në muaj në një qark për të biseduar për problematikat e zonës me deputetët e atij qarku. Ndërkohë, palët do të kenë një hartues të qëndrimeve strategjike. Një veçanti është se grupi parlamentar i PS-së do të caktojë disa persona që do të punojnë për ndërtimin e konsensusit parlamentar, si edhe për kuorumet e nevojshme për aktet legjislative. Ky rol synon që aktet të marrin mbështetje sa më të gjerë, si dhe garanton kuorumin e nevojshëm për nismat ligjore.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste cakton dy persona, të cilët do të kujdesen që marrëdhëniet e brendshme mes deputetëve dhe me anëtarët e kabinetit të jenë të ngrohta e miqësore. Ndërkaq, do të ketë edhe persona që do të jenë si ndërmjetës me opozitën. “Ky rol koordinon me palët, për të hapur linja dialogu me opozitën. Ky rol synon që reformat e mëdha dhe me rëndësi të veçantë për vendin të marrin konsensusin e gjerë të deputetëve të kuvendit dhe në publik”.

Pikat kryesore të marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet: Kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, sekretarit të përgjithshëm të PS-së dhe ministrave

Kjo marrëveshje synon garantimin e bashkëpunimit mes palëve për të rritur cilësinë e punës së përbashkët dhe përgjegjshmërinë individuale e kolektive të palëve, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që burojnë nga kontrata e Partisë Socialiste me popullin shqiptar, për vitet 2017-2021.

Palët angazhohen që:

1) Të bashkëpunojnë pa ndërprerje për të rritur cilësinë e procesit demokratik dhe bashkëjetesës politike në Kuvendin e Shqipërisë e jashtë tij.

2) Për të zgjeruar bazën e shumicës qeverisëse në komunikim e bashkëpunim të vazhdueshëm me qytetarët në çdo komunitet.

3) Për të ruajtur dhe forcuar më tej lidhjen me elektoratin dhe anëtarësinë socialiste.

4) Për t’iu përgjigjur në kohë e me cilësi shqetësimeve, kërkesave e ankesave të njerëzve dhe familjeve të zakonshme.

5) Për të vendosur përpara përgjegjësisë në kohë reale çdo zyrtar që identifikohet në shkelje të së drejtës së qytetarit për të marrë një shërbim, apo rezulton në shkelje të etikës në shërbim të publikut.

6) Për të dekurajuar çdo formë nepotizmi e klientelizmi partiak në emërime dhe për të reaguar vendosmërisht ndaj çdo rasti, kur konstatohen këto fenomene.

7) Për të ruajtur e forcuar kohezionin e brendshëm, duke fuqizuar debatin e brendshëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër duke konsoliduar parimin e qëndrimit të unifikuar.

8) Për të kontribuar në nivel kolektiv e indivual, në ushqimin e një klime besimi, respekti e mirëkuptimi reciprok, të mbështesin nismat ligjore dhe reformat e qeverisë.

9) Për t’iu përgjigjur me përkushtim njerëzor, seriozitet profesional dhe integritet politik, në nivel kolektiv e individual, detyrimeve të kësaj marrëveshjeje.

Ministrat e deputetët bien dakord që të kenë një komunikim të vazhdueshëm dhe unifikim të qëndrimeve dhe mesazhit publik të PS-së.

Secila nga palët ka një koordinator:

Nga grupi parlamentar është kryetari i grupit.

Nga ministrat është zv.kryeministri.

Nga Partia Socialiste është sekretari i përgjithshëm.

Koordinatorët formojnë grupin këshillimor.

Ky grup këshillon takimet e kryetarëve mbi probleme apo pengesa të hasura gjatë punës, si dhe ndjek e siguron zgjidhjen e çështjeve që ngrihen gjatë takimeve.

Koordinatorët i paraqesin takimit të kryetarëve dhe grupit parlamentar, si këshill apo individualisht, opinione dhe propozime në lidhje me:

  1. Ecurinë e marrëveshjes në tërësi.
  2. Çështjet që konstatohen të rëndësishme për diskutim mes palëve ose pozicionim të tyre, nisur nga takimet sektoriale dhe ato mbi bazë qarku, pra me fokus konkret në një fushë ose territor të caktuar.
  3. Gjetjet kryesore nga raporti vjetor i kërkesave/ankesave nga deputetët, anëtarësia e partisë dhe qytetarët, si dhe nga raporti periodik i dëgjesave publike periodike sipas qarqeve, apo raporti i veprimtarisë së zhvilluar sipas kësaj marrëveshjeje.
  4. Çështje të cilat vlerësohen të rëndësishme nga Komisioni i Etikës, si më poshtë.

Koordinatorët takohen të paktën një herë në muaj, si dhe sa herë që është e nevojshme.

Palët bien dakord për zhvillimin e takimeve sektoriale, për të ndërvepruar për çështje me interes, sipas fushave specifike:

Takimet me bazë qarku

Çdo ministër/ministre, brenda një viti duhet të vizitojë të paktën një herë secilin qark të vendit, në bazë të një kalendari aktivitetesh të kërkuara apo dakordësuara me deputetët e qarkut, me fokus inspektimin e njësive të ofrimit të shërbimeve për qytetarët, në fushën e përgjegjësisë së tyre.

Gjithashtu, çdo ministër/ministre duhet të njoftojnë deputetët për pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet publike, si dhe vizitat në terren që organizohen në qarqe nga ministri/ministrja përmes sekretariatit të përbashkët.

Gjatë një viti, qeveria mblidhet detyrimisht një herë në çdo qark. Përveç mbledhjes së qeverisë, anëtarët e kabinetit së bashku me deputetët e qarkut zhvillojnë mbledhje e dëgjesa me drejtuesit dhe punonjësit e institucioneve sipas sektorëve, takime me komunitetin, si edhe me përfaqësuesit vendorë në qark.

Komisioni i Etikës

Me propozim të kryeministrit, sekretarit të përgjithshëm të partisë dhe kryetarit të grupit parlamentar, si dhe me miratim të deputeteve krijohet Komisioni i Etikës. Ky komision:

  1. Mbikëqyr zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
  2. Mbikëqyr sjelljen dhe qëndrimin e secilit në raport me zgjedhësit dhe kolegët.
  3. Shqyrton çdo kërkesë apo ankesë të natyrës etike të anëtarit/anëtarëve të grupit, qeverisë apo Partisë Socialiste, në raport me një apo më shumë pjesëtarë të grupit parlamentar apo kabinetit qeveritar.

Bashkëveprimi me deputetin

Në bazë të ligjit për statusin e deputetit, si dhe kësaj marrëveshjeje është përgjegjësi e çdo ministri/ministreje të përmbushë dhe e Komisionit të Etikës të mbikëqyrë plotësimin e kushteve të nevojshme për ushtrimin e të drejtave të deputetit dhe procedurave sipas statusit të deputetit.

Çdo deputet ka të drejtë të njoftojë koordinatorët e marrëveshjes për rastet kur nuk janë përmbushur kushtet për të ushtruar të drejtat e deputetit si më sipër. Në rast mosveprimi të përsëritur, njoftohet Komisioni i Etikës dhe takimi i kryetarëve.

Trajtimi i kërkesave të deputetëve

Për të forcuar llogaridhënien e përgjithshme të qeverisë, kërkesat e deputeteve në lidhje me ofrimin e shërbimeve publike, cilësisht dhe sipas zonës, paraqiten tek kryetari i grupit parlamentar. Ato u përcillen për t’u ndjekur dhe trajtuar përmes Sekretariatit të Përbashkët, ministrit/ministres dhe/ose kryetarit të bashkisë sipas rastit.

Trajtimi i kërkesave nga anëtarësia e partisë/qytetarët

Kërkesat/ankesat mblidhen dhe regjistrohen nga kryetarët e organizatave, të cilët ia përcjellin kërkesat dhe ankesat nga takimet me anëtarët dhe qytetarët sekretarit të përgjithshëm të partisë, të cilat, përmes Sekretariatit të Përbashkët që i regjistron ato, i komunikohen ministrit/ministres dhe/ose kryetarit të bashkisë, sipas rastit, për t’i trajtuar dhe ndjekur ato.

Sekretarit të Partisë i paraqiten edhe kërkesa/ankesa të mbledhura nga takimet mbi bazë qarku dhe dëgjesat si më sipër.

Raporti vjetor i kërkesave/ankesave

Në fund të çdo viti hartohet një raport vjetor i kërkesave/ankesave, si dhe bëhet analiza mbi sa dhe si janë adresuar ato. Raporti hartohet nga Sekretariati i Përbashkët, që mban edhe të dhënat rregullisht për to dhe u drejtohet koordinatorëve.

Palët caktojnë një hartues të qëndrimeve strategjike. Ky rol konsultohet në vazhdimësi me palët në takimet periodike sektoriale, si dhe koordinatorët.

Hartuesi i qëndrimeve strategjike harton deklaratat e pozicionit, të cilat shërbejnë si udhërrëfyes për palët, në punën dhe në qëndrimet e tyre. Hartuesi i qëndrimeve strategjike caktohet nga kryetari i Partisë Socialiste dhe kryetari i grupit parlamentar.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat, të cilët hulumtojnë mbi çështjet për debatim a për kundërdebatim, si dhe deputetët të cilët do mbrojnë në debat pozicionin e partisë.

Ndërtuesit e konsensusit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste cakton personat që punojnë për ndërtimin e konsensusit parlamentar, si edhe për kuorumet e nevojshme për aktet legjislative. Ky rol synon që aktet të marrin mbështetje sa më të gjerë, si dhe garanton kuorumin e nevojshëm për nismat tona ligjore.

Kujdestarët e marrëdhënieve brenda grupit dhe me anëtarët e kabinetit

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste cakton dy persona, të cilët kujdesen që marrëdhëniet e brendshme mes deputetëve dhe me anëtarët e kabinetit të jenë të ngrohta e miqësore.

Ndërmjetës/komunikues me opozitën

Palët bien dakord të caktojnë persona si ndërmjetës/komunikues me opozitën. Ky rol koordinon me palët për të hapur linja dialogu me opozitën. Ky rol synon që reformat e mëdha dhe me rëndësi të veçantë për vendin të marrin konsensusin e gjerë të deputetëve të Kuvendit dhe në publik.

Ndërlidhësi komunitar

Kryetari i organizatës luan njëkohësisht rolin e ndërlidhësit të komunitetit. Ndërlidhësi komunitar mbledh dhe transmeton kërkesa/ankesa dhe problematikat e ngritura nga anëtarësia dhe qytetarët. Ndërlidhësi komunitar mbështet të deleguarin e qarkut për organizimin e dëgjesave publike, për të zhvilluar koalicionin me qytetarët.

Ndërlidhësi social

Palët caktojnë persona si ndërlidhës socialë, të cilët shërbejnë si ndërlidhës mes tyre dhe grupeve të ndryshme sociale, shoqërisë civile dhe zonës “gri”. Ky rol synon të afrojë sa më shumë grupet sociale me qëndrimet dhe nismat e palëve.

Filtruesit e kandidaturave

Filtruesit e kandidaturave caktohen sipas nevojës për hulumtimin e kandidaturave për detyra dhe pozicione, ku Kuvendi ka rol në propozim dhe miratim. Këtë rol e luan Komisioni i Posaçëm.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.