Intervista

Rrëfimi i Alfred Pezës: Si e mundi nënën time historia e përfolur ndaj meje për pastrim parash

10:53 - 04.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ish-deputeti dhe gazetari i njohur, Alfred Peza, ka rrëfyer përjetimet e familjes pas akuzave dhe hetimit, që nisi muaj më parë ndaj tij.
Në një intervistë për Rudina Magjistarin, në “TV Klan”, ka prezantuar romanin e tij, të cilin ia ka dedikuar nënës, që ka ndërruar jetë në fund të gushtit. Gazetari i njohur ka rrëfyer se ishte pikërisht historia e tij që i shkaktoi tronditjen e rëndë nënës, e cila pasi qëndroi disa muaj në koma, ndërroi jetë.




Çfarë ju intrigoi te ky personazh që e keni titulluar “Sarah” librin tuaj?
Ka qenë paksa një qasje rastësore ajo e takimit tim me Sarën. Diku nga dekada e parë e pluralizmit, ka qenë një personazh shumë interesant në Tiranë, Donika Bardha, e cila koleksiononte veç të tjerave edhe kapele femërore të viteve ‘20-‘30. Arriti të grumbullonte, në mos gaboj, nja 6 ose 7 nga këto kapele, të cilat ishin të gjitha të të njëjtit stil, formë e përmbajtje me ato që ishin veshur edhe në Parisin e Coco Channelit të kësaj periudhe.
Çfarë tregonte që elita e Tiranës e asaj periudhe ishte në një hap dhe në harmoni të plotë me trendin e Parisit, e për rrjedhojë, edhe të Milanos që janë kryeqendrat botërore të modës. Të gjitha historitë e këtyre kapelave vërtiteshin rreth Sara Blloshmit dhe mikeshave të saj, të cilat kanë luajtur një rol shumë të madh në modernizimin, emancipimin dhe oksidentalizimin e jetës së Tiranës të viteve ’20-’30. Ato luanin tenis, porosisnin rrobat në sallonet e modës së kryeqytetit ku qepnin mjeshtra shqiptarë me famë, si Gjon Laca, që kishte studiuar në Itali, etj.

Nisur nga kjo histori, e cila më intrigoi shumë, shtysa ishte se si kishte mundësi që 100 vjet përpara, ne kemi qenë në të njëjtën gjatësi vale, në linjën e modës së lartë me kryeqendrat perëndimore, duke patur si pika referimi Jeanne Lanvin dhe Coco Channel, dy ikonat e asaj epoke. Kjo më ngacmoi që të gërmoja dhe gjurmoja më shumë të dhëna dhe detaje. Dalëngadalë, kjo bëri që të shkoja te personazhi i Sarës. Fillova të kërkoj në mënyrë sistematike për të, për jetën e saj.
Sara Blloshmi në kërkimet e mia del një personazh i jashtëzakonshëm. Ishte shumë e bukur, kërcimtare e jashtëzakonshme, vinte nga një prej familjeve më të mëdha, më të pasura e më me kulturë në Shqipëri, nga Vlorajt, që kishin bibliotekën më të madhe me libra dhe një koleksion unik veprash arti. Ajo ishte shkolluar në Paris dhe fliste disa gjuhë të huaja. Në ballot e pallatit, ishte e preferua e Mbretit Zog për vallëzim. Më pas, arrita të siguroj dosjen e saj në arkivin e Ministrisë së Brendshme, që i përkiste sigurimit të shtetit.
Ajo ishte përndjekur në vitet ’44-’46, kur ka qenë në Shqipëri përpara se të ikte për të jetuar përgjithmonë në Londër. Kam siguruar shumë dokumente dhe materiale të tjera arkivore, dëshmi, letra të Sarës, foto, studime dhe gjithçka tjetër që më dha lëndën e duhur. Nga ndjekja dhe gjurmimi i personazhit të Sarës, unë shkova te historia e epokës kur ajo jetoi dhe te të tjerët që e rrethonin atë, në periudhën mes dy luftërave botërore të shekullit XX.
Në hyrje të librit, ju thoni se ia dedikoni nënës suaj, Rukijes, e cila ka ndërruar jetë tani vonë, vetëm rreth një muaji më parë, më 31 gusht…
Ajo ka qenë një grua vitale, shumë aktive dhe që nuk ka pasur asnjë rrudhë dhe asnjë vijë në portret. Ne që jemi fëmijët e saj, kemi rrudha, ajo nuk kishte. Deri para pak muajsh… Sepse historia ime e përfolur në media, e mundi nënën time. Sepse ajo kishte 50 vjet që dëgjonte që Fredi është i mirë, që shkon mirë me mësime kur ishte në shkollë, më vonë në punën e tij si gazetar, e më pas, që është mirë me familjen e tij, etj.
Një ditë, krejt papritur, erdhi një moment që ajo kishte gjithë mediat dhe gjithë Shqipërinë në kurriz. Sepse Fredi akuzohej për pastrim parash e për shumë e shumë gjëra të tjera. Sigurisht që unë shkruaj libra, unë po mbroj e po e mbaroj doktoraturën, unë kam shkruar roman.
Sepse duhet të jem gati për një ditë si kjo. Sepse në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk të pranojnë më, me sa duket, nëse ti nuk ke shkruar disa libra dhe nëse nuk je doktor shkencash?! Sepse këtu në Shqipëri, drejtësia i ka zgjidhur të gjitha problemet e tjera dhe tani ka ardhur koha, që duhet domosdoshmërisht që të kesh këtë profil që të shkosh e të përballësh me këto akuza.
Dhe ishte pikërisht kjo gjë, që e mundi nënën time. Është një dramë, që e kanë kaluar edhe shumë nëna politikanësh dhe njerëzish të tjerë publikë në Shqipëri. Ata që e kanë kaluar në kurrizin e tyre, e kuptojnë shumë mirë se çfarë po them. Unë kam filluar ta shkruaj librin e ri në janar, pikërisht kur filluan akuzat ndaj meje dhe e kam përfunduar kur mbylli sytë nëna ime.
Sepse unë kisha bërë një premtim brenda vetes sime, që për nder të saj dhe për këtë përjetim kaq të tmerrshëm që ajo po përjetonte nga unë, ku në këtë histori jam një fajtor pa faj, do t’ia dedikoja Asaj veprën time të parë artistike. Do i dedikoja asaj këtë libër. Basti ishte që ta përfundoja së shkruari romanin në 31 gusht, sepse unë nuk bëra pushime verore e vjetore, sigurisht.
Pasi ajo në qershor, korrik dhe gusht ka qenë në reanimacionin e spitalit, në koma. Jeta ime në këto tre muaj ka kaluar mes shtratit të saj dhe kompjuterit tim, për të punuar dhe përfunduar romanin. Doja ta përfundoja në 31 gusht, sepse më ishte fiksuar që atë ditë do të përfundonin pushimet verore, fëmijët do të ktheheshin nga pushimet dhe do bëheshin gati për shkollë.
Më 1 shtator do të rifillonte puna kudo, edhe për Mirelën, sigurisht. Mendoja që ky do ishte një kufi i fundit kohor për t’ia çuar dedikimin tim të brendshëm nënës, deri në fund. Kishte momente që besoja se nëse do e mbaja premtimin, Zoti mund të bënte një mrekulli. Dhe në datën 31 gusht mua më kishin mbetur edhe 2-3 faqet e fundit për ta përfunduar librin.
Në orën 13:13 minuta, më kujtohet si tani, më merr në telefon zv/drejtoresha e QSUT-së, një mikesha ime mjeke dhe më thotë: Eja se jam te spitali dhe shkojmë që ta shohim mamanë bashkë. Menjëherë, diçka më sëmbeu fort në zemër dhe iu përgjigja: A ka ndodhur gjë? Sepse ajo ishte kujdesur në vijimësi për nënën time dhe ishte hera e parë që më ftonte që të shkonim ta shikonim bashkë. “Jo, jo”, më tha, nuk ka gjë, por eja të shkojmë e ta shohim bashkë”.
Unë aty e kuptova që mamaja më kishte lënë. Shkova atje me një frymë dhe sigurisht që ky ishte shërbimi i fundit që unë mund t’i bëja. Fillimisht, unë e kisha titulluar librin “Mbretëresha”. Doja t’ia kushtoja nënës sime edhe titullin, pasi ajo ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithmonë, mbretëresha ime. Por nuk i shkonte faktikisht romanit. Ishte pak e sforcuar dhe unë nuk doja që të bëja me kaq shumë zemër, gjëra të sforcuara.
Kurrë nuk ia kisha prishur asnjëherë, për asnjë arsye, gjatë gjithë jetës, dhe nuk doja të bëja gjëra të sforcuara tani në fund për të. Librit i shkon titulli “Sarah” e i rri shumë mirë besoj, sepse jo vetëm që është emri i personazhit kryesor të romanit, por Sarah në hebraisht do të thotë “princeshë”, që në një farë mënyrë i shkon edhe titullit tim të parë. Sarah në hebraisht, gjithashtu, do të thotë edhe grua e sërës së lartë, ndërsa në kulturat dhe besimet e mëdha “Sarah” ka shumë rëndësi si emër sepse Sarah është edhe gruaja e Abrahamit në Bibël.
Po familja juaj si i përjetoi akuzat publike?
Akuzat ndaj meje nuk kanë lënë pasojë vetëm te mamaja, por edhe te fëmijët. Njëherë djali, Almiri, i thoshte Mirelës: Mami njeh ndonjë rrobaqepës se më janë grisur pantallonat. Unë nuk e kapa fillimisht dhe e pyes Mirelën: Çfarë po thotë djali? E pyeta: Po pse nuk mund të blesh pantallona të tjera? Ai mbeti. Kishte dëgjuar aq shumë gjëra për babain, për marrëdhëniet financiare të tij me drejtësinë, saqë nuk guxoi më të kërkonte as edhe pantallona të reja.
Ndërsa vajza kishte një tur, që bëjnë në orën e gjeografisë nxënësit e shkollave të mesme për të njohur trojet ose vendet afër. Ishte programi që të shkonte në një vend fqinj. Në një nga këto turet 1 ditore që shkohet me autobus për 20-30 euro dhe kthehen. Edhe ajo i thotë së ëmës: “Unë nuk do të shkoj sigurisht këtë radhë! Pse, i thotë ajo, t’i s’je ndarë asnjëherë nga shoqet. Vajza i përgjigjet që nuk donte që të shkonte këtë radhë. Edhe unë e dëgjova edhe këtë gjë dhe u bë ajo që duhej bërë pastaj, sigurisht. Ndërsa historia e tretë ka të bëjë me Mirelën.
Dolëm njëherë për kafe afër pallatit ku banojmë, kur ishte kulmi i kulmeve të vëmendjes publike ndaj çështjes. Sigurisht që të gjitha shigjetat e shikimeve të njerëzve drejtohen, ndoshta është normale në një vend të vogël kur ke një njohje publike relative. Kur dolëm poshtë, më thotë: “Ua çfarë ka ndodhur kështu?! Çfarë kemi bërë? Pse?,- i thashë unë. Po të gjithë janë duke na parë ne, e po i kthejnë kokat si luledielli”, më tha. Iu përgjigja se ndoshta të duket ashtu, por me siguri që nuk po na shohin ne. Po t’i nuk e pe fare më tha, ktheje kokën edhe shikoje që ne po na shohin. Nuk e kthej kokën,-i thashë, se jam i sigurt që nuk po na shohin ne. Po kë po shohin atëherë? “Po shohin dy thasë me lekë, që po ecin”, iu përgjigja.
Aktualisht, në cilën fazë të procesit gjendet çështja?
Sot, çështja për mos pasur kompetencë nga Gjykata e Lartë, kaloi te Gjykata e Krimeve të Rënda, sepse Gjykata e Lartë do ta gjykonte çështjen,vetëm nëse unë do të isha akoma deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Unë u tërhoqa nga kandidimi. Nuk kam pasur asnjë pengesë kushtetuese, juridike dhe morale për të kandiduar.
Në mbledhjen e Kryesisë së PS, kur po miratoheshin listat, kërkova fjalën i pari dhe deklarova tërheqjen time nga gara derisa të sqarohet farsa e ndryrë që po luhet në kurrizin tim dhe të familjes time.
Sipas nenit 30 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, citoj: “Kushdo quhet i pafajshëm, përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”. Sigurisht, që në çastin e zyrtarizimit të listave të kandidatëve për deputetë dhe tani, unë jam i pafajshëm sepse procesi ndaj meje ende nuk ka filluar në themel. Por unë u tërhoqa nga kandidimi për një arsye fare të thjeshtë.
Sepse unë e konsideroj politikën akt. Ky ishte akti im, sepse kjo është në kulturën time dhe unë e bëra aktin tim të tërheqjes, pasi i përmbahem rregullave të mia. Me pozicionin dhe statusin tim juridik, ka të tjerë që kandiduan në zgjedhjet e 25 qershorit, fituan dhe bravo i qoftë, dhe tani janë atje, në sallën e Parlamentit të ri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.