KULTURË

“Misto” i Naun Shundit në Teatrin Kombëtar

11:00 - 12.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Tri personazhe njihen prej vitesh me njëri-tjetrin dhe njëkohësisht, nuk njihen fare, presin pa fund dhe asgjë nuk vjen. Tri personazhe janë njësoj në fatin dhe në hallet që kanë, duke qenë, po aq të ndryshëm nga njëri-tjetri në mënyrën se si përjetojnë. Pasi ta keni parë shfaqjen, do të donit ta shihnit për së dyti. E kthjellët në turbullinë e vet. Tragjike deri në dhimbje dhe argëtuese me paradokset e saj. Do të mendoni duke qeshur dhe do të qeshni duke u menduar.
Gjithsecili do të kujtojë jetën e kaluar, por edhe të tashmen. Me vlerat dhe antivlerat. Me “Misto”-t dhe “Mistuq”-ët. Me dashuritë dhe urrejtjet. Me të qarat dhe të qeshurat. Me ëndrrat e bukura dhe pritjet pa fund. Me çdo shpirt që kërkon të jetë i lirë, pasi në të janë tri personazhe që përjetojnë si vetvetja dhe si të tre bashkë, duan të shpëtojnë, por nuk shpëtojnë dot nga i vetmi makth, dhimbje, torturë që e ka emrin “Misto”. Kështu e prezanton Teatri Kombëtar premierën “Misto”, me autor dhe regjisor Naun Shundin. Shfaqja vjen në datat 13, 14 dhe 15 tetor, ora 19:00, me interpretimin e aktorëve Bujar Asqeriu, Helidon Fino, Adelina Muça, Erion Kame, Niada Saliasi dhe Genti Deçka. Skenografe dhe kostumografe është Laedia Hajdari, as/regjisor Pëllumb Dervishi, koreograf Artan F. Ibershimi dhe kompozitor Kelmend Marku. Shundi ka deklaruar në media se “Misto” është për kohën e diktaturës edhe pse nuk përmendet. Gjithçka në ngjarjen e shfaqjes mbështet në absurd. Tri personazhet, që interpretohen nga aktorët e njohur të teatrit Asqeriu, Fino dhe Muça, hyjnë në një konflikt të vazhdueshëm mes tyre edhe për gjërat më të zakonshme. Më herët në skenën e teatrit si autor dhe regjisor Naun Shundi u prezantua para publikut me monodramën “Të gjithë janë të çmendur”. Përmes saj në skenën e teatrit monodrama rrëfeu historinë e një personazhi që ka jetuar në diktaturë dhe vazhdon edhe sot në këtë realitet. Për këtë monodramë shkruar prej tij që erdhi në skenën e teatrit para veprës “Misto”, Naun Shundi tregon se është një vepër që e ka shkruar vitet e fundit, duke pasur në vëmendje fatin e individit. Këtë herë si autor dhe regjisor ai ka zgjedhur që të prezantohet para publikut me veprën “Misto”, që i takon teatrit absurd. Vepra ka qenë paraqitur para komisionit të dramës shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.