KULTURË

Robert Elsie, ceremoni lamtumire me lahutë te kisha e Thethit

10:28 - 18.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Fatmira Nikolli

Robert Elsie mbërriti dje për herë të fundit në Shqipëri. Është tashmë një ardhje pa kthim dhe udhëtimi i tij i mbramë. Trupi i pajetë i albanologut në zë, mbërriti në aeroport rreth orës 11:00 pas një sërë letërkëmbimesh mes partnerit të Elsiesë Stephan Trierweiler dhe mikut  të tij prej 25 vitesh, Artur Metanit, me ambasadën shqiptare në Berlin e Ministrinë e Jashtme. Ka qenë “dragomani” i tij, Metani, ai që e ka shoqëruar në çdo udhëtim anë e kënd Shqipërisë e tokave të saj mbetura jashtë shtetit zyrtar, ai që e ka përcjellë nga Berlini në Tiranë dhe më pas e ka pritur në Tiranë për ta drejtuar makinën si gjithnjë drejt rrugëve të Elsiesë, por tashmë për të fundit herë. Në makinën që mbante arkëmortin, ku shtrohej trupi i pajetë i veshur me kostum shqiptar, Metani e drejtoi në ‘guidën’ e fundit, nga Rinasi për në Bibliotekën Kombëtare ku u mbajtën homazhet dhe prej aty për në Shkodër e mandej në Theth, ku ai do të prehet, pranë kishëzës së fshatit, këtë të mërkurë.
HOMAZHET
Presidenti Ilir Meta, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri Aldo Bumçi, kreu i opozitës Lulzim Basha, akademikë shqiptarë si Shaban Sinani e Vasil Tole, akademikë nga Kosova si Rexhep Ismajli, profesorë të Fakultetit të Tiranës, studiues, miq, dashamirës, admirues, janë falur me albanologun teksa kanë ardhur ta nderojnë në homazhet e mbajtura pranë Bibliotekës Kombëtare. Një kurorë lulesh u soll edhe nga kryeministria në emër të kreut të qeverisë, Edi Rama.
Pas homazheve, partneri i Elsiesë, Stefan Trierweiler ka saktësuar se dëshira e albanologut ka qenë të prehej në Shqipëri, ndërsa vetë ai, zgjodhi Thethin. Stephan Trierweiler tha se të mos ishte për Metanin, që është angazhuar për mbajtjen e ceremonialit në Shqipëri do të ishte e pamundur. “Thethi nuk ka qenë zgjedhje e vetë Elsiesë, por ai në të gjallë ma la mua në dorë vendin e prehjes. Zgjodha Thethin, si një vend shumë i dashur për të si studiues”,- tha partneri i jetës së Elsiesë.
Nga ana tjetër, gjuhëtari kosovar Rexhep Ismajli i njohu meritat si një ndër albanologët e huaj që e bëri të njohur kulturën shqiptare në rrafshin europian të studimeve, duke qëmtuar e përkthyer në anglisht e gjermanisht materiale për letërsinë, fotografinë, etnografinë dhe historinë shqiptare. “Albanolog i shkathët e i mirëformuar. Ka qenë zë e dritare për kulturën shqiptare kur zëri jonë nuk ishte i pranishëm, e kam pasur mik familjeje. Ai u dashurua me Shqipërinë sa u bë një ndër miqtë më të mëdhenj. E rëndësishme ishte përhapja e kulturës shqiptare dhe informacionin. Ka qenë i pranishëm në qarqe europiane me shërbimin e ndërmjetësimin e tij. Ka pasur shumë dyer të hapura e na ka ndihmuar. Dy fjalorët që ka bërë për Shqipërinë e Kosovën, Historinë e letërsisë e ka bërë me një vizion tjetër. Ka pasur rol të madh në përkthim sidomos ato në anglisht apo edhe atë të Lahutës”, tha Ismajli.
Përfaqësuesi i komunitetit të Thethit, Zef Bari, tha para mediave se ceremonia mortore në Theth do të ketë mes të tjerash edhe këngë me lahutë që sipas tij, vetë Elsie e ka dashur. “Ka kërkuar që të ketë një ceremoni me këngë me lahutë. Ne e kemi pasur traditë t’i varrosim me kostume kombëtare, e përveç kësaj ka kërkuar që të përcillet me një këngë me lahutë. Gjama nuk bëhet, sepse nuk e ka kërkuar edhe, sepse nuk e bëjmë dot aq mirë sa bëhej dikur. Duhej të ishin rreth 50 burra. Ai me sa duket e ka menduar se kjo ishte shumë e rëndë dhe shumë e trishtë”, -tha Bari.
Robert Elsie u nda nga jeta në moshën 67-vjeçare në datën 2 tetor për shkak të një sëmundjeje të rëndë, të cilën ai e zbuloi vetëm pak muaj më parë, por që ishte vdekjeprurëse duke bërë që ai të shuhej vetëm në pak kohë nga diagnostifikimi i saj. Miku i shqiptarëve, që ka punuar fort për nxjerrjen e fakteve të reja për historinë dhe gjuhën shqipe do të prehet me kostum popullor të zonës së Thethit pranë kishëzës së vogël.
FLETORJA E KAZANXHIUT
Gjuhëtari i njohur Emil Lafe, i cili ka pasur njohje e kontakte me Elsienë që në komunizëm përmes letërkëmbimeve, bëri me dije se ai do merret me botimin e veprës së fundit të albanologut që do të dalë në dritë në dhjetor.
Lafe bëri me dije se së fundmi bashkë me Elsienë kishin në dorë dorëshkrimin e Simon Kazanxhiut, dorëshkrim i vitit 1820.
E njohur si Fletorja e Simonit (Kazanxhiut) është një fletore shënimesh e shkruar me alfabetin e Dhaskal Todrit. Robert Elsie e ka tranksriptuar, bazuar në transliterimin e Qemal Haxhihasanit të vitit 1948-1949. Fletorja përmban shënime të ndryshme për lindje e vdekje në lagjen kala, shënime mbi ushqime e mbi kura për sëmundje si edhe fjalorth italisht-shqip, e polonisht-shqip.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se në Theth do të organizohet një ceremoni e veçantë para varrimit, ditën e mërkurë, 18 tetor 2017, në orën 14.00, në nder të përkushtimit dhe dedikimit që ai pati ndaj vendit tonë, traditave dhe gjuhës sonë amtare duke lartësuar vlerat, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Puna që la
I qetë, i qeshur, i urtë, i pazë, modest e timid, pa rrahur gjoksin, larg skenave e projektorëve, fjalë- pakë e punëshumë, qëmtoi për vite të gjata dëshmi të kulturës shqipe, në biblioteka e arkiva, anekënd botës. Me durimin e kërkimit të një gjilpëre në kashtën e madhe, mblodhi dëshmi të shqipes së shkruar e të folur, të historisë e fotografisë, të letërsisë e rrëfimeve, duke hedhur dritë mbi historinë e vendit tonë, që u bë i tij, falë një ngulmimi të pashtershëm për të nxjerrë në dritë gjithë çfarë shekujt kishin mbuluar e fshehur. U bë zëdhënës i kësaj kulture që strukej në një gjuhë të bukur, por të vështirë e të panjohur- i dha zë duke e përkthyer në anglisht e gjermanisht që të kishte qasjen e gjithë botës Vendosi të ikë në heshtje, pa marrë keqardhjen e askujt. Vuajti pak muaj, derisa në fillim të muajit  Robert Elsie bëri gjëmën e madhe, duke u ndarë nga jeta papritur, kaq shpejt, krejt pabesisht e para kohe e duke lënë bosh një vend të rëndësishëm e tërë- sisht të pazëvendësueshëm. Bëri i vetëm e pa buxhete më shumë se ç’kanë bërë disa titullarë me fonde të majme. Ai burrë që ikën, ai burrë që na ktheu shpinën, për gjithë ç’ka bërë na ka prerë krahët, duke na lënë pothuaj “jetimë”. Pati qarë kur në Hagë përkthente në gjyq krimet e serbëve në Kosovë, mandej me të folmen me dialekt Kosove, udhëtoi, incizoi e pra dokumentoi e dha dëshmi të pakontestueshme për Kosovën, Shqipërinë, copëzat e Shqipërisë të mbetura jashtë kufijve, për arbëreshë e arvanitë, për çamë e arbneshë të Zarës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.