Speciale

EJA, TAKOHU ME RININË TËNDE! Maturantë të Politeknikumit bëhen bashkë pas 60 vjetësh

10:19 - 30.09.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pëllumb Kulla

Sot ai quhet Instituti “Harry Fultz”. Është më i sistemuar, më i pasur, më i siguruar me njerëz dhe me një portë të bukur hekuri që u hapet automatikisht automjeteve. Është më i pasur në mjedise dhe laboratorë, por jo më i dashur se atëherë, atëherë, kur u larguam që andej, të maturuar me diplomat e teknikut, në atë fundqershori të 1957.
Shkolla që sapo patëm kryer ishte një institucion i shëndetshëm, nga qendrat më të shquara të arsimit të mesëm, me pedagogë të përkushtuar, më të shumtët e të cilëve vinin nga studime jashtë vendit, që numëronin libra dhe manuale me autorësitë e tyre dhe me përkthime të vyera. Ishte ai vit, kur tre muaj pas diplomimit tonë, do të niste udhën historike edhe i pari universitet i vendit! Dhe kontingjenti më i madh i mësimdhënësve të universitetit vajti aty nga shkolla jonë! E ne e pamë me krenari këtë zhvendosje pasi vlerësuam edhe njëherë vërtetësisht kapacitetet e mësuesve tanë të mrekullueshëm.
Lamë pas oborrin e shkollës së dashur, me korpusin qendror, që nga ballkoni, i të cilit çdo vit na pat uruar fillimvitin shkollor drejtori emërmadh Gjergj Canco, i rrethuar nga ai grup pedagogësh të vyer që sapo përmenda dhe dolëm që andej me urimin e pestë të z. Canco, për suksese në jetën e re, në kantierin e madh, të cilit i shëmbëllente Shqipëria premtuese e viteve pesëdhjetë me uzina, hidrocentrale, miniera, stacione të mekanikës bujqësore dhe kombinate gjithë llojesh.
Hynim në ca porta punësimi që nuk ngopeshin me njerëz të punës, me ca paga që na dukeshin normale, ngaqë ende nuk gjenim mundësira krahasimi. Ishim të urtë dhe të përkorë nën nevojat e një vendi ku regjimi nuk ishte bërë ende i padurueshëm.
Ne, të porsadalët nga bankat e shkollës, ishim aq të rinj sa gati-gati nuk kishim të formuar asnjë analizë mbi sistemin, nuk ia dallonim shoshoqit botëkuptimin e ndryshëm prej tonit. Ndaj miqësia jonë ishte e dëlirë. Dhe nga të gjitha nivelet e shkollimit miqësia më e shëndoshë është ajo e kohës kur dalim nga shkollat e mesme. Nuk dua të jem i prerë në këtë bindje, por përvjetorët e ndarjes nga auditoret e shkollave të larta, ne nuk i festojmë aq, për të mos thënë nuk i festojmë fare. Asnjëherë mbase, qoftë edhe çdo pesë vjet, siç bëjnë shumë nga maturantët e rruzullit. Siç e kemi bërë ne maturantët e 1957, të Degës Mekanike të Politeknikumit, që më datën 23 shtator 2017 po e festonim së bashku, rregullisht, për të dymbëdhjetën herë, qyshkur, para 60 vjetësh, atë qershor të largët ishim ndarë 86 të rinj dhe tani mblidheshim e shtrëngonim në krahë njëri-tjetrin, ne, 33 të moshuar, pensionistë.
Ishte takimi ynë me rininë. Secili, në sytë e përndritur nga lot malli të shoshoqit, shihte moshën e tij shtatëmbëdhjetë vjeçare. Tok me ata që na mungonin kishim qenë një brez i shëndetshëm dhe i suksesshëm, që u bënë teknikë të talentuar, shpikës, inxhinierë, kryeinxhinierë, shkencëtarë, pedagogë, dekanë, drejtorë, funksionarësh të administratës shtetërore dhe hierarkive politike… Dhe kishim mbetur miq, në një kameratizëm shtatëmbëdhjetëvjeçarësh, pa mërira profesionale. Dhe as politike! Kishim dhimbjen e ëmbël të nostalgjisë, por edhe gëzimin e gjashtëdhjetë vjetëve qëkur patëm atë kufi të maturimit. Secili nga ne mund ta festonte 60-vjetorin në shtëpinë e tij, me familjen dhe të afërmit, por kurrë nuk do të lumturohej aq shumë sa kur ta bënte këtë, tok me Agronin, Mirin, Viktorin, Kiçon, Sulën, Rasimin, Gëzimin, Grishën, Hektorin, Fejzon, Rudin, Bajramin, Panon, Limanin, Venon, Alqin, Saraçin, Pupin… Prandaj për atë ditë i kishim kthyer krahët shtëpive tona dhe kishim rendur atje, që nga Gjirokastra, bile që nga Greqia, bile nga Italia, Franca, Shtetet e Bashkuara… Kishim rendur ta shikonim lumturinë e takimit në sytë e njëri- tjetrit, në sytë e personazheve të asaj ngjarje të ëmbël dhe të largët.


Kishim rendur që të gjithë për atje, në atë takim!
Takimi ynë ishte i bukur, madhështor, i shenjtëruar!
Ishte takimi me rininë tonë!
Me mendimin se takimi ynë meriton të jetë një shembull i rrallë, ne ishim të bindur që ky shembull kish në themel një kujdestar të përkushtuar më shumë nga ne të tjerët. Ne ngritëm dollira të shumta për organizatorin e pandarë dhe të palodhur, Agron Deliallisin. Ishte ai arkitekti i të dymbëdhjetë takimeve në çdo pesë vjet. Ishte ai që na dërgonte ftesat, na tregonte vendin, orën, përgatiste programin dhe listat.
Agron Deliallisi! Ishte ai edhe këtë herë, siç i uruam edhe të jetë, në ata takimet që vijnë. Dhe atëherë kur ne, do të jemi edhe më pak akoma.
Të gjitha këto grumbullime, sidomos këto të fundit e kanë pasur minutën e heshtjes. Atë minutën e pashmangshme që ka trishtim dhe meditim.
Pastaj hareja ka qenë e pandarë. Sollëm aty çaste gazmore të përbërë nga kujtime, imitime shokësh, pedagogësh. Ishin imitime të bukura malli, të folmen e ngadaltë me “r” dhe “l” të përkëdhelura, të pedagogut të shquar hebre, Marko Menahen, që u nda nga jeta para ca vitesh në Izraelin e tij të ëndërruar. Kujtuam zotin Kodra, atë që shpjegonte ngadalë dhe i ndante fjalët me një pauzë të gjatë në mes: Stoka….triçja! Pataj Lima… dhe ne të gjithë nën zë i përsërisnim vazhdimin e pritur: “triçja, triçja, triçja!” derisa ai të sillte gjysmën tjetër: …triçja! Të gjitha lëndët te ne ishin dy orëshe me nga një pushim dhjetëminutësh në mes, për ne dhe për pedagogët, që zakonisht çlodheshin duke pirë ndonjë cigare. Një ditë zoti Kodra e zgjati aq shumë, sa tamam në mes, në pauzën e tij ra zilja e orës së parë dhe ai sapo pat nisur: Lima… Në fillimin e orës së dytë ai hyri në klasë dhe nisi shpjegimin me gjysmën tjetër, atë të pathënën e orës që shkoi: …Triçja!


Kjo në të vërtetë, nuk pat ndodhur dhe atë ditë ne nuk kujtonim atë, por se si e patëm sajuar atëherë ngjarjen me teprimin qesharak.
Pastaj imituam profesor Petrika Koçon e shpjegimeve të frymëzuara në notat e larta, që na shpjegonte ligjet e Njutonit, si ai që çdo veprim ka dhe një kundërveprim dhe pastaj se si forca e ushtruar në drejtim të çernierës nuk prodhon lëvizje… E për ta konkretizuar këtë shkoi te dera e klasës dhe na e mostroi: në fillim me një forcë të lehtë majtas porta u mbyll, pasta ai filloi të ushtronte forcë duke e shtyrë skajin e derës në drejtim të menteshave ajo nuk lëvizte, megjithëse ai e shtoi forcën fort e fort mbi të. Në një çast, atë e lanë duart dhe balli i tij u përplas me pjesën e mprehtë të skajit të derës. Gjaku i shpërtheu nga balli dhe ne u sulm ta ndihmonim, ta shpinim në sallën e pedagogëve teksa ai rrugës na tregonte që e kish ushtruar forcën me saktësi drejt menteshave. E lamë për t’i dhënë ndihmën e shpejtë a për të transportuar në ambulancë. E teksa po bënim plane që në orën e dytë që na mbeti bosh, pa profesorin, të loznim futboll, befas ai na u paraqit rregullisht me kokën e fashuar me tri-katër mbështjellje dhe e rinisi mësimin me thënien:
“E patë? Kemi mësuar se çdo veprim ka një kundërveprim! Unë godita derën, ajo më goditi mua! Është ligji i Njutonit!”
Na kishte buzëqeshur fati në ato vite. A kishin vallë moshatarët tanë, anekënd Shqipërisë, pedagogë të tillë?!
Pastaj unë kujtova grupin amator të teatrit të shkollës, udhëhequr nga i mirënjohuri pedagog i universitetit shtetëror, Kostandin Leka, interpreti televiziv i zbulimeve spaziale, autor librash fantastiko-shkencorë, fizikant i shquar që, në ato vite të rinisë së tij në Politeknikum, ndërtoi me ne aq shfaqje tërheqëse. Dhe ishte pikërisht ky pedagog, që më pas, edhe tre vite pas mbarimit të së mesmes, më mori për dore dhe më shtyu në konkursin e Shkollës së Lartë për Aktorë, që pat ardhur ta themelonte pedagogia e shquar ruse, Nina Çefranova. Profesor Leka bisedoi me Kujtim Spahivoglin, i foli atij për aftësitë e mia dhe nuk mu nda deri sa unë u pranova në radhët e studentëve të asaj shkolle.
E kujtuam edhe profesor Kostandinin tok me gjithë ata pedagogë që e gjenim të natyrshme që në një takim kaq të shtyrë të nxënësve të tyre tashmë thinjoshë, të ishin që të gjithë të ndarë nga kjo jetë. Patën ikur duke na lënë të gdhendura fort, dije dhe mbresa, kujtime të ëmbla që meritojnë mirënjohjen tonë të pakufishme.
Ne, me pedagogë të tillë, patëm qenë vërtet të përkëdhelurit e fatit!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Zoti Pellumb,Ne ate vit qe ju paskeni perfunduar,une e kam filluar ate SHKOLLE,qe me te drejte po e shkruaj me germa te medha.Po te ishte gjalle,e madhja Violeta Manushi,do te thonte:Tepke si e pershkruani ju,e gjeta,ate SHKOLLE,me ata pedagoge te paperseritshem,po po tepke.Ju falenderoj,i nderuari Pellumb,na riktheve ne rinine tone fantastike,ne cdo drejtim.

    Përgjigju ↓