KULTURË

Dritëhijet e Butrintit, betoni, hekuri, kafeneja dhe transparenca

11:12 - 17.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Butrinti, Fatmira NIKOLLI
Të dielën paradite, zyra e shtypit e Ministrisë së Kulturës ka njoftuar gazetarët për një vizitë në Butrint, ku prej më shumë se dy javësh, një leje e dhënë për kthimin e një objekti në pikë shërbimi – bar kafene – ka prekur hijet e një skandali.
Me gjithë paragjykimet se në këto raste (kujtoj debatin e madh për Rrugë e Kombit, thuhet se ju kanë ftuar për t’u hedhur hi syve), rruga e duhur është që të raportosh për diçka që e ke parë in situ.
Dhe do shkruaj pikërisht për ç’kam parë, duke u rezistuar për shumë arsye interpretimeve që nuk kanë për të munguar nga ata që njohin arkeologjinë, inxhinierinë, trashëgiminë dhe janë, pos të tjerësh, mjeshtër paragrafësh, në një vend ku të mbyt paragrafi(lexo: ligji). Mbi sa më lart, gazetarëve nuk u është dhënë (as vënë në dispozicion) as kontrata, as projekti- ky i fundit u është dhënë deputetëve të Komisionit të Medias, por jo gazetarëve.
Nisja nga Tirana bëhet në orën 10:30, dhe arrihet në Butrint rreth orës 16:30. Janë pothuaj 10 gazetarë, mediash të shkruara e vizive.
Ministrja Mirela Kumbaro i pret gazetarët në hyrje të parkut. Pak metra më larg, grupi i artizanëve i zë rrugën për të ditur fatin e tyre. Atyre do t’u duhet të presin dy orë për të biseduar mbi mosrënien dakord sa i takon kontratës së re që ministria u ka ofruar e për të cilën ata nuk bien dakord.


Pyetje-Përgjigje
Takimi me gazetarët mbahet mbi platformën prej druri mbështetur sipas Kumbaros në çakëll. Në anën fundore të së njëjtës strukturë ka beton, lartësia e të cilit i kalon 40 cm, megjithëse i varfëruar, siç thuhet zyrtarisht. Nuk mundem të them as nëse betoni ka kaluar nën tokë, as të kundërtën. Syri i lirë i pastërvitur me gjuhën e ndërtimit nuk ndihmon shumë. Ajo që shihet me sy është se godina ekzistuese që po rehabilitohet ka të njëjtën hapësirë sa struktura a platforma e shtuar jashtë saj. Në anën e majtë të godinës, betoni i vënë si shtresë mbajtëse për platformën e drurit është rreth një pëllëmbë larg nga muri i shek. 7-8.
Ka po ashtu edhe shtylla hekuri, të cilat do shërbejnë për të mbajtur xhamin që do mbulojë strukturën e drunjtë. Shtyllat nuk janë në tokë. Ato mbahen me vida në shtresën e betonit. Tullat që kemi parë në videot e ditëve të para nuk janë më. Disa kanë shërbyer për dritaret e godinës. Nuk ka as betoniere. Është hequr. Punimet janë pezulluar një javë më parë, sipas ministres në respekt të pyetjeve të opinionit publik. Thasët e çimentos janë brenda godinës, punimet në të cilën nuk kanë mbaruar ende. As jashtë nuk kanë mbaruar. Po të kishim mbërritur ditë më vonë, struktura e betonit do ishte mbuluar me dërrasë.
Kumbaro së pari riprezantoi edhe një herë 15 projektet ndërhyrëse në park në 4 vitet e fundit, që nga muret e rëna e deri te shtigjet. Më pas, në vazhdën e projekteve tha se vendosën të bëjnë edhe një ndërhyrje për të ofruar një pikë shërbimi për fluksin në rritje të turistëve.
Kumbaro përmend VKM-në që përcakton rregullat e dhënies me qira, dhe përmend si shembuj të këqij të ndërhyrjeve në monumente si shtëpia e Leon Reyt në Apolloni, e kthyer në lokal me duralumin, apo shembuj po prapë të këqij, si baret në Kalanë e Petrelës, Kalanë e Rozafës, Prezës, Elbasanit, Torrën Veneciane në Durrës. Ministrja tha se po shqyrtohen për t’u riparë dhe për të rirregulluar sa mundet.
Ajo që nuk tha Kumbaro, por që mund ta themi ne që i kemi ndjekur ato debate si Butrintin sot, të gjitha janë mbështetur dhe mbrojtur si Butrinti sot, nga ministra të tjerë e drejtorë të tjerë. Një debat si ky është bërë për Lezhën në “letër” e me gjithë këto mëkate, ndër vite nuk ka asnjë para përgjegjësisë, as para drejtësisë.
Kumbaro këmbëngul se ka krijuar një kuadër rregullator për të pajtuar zhvillimin me trashëgiminë duke ngritur një komision për të vlerësuar çdo propozim. Sipas saj, kërkesat për pika pushimi janë hedhur poshtë nga Këshilli Shkencor. Por nevoja ishte e domosdoshme.
“Kemi një objekt këtu që ka qenë një depo. Pa i shtuar hapësirë e pa rritur volum, mund të shfrytëzohet. Kemi mjaft godina që rrinë bosh. Kemi filluar të identifikojmë hapësira boshe, ka madje edhe një kafene në Gjirokastër. Kjo është një pikë pushimi minimaliste. Shërben edhe për aktivitet kulturor ose për guida parku.


Projektet e ardhura nuk u pranuan, ndaj këtë projekt e bëri me IMK”, – tha ministrja.
Shtoi se kompania “Hako” solli një kërkesë për shërbim të tillë. Pas katër muajsh, u ngrit një grup pune për të shqyrtuar kërkesën. Kur u pyet qartësisht për kriteret mbi të cilat u përzgjodh kompania investuese, Kumbaro tha se ka të bëjë me planin e biznesit, statusin e subjektit, garancinë, taksat, seriozitetin- duke folur sipas saj për një kompani serioze.
Theksoi se do jetë pikë shërbimi për ujë, kafe, jo alkool, foli për një linjë ushqimesh të lehta. E pyetur për faktin se leja e dhënë është për 116 metra ndërsa prokuroria e Sarandës flet për shifra mbi 200 m, ajo u shpreh: “Nuk e kam parë atë procesverbal. Nuk kam dijeni. Nuk më është vëmë në dispozicion”.
E pyetur për metrat e dhënë në përdorim në një park kombëtar, Kumbaro tha se “jemi në kushtet e një kontrate emfiteoze, subjekti vjen dhe investon vetë. Sipërfaqja e negociuar është rreth 100 m. “GSH” e pyeti Kumbaron si për çështjen e shtesës edhe për mungesën e transparencës. Ajo u pyet pse pjesa shtesë është pothuaj sa godina dhe pse nuk u bë transparencë, siç bëhet me çdo investim tjetër në trashëgimi që konsiderohet normal. Sa i takon shtesës, ajo tha se përcaktohet në kontratë, por publikimin e kontratës e vendos drejtoria juridike, çka sipas saj mund të ndodhë edhe në ditët në vijim. Mohoi mungesën e transparencës dhe shtoi se ka edhe projekte të tjera që Ministria nuk i promovon.
Pyetjes së “GSH” se sa vjeçare është kontrata, ajo iu përgjigj se është 5-vjeçare. Mohoi që do ketë tym, dhe po ashtu mohoi të ketë takuar ndonjëherë investitorin e “Hakos”. Ajo tha se procedurat janë ndjekur nga drejtoritë përgjegjëse.

Megjithë udhëtimin, vatje-ardhje brenda ditës nga Butrinti, shumë pyetje mbetën pa përgjigje, qoftë për kontratën, qoftë për detaje të projektit, qoftë mënyrën si do të funksionojë qendra multifunksionale- ose pika e shërbimit.

Ato morën përgjigje të cekëta, por jo përgjigje…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.