Intervista

Nënshtetësia për kosovarët, Presidenti Ilir Meta: Do rrezikonte pezullimin e vizave

10:49 - 14.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi dje në një intervistë për “Radio Televizionin e Kosovës – RTK” se dhënia e nënshtetësisë për shqiptarët e Kosovës mund të ndikojë në pezullimin e vizave për shqiptarët e Shqipërisë. Presidenti sqaroi se kjo nuk varet nga dëshira e tij, por vetë Shqipëria është nën monitorim, për shkak të plotësimit të kushteve për hapjen e negociatave me BE.




Në takim me Presidentin e Kosovës patët një kërkesë nga z.Thaçi, që qytetarët e Kosovës të pajisen me nënshtetësi shqiptare. Cila është përgjigja juaj për këtë?
Unë kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi e vlerësoj në radhë të parë si një protestë në emër të të drejtave të qytetarëve të Kosovës, ndaj një kushtëzimi jo shumë të drejtë dhe racional të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës me çështjet e demarkacionit apo me çështje të tjera, kur është një fakt i njohur dhe i gjithëpranuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha detyrimet që burojnë nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizove. Madje, ka plotësuar dhe më shumë se vende të tjera, që tashmë e gëzojnë liberalizimin e vizave. Dhe jam i informuar për shumë raste, jo vetëm të pamundësisë së qytetarëve të thjeshtë të Kosovës për të lëvizur lirisht në vende të caktuara të Bashkimit Evropian për arsye të shkollimit apo të problemeve shëndetësore. Por edhe të rasteve të pamundësisë dhe vështirësive për zyrtarë të institucioneve më të larta të Kosovës dhe kjo natyrisht që nuk është normale. Dhe sigurisht, ne këtë problem e kemi ngritur edhe në takime që kemi pasur me drejtues, përfaqësues të Bashkimit Evropian në të kaluarën, që nuk është e drejtë dhe normale që pas kaq vitesh, qytetarët e Kosovës të jenë të vetmit në Ballkanin Perëndimor që të mos i gëzohen liberalizimit të vizave. Kur është një fakt i njohur që përpara 40 vitesh për qytetarët e Kosovës, si pjesë e ish-Jugosllavisë së atëhershme ka qenë shumë e lehtë për të lëvizur lirisht në vendet evropiane, ndërkohë që shqiptarët e Shqipërisë në atë kohë e kishin të pamundur ta ëndërronin një gjë të tillë.
Cila është përgjigja?

Padyshim që po të varej prej meje dhe thjesht për dëshirën e institucioneve të tjera të Shqipërisë, si Parlamenti dhe qeveria, kjo gjë do të ishte bërë që dje dhe jo që sot. Por duhet të keni në konsideratë faktin që në radhë të parë kjo nuk është një zgjidhje, as afatshkurtër dhe as afatgjatë për qytetarët e Kosovës. Pra, thjesht marrja e nënshtetësisë shqiptare për të pasur mundësinë për t’iu gëzuar liberalizimit të vizave në pamundësi për të kaluar këtë kushtëzim që ekziston sot nga BE për çështjen e liberalizimit të vizave për arsye. Sepse së pari, në rast se do të ishte një mundësi afatshkurtër, përsëri kjo nuk do të zgjidhte problemin e zhbllokimit të proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike të Kosovës në një plan afatgjatë. Së dyti, kjo mund të mos ishte asnjë zgjidhje afatshkurtër për arsye se Shqipëria, e cila ka në fuqi aktualisht marrëveshjen për lëvizjen e lirë në zonën Shengen, padyshim që është nën monitorim nga vendet e zonës Shengen të Bashkimit Evropian mbi plotësimin e detyrimeve për liberalizimin e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, të cilat kanë të bëjnë me parametrat e kontrollit të kufijve, të cilat kanë të bëjnë ende me parametrat e sigurisë të dokumenteve të udhëtimit dhe identifikimit, me parametrat e luftës kundër krimit të organizuar, me parametrat të kërkesës së azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet ku shqiptarët e Shqipërisë lëvizin pa viza. Që kanë të bëjnë me mënyrën se si jepet nënshtetësia apo shtetësia shqiptare, jo vetëm ndaj shtetasve shqiptarë, siç është rasti i shqiptarëve të Kosovës apo të Maqedonisë apo kudo qoftë, por edhe shtetasve të tjerë që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe që kanë të bëjnë dhe me monitorimin që marrëveshja ka për heqjen e vizave me vendet e tjera, që mund të konsiderohen vende problematike për BE apo për vendet e zonës Shengen.
Dhe me pak fjalë, një lëvizje e pakonsultuar në këtë drejtim mund të sillte pezullimin e vizave edhe për të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Pra, mund të mos ishte tepër produktive, pavarësisht nga qëllimi i mirë pozitiv dhe ndihmues që ka një propozim i tillë. Kështu që në këtë drejtim, ne duhet të shtojmë përpjekjet tona, sikurse kemi theksuar edhe në deklaratën e përbashkët me Presidentin Thaçi për të zhbllokuar çështjen e liberalizimit të vizave, ashtu sikurse duhet të punojmë dhe në mirëkuptim dhe në mirëbesim edhe me palët e Malit të Zi, por edhe me Bashkimin Evropian për çështjen e demarkacionit.
Duke parë zhvillimet edhe në Evropë, por edhe në të gjithë botën, cili është roli i shqiptarëve në tërë këto zhvillime?
Unë besoj se roli i shqiptarëve në tërësi ka qenë një rol mjaft pozitiv dhe konstruktiv. Jo vetëm i Shqipërisë në rajon, i Kosovës, i shqiptarëve të Kosovës, por edhe i shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë gjithmonë një faktor stabiliteti dhe një faktor orientues për Maqedoninë në rrugën e integrimeve evropiane, euroatlantike. Shqiptarët kanë qenë faktor përcaktues për rrugën euroatlantike dhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, për pavarësinë e Malit të Zi, për stabilitetin e Malit të Zi dhe në tërësi kudo në të gjitha hapësirat e rajonit tonë.


Cili është vlerësimi juaj, si e shohin vendet e BE-së tani Shqipërinë dhe Kosovën? Si vende që kanë ndikim në Ballkan apo i kanë ende sytë te vendet e tjera më të fuqishme?
Së pari, duhet të kemi në konsideratë që koha vëmendja që i kushtohet rajonit tonë është shtrënguar për arsye se sfida shumë më të mëdha e kanë detyruar Bashkimin Evropian që t’u kushtojë një vëmendje dhe energji të paparashikuar më parë këtyre sfidave. Sfidat që kanë të bëjnë që nga terrorizmi, që ka goditur disa herë në zemër të Evropës, sfida që kanë të bëjnë me emigracionin e paligjshëm, sfida të cilat kanë të bëjnë me ekstremizmin e dhunshëm, me krizën ekonomike me të cilën Europa u ndesh dhe që për fat të mirë ka filluar një rikuperim i situatës ekonomike dhe financiare në vendet e Eurozonës dhe të BE-së. Por edhe sfida të tjera, të cilat janë problematike dhe kërcë-nuese si ato që kanë të bëjnë me krizat që ndodhën pas pranverës arabe, çështje të tjera sikurse është kriza e marrëdhënieve të perëndimit me Korenë e Veriut e shumë të tjera, të cilat do të duhej kohë për t’i numëruar.
Kështu që në këto kushte mendoj që është tepër e rëndësishme që ne të gjithë këtu në rajon të marrim më shumë përgjegjësi dhe të realizojmë një performancë akoma më të mirë se sa deri tani, pasi duhet të bëjmë më shumë për të bindur BE-në se vendet tona do t’i arrijnë dhe do t’i respektojnë detyrimet që burojnë nga një anëtarësim i mundshëm në BE dhe nuk do të jenë një problem akoma më shumë i BE-së në të ardhmen.
Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë që të jenë faktorë më të fuqishëm në Ballkan?
Mendoj se duhet të bëjmë më shumë për forcimin e institucioneve demokratike në rritjen e kredencialeve demokratike të Shqipërisë, Kosovës dhe të vendeve kudo ku jetojnë shqiptarët. Kjo do t’u jepte edhe më shumë aleatë dhe më shumë përkrahës dhe do të rriste përkrahjen e tyre për Shqipërinë, Kosovën, për shqiptarët kudo në rajon. Sigurisht edhe arritja e atyre standardeve në shumë reforma që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, të cilat jo vetëm luftojnë më suksesshëm se deri tani krimin e organizuar, korrupsionin dhe burokracitë e ndryshme, por njëkohësisht edhe krijojnë një ambient shumë më të sigurt dhe të besueshëm për biznesin, për investimet vendase apo për investimet e huaja. Gjithçka ka të bëjë me rritjen e besueshmërisë sonë, besueshmëri përsa i takon demokracisë, besueshmëri përsa u takon ekonomisë, biznesit.
Si e shihni të ardhmen e shqiptarëve dhe sa jeni optimist për një bashkëpunim më të madh midis Shqipërisë dhe Kosovës?
Ne sot ndoshta nuk jemi të kënaqur me arritjet e Shqipërisë apo të Kosovës. Nëse mua dikush do të thoshte në vitin 2000 që Shqipëria nuk do të kishte çelur negociatat për anëtarësim me BE në vitin 2017, do të më dukej diçka e papranueshme, se besoj që Shqipëria do të ishte anëtarësuar përpara 2017-ës në BE. Apo, unë s’mund ta mendoja kurrë në vitin ’98 – ’99 kur bashkë me z. Hashim Thaçi, në atë kohë drejtues i UÇK-së dhe unë isha zëvendëskryeministër për qeverinë e Shqipërisë shkonim dhe takonim vëllezërit nga Kosova në qendrat humanitare në Kukës apo në Korçë dhe që sot do të isha për vizitë zyrtare në Kosovë si Presidenti i Shqipërisë dhe z. Thaçi si President i Kosovës, sepse ka qenë një kohë kur ishte tepër e vështirë për të besuar në ato mrekulli që ndodhën, natyrisht falë një sakrifice të jashtëzakonshme të popullit të Kosovës, të shqiptarëve këtu dhe kudo në të gjithë botën. Por ja që këto gjëra kanë ndodhur dhe të gjitha këto gjëra që kanë ndodhur, që Shqipëria është anëtare e NATO-s, apo që shqiptarët e Shqipërisë lëvizin pa viza. Të gjitha këto na duket sikur i kemi pasur gjithmonë, sikur i kemi pasur edhe para 30 vitesh, para 20 vitesh. Sot kërkojmë akoma më shumë. Ndërkohë që duhet të jemi të ndërgjegjshëm që BE ndeshet me sfida të panumërta. Natyrisht, edhe SHBA-të janë partneri ynë më i rëndësishëm strategjik. Sigurisht që kërkesat tona, pretendimet tona nuk mjaftojnë për arritje edhe më cilësore apo më spektakolare. Duhet të bëjmë akoma më shumë përpjekje vetë për një të ardhme më të sigurt, më të mirë, më të ndritur për qytetarët tanë. Duhet të fitojmë më shumë nga përvoja e gabimeve tona që kemi pasur në të kaluarën që të harxhojmë sa më pak energji për debate dhe konflikte shpesh jokonstruktive dhe për çështjet më madhore të ofrojmë bashkëpunim, të ofrojmë konsensus e kështu ndihmojmë Shqipërinë, Kosovën, të gjithë shqiptarët në rajon dhe të gjithë rajonin që të çlirojë më shumë energji pozitive dhe të zhvillojmë ato potenciale që kanë vendet tona dhe ka rajoni ynë për zhvillim. Forcimi i paqes, i sigurisë dhe rritja e besueshmërisë në parametrat e sigurisë dhe të paparashikueshmërisë të këtij rajoni është vendimtar.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.