SPORT

Polemika mes Kontes dhe Murinjos, italiani: Të shohë skuadrën e tij, mjaft foli për të tjerët

13:22 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Champions-i ka ngritur tensionet mes dy rivalëve në Angli, Zhoze Murinjos dhe Antonio Kontes. Trajneri i Çelsit u është përgjigjur thumbimeve të kolegut të tij të Mançester Junajtid në lidhje me ankesat për dëmtimet, që të shohë skuadrën e tij dhe të mos merret me të tjerët. Italiani e vuri theksin te dëmtimet e shumta që ka në skuadër pas barazimit 3-3 me Romën në “Stamford Bridge” të mërkurën.

Por, portugezi i thumboi ata që ankohen për dëmtimet, pas fitores së Junajtidit të tij në ndeshjen kundër Benfikës. “Unë nuk flas kurrë për dëmtimet. Trajnerët e tjerë qajnë, qajnë dhe vetëm qajnë kur kanë një lojtar të dëmtuar”, tha Murinjo gjatë konferencës, duke nënkuptuar deklaratat e ish-teknikut të Juves. Të kuriozuar nga ky prononcim, gazetarët e pyetën trajnerin e Çelsit për komentet e Zhozesë, por ai u përgjigj që të mos shqetësohej për situatën në ish-klubin e tij:

“Ju mendoni se e kishte për mua? Nëse e kishte për mua, atëherë ai duhet të mendojë për skuadrën e tij dhe të shohë veten dhe jo të tjerët. Mendoj se i pëlqen shumë që të përqendrohet tek ajo që ndodh te Çelsi. E ka bërë prej një kohe shumë të gjatë, edhe gjatë sezonit të shkuar. Ai duhet të mendojë vetëm për skuadrën e tij”.

I pyetur se çfarë nënkuptonte Konte me këtë fjali të fundit, ish-trajneri i Kombëtares italiane shpjegoi: “Është marrë me ne prej një kohe të gjatë, përfshirë edhe sezonin e shkuar”. N’Golo Kante, Deni Drinkuotër dhe Viktor Moses janë lojtarët e dëmtuar të kampionëve të Anglisë, ndërsa David Luiz (pësoi një tërheqje muskulore në kofshë) dhe Timue Bakajoko (tërheqje në ijë) janë lojtarët e fundit që iu shtuan infermierisë pas dëmtimeve që pësuan në ndeshjen e fundit kundër Romës, shkruan PanoramaSport.

Edhe kapiteni Kejhill doli me një goditje nga sfida me italianët. Çelsi do ta presë Mançesterin në “Stamford Bridge” më 5 nëntor dhe marrëdhënia e dy trajnerëve deri atëherë pritet që të ketë shkëndija edhe më të forta. Murinjo e tregoi në përballjen e sezonit të shkuar se nuk është një mik i italianit, kur e kritikoi për mungesë respekti për mënyrën e festimit të golave ndaj Junajtid.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.