Kryesore

“Saimir Tahiri është si Juventusi”, si e mbrojti Edi Rama Tahirin fiks në kohën kur kopsitej dosja “Habilaj” (FOTO+VIDEO)

16:29 - 18.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




“Ti nuk e kupton dot, që të diskutosh a duhet të jetë Saimiri ministër apo ti, është njësoj të diskutosh nëse Champions League-n do ta fitojë Juvja apo Shakohoxha”. Kështu i hakërrehej Edi Rama, Ben Blushit në 23 mars 2017 në parlament. (video KETU min 6:35)

Në të njëjtën periudhë, hetuesit e njësisë speciale të prokurorisë së Catanias kopsisnin dosjen e 4 vjet përgjimeve ambientale dhe telefonike të bandës së Habilajve që trafikoi në Itali 3.500 tonë drogë.

Në këtë dosje, kushëriri i deputetit të PS-së rezulton të paktën 1 herë si ‘pagator’ tek shefi i tij. “30 mijë euro duhet t’ja jap Saimirit. Ai bën 5 milionë euro në muaj”, i thotë Moisi Habilaj bashkëpunëtorit të tij.

Edi Rama e ka mbrojtur gjithnjë publikisht ish-ministrin e tij. Madje, Saimir Tahiri u shndërrua në shtyllën ku kreu i qeverisë mbështeti të gjithë kredibilitetin e qeverisë së vet.

Saimir Tahiri ishte “një shining star”, një “celebrity televizionesh”, madje aq shumë sa, në përpjekje të dëshpëruar për të qëndruar mbi ujë, vetëm javën e fundit u rrotullua nga “Xing me Ermalin” tek “Portokalli”, nga pro-animalizmi me nismën ekzotike “#1ligj4putra” në Kuvend tek roli i “Komisar Katanit” me Turjan Hyskën.

Saimir Tahiri nuk ka qenë dhe nuk është pra, thjesht një deputet, një ministër. Ai ishte një ‘brend’ në PS dhe kuotat e tij politike u rritën aq shumë sa shumëkush mendoi naivisht se ai mund të rivalizonte Erion Veliajn në garën “e pasardhësit”. Pra, të atij që do të pasojë Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste.

Pikërisht për këtë, pra se ishte shtylla kurrizore dhe vitrina e qeverisë “Rama”, Saimir Tahiri u sulmua pa kursim nga opozita. Deputetët e Partisë Demokratike e thonë me mburrje se ata e kanë përmendur Saimir Tahirin të paktën në 1400 konferenca për shtyp, deklarata, debate TV, komunikime publike, etj.

Aq shumë e luajti Tahiri rolin si “pasardhës” sa Partia Demokratike e sulmoi që kur PS-ja ishte në opozitë.

Dhe pavarësisht këtyre sulmeve, Rama e mbrojti. “Këto goditje të ulëta veç e nderojnë”, shkruajti ai që kur ishte në opozitë.

Atëherë çfarë ndodhi që Rama “e shiti” Saimir Tahirin, duke mos e rikandiduar në postin e ministrit të Brendshëm? Burime të shumëfishta i thanë GSH.al se roli i faktorit ndërkombëtar ishte vendimtar në këtë surprizë të Edi Ramës.

Madje, njerëz të afërt me kreun e PS-së thanë se Rama ka insistuar deri në fund për mosshkarkimin e tij, por u detyrua të marrë vendimin drastik më 11 mars 2017. E vërteta është se ai vendimin e kishte marrë më parë.

Në 3 mars, pra 8 ditë para se lajmi të bëhej publik, ish-kryeministri Sali Berisha publikoi një status duke lajmëruar ai i pari, që Saimir Tahiri ishte shkarkuar nga detyra e ministrit të Brendshëm. Përgjimet e italianëve për bandën Habilaj dhe disa lidhje të tjera të dyshimta bënë që Rama të kapej mat.

Jo se ai nuk i dinte këto lidhje. Por, sepse presioni i ndërkombëtarëve ishte: nëse e mbron, do t’i bëjmë publike këto dosje.

Andaj, megjithëse bëri një deklaratë ambigue duke kërkuar “të vërtetën” për Tahirin, Edi Rama vendosi ta mbrojë ish-ministrin e tij deri në fund duke e relativizuar sot skandalin “Habilaj-Tahiri” dhe duke krijuar paralelizmin bajat: Edhe Lulzim Basha i është shmangur drejtësisë.

Edi Rama ka vendosur ta mbrojë deri në fund Saimir Tahirin, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Duke rrezikuar të fundoset bashkë me të.

GSH.al


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Kujt i interesojnë këto shkrime? E kam fjalën për popullin. Të gjitha këto që thuhen e shkruhen, jo sot për rastin e tahos, por për të gjithë politikanët që njëherë janë edhe ose jo deputetë.E keqja ndodhet tek ju që na komentoni apo shkruani një herë për njërin dhe njëherë për tjetrin, por nuk e kuptoni që jeni po ju, është rrethi juaj. Jo luli rama sala manjani rama i burrelit, skrapari, shkodra, lezha etj etj pra jeni ju sëra juaj. Mos flisni më. Lëreni drejtësinë të veprojë, të ngjallet se e keni varrosur ju që bëni sikur sulmoni njëri-tjetrin.
    Dora e Zotit do bjerë si rrufe mbi ju .
    Filim Nefesh

    Përgjigju ↓