Media

Italianët, dosje për Habilajt dhe policinë para zgjedhjeve të 25 qershorit

10:14 - 18.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Duhej një dosje italiane që të sillte një fakt, disa emra dhe një mori përgjimesh që vendi ynë të tronditej! Sigurisht, Shqipëria për shkak të gjallimit të frikshëm të krimit të organizuar, tashmë e kthyer në mafie prej disa vitesh, një fakt i servirur nga strukturat e huaja merret i mirëqenë, ndonëse është folur me emra dhe fakte edhe nga individë shqiptarë dhe media edhe në vendin tonë, por asnjë instancë politike e as hetimore nuk ka reaguar.  Rasti që është kthyer në një tërmet për politikën tonë, e kryesisht për dy qeveritë e Edi Ramës, është pa as më të voglin dyshim meritë e oficerit të antidrogës, Dritan Zaganit, njeriu që u përndoq dhe u akuzua në mënyrë kriminale si person që nxirrte informacionet e policisë për skuadrat italiane.

Ai mundi të largohej dhe t`i shpëtonte një arrestimi që do t`i kishte kushtuar shumë, ndërsa rrëfimet e tij bllokoheshin nga segmente të caktuara të qeverisë që ishin të interesuara që e vërteta e atij abuzimi me një prej oficerëve më të talentuar të anti-drogës të mos bëhej publike. Mirëpo dje, teksa dilnin mesazhe të koduara të djemve të familjes Habilaj me persona të tjerë,bashkëpunëtorë në trafikun e drogës, biseda që në pjesën më të madhe të tyre implikojnë edhe ish-ministrin e brendshëm, vjen edhe reagimi i shumëpritur i shefit të tij. Kryeministri i ka dhënë një mbrojtje Tahirit, por nga ana tjetër i ka bërë thirrje prokurorisë dhe të gjitha organizmave të zbardhin të vërtetën, duke e konsideruar të neveritshme bisedën mes trafikantëve.

Në fakt, trafiku i drogës në tri vitet e fundit, është e pamundur të mos e dinte edhe një fëmijë shkolle, që ishte kthyer në promotorin e krejt aktivitetit të qeverisë dhe ministrave të saj. Megjithatë dje Tahiri doli sërish dhe foli për kushërinjtë e tij nga Babica e Vogël e Vlorës. Ata janë prej 20 vitesh aty, të fuqishëm, të ngritur në majën e “biznesit” në Vlorë, por më të fuqishëm se kurrë u bënë kur Tahiri u vu në krye të dikasterit të punëve të tyre. Gjithçka ka ndodhur në aktivitetin e tyre e kanë kopsitur në një dosje voluminoze skuadrat e përgjimit të anti-mafies italiane, që kanë nisur të përgjojnë që në tetorin e 2013-s, vetëm një muaj pasi qeveria “Rama 1” nisi punën!

Dosja  

Ka nisur një përgjim diku nga mesi i tetorit i katër viteve më parë. Në përgjim mbahej një person me mbiemër Zhupa nga Tepelena. Ai kishte mundur të hynte herët në Katania dhe të çonte ngarkesa të mëdha droge gjatë gushtit. Por ç`ka doli më vonë në përgjimet e italianëve ishte vërtetë e çuditshme. Pas një “Audi”, që thuhej se ishte i Saimir Tahirit në të gjithë pjesën tjetër flitej lirshëm për shifra parash dhe kilogramësh, trafik armësh dhe persona që do të ishin pjesë e pazareve pasi ishin ndihmës ose kishin role të caktuara. Përgjimet kanë vijuar për disa vite ndërkohë që në kohën kur Zagani bëri denoncimin e tyre publik, asnjë instancë qoftë as italiane nuk doli të tregonte përgjimet që lidheshin me emra konkret që kishte nxjerrë oficeri i anti-drogës i cili në kohën e përndjekjes ishte në rolin e shefit të këtij sektori në Fier!

Pjesë nga dosja prej 460 faqesh

Sekuestrimi i 1650 kg lëndë narkotike e tipit marijuanë në 25 tetor të vitit 2013.

Siç përmendej edhe në përgjimet e nisura në shtator të 2013-s në ngarkim të Moisi Habilaj, Sabaudin Çelaj dhe Maridian Sulaj, demonstronin se si ata merreshin me organizimin e importeve me sasi të mëdha marijuane nga Shqipëria.

Hetimet e kryera nga operatorët në “Grimaldi Lines”, një kompani anijesh që mbulon linjën Greqi (Igumenicë)-Itali (Brindisi), lejonin që të verifikonin se Moisi Habilaj kishte hyrë më datë 22.09.2013 në Igumenicë (Greqi) në bord të anijes “Sorrento” të kompanisë në fjalë, rreth orës 01.00 bashkë me Sabaudin Çelaj, lindur në Shqipëri më 29.02.1968, që të dy kanë ndjekur një makinë me targë AA138DM, ku rezulton se të njëjtët kanë mbërritur në Brindizi në orën 08:30 të datës 22.09.2013!

Me të mbërritur në Itali, si Habilaj dhe Çelaj përdornin numrat e tyre telefonikë, duke bërë një seri komunikimesh telefonike me bashkëpunëtorët e tyre, si me ata në Itali dhe ata në Shqipëri, qartësisht për përgatitjet e një organizimi të importit të lëndëve narkotike.

Veçanërisht, interesante nga pikëpamja hetimore ishin ato me bashkatdhetarët e tyre të vendosura, më saktësisht në Modica, me një Ramadan, i quajtur ndryshe “Varri”, i identifikuar në shqip Maridian Sulaj.

Në këtë drejtim, dalin thirrjet telefonike:

Numri 00355698198766 në përdorim të Sabaudin Çelaj më 22.09.2013 nga ora 20.22 më nr e telefonit 00355698355623 (Adresa, Fraz Frigintini – C.da Scrofani- Modica RG)

SMS: 3393381024219 numri i “varrit”

Numri 00355698198766 në përdorim të Sabaudin Çelaj më 22.09.2013 ora 20.22 me 00355698355623

SMS: Të erdhi, o dajo?

Numri 00355698198766 në përdorim të Sabaudin Çelaj më 22.09.2013, ora 20.54 me 3381024219 në përdorim të MaridianSulaj

Sabaudin Çelaj, quajtur “dajë” për Maridian Sulaj. Pyetjes “ku ndodhet?”, Maridian përgjigjet “te marina” dhe pyet “dajën”, duke qenë se dëshiron ta takojë, nëse ndodhet qytet. Pas konfirmimit të “dajës”, Maridian thotë se për një orë do të jetë aty. Që të dy vendosin që të ridëgjohen rreth një ore.

Pas një kohe, Sabaudin i thotë Maridianit që të mos i thotë asgjë askujt, as atij (ndoshta thotë Byzeman). Maridian thotë se po ngjitet, dhe e siguron duke i thënë se do të bëjë të pamundurën.

Meridian Sulaj: Fole o dajo?

Sabaudin Çelaj: Fola, do vi tani!

Meridian Sulaj :Do vonohesh shumë?

Sabaudin Çelaj:Do nisem tani. Ku je?

Meridian Sulaj: Hajde, te caku jemi, bëmë zile kur të vish të dal jashtë!

Ditën tjetër

Meridian Sulaj: O dajo, si u gdhitë?

Sabaudin Çelaj: Mirë, ja po iu hedhim një sy leqeve!

Kërkonin të dy informacion mbi mënyrën se si po shkonte mbjellja e marijuanës!

Meridian Sulaj : Si është koha andej?

Sabaudin Çelaj: Është e vrenjtur. Po ne po e mbjellim se është tharë. Ditë të mbarë zemër, puç!

Meridian Sulaj : O zemra e mblodhët dot? Thuaj Erit të ngulë ca hunj e të vërë nga ato llamarinat e vjetra në dy anët e stallës. Po Shqipja me Lelën erdhën? Puç!

SabaudinCelaj: Nuk i morëm dot të gjithë se u prish zetori. Shqipja dhe Ornela janë në Vlorë!

Meridian Sulaj:  Ku ta sjellë?

Sabaudin Çelaj: Ma sill në shtëpi!

Kushërijntë për Tahirin: 30 mijë më duhet t`ia çoj Saimirit!  

Emri i ish-ministrit del në përgjimet e 16 dhjetorit të vitit 2013 gjatë një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelaj. Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”!

Llogaritë që nuk iu dilnin Habilajve 

Në përgjimin e 2 marsit të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti i zhurmës së madhe, ai me targë ‘AA003GB’, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Gjithashtu emri i Tahirit del edhe në një tjetër bisedë mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, bisedë që është pjesë e dosjes voluminoze:

“Mendo, veç borxheve që kemi, veç atyre që kemi marrë, kemi 75 mijë që janë automatikisht të caktuara. 30 mijë “xhaxhait”, 30 mijë duhet t’ia çoj Saimirit, bëjnë 60, 15 anija që na duhet patjetër, bëjnë 75 mijë, plus 100 që janë: 72 të atyre në Fier, 20 të Arsenit, 170 mijë lekë heqim dhe këta të shtetit që kemi”!

Në datë 6 tetor 2013, Moisi Habilaj që ndodhet në Katania, flet në telefon me vëllanë Florian, që ndodhet në Shqipëri. Ky i fundit e informon se është thirrur në Tiranë nga “shefi i madh” të cilit nuk ja përmend emrin. Hetuesit italianë nuk e kanë identifikuar ende, edhe pse kjo fjali le të nënkuptohet se banda e Moisi Habilajt kishte një nivel të lartë që e drejtonte nga kryeqyteti, e madje me gjasa në struktura të larta qeverisjeje.

Bisedat mes dy vëllezërve Habilaj

(përkthim nga dosja origjinale e hetuesve italianë)

Florian Habilaj – Çfarë po bën?….Ej, më dëgjon

Moisi Habilaj – Ç’thuhet? Ç’bëhet? Fëmijët mirë?

Florian Habilaj – Hiç, mirë, gjithçka në rregull.

Moisi Habilaj – E mbylle?

Florian Habilaj – Po, po.. do të dërgoj targat dhe anulimin e Porsche me to.

Moisi Habilaj – Po kur do të mi dërgosh?

Florian Habilaj – T’i ka dërguar, vëlla.. nuk e di kur, më telefonoi, nuk të tha?

Moisi Habilaj – Merre në telefon dhe pyete se me kë t’i ka dërguar, kështu që nesër dërgoj atë që të presë autobusin.

Florian Habilaj – Ok, në rregull.

Moisi Habilaj – Ç’thuhet tjetër?

Florian Habilaj – Asgjë, dje mbrëma u nisa për në Tiranë dhe sapo mbërrita, këtu në Fier (qytet rreth 35-40 km larg Vlorës).

Moisi Habilaj – Po ç’ne?

Florian Habilaj – Më kërkoi ‘’shefi i madh’’.

Moisi Habilaj – Çfarë donte?

Florian Habilaj – Asgjë, për këto… për situatën.

Moisi Habilaj – Ah, fole kokë më kokë me të? (Fole ballë për ballë)

Florian Habilaj – Po, më priti në 11:30, më paguan/ dërguan taksinë.

Moisi Habilaj – Po çfarë të tha?

Florian Habilaj – Më tha, “çfarë janë këto”… çfarë…. Si janë punët? I thashë “kështu kështu” (nënkupton që i ka shpjeguar gjithçka fill e për pe).

Moisi Habilaj – Që do të thotë?

Florian Habilaj – I thashë që ne nuk… mos u dëshpëro/ mos u shqetëso….. është çështje orësh (në kuptimin që nuk zgjat shumë ), mos e mendo më gjatë.

Moisi Habilaj – Ah, po, por duhej t’i thoje që ne nuk kemi faj, këtë duhej t’i thoje.

Florian Habilaj – Po i a thashë që ne nuk… por hiç…. Më tha: “ata e kanë bërë qëllimisht, që unë (shefi) t’i thërrisja”, shpjegoi.

Moisi Habilaj – Po, edhe ne e kuptuam. Ndaj nuk e shqetësuam (bezdisëm shefin).

Florian Habilaj – Edhe ne e morëm vesh.. dhe më tha.. “unë e thërrita dhe i thashë: nuk duhet të përfshiheshe ne lojërat e (çështje) fatit”

Moisi Habilaj – e kishte thirrur atë (nënkupton një person të tretë)?

Florian Habilaj – E kishte thirrur ky? …. “shefi i madh’” e kishte marr në tel… më dëgjon?

Moisi Habilaj – Po, më thuaj , vëlla

Florian Habilaj – E kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë se nuk duhet të ishte përfshirë (nënkupton ndoshta para’, kapitale të përbashkëta) në lojërat e fatit.

Moisi Habilaj – Po.

Florian Habilaj – Ai i ishte përgjigjur duke u justifikuar, jo këtej e jo andej…. “janë për të tjera gjëra (biznese, flet gjithmonë për para ) … “për sa i përket gjërave të tjera (në kuptimin për të ecur shpejt,’’… I kishte thënë (shefi), – atë që ke për të bërë, bëje shpejt…

Moisi Habilaj – Sepse ka humbur kohë… Po… E pastaj?

Florian Habilaj – Asgjë, …. Ai kishte filluar të dridhej dhe kishte ulur zërin.

Moisi Habilaj – …. Blasfemi.

Florian Habilaj – … “Megjithatë nuk duhet të shqetësohesh për asgjë’’- më tha në fund (shefi)… “shko dhe mos e vrit mendjen”

Moisi Habilaj – E ka të qartë ai…

Florian Habilaj – Sigurisht qe e ka të qartë, si jo… i thashë…ia thashë të gjitha, Moisi.

Moisi Habilaj – Atëherë dakord.

Florian Habilaj – Ai i tha “Ne s’kemi faj…. na shqetësoi…na shkatërroi të gjithë biznesin” – i thashë (shefit)

Moisi Habilaj – Në rregull.

Florian Habilaj – Më tha’’ shko dhe mos e vrit mendjen” dhe të bëri të fala në mënyrë të veçantë!/shekulli/


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.