KULTURË

Saz’iso, gëzimi dhe trishtimi i muzikës së Shqipërisë së Jugut

10:30 - 20.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Vallëzimi i gëzueshëm dhe vajtimi zëmërthyes i sazeve janë incizuar pak dhe janë pak të njohura jashtë Shqipërisë. Kompania “Glitterbeat Records” dhe producentët e Saz’iso kanë kënaqësinë të njoftojnë daljen në treg të albumit muzikor “Ma tund moj të shkretën mandile: Gëzimi dhe trishtimi i muzikës së Shqipërisë së Jugut” nga grupi virtuoz i muzikantëve dhe këngëtarëve legjendarë të mbledhur posaçërisht nga producentët Joe Boyd (Pink Flloyd, Nick Drake, Cubanismo, Songhai) , Edit Pula (BBC Radio 3 “World Routes” Albania, “Të kam lënë malin” LP – Pavijoni Shqiptar  në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, 2016), dhe Andrea Goertler (konsulente në GIZ), album që është incizuar nga inxhinieri Jerry Boys, fitues  i çmimit Grammy (Buena Vista Social Club, Ali Farka Touré, Orchestra Baobab). Çelsi që hapi derën e muzikës shqiptare për amerikanin Joe Boyd, ishte bashkëpunimi mes entomuzikologes  dhe producentes muzikore Lucy Durán dhe artistes shqiptare Edit Pula në vitin 2011 për të realizuar dokumentarin muzikor me tri seri kushtuar Shqipërisë titulluar “Rrënjët e Botës”, i cili u trasmetua në Radion 3 të BBC. Këtë seri mund ta dëgjoni ende online  (http://www.bbc.co.uk/programmes/b016kdcj).  Ndërkohë gjermania Andrea Goertler, e cila jeton dhe punon në Tiranë si konsulente për GIZ, jo vetëm që e kish zbuluar muzikën tradicionale shqiptare, por ishte bërë njohëse dhe kërcimtare e pashoq e valleve shqiptare. Në vitin 2014, Joe mori pjesë, së bashku me Lucy Duran, si mysafir në ditëlindjen e Editit,  festimin e së  cilës Editi e organizoi me ndihmën e Andreas. Dhe që në atë festë, bashkë me miqësinë, u forcua edhe ideja e bashkëpunimit mes të treve për të prodhuar një album me incizime të muzikës popullore shqiptare.  Endrra u bë realitet përmes organizimit të një fushate për mbledhjen e fondeve nëpërmjet platformes dixhitale Kickstarter. Me kontributet financiare të miqve dhe njerëzve të panjohur, artdashës dhe fansa të muzikës nga e gjithë bota, mbërritëm  të  mbledhim fondet për realizimin e këtij albumi. Këngëtaret Donika Peçallari dhe Adriana Thanou janë nga Përmeti, djepi i sazeve. Talenti i tyre u zbulua kur ato ishin ende adoleshente. Të dyja kanë dhënë shfaqje me artistin e famshëm të muzikës popullore Laver Bariu në festivalet dhe konkurset kombëtare të kohës. Donika ka një zë të shkathët e të fuqishëm, ndërsa zëri i Adrianës është i ngrohtë dhe me tone delikate. Të dyja u larguan nga Shqipëria gjatë trazirave pas viteve 1990 dhe që atëherë kanë rifilluar punën dhe jetën në Athinë. Donika ishte e vendosur që të mbante kontakte me skenën artistike të mëmëdheut: ka pasur raste kur ajo ka kalur malin dhe kufirin ilegalisht në këmbë vetëm e vetëm për të marrë pjesë në festivalet kombëtare. Ndërsa Adriana nuk kishte kënduar për dy dekada, para se të fillonte të jepte përsëri shfaqje para diasporës shqiptare në Greqi. Siç e shpjegon z. Vasil S Tole, ekspert i iso-polifonisë dhe këshilltar i këtij projekti: “Sazet mbeten edhe sot gjuha muzikore e qyteteve të jugut të Shqipërisë, ku Lindja dhe Perëndimi u përqafuan, ku instrumentet europiane u përplasën me magjinë e a cappella-s iso-polifonike dhe ku jeta dhe vdekja ende bashkëekzistojnë në një tingull, i cili është vërtet unik”.  Vallet instrumentale kanë rrënjë të thella në historinë e rajonit. Valle e Osman Takës, për shembull, është bazuar mbi legjendën e këtij udhëheqësi rebel të kapur nga armiqtë, i cili kërkon, si dëshirë të fundit, të kërcejë një valle. Mjeshtëria e kërcimit të tij i mahnit armiqtë, të cilët ndërrojnë mendje dhe e lënë të lirë. Ndërsa Valle Postenançe është një vallë delikate grash, e cila është shumë popullore në rajon.  Ndër të gjitha format e muzikës instrumentale të zonës asnjë tjetër nuk rezononon më shumë fuqi prekëse sesa kabaja. Sipas legjendës, kjo lloj muzike lindi kur një grua, teksa po vdiste, ju lut të shoqit që të mos e qante, por, në vend të tij, ta linte klarinetën të qante mbi arkivolin e saj. Ky album i përfshin të dyja: kaba me klarinetë dhe kaba me violinë, si edhe një avaz (që është një improvizim i lirë me të gjithë instrumentat). Tingujt melankolikë të improvizuar të klarinetës apo violinës krijojnë një gjendje, së cilës shpesh i referohen si ‘muzika blues shqiptare’. Saz’iso do të bëjë një turne 10-ditor në Mbretërinë e Bashkuar nga 1  deri 11 nëntor 2017 nëpërmjet kompanisë “Making Tracks”, e cila mbështetet financiarisht nga Këshili i Arteve të Anglisë, në bashkëpunim me qëndrën Barbican LSO St’Luke për koncertin e datës 4 nëntor 2017 në Londër. Artistët e Saz’iso janë:Donika Pecallari, vokal; Adrianna Thanou, vokal; Robert Tralo, vokal
Aurel Qirjo, violinë & vokal; Telando Feto, klarinet; Agron Murat, llahutë; Agron Nasi, dajre dhe Pëllumb Meta, fyell. Producentë janë Joe Boyd, Edit Pula & Andrea Goertler e inxhinier, Jerry Boys.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.