Speciale

Vëzhgimi/ Dy ditë mes romëve dhe egjiptianëve, komunitetet që luftojnë me varfërinë e diskriminimin

09:55 - 09.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Darina TANUSHI

Jemi mësuar t’i shohim gjithmonë pranë kazanëve të plehrave, duke seleksionuar shishe plastike apo hekurishte për skrap. I shohim edhe në bulevard çdo ditë duke larë me një shishe xhamat e makinave, në këmbim të ndonjë monedhe. Por, është diçka tjetër t’u afrohesh, të tentosh të hysh në jetën e tyre. Për dy ditë me radhë me një grup gazetarësh, organizuar nga UNDP më ra rasti të vizitoj pjesëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian në Durrës dhe në Berat. Në bazë të projektit FESRE, që mbështetet edhe nga BE, por edhe në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit një pjesë e këtyre dy komuniteteve janë trajnuar dhe punësuar në kompani private apo edhe në shtet. Projekti “Fuqizim Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve – shtysë për përfshirjen sociale” (FESRE) mbështet integrimin e romëve dhe egjiptianëve në tregun e punës dhe rritjen e aftësive bazë dhe atyre për jetën, duke synuar aktivizimin e potencialit prodhues të të dy komuniteteve. Ndalesa e parë ishte në një mobilieri në Durrës, por që mbante emrin “Korça”. Aty gjetëm të punësuar 4 persona të komunitetit rom nëpërmjet skemës së formimit në punë. Sipas kësaj skeme, të rinjtë e punësuar kanë mundësi të punojnë nën mbikëqyrjen e një mentori gjë që u mundëson përvetësimin e aftësive të nevojshme për punën specifike që ata kryejnë. I pari që na pret është Antonio Avdia, një djalë që nuk i mungon oratoria. “kam bërë një vit gjimnaz”, shprehet ai, i gatshëm për të dhënë intervistë. I ati është ndarë nga jeta dhe ai jeton vetëm me nënën e tij dhe vëllain. Antonio tregon se nëna i ka mbajtur duke mbledhur shishe e kanoçe nëpër kazanë. Madje edhe sot që Antonio është në punë, ajo vazhdon të bëjë të njëjtën gjë. Pronari i mobilierisë shprehet i kënaqur me Antonion, të cilit i ka premtuar që edhe kur të përfundojë projekti do ta mbajë në punë. Sapo dalim nga mobilieria, vajza e qendrës komunitare të Nishtullës, e cila i njeh me saktësi këta banorë të komunitetit na tregon edhe nënën e Antonios, e cila ecte me një thes me shishe plastike mbi shpinë. Një grua e sertë që vazhdonte rrugën e saj, pavarësisht syve kureshtarë.


Qendra komunitare
Qendra Komunitare Multifunksionale në Nishtulla, nën menaxhimin e Bashkisë Durrës u ofron shërbime qytetarëve në këtë rajon, përfshirë romët dhe egjiptianët. Qendra ofron shërbime shtesë në regjistrim civil, duke mbështetur individë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, fëmijë, të cilët për arsye të ndryshme nuk kane bërë regjistrimin civil; mbështetje ligjore për rastet e divorceve; ndihmë ligjore për raste administrative; mbështetje për t’u bërë pjesë e programeve të strehimit; klasa mbështetëse jashtë programit arsimor për fëmijët që vazhdojnë shkollë; mbështetje për plotësim dokumentacioni për përfitimin e pagesës së aftësisë së kufizuar; shërbime shëndetësore etj. Rreth 421 familje në total kanë akses më të mirë në shërbimet sociale si p.sh. kartat e shëndetit, pagesat e invaliditetit, ndihma ekonomike, banesat sociale, regjistrime etj. Një nga njerëzit më të pakënaqur në këtë qendër ishte Vojsava, e cila, siç tregoi kishte kaluar një kalvar të gjatë peripecish për të legalizuar shtëpinë e saj. “Më kërkuan 10 mijë lekë për të më dhënë letrën e legalizimit të shtëpisë”, u shpreh ajo. “3 ditë më sorollaten”, tha Vojsava e nxehur, ndërsa punonjëset e qendrës thanë se i kanë ofruar edhe ndihmë juridike asaj dhe të gjithë banorëve që e kanë kërkuar. Një avokat falas, qëndron në qendër për të ndihmuar këtë kategori njerëzish. Por, Vojsava sërish ngulmon: “Na përbuzin nëpër zyra”.


Alma dhe Enea: Mezi na martuan, na sorollatën në Durrës e Tiranë
Alma dhe Enea është një çift që i gjetëm rastësisht në Qendrën Komunitare Multifunksionale në Nishtulla. Ata sapo kishin lidhur kurorë, madje së bashku me fëmijën e tyre në krahë erdhën të sjellin edhe llokumet e rastit. Enea tregon se më parë kishte lindur fëmija dhe më pas me shumë vështirësi arritën të bëjnë celebrimin dhe kjo e gjitha për shkak të diskriminimit nga ngjyra. “Nusen e kam nga Tirana, vetë jam nga Durrësi. Më thanë shko në Tiranë, pastaj shko në Durrës. Mezi e regjistrova kalamanin. Po shumë e vështirë”, shprehet Enea. Me gjithë këmbënguljen tonë, për t’i treguar se ishte shumë e thjeshtë të bësh një lidhje martese nëse ke një kartë identiteti, Enea ngulmon se ai është sorollatur në zyrat e gjendjes civile, si në Durrës, ashtu edhe në Tiranë. Këtë e konfirmon edhe avokati i tyre, i cili thotë se ka hasur në shumë pengesa për këtë martesë.


Lagjja e “barakave”, drita ekologjike aty ku tuberkulozi mori një jetë
Lagja e “barakave”, në Nishtulla është një lagje ku komuniteti rom në Durrës ka prej vitesh strehën e tij. Ka në këtë zonë vila shumë të bukura, por edhe kasolle gjysmë të djegura. Koordinatorja e zonës e projektit Bledina Bushi na tregon se në këtë lagje një grua rome humbi jetën prej tuberkulozit, ndërkohë që 4 banorë të tjerë u infektuan e tashmë janë në ndjekje shëndetësore. Djali i gruas që humbi jetën, na del aty dhe na thotë se nga analizat ai kishte dalë negativ, por jeta mbetet e vështirë. Në këtë lagje, projekti FESRE ka bërë të mundur sistemimin e kanalizimeve dhe ndriçimin e rrugëve me drita ekologjike. Nga ky projekt përfitojnë rreth 940 romë dhe egjiptianë si dhe 19 000 banorë të maxhorancës të zonës së Nishtullës.

Kreu i Bashkisë së qytetit, Petrit Sinaj: Trajtojmë 296 familje rome

Berat, një grua egjiptiane  sekretare në këshillin bashkiak

Kopësht i ri, në ndërtesën e mbushur me shiringa droge

Rreth 700 banorë egjiptianë, por 900 familje që etiketohen me termin “maxhorancë” për të mos thënë të bardhë” dërgojnë fëmijët e tyre në të njëjtin kopsht në lagjen “Barrikada”, në Berat. Ajo që na bën përshtypje janë kushtet e kopshtit të ri të ndërtuar mbi bazën e projektit FESRE, tejet bashkëkohor dhe që sigurojnë mbarëvajtjen e mësimit për fëmijët e lagjes. Koordinatorët e projektit për Beratin na tregojnë se më parë kjo ndërtesë ishte e mbushur me shiringa, të cilat përdoreshin nga të rinj për të injektuar drogë. Me ndërtimin e kopshtit, jo vetëm janë sistemuar rreth 80 fëmijë, por edhe lagja ka gjetur një lloj qetësie nga ky kontingjent të rinjsh që e përdorte ndërtesën si bazë. Berati megjithatë ka një specifikë ndryshe sa i përket komunitetit egjiptian dhe atij rom. Kryetari i Bashkisë, petrit Sinaj dhe stafi i ngushtë i tij na shpjegojnë se egjiptianët në këtë territor janë më të integruar. “Nuk ka analfabetë egjiptianë, ndërsa romë janë shumë pak”, thotë Sinaj. Ndërsa na tregon se sekretarja e këshillit bashkiak në Berat është egjiptiane. Kjo bashki trajnon me ndihmë apo me bonus për strehimin rreth 296 familje. Nënkryetarja e bashkisë së Beratit tregon edhe një rast që na bën përshtypje. Sipas saj, ka egjiptianë që nuk e deklarojnë që janë të tillë. Ndoshta për t’u ruajtur nga diskriminimi, një pjesë e këtij komuniteti preferon të fshehë identitetin e tij.
Turizmi
Qyteti i “një mbi një dritareve”, megjithatë ka mjaft probleme, me kanalizimet apo ujin e pijshëm, për të cilat kryetari i Bashkisë Sinaj thotë se shumë shpejt do të ketë zgjidhje. I pyetur në lidhje me shifrat e turizmit, Sinaj shprehet se në vit në Berat shkojnë mbi 60 mijë turistë, një shifër kjo rreth 35% më e lartë se një vit më parë. Një lajm i mirë që vjen nga bashkia e Beratit për të gjithë ata qytetarë që përdorin bujtinat e tyre për turizmin është se po mendohet që t’u hiqet taksa që ata paguajnë për shtretër. I pyetur në lidhje me marrëdhëniet që ka me qeverinë e re dhe Kryeministrin Edi Rama, pasi tashmë i përkasin dy partive të ndryshme, Sinaj shprehet qartë: “Nuk besoj se investimet varen nga humori i kryeministrit apo kryetarit të bashkisë”. Ai tregon se Bashkia ka aplikuar për financime me projekte dhe pret që t’i marrë ato nga qeveria.


Manjola Lushi: E divorcuar nga burri, me vështirësi po rris 3 fëmijët
Manjola Lushi është nënë e tre fëmijëve. Ajo është e ndarë nga bashkëshorti dhe me shumë përpjekje po mundohet të rrisë, të ushqejë dhe edukojë fëmijët e saj. Në momentin e parë kur e takojmë duket një vajzë e pastër, e kuruar sigurisht me aq mundësi sa ka. Nuk pranon t’i bëjmë një foto, ku të shfaqet portreti i saj i plotë. Ata që e njohin, në vendin e saj të ri të punës si sanitare, që e ka përfituar falë projektit FESRE, me shkollën jopublike “Ngjeçari” në Berat, na tregojnë se Manjola ka ndërtuar një tip kasolle në oborrin e shtëpisë së të atit të saj dhe mezi siguron fëmijët, pas ndarjes me bashkëshortin. Në intervistë ajo na tregon se edhe falë kësaj pune, e ka shumë të vështirë të sigurojë të ardhurat.
Më flisni pak për jetën tuaj?
Quhem Manjola Allushi. Jam e ndarë nga im shoq. Kam 3 fëmijë, jetoj në kushte shumë shumë të vështira. Po vuaja për të gjetur një punë. Rastësisht qëlloi që u njoha me këtë projekt dhe më ndihmuan.
Si ishte jeta jote para se të fillojë këtë punë?
Ishte shumë e vështirë, jashtë mase. Nuk ia del dot të kesh 3 fëmijë, të jesh e vetme. Vetëm kur gjeja ndonjë punë atje shkoja punoja. Strehë nuk kam.
A keni siguruar tani strehë?
Jo, nuk kam akoma, sepse edhe nuk ia dal dot me qira. Jetoj në një si tip kasolle që e kam rregulluar bashkë me fëmijët e mi. Jam e kënaqur nga puna
Paguheni mirë?
Siguroj diçka për bukë. Fëmijët i kam në shkollë. Shumë me të keq ia dal.

Romët në Shqipëri erdhën nga Turqia në shekullin 13-14
Romët në Shqipëri janë një nëngrup i popullit rom, të cilët njihen dhe emrat ciganë, arixhinj, dhe gabelë, por këto të fundit përdoren dhe në kontekstin negativ. Romët janë vendosur në Shqipëri në shekullin e 13-14, të ardhur nga Turqia e asaj kohe, ku dhe kishin emigruar më parë nga India e veriut. Faktet gjenetike, gjuhësore dhe historike, tregojnë se romët kane emigruar nga India rreth shekullit të 11. Zona nga ata kanë emigruar është India veriore e veriperëndimore e sotme dhe Pakistani lindor i sotëm. Zakonisht romët në Shqipëri flasin gjuhën shqipe, megjithëse dallohen nga theksi apo gramatika e përdorur, dhe në të njëjtën kohë dhe gjuhën e tyre amtare, gjuhën rome. Ka shumë grupe rome që lëvizin shpesh nga një vend në tjetrin nëpër Shqipëri, të cilët nuk flasin shqip, por vetëm gjuhën e tyre rome. Gjuha rome ka ngjashmëri me gjuhët e folura në Indinë e veriut dhe Pakistanin lindor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.