KULTURË

Ministrja Kumbaro deputetëve për Butrintin: Më provoni që kam konflikt interesi.

11:10 - 12.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Me debate të mëdha është zhvilluar dje seanca e Komisionit parlamentar të Medias në Kuvend, ku ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro raportoi për të ashtuquajturin skandal të ndërtimit në parkun e Butrintit. Drejtuesja e komisionit, deputetja e PD, Albana Vokshi i kërkoi Kumbaros të ndërpresë menjëherë punimet dhe të kërkojë ndjesë pse nuk ka lejuar hyrjen për xhirim të një gazetari, ndërsa ministrja shpjegoi se ligji përcakton se për xhirime duhet marrë leje. Vokshi mandej tha se disa dokumentacione, ministria nuk ia ka vënë në dispozicion Komisionit të Medias. Kumbaro ka deklaruar se nuk është ndërtim i ri, por rehabilitim i një godine ekzistuese, konform ligjit të trashëgimisë, dhe se nuk do të preket nëntoka. Ajo ka bërë me dije se e ka vënë në dijeni UNESCO-n, por se ajo nuk ka tagër vendimmarrës.
DEBATI
Në një seancë dëgjimore që zgjati më shumë se katër orë, Kumbaro tha se është përdorur një shtresë betoni të varfëruar në një skenë hekuri të lëvizshme ku do vendosen dërrasat e xhamat. Sipas Kumbaros, investimi për rehabilitimin kushton 3.6 milionë lekë. Ndërsa, e pyetur për qiranë që do paguajë investitori, tha se nuk e ka shifrën e saktë, pasi ajo vendoset me VKM. Kumbaro tha më tej, se rikonstruksioni i godinës kërkon përdorimin e tullave, ndërsa, sa i takon akuzës se ka konflikt interesi me investitorin, ministrja tha: ma vërtetoni. Nga ana tjetër, e pyetur nëse investitori ka qenë financues i Partisë Socialiste, Kumbaro tha se nuk e ka këtë informacion. Mandej, drejtoresha e IMK-së, Arta Dollani tha se “beton ka pasur gjithmonë, dhe është përdorur nga të gjithë ekspertët në të gjitha sitet arkeologjike, madje ka edhe në Apoloni”.
Musa Ulqini ka ndërhyrë duke thënë se është turp zgjatja e kësaj seance dhe se nuk po respektohet procedura. Dollani tha se ka disa parametra e norma dhe se objekti i ri nuk është ndërrim i destinacionit. Sipas saj, për një mbulesë të tillë për xhamat parametrat janë ata që janë përdorur. Ajo tha se i fton deputetët të shohin projektet ndër vite ku është përdorur beton. Kumbaro tha më tej, se në të tëra sitet e ndryshme në Vjenë ka pikë të vogël ku ka një moment pushimi për turistët, duke iu përgjigjur Fate Velajt. Kumbaro tha se nuk e shpiku ajo shërbimin në sit, dhe se shembujt nga bota janë të ndryshëm, në përgjigje të deputetes Valentina Duka, e cila më herët tha se nuk ka pika shërbimi në Akropol dhe te piramidat në Egjipt.
Luçiano Boçi u ankua se nuk ka marrë relacion me qëllim që argumentet të ishin të plota. Ai kërkoi të ndërpriten punimet.
Ndërsa Albana Vokshi tha se informacioni ka ardhur me vonesë, në orën 2-3. Sipas saj, “është çështje sensitive dhe një pjese të pikëpyetjeve duhet t’u japim përgjigje sot”.


Deputeti Alket Hyseni tha se është i shqetësuar për parkun dhe se ka depozituar në Kuvend kërkesë për interpelancë. “Ministria po aplikon disa projekte. Shqetësimi im, për qendrën multifunksionale të shërbimeve dhe aplikimin e këndit SAL, që është rikonceptim”, – tha ai. Albana Vokshi shtoi se ngrihen hije dyshimi, se janë penguar mediat të hyjnë. “Problematike që nuk lini mediat të hyjnë dhe të investigojnë”, tha ajo, por Kumbaro iu përgjigj se i vjen keq për incidentin që ndodhi dje. “Të njëjtët gazetarë kanë hyrë edhe herë të tjera. Gazetarë të ndryshëm kanë hyrë disa herë, për filmim e fotografim. Kanë një detyrim ligjor të respektojnë nenin 16, duhet të merret leja e autoritetit administrues. Ne në 4 vite kemi dhënë pa fund leje”, – tha ministrja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.