MILOSAO

Monumentet e REALIZMIT SOCIALIST e dhunuan peizazhin…

12:33 - 16.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Maks Velo*

Sa më tepër që kalon koha aq më e vështirë bëhet njohja e vërtetë e metodës së artit të Realizmit Socialist. Ajo po largohet duke fshehur me kujdes gjithë mëkatet që ka bërë.
Prandaj është e domosdoshme analiza e saj sa më e shpejtë. Arti i Realizmit Socialist i bindej vetëm vendimeve dhe udhëzimeve të Partisë. Vetëm ato i konsideronte të pagabueshme.
Në burg mendoja se kjo, metoda e Realizmit Socialist ish një farë spitali ku ideologjia marksiste i operonte dhe i u hiqte nervin artistik si shkrimtarëve ashtu dhe skulptorëve dhe piktorëve.  Ashtu si spitali i burgut, ky ish spitali i artit të Realizmit Socialist. Pastaj i linte të lirë.  Ky nerv që i u hiqej ishte intuita natyrale artistike.
Ajo përmban në vetvete dhe tentacione primitive dhe shtysa të panjohura më parë, që çelën rrugët e Artit Modern.
Mbasi hiqej ky nerv, këta artistë, me nerv të tredhur bëheshin hipotentë për Artin Modern.
Ata ishin të lumtur, si eunukët në pallatin e sulltanit. Teoritë filozofike që duan të transformojnë rrënjësisht shoqërinë njerëzore, si Marksizmi, kanë nevojë dhe për objekte kulti që të identifikohen në besimtarët me këtë religjion.
Më 1967 diktatori dha urdhër për mbylljen dhe shembjen e objekteve të kulteve të Krishtera dhe Myslimane: Kishave dhe Xhamive.
Atëherë dal nga dal funksionet e qendrave të reja të kultit i morën Monumentet Skulpturore, ansamblet Arkitektonike-Skulpturore si Varrezat e Dëshmorëve, Lapidaret, po ashtu Muzeumet e L.N.CL. dhe Galeritë e Arteve në Tiranë apo në rrethe.
Në to çoheshin në ditët e festive të reja: fëmijët e shkollave, të rinjtë e Universiteteve, punëtorët e qendrave të punës, ushtarët, fshatarët kooperativistë,  për ceremoni përkujtimore.
Këto përfunduan me 6 monumentet e udhëheqësit Enver Hoxha në bronx dhe mermer, i cili kësisoj e shpalli veten si Mesia i ri. Këtë gjë kish bërë më parë Stalini në B.R.S.S. mbas viteve tridhjetë. Tani këtë gjë po e bën udhëheqësi i Koresë Veriore.
Si në tempujt e Antikitetit, apo Kishat, Sinagogat, Xhamitë, apo Tempujt Budistë mesjetarë dhe tani ish arti që u thirr, të jetë ndërmjetësi midis ëndrrës totale të lumturisë së pritshme komuniste dhe njeriut të thjeshtë.
Ky dhe ish misioni më i lartë që Partia Komuniste i ngarkoi skulpturës.
Kështu atributet e natyrshme të artit u denatyruan.
Arti Evropian në këtë kohë bëri të kundërtën.
Nuk pranoi asnjë mision apo nënkuptim religjoz dhe i dha liri të plotë abstraksionit.


Sekretari personal i Enver Hoxhës, Musin Kroi në ditarin e tij ka shënuar:
29 Qershor 1970. –  Në orën 13.00 në sallën e pleniumeve ishin ekspozuar maketet për Monumentet e Pavarësisë. Shkuam bashkë me shokun Enver. U takuam me skulptorët. Shoku Enver bëri vërejtje për të përmirësuar përmbajtjen e maketit.
27 Janar 1978. –  Shoku Enver dha porosi të ngrihet një bust i mirë për Isa Buletinin në qytetin e Shkodrës. U ngarkua Ramizi. Shoku Enver u interesua për Monumentin e Drashovicës dhe dha porosi të bëhet një monument i mirë me kompleks luftëtarësh, ku të dalë dhe figura ime.
( Është interesant të shënojmë se Enveri jep urdhër të jetë në monument edhe figura e sekretarit të tij, si në afresket mesjetare ku krahas Krishtit janë dhe Apostujt- Shënimi imi )
9 Korrik 1979. –  Thirra Muntaz Dhramin dhe e porosita për Monumentin e Drashovicës, të shohë mundësinë për ta mbaruar me rastin e 60 vjetorit të luftës së 1920. Pra, vitin 1980.
Shtator 1980. – Shoku Enver pa maketin e Monumentit të Reformës Agrare, që i a prezantoi Anastas Kondo.
Asnjë udhëheqës politik perëndimor nuk ka shkuar apo diskutuar asnjëherë në studiot e një skulptori për të dhënë udhëzime dhe sugjerime dhe urdhëra. Edhe Çurçuili që pikturonte dhe ka botuar kujtimet e veta, nuk guxoi t’u japë sugjerime artistëve të tjerë.
Enver Hoxha ka botuar një volum MBI LETËRSINË DHE ARTIN.


ART I NGUJUAR
Në gjuhën shqipe është një fjalë NGUJIM me një domethënie shumë të veçantë.
Kjo fjalë është e lidhur me ligjet e gjakmarrjes, që zbatohet edhe sot në malet e Veriut dhe quhen KANUNI I LEK DUKAGJINIT.
Ai që ka vrarë, pra që ka marrë gjakun, NGUJOHET me gjithë familjen. Nuk dalin jashtë nga frika e gjakmarrjes, kjo vlen për gjithë familjen.
Kështu dhe arti i Realizmit Socialist u NGUJUA.
Pas GJAKMARRJES së Revolucjonit të Tetorit, Rusia dhe më vonë gjithë Kampi Socialist u NGUJUAN, ekonomikisht dhe kulturalisht.
Nga ky vetizolim, dëmin më të madh e pësoi arti që preu gjithë lidhjet me pjesën tjetër të botës. Kur doli nga NGUJIMI, ai pa se kish ngelur prapa dhe se ish një koleksion veprash që të shtien frikën. Kur rri në mes të këtyre veprave më duket sikur jam në një çmendinë, në çmendinën komuniste.
Skulptura duket sikur është dorëzuar. Si një ushtri e dorëzuar.
Asnjë rryme arti më parë nuk i kish ndodhur kjo gjë.
Karakteristikat që mbart SKULPTURA MONUMENTALE dhe ajo e KAVALETIT janë:
1.Ndjenja e fallsitetit dhe e gjigandomanisë.
2.Figurat janë të pajisura me vegla pune dhe armatime.
3.Mungesa e sensit artistik dhe e kërkimeve plastike.
4. Himnizimi i egërsisë.
5.Himnizimi i diktatorit Enver Hoxha.
Kjo dramë u çfaq më parë në artin Rus, ku u ndaluan dhe u shkatërruan gjithë embrionet artistike novatore. Ky ish paralajmërimi i shkatërrimit të gjithë shoqërisë.
Diktaturat kërkojnë të emetojnë simbole të reja, kështu ngjau dhe me parullën vet-vrasëse : Ç’DO GJË ME FORCAT E VETA, që skulptori Mumtaz Dhrami e dha me skulpturën LART FRYMËN REVOLUCIONARE.
Diktatura shtonte dozat e drogës artistike për çoroditjen morale të një populli të tërë.
Emocioni që të japin këto skulptura është ideologjik dhe jo artistik.
Ato të ngjallin ndjenjën e nënshtrimit, të hiçit, të depersonalizimit, të sterelizimit mendor dhe tharjes estetike.
Intesiteti dhe drejtimi i lëvizjes së monumentit janë një nga treguësit kryesorë artistikë.
Skulptura e Antikitetit Grek apo Romak, e Mesjetës, e Rilindjes, e Klasiçizmit, e Modernitetit Europian, kanë lëvizje të buta. Dhe marrëdhëniet e figurave janë plot etikë dhe butësi.
E kundërta këtu, personazhet e ngurtësuara të monumenteve janë plot mllef, mbushur me inat tërë egërsi dhe pa edukatë.
Plastika ka agresivitetin e politikës.
Po të bëjmë një inventar të armatimeve të skulpturave zëmë vendin e parë në Historinë e artit.
Bomba, granata, gjerdhanë me fishekë, revole, pushkë, kallashnikovë, dylbi, mitraloza, topa…një depo e tërë armatimesh.
Kur isha në Poloni për disa ekspozita, në Poznan pashë një muze të armatimeve.
Armaturat Mesjetare ishin vendosur në rresht si Ushtri prej metali.
Duke shkuar në mes të rreshtave, përfytyroja duelet mesjetare trup me trup, përplasjet e falangave të rënda të kalorësisë apo këmbësorisë.
Por nuk di përse, diçka përbrenda më çonte drejt formave të artit bashkëkohor Socrealist Shqiptar.
Atëhere gjeta atë që më mundonte: superpozimin e imazheve.
Mbi këta ushtarë mesjetarë ngriheshin heronjtë Shqiptarë deri në fyt me armatime, në bronz, që tentonin të bëheshin imazhe njerëzore ( doemos historike ).
Nuk shpjegoja dot si ish e mundur që këto armature bosh, pa koka, pa duar, pa këmbë, pa trupa, bosh, ishin aq të fuqishëm; më të plota , më heroikë se sa monumentet, statujat, dhe relievet  gjigande ngritur në të katër anët e Shqipërisë.
Po, thashë me vete, arti ka ligje të padukshme, misterioze, të pakapshme nga artistët që marrin urdhra nga politikanët dhe nuk ndjekin vokacionin vetiak.
* **
Diktaturat për njerëzit e thjeshtë janë sakrificë e detyruar. Por ato i quajnë heroizma.
Komunizmi nxori në plan të parë HEROIZMIN SOCIALIST, që ish sakrifikimi suprem në punë. Skulptori i Popullit K.R. boton artikullin: “ Trajtimi i heroizmit masiv, tipar në skulpturën monumentale” : (Drita 1984).  Heroizmin masiv skulptura perëndimore nuk e përcakton si TIPAR të vetin, kurse Realizmi Socialist e cakton si TIPAR kryesor.
Skulptura e Realizmit Socialist e kthen njeriun në një “ aktor dramash heroike”.
Kthimi i fatkeqësive aksidentale në heroizëm ish një mashtrim, dhe në këtë mënyrë bëhej thirrje për sakrifica të tjera. Heroizmi socialist ish një vetsakrifikim i kotë.
Këto Monumente gjigande përdhunojnë peisazhin.
Shembulli më elokuent është Monumenti i Drashovicës në Lumin e Vlorës, i Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami.
Ato kodra aq të bukura që kanë sfond varg-male aq plastike, nuk lidhen fare me Monumentin.
Monumenti ka hyrë dhunshëm në atë peizazh, si një thikë në trupin e një njeriu.
Është pa kuptim dhe më trishtoi.

LISTA E VEPRAVE KRYESORE TË SKULPTURËS
MONUMENTALE:
Më 5 Maj 1949 inaugurohet Busti i QEMAL STAFËS i skulptorit Janaq Paço. Në 29 Nëntor 1949 u përurua në Tiranë  MONUMENTI I PARTIZANIT i skulptorit A. Mano.Vepra u derdh në bronz në fonderinë e Uzinës Enver. Me 1950 Paskali punon bustin e VOJO KUSHIT. (Me qenë se mbas 1970 u rrit numri i skulpturave monumentale, në vitin 1984 u ngrit Sipërmarja e derdhjes në Bronx të veprave të artit.)
Më 1953 vendosen relievet dhe skulpturat në KINOSTUDION SHQIPËRIA E RE.
Në !954 vendoset monumenti i STALINIT në Kombinatin e Tekstileve, vepër e O.Paskalit.
Më 1959 përurohet MONUMENTI I LENINIT i Kristina Koljakës.
Në vitin 1959 u përurua MONUMENTI I SKËNDERBEUT në Krujë i Janaç Paços.
Shtatorja LART FRYMËN REVOLUCIONARE e Mumtaz Dhramit, ekspozohet për herë të parë në vitin 1966.
Në Gusht 1969 në Shkodër përurohet MONUMENTI I HERONJVE TË VIGUT i skulptorit Shaban Hadëri që ka punuar për Shkodrën edhe skulpturën e ISA BULETINIT.
Në vitin 1968 në Mathauzen vendoset përmendorja PARTIZANI FITIMTAR i skulptorit Odhise Paskali.
Në Kukës në 1968 inaugurohet  busti i SHOTE GALICËS, vepër e Kristaq Ramës.
Në Nëntor 1969 ngihet afër Tiranës përmendorja e  MUSHQETASË e skulptorit Hektor Dule i cili është autori edhe i skulpturës NË NJË DORË KAZMËN DHE NË TJETRËN PUSHKËN.Është bashkautor edhe i MONUMENTIT TË 1920.
Në Tetor 1971 në Rrëshen u përurua MONUMENTI I KATËR HEROINAVE TË MIRDITËS, vepër e skulptorëve A. Mano, Dh. Gogollari, F.Dushku dhe P.Çuli.
(Fatkeqësisht ky monument nuk egziston më është shkatëruar plotësisht në 1996).
Më 5 Maj 1972 u përurua monumenti NËNA SHQIPËRI në Vorrezat e Dëshmorëve në Tiranë, i autorëve Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Mumtaz Dhrami.
Në Nëntor 1972 në Vlorë inaugurohet MONUMENTI I PAVARËSISË , i skulptorëve Kristaq Rama, Shaban Hadëri dhe Mumtaz Dhrami.
ME 1974 inaugurohet RELIEVI ne Kryeministria, veper e Kristaq Rames.
Në qytetin e Korçës në vitin 1977 ngrihet GUERRILASIT e Kristaq Ramës.
Në vitin 1978 ngrihen bustet në bronx të VËLLEZËRVE FRASHËRI, nga O.Paskali.
Në 1978 ngrihet PËRKUJTIMORJA E BRIGATËS PARË SULMUËSE, me autor Perikli Çulin.
Në 1978 ngrihet LAPIDARI I PRISKËS, me autorë M. Dhrami dhe S.Koci.
Më 1978 përurohet ATENTATORI, reliev në bronx i Th. Thomait.
Inaugurohen: ZONJA ÇURRE -Tragjas/ SHKURTE VATA- Myzeqe/ RINIA E AKSIONEVE- Lukovë/ AVNI RUSTEMI-Vlorë/. PARTIZANI i O.Paskalit në Përmet.
Në varrezat e dëshmorëve të rrethit të Tropojës, më 1980 ngrihet PARTIZANI KUSHTRIMTAR, i K.Ramës.
Më 1981 në Vlorë u inaugurua monumenti kushtuar HYSNI KAPOS.
Më 1981 punohen skulpturat për Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Më 1982 punohen skulpturat e Muzeut të Skënderbeut në Krujë, nga Janaq Paço dhe Genc Hajdari.
Në Nëntor 1982 inaugurohet në Bajram Curri, SHTATORJA E BAJRAM CURRIT, vepër e skulptorit Fuat Dushku.
Më 1984 ngrihet monumenti  PRITA E BARMASHIT me autor Thoma Thomain.
Më 1984 ngrihet OBELISKU kushtuar KONGRESIT TË PARË TË BRASH-it në Helmës të Skraparit.
Më 1987 në Qytetin e Lushnjës ngrihet Monumenti kushtuar REFORMËS AGRARE DHE KOLEKTIVIZIMIT TË BUJQËSISË, me autor Perikli Çuli.
Më 1982 MONUMENTI I REZISTENCËS, ngrihet në Durrës, buzë detit.
Në 1988 inaugurohen në Tiranë, Korçë, Gjirokastër, pesë monumentet e Enver Hoxhës punuar nga Sali Shijaku, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Thoma Thomai, Hilmi Kasemi, Hektor Dule, Mumtaz Dhrami.
Në vitin 1991 këto monumente u hoqën zvarë dhe u shkatëruan.
Ky eveniment konsiderohet edhe fillimi i Demokracisë.
***
Tre artistët kryesorë që udhëhoqën skulpturën në Shqipëri ishin Kristaq Rama, Mumtaz Dhrami dhe Shaban Hadëri. Të tre studiuan në B.S. në vitet 50-të.
I vetmi që dallohej për një kërkim forme, një kubizëm të lehtë ish Kristaq Rama; këtë e shohim në busti i SHOTE GALICËS në Kukës, apo portreti i ZBORISTES.
Ai influencoi pozitivisht në monumentin më të madh dhe më të rëndësishëm, atë të NËNËS SHQIPËRI në Vorrezat e Dëshmorëve në Tiranë, dhe në MONUMENTIN e PAVARËSISË në Vlorë.Këto dhe janë veprat më të mira nga kjo periudhë. Këtë mendim shpreh edhe biografja e tij, studjuesja Suzana Varvarica. Fytyra e NËNËS ka një krenari modeste dhe të butë, kurse figura që ngrihet lart shoqërohet me një valëzim formash draperie, që shkojnë nga mbrapa dhe krijojnë ndjenjën e madhështisë së përjetëshme.
Kjo vepër është më përfaqësuesja e kësaj rryme dhe shërben si vënd pelegrinazhi.
Krahas Varrezave të Dëshmorëve në Tiranë, u sistemuan dhe u pajisën me monumente gjithë varrezat e qyteteve të tjera. Mbas 1990 Kristaq Rama bën një seri nudosh, të cilat treguan sensibilitetin e tij të lartë. Ky rast tregoi se si Realizmi Socialist deformoi detyrimisht apo vullnetarisht një artist me potencial të madh.
RELIEVET
Relievet ishin imazhet e para që u bënë mbas 1945. Janë të derdhura në çimento, allçi, më vonë derdhen dhe në bronx.
Basorelievet e para janë inkasuar në Shtëpinë e Sindikatave në Tiranë në 1947, më vonë janë ato të Monumentit të Partizanit në Tiranë, më pas janë 14 relievet-rondo të Kinostudios Shqipëria e Re, inauguruar më 1953, pastaj vjen ai i Gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë.
Në Kryeministria u bë me porosi relieve më i madh, meqënëse ish lënë që në ndërtimin e veprës një kaseton për këtë qëllim.
Italjanët kishin paisur me relieve në travertinë dhe keramikë, Maternitetin dhe Bankën Kombëtare.
Më duket se vepra më e aritur nga ana artistike është relievi i vendosur në Rrugën e Durrësit , në bronx me dimensione 100X125 cm.  me autor Thoma Thomain, që evokon atentatin që Vasil Laçi i bëri Viktor Emanuelit, Perandorit të Italisë Fashiste.
Relievet u përdorën shumë si  imazhet kryesore në vepra të kompozuara arkitekturë –skulpturë, në Monumentin e Kalimit të Brigatës Parë në Veri, Monumentin e Drashovicës, në Pezë, dhe në holli i Pallatit të Kongreseve, ku në hyrja kryesore është vendosur një skulpturë femër që  zbret nga sipër si ëngjëll pa krahë.
BUSTET
Bustet e bëra nga skulptorët në këtë periudhë janë disa qindra, janë derdhur në bronx, në allci, janë gdhëndur në mermer në gur në dru.
Për të bërë buste skulptorët shfrytëzonin çdo punëtor të shpallur hero, çdo mjelëse që tejkalonte planin, çdo minator pararojë.
Pastaj ish fondi pambarim i figurave historike: komitë, hoxhë, poetë e shkrimtarë të Rilindjes.
Të gjithë njëlloj të tendosur me shikimin larg.
Sot bustet rrinë përkrah njëri tjetrit, njëri mbi tjetrin si në një morg.
Të duket sikur vijnë nga një epokë e largët, e pajetuar, e panjohur dhe e padeshifrushme.
Ata përfaqësojnë një epokë memece që është marë nën hetim.
Ata janë dhe akuzuës dhe të akuzuar.
Në skulpturën Europiane të këtij shekulli, bustet gati nuk egzistojnë.
Kohët e reja kërkonin të tjera prerje deskriptive. Tani praktikohej arti total, dhe është tërësia e figurës që e plotëson këtë.
Një bust sado i mirë është një fragment, artistët nuk rezikojnë me fragmente.
STATUJAT
Si në një lojë bixhozi, skulptura në këtë kohë lëviz me katër personazhe.
PARTIZANI,PUNTORI, FSHATRJA, dhe USHTARI.
Ky repertor i kufizuar human në dispozicjon erdhi mbasi Vera Muhina në vitin 1930, në Moskë,  bëri grupin e famshëm skulpturor PUNËTORI DHE FSHATARJA, me drapër dhe çekan, që u bë simboli figurativ i shtetit të Sovietëve, B.R.S.S.-së.
Punëtori ish gjithmonë i fuqishëm, muskuloz dhe mori rolin e një figure mitollogjike, që nuk përputhej me realitetin.
Kulmi arriti me figurën-simbol  NË NJËRËN DORË KAZMËN DHE NË TJETRËN PUSHKËN, të Hektor Dules, ku ai tani merrte përsipër edhe të punonte edhe të mbronte vëndin.
Skulptura në këto moment arriti indoktrinimin më të madh, ajo u bë ushqimi i kondensuar ideollogjik më i preferuari,  që partia i jepte popullit.
Grupi tjetër që u bë emblema e kohës ish LART FRYMËN REVOLUCIONARE i M.Dhramit.
Sa më shumë që ekonomia binte poshtë, aq më tepër skulpturat ngriheshin lart.
Por ajo që ish më e rënda dhe më kuriozja, ish devijimi inkoshient i njeriut natyral në njeri fiksion, sipas modelit të zgjedhur artistikisht.
Njerzit mernin pozat e skulturave, buzëqeshnin si personazhet e pikturave, dhe silleshin në jetë si heronjtë e filmave të kinostudios.
Ky është dëmi më i madh që arti i shkakton njeriut, kur e denatyron.
SKULPTURA E PARKUT
Në parqet e Tiranës dhe disa qyteteve u ngrirën disa monumente që nuk dallojnë nga skulptura politike.
Ne Tirane u vendosen dy skulptura ne Parkune Madh, ajo e FEMIJEVE DUKE LUAJTUR KALUÇ e Sofokli Kocit, dhe PARTIZANI DUKE PIRË UJË e Hektor Dules, ku paraqitet një partisan dhe një fshatare që I ka ofruar stomnën me ujë.
Në parkun e Poradecit buzë liqenit, u vendosën dy vepra të Vildan Jahjes,  një  BARI DUKE I RËNË FYELLIT dhe një FSHATARE NGA RAJCA.
Në Lushnjë në lulishten e qytetit u vendos skulptura rrethore e SUZANA VARVARICËS, një grup pionierësh duke kërcyer.
Në Sarandë buzë detit në lulishte u vendos MLEDHËSJA E PAMBUKUT.
Në shumë parqe janë vendosur buste heronjsh të luftës apo ideollogë të Rilindjes.
Po ato tema po ato permasa , po ato materiale, si në skulpturën monumentale.
GRAVITACIONI
Të gjitha kryeveprat e skulpturës antike, të rilindjes, apo moderne, kanë një gravitacjon të brendshëm. Lëvizjet, masat, linjat, kurbat, figuracioni, të gjitha lëvizin, por shkojnë brënda, kështu vepra ruan sekretin,  magjinë e saj.Spektatori duhet ta kërkojë.
Kurse veprat e Soc-Realizmit kanë të kundërtën: gravitacionin e jashtëm.
Këmbët janë të hapura, krahët janë të ngritura lart, dhe mbajnë vegla dhe armatime në duar.
Të gjitha pjesët vërtiten si në një karusel dhe kërkojnë të çlirohen e të hidhen larg, të sulen diku, të shpërthejnë si granata.
SURREALIZMI PEZAK.
Në një fshat afër kryeqytetit, Tiranës, në Pezë, është ngritur kompleksi më i madh skulpturor e memorial i artit të Realizmit Socialist. Në këtë fshat në 1942 u zhvillua një konferencë e gjithë grupeve dhe partive që ishin në Shqipëri në atë kohë.
Për nder të saj është ngritur një lapidar ku elementi kryesor vertikal është një kollonë me yll dhe një pushkë gjigande.Më vonë u realizua edhe monumenti në bronx i Myslim Pezës, udhëheqësit të krahinës.Pastaj u ngrit një memorial për dëshmorët e Brigadës së XII Sulmuese. Mbasandaj në bronx u derdh një memorial skulpturor, që kulmon kompleksin e Vorrezave të Dëshmorëve.Të katër këto vepra janë ngritur në një territor prej 5000 metrash katrore. Vepra e pestë është një skulpturë sinjal e Mumtaz Dhramit, ngritur në rrugën nacionale, që shënon drejtimin e fshatiit, 6 km. larg.
Relievet e gdhëndura janë si grafika në linoleum, prej tyre dalin vargje figurash të plota ose deri në bust, kush më afër e kush më larg, që marshojnë, luftojnë ose parakalojnë.
Elementet e tjera janë pllakateske si yje ose parulla V.F.L.P. ose P.K.SH. ose LAVDI PEZËS HEROIKE, ose  POPULLI NË KËMBË PARTIA NË BALLË. Etj.
Kuptohet se funksionet thjesht e pastër artistike largohen dhe pamundësohen dhe veprat marin përsipër detyra dhe atribute që nuk kanë lidhje me artin, por me propagandën e shkruar. Kush dëshiron të studjojë skulpturën e Realizmit Socialist, mjafton të vizitojë këtë fshat skulpturë. Këto vepra u ngritën për 20 vjet, nga viti 1965 deri më 1985.
Këto vite shënojnë rënien e vazhdueshme të ekonomisë dhe veçanërisht varfërimin e fshatit socialist që e përjetuan edhe pezakët. Sa më shumë që ekonomia binte teposhtë dhe sa më shumë që izolohej vëndi aq më tepër shtoheshin monumentet. Peza është rast unikal në Ballkan dhe duhet ruajtur me kujdes. Monumentet e Enver Hoxhës ishin monumentet e fundit që u ngritën. Mbas katër vitesh u rrëzuan dhe u hoqën zvarrë. Përurimet e këtyre veprave bëheshin me ceremonira madhështore. Komunizmi kish si ritual që në intervale të mirëllogaritura kohore bënte inaugurime. Zakonisht kjo ish një periudhë dy vjeçare. Ato shërbenin si justifikim i padiskutueshëm i epërsisë së sistemit. Dal nga dal morën një rëndësi religjoze. Krahas inaugurimeve të uzinave, fabrikave, hidroçentraleve, bëheshin edhe inaugurimet e veprave të artit me bandë muzikore, prerje shiritash, grumbullime masive, fjalime, fishekzjare, valle popullore. Arti merte pjesë në maramëndjen e njerëzve.
Sistemi nuk linte shteg për diskutime vlerash artistike. Ato ishin vepra të Partisë dhe asnjë nuk mund të diskutonte. Religjonet herë mbas here çertifikojnë mrekullitë, që të mbajnë në këmbë sistemin.  Udhëheqësit komunistë me përurimet çertifikonin rregjimin, që vetdeklarohej si i vetmi rend botëror human.
Arti ka qënë dhe mbetet lirik o tragjik. Por tragjikja nuk përjetohet si dramë dhe aq më tepër si dramë shoqërore.
Realizmin Socialist, Bolshevizmi e donte për “gjakmarrje artistike”, dhe kjo shpjegon tërë atë tension të jashtëm që shprehin figurat skulpturore të drejtuara kundër dikujt.
Ai dikushi është fajtori, armiku i klasës, dhe prandaj duhet të jemi të armatosur deri në dhëmbë. Tragjikja klasike është një dualizëm i brëndëshëm, është konflikti i luftës mes së mirës dhe të keqes, pa akuzuar njeri. Realizmi Socialist ish prokuroria artistike, që ngriti akuza kundrejt secilit që nuk vepronte si ai. Arti i Realizmit Socialist na tregoi një rrugë të gabuar dhe na humbi në hapësirën e historisë njerëzore, se arti është si gurët milenarë që tregojnë drejtimin dhe distancën. U gabua dhe në drejtimin e ecjes dhe në llogaritjen e distancës, dhe së fundi ai ( Realizmi Socialist) humbi në një lloj shkretëtire të panjohur. Tani nuk dihet ku është.
AUTORËSIA
Një numur i madh veprash janë bërë nga dy, tre apo katër autorë. Në artin perëndimor ky fenomen nuk është parë.Realizmi Socialist nuk pranonte autorësinë e artistit. Në Historinë e Artit të shek.XX-të nuk përmëndet asnjë artist  i Realizmit Socialist. Është rryma e Realizmit Socialist që merr autorësinë.Puna është një produkt shoqëror, thotë Marksizmi, dhe individi nuk ze vend. Në Kongresin e 3-të të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve më 1984, Kristaq Rama thotë:
NJË DUKURI E RE QË KA DHËNË REZULTATE POZITIVE NË REALIZIMIN E VEPRAVE TË MËDHA KA QËNË AJO E ANGAZHIMEVE KOLEKTIVE….FLET PËR NJË TIPAR TË RI TË KRIJUËSVE TANË, PËR ATË TË FORMIMIT EDHE TE KRIJUËSIT TË NDËRGJEGJES SË KOLEKTIVITETIT SOCIALIST…
Këtë më mirë se kushdo nga udhëheqësit Komunistë e formuloi Kryeministri Shqiptar Mehmet Shehu më 1973 kur tha: “ASGJË PERSONALE NË ART”.
Nuk egzistonte asnjë ligj për mbrojtjen e të drejtave të autorit.
Plagjiatura nuk dënohej, në të kundërtën përkrahej.
Brënda Kampit në këtë periudhë duhet të kenë punuar mbi 5000 ( numur aproksimativ ) piktorë, grafistë dhe skulptorë, por asnjë nga këta sot nuk njihet me emër.
Të vetmit janë Brankusi, Zadkinë, Archipenko, Kandinski, Gorki, Chagall, Gabo, Pevsner, Poliakoff, se këta u larguan në Perëndim.
Tani skulptorët Shqiptarë kanë turp nga veprat e tyre, nuk i pranojnë ato.
Ky ish një fenomen i panjohur më parë se gjithmonë artisti e ka adhuruar punën e vet.
I vetmi rast që kam takuar një grup skulpturor në Perëndim si në veprat tona të Realizmit Socialist ish i një autori meksikanas Francisko Zuniga me grupin skulpturor GRATË, punuar më 1974, ku prezantohen katër gra dhe një fëmijë të tensionuara, në gjëndje alarmi.
Mu duk sikur ish bërë në Shqipëri. Në fakt konditat sociale ishin të përafërta dhe Meksika ish i vetmi vënd Perëndimor që përqafoi pjesërisht këtë metodë.
Kujt mund ti ngarkosh fajin metodës apo artistit?
Metoda e gabuar apo artisti inkoshient, i papërgjegjshëm?
Aq më tepër që nuk duan të dorëzojnë titujt dhe dekoratat që kanë marë me këto vepra. Veprat i mohojnë po dekoratat i mbajnë. Partia u jepte skulptorëve tituj dhe dekorata. Titujt ishin SKULPTOR I POPULLIT dhe SKULPTOR I MERITUAR, mua më ngjanin si gradime ushtarakësh GJENERAL KOLONEL dhe GJENERAL MAJOR.
Pikturat e konsideruara armiqësore u dogjën, skulpturat nudo u shkatëruan dhe nuk mbeti gjurmë.Kjo ngjau vetëm në Shqipëri, në asnjë vënd tjetër të Kampit Komunist, bile as Hitleri nuk i dogji veprat e artit që i konsideroi të degjeneruara.
Vetëm muzika në Kampin Komunist shpëtoi nga shkatërrimi sepse partiturat mund të luhen edhe mbas 100 vitesh.Asnjë kompozitor nuk është dënuar me burg, se muzika nuk kapet, nuk ka lëndë, është efemere.Skulptura është poezia e materies dhe detyrimisht është shprehje individuale.
Por qëllimi ish diabolik, duke i hequr poezinë skulpturës  mbetej vetëm  materiali, që duhej formuar sipas urdhrave.
Në fakt monumentet ishin skena të ngurtësuara që afroheshin më tepër me teatrin.
Skulptura u kthye në një libër historie me heronj luftëtarë, heronj të punës, dhe sigurisht mbi të gjithe diktatorin Enver Hoxha për të cilin u ngritën 6 Monumente përveç busteve.
Në Europe skulptura e personalizuar ish tejkaluar.
Gjithmonë më ka bërë të mendohem ai “kujdes” i veçantë i pushtetit komunist për Letërsinë dhe Artet. Ishte në rend të dytë pas Ushtrisë dhe Sigurimit.
Komunizmi bazohej në Ushtria dhe Propaganda. Është e vështirë të dallosh kush e kish prioritetin. Mesa duket Ushtria ish për tu mbrojtur nga jashtë, kurse Artet dhe Letersia për krijimin e imazhit iluziv të mrekullisë të brëndëshme.
SURREALIZMI SOCIALIST
Surrealizmi në artin perëndimor ish në Muze, kurse jeta jonë ish një surrealizëm i vërtetë.
Kjo dhe ish detyra e artit, dhe e skulpturës. Grupet dhe monumentet e kësaj periudhe japin një botë surreale, e cila nuk kish lidhje fare me realitetin.
Kështu e formulova që në Maj 2002, mbasi vizitova Ekspozitën REVOLUCJONI SURREALIST në Muzeun e artit Modern në Paris.
“Arti Soc-Realist e kish më të lehtë të kthehej mbrapa në një art tjetër “Revolucjonar” si surrealizmi për të kërkuar pikat e takimit me të….”
Asnjëherë nuk ka pasur një ekspozim kaq mashtruës, kaq jo të vërtetë, kaq fallc, në skulpturë sa në këtë periudhë. Jeta ish tjetër dhe arti ish tjetër.
Arti donte të hiqëj sikur ish jeta vetë. Njerëzit e pangrënë, kënaqeshin duke parë skulpturat në bronx, dhe ishin të lumtur.
Në fakt Komunizmi ish në buzë të greminës. Mbas pesë vitesh ai shëmbet vetë, ky kolos gjigand bie si një skulpturë balte e pa derdhur në bronx.
Isha në Spaç, zbritëm nga galleria. Ishim në “ VATHA “, vëndi ku qëndronim para se të numuroheshim, e të hynim në kamp. Po shihja nga përroi…kur në guri para meje ish një brumbull, nuk lëviste.
U ula, po e shihja …ish skelet brumbulli. Insekti ish tharë dhe kish mbetur karkasi.
E mora me delikatesë dhe e vura mbi parmakun e drurit: “ ja kështu thashë me vete, kështu është katandisur komunizmi….bosh..i tharë..i ka mbetur vetëm karkasi…po, po, ky karkasi i tharë është arti ai do të mbulohet nga arti…këto janë monumentët e Realizmit Socialist…”
Ai dështoi në Ekonomi dhe Ushtri dhe donte të mbahej në këmbë nga propaganda ku rolin kryesor e kish Skulptura Monumentale.
Në vitin 1984 mbahet Kongresi i 3-të i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistave. Isha në burg, zhvillimet e saj i pashë në televizor.
Sekretari i Përgjithshëm Kujtim Buza mban referatin VEPRA TË SKULPTURËS SONË MONUMENTALE.
Aty ndër të tjerash ai thotë: “ Lulëzimi i artit monumental lidhet me epoka t e zhvillimit dhe të përparimit shoqëror…. Skulptura jonë monumentale mbështetur në metodën e artit tonë revolucjonar të realizmit socialist, thelloi më shumë përmbajtjen dhe rroku në thelb problemet më të rëndësishme, që shprehin tiparet më të shquara, vitalitetin e atdheut tonë socialist, qëndresën, shpirtin e sakrificës dhe heroizmin, besnikërinë etj…etj…”. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistave kish një organizim vertikal, kryetari Dritëro Agolli ish anëtar i Komitetit Qëndror të Partisë dhe Deputet. Sekretari i Përgjithshëm Kujtim Buza , ish Deputet. Ky edhe mbante lidhjet direkte me Ministrinë e Brëndëshme. Ish Kryecensori i gjithë arteve figurative. Ai kryesoi grupin e Ekspertëve për AKT-EKSPERTIZËN e veprave të mija në gjykimin tim, dhe djegjen dhe shkatërrimin e veprave.
Në Kongresin e 3-të diskutuan: Mumtaz Dhrami/Shaban Hadëri: FORCIMI I FRYMËS KOMBËTARE/ Avni Bilbili: PASQYRIMI REALIST I HEROIT/ Perikli Çuli: PORTRETI NË SKULPTURË/ Muharem Turkeshi: QERAMIKA DHE JETA/ Hektor Dule: DINAMIZMI…/Perikli Papa: RELIEVI GJINI QË SHPREH BRENDI TË GJËRË/ Kristaq Rama: SKULPTURA MONUMENTALE- SINTEZË E MENDIMIT REVOLUCIONAR/
Skulptori i Popullit Hektor Dule mban diskutimin DINAMIZMI-TIPAR I SKULPTURËS SONË TË REALIZMIT SOCIALIST. Ai thotë: “ Nga buron dinamizmi në këto vepra? Së pari nga fakti që figura apo figurat që përbejnë veprat, janë kapur në moment të përshtatëshme për ta dhënë këtë dinamikë…. Edhe ana e jashtme e lëvizjes, e ritmit, e tendosjes, e shpërthimit, luan një rol shumë të madh.”
Partia, Lidhja e Artistave kërkonin që me patjetër që skulptorët të shpreheshin edhe teorikisht.
Kështu unifikoheshin shijet, kërkesat, tematikat. Çdo gjë ish diskutuar dhe aprovuar dhe të gjithë duhet tashmë t’i zbatonin.
Asnjë kongres nuk kanë bërë skulptorët Europianë. Vetëm kanë punuar, secili më vete, secili ndryshe.
Vetëm kështu bëhet arti, në vetmi.
Pas 1990 me ardhjen e Demokracisë, mendova që kjo metodë do shuhej fare, por jo, nuk ndodhi kështu, përkundrazi ajo u ringjall.
Mbas vitit 2000, disa skulptorë të kësaj shkolle, kanë realizuar një numur të madh veprash me porosi të vendosura në Kosovë dhe në ish Republikën e Maqedonisë.
Janë luftëtarë me kallashnikovë dhe me dylbi të varura në qafë, vepra pa asnjë vlerë artistike.
Tani pra u bëmë vend eksportues i Realizmit Socialit.
Parathënia e “Skulpturës së Realizmit Socialist në Shqipëri”. Botohet me lejen e autorit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.