MILOSAO

Qytetërimet përmes dy feve kryesore

10:21 - 23.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Ben Andoni

Autori, një emër i njohur në studimet teologjike, ka zbritur në lëmin e botimeve me një libër të ri me diapazon të gjerë qasje. Fryt i viteve të tëra studimesh dhe sintezë e punës së tij studimore në teologji, ai na ka dhënë një paraqitje jo të zakonshme të panoramës së fesë dhe ndikimit të tyre në civilizimet e sotme. Ermir Gjinishi, një emër korrekt dhe studiues serioz, në lëmin e diturive fetare ka kaluar një barrierë të madhe dhe ajo lidhet jo thjesht me paragjykimet që ne kemi sa i përket fesë (trashëgim i pastër prej komunizmit), por veçanërisht mungesës së përqendrimeve reale të punës studimore në këto lëmë. Këtu shtojmë mungesën e literaturës së nevojshme kombëtare sa i përket fesë. Duke e njohur këtë problematikë, ai na sjell në botimin “Krishtërimi dhe Islami: dy fe dy qytetërime”, një sintezë që do të shërbejë thellësisht për edukim por edhe një prekje analitike-logjike të zhvillimeve më të fundit, por edhe gjithçka njihet nga feja. Në këtë botim, duhet të themi se studimi i tij është i gjallë e se mbështetet në fakte, ngjarje dhe analiza të strukturuara mirë.
Në një farë mënyre, sfida e tij merr një rëndësi të dorës së parë në lidhje me përplasjet e sotme që kanë civilizimet por edhe shndërrimet ideologjike dhe deri në qasjet praktike dhe devijimet që i janë bërë fesë nga aktorë të ndryshëm. Mbi të gjitha panjohjes që ka në përgjithësi publiku shqiptar me argumentin në fjalë. Kur ndjek paragjykimet dhe të gjithë ato teori që rrjedhin prej moskuptimit të fesë, atëherë libri vërtetë mendojmë se do të shërbejë shumë. Qoftë edhe si burim njohje.
Formimi i gjerë në fushën teologjike, lehtësia e përdorimit të zërave autoritarë të bibliografisë ndërkombëtare e bën autorin që të jetë shumë i qartë, por edhe tejet konkret në qasjen e tij. Në studimet e autorit, megjithëse sot ka një frymë që beson se misioni i fesë është i tejkaluar, ai provon se ndikimi fetar jo thjesht është i madh, por madje edhe shumë më i madh do të jetë në të ardhmen.
Qasja ndaj dy feve kryesore, Krishtërimit dhe Islamit ka edhe një prekje që duhet thënë se është statistikore, pasi sëbashku këto religjione përmbledhin në radhët e tyre rreth 3.5 miliardë njerëz, një armatë e tërë e dukshme dhe e padukshme që ndikon në problematikat ndërkombëtare dhe shumë më tepër në botëformimin e njerëzve të sodit. Për autorin, të paktën nga ajo që ai ka bërë si objekt të punës së tij, nuk duhet të harrojmë se këto fe kanë qasje të përbashkët dhe derivojnë nga Judaizmi monoteist dhe jo më kot këto njihen si “fe abrahamite”.
Duke shtuar edhe qasjet e tjera, që autori na i tregon në forma të ndryshme, një lexues i thjeshtë, por edhe një i kultivuar ka mundësi të lodrojë përveç të tjerave dhe në njohuri, që falë penës së autorit i merr shumë të strukturuara.
Meritë e autorit është se studimi i tij referim ka metodën krahasuese dhe nga kjo ai nxjerr përfundime lidhur me të veçantat dhe jo të zakonshmet, që kanë këto fe njëra me tjetrën. Kuptohet se vetëm roli njohës nuk mund të shërbente si duhet për shtjellimin e punës së autorit, ndërkohë që ai është dashur të bëjë një analizë të qartë në dy qasjet kryesore filozofike: atë që është analitike dhe tjetrën, që konsiderohet si kontinentale.
Struktura e librit përmbledh në vetvete katër sythe, ku në pjesën e parë flitet për “Fetë dhe qytetërimet nga këndvështrimi i studiuesve të ndryshëm” e në këtë hapësirë autori na përball me raportet historike të feve, me qytetërimet e kulturat, gjithnjë të para në vështrimin e historianëve, antropologëve, etnologëve dhe sociologëve. Në këtë syth kemi edhe shumë perceptime por edhe zhvillimin e botëkuptimit ndërqytetërimor…
Në pjesën e dytë kemi ose më qartë në këtë syth vëmendja shkon ngushtësisht tek “Dy librat e shenjtë”, ku falë punës së Gjinishit kemi një përpjekje për njohjen edhe krahasimin e teksteve bazë të Krishtërimit dhe Islamit, përkatësisht Biblës dhe Kur’anit. Studimi krahasues i fesë nuk shqyrton se çfarë është e mirë dhe e gabuar në konceptet fetare. Interesant mbetet në këtë syth se kjo disiplinë futet direkt në fushën e fenomenologjisë duke i vendosur ngjarjet në kontekstin e tyre.
Në pjesën e tretë kemi një syth që i kushtohet Skizmave dhe Sekteve por edhe zhvillimet më të mëdha që ndodhin nën dukurinë e skizmës. Këto ndërfuten natyrshëm dhe si ndërhyrje e kulturave e feve të ndryshme. Dhe, përfundimi i vëmendjes na ndodh me sythin e katërt “Dialogu ndërfetar, evoluimi dhe perspektiva” që shërben jo thjesht si mbyllje e punimit por trajtohet së gjëri edhe dialogu ndërfetar si koncept, dukuri, histori dhe zhvillim.
Për t’i dhënë frymëmarrjen e duhur librit, në këtë syth është lënë një hapësirë e domosdoshme për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, si rast unik. Një miniseksion, që autori me siguri do ta zhvillojë shpejt në të ardhmen.
Interesant,  e këtë e përsërisim, është për autorin masa e madhe e referencave, por edhe mënyra sesi janë shtjelluar në këtë libër, që mendojmë se është një kontribut i mirë për letrat shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.