Show-Bizz

Rrëfimi i ish-ministrit, juristi në politikë që mbeti jurist

09:22 - 25.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Egla XHEMALI

 

Një nga figurat më të njohura të politikës dhe avokatisë në Shqipëri vjen në një rrëfim për suplementin “Vip Pages” të “Gazeta shqiptare”. Bëhet fjalë për Ylli Manjanin. Rrugëtimi i tij në politikë ka nisur që në vitin 2002, kur i është bashkuar stafit të kryeministrit Fatos Nano e për të vazhduar më tej në PS deri në vitin 2010. Në vijim kontributi i tij ka qenë dhe është te LSI. Manjani na tregon se nëse do kishte mundësi të rizgjidhte profesionin, do ishte bërë mjek. Sa i përket pyetjes sa të bën të pasur politika, ai tregon se ka pasur dhe ka bindje të thellë se politikan është ai që i shërben publikut. Manjani bën politikë kritike në media dhe në rrjetet sociale. Sipas tij, vetëm bashkimi i forcave opozitare do jetë kyçi i suksesit opozitar. Manjani na tregon se ka mësuar politikën nga Fatos Nano, nga Rama ka mësuar elementë të aktrimit politik, ndërsa nga Meta ka mësuar durimin, por edhe guximin, kurajën e njëkohësisht nevojën për të mbajtur fjalën e dhënë. Ka mësuar edhe nga Berisha indirekt, nevojën për të bërë politikë me substancë. Sa u përket impenjimeve, Manjani pohon se puna e tij është avokatia, konsulenca ligjore. Përpos politikës, Ylli Manjani na tregoi edhe për familjen e tij. Familja që ka ndërtuar me Evën është kryevepra e tyre. Për ata, rritja dhe edukimi i fëmijëve është një akt tolerance. Momentin më të lumtur, ai quan ardhjen në jetë të dy djemve Redit dhe Tonit. I pyetur nëse do të donte që ndonjëri nga djemtë të merrej me politikë, Manjani thotë se nuk do të donte që ata të bëheshin politikanë. Sidoqoftë, edhe nëse do të duan të merren me politikë, do të donte që këtë ta bëjnë vetëm pasi të bëhen më parë profesionistë. Nëse do t’i duhej t’a “braktiste” politikën, arsyeja e largimit nga çdo angazhim politik i tij do ishte për të qenë gjyqtar i shkallës së parë.

 Si ka nisur karriera juaj në politikë?

Në vitin 2001 u njoha rastësisht me Fatos Nanon. Asokohe punoja në Prezencën e OSBE-së dhe për shkak të punës, kisha edhe kontakte me njerëz të politikës. Në këtë kontekst u njoha dhe zotin Nano. Në vitin 2002 u bashkova me stafin e tij në Kryeministri dhe aty thellova njohjet e mia me njerëzit e politikës, por edhe me politikën. Zyrtarisht në një parti politike jam ftuar nga Edi Rama në vitin 2005. Kjo është shkurtimisht historia e fillimit të angazhimit tim me politikë. Në vijim kam kontribuar në PS deri ditën (viti 2010) kur Edi Rama nuk më thirri në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare si shenjë ndëshkimi për rreshtimin tim në grupin e Blushit. Në vijim kam kontribuar dhe ende kontribuoj në LSI.

Nëse do e ndalnit kohën, cilin profesion do kishit dashur të zgjidhnit?

Nëse do të kisha mundësi të rizgjidhja profesionin, do isha bërë mjek. E kam dashur këtë profesion gjithmonë.  Nëse do kisha mundësi të zgjidhja punën që do kisha qejf të bëja si jurist, do kisha punuar me shumë qejf gjyqtar në shkallën e parë. Aty bëhet gjyqi. Aty dëgjon pjesë jetësh njerëzore. Aty jepet drejtësia e vërtetë. Më lart bëhet drejtësi sallonesh…

Të bën të pasur politika?

Ka njerëz që nëpërmjet politikës janë bërë të pasur, pa dyshim. Politika është kontakt me njerëz dhe me interesat e tyre. Politika administron interesa dhe shpesh nga kontakti me to, politikani përfiton. Këtu rrëmohet gjithnjë për të gjetur rrënjët e korrupsionit, por jo gjithmonë ndodh kështu. Politikani në radhë të parë është i detyruar të udhëhiqet nga interesi publik. Te fakti se sa afër këtij interesi është politikani, përcaktohet edhe votueshmëria e tij nga njerëzit. Për fat të keq, aktualisht në Shqipëri këto gjëra janë ngatërruar keq. Nuk merret më vesh se ku fillon e ku mbaron publikja e privatja tek politikanët. Sa më takon, kam pasur dhe kam bindje të thellë se politikan është ai që i shërben publikut. Për fat të keq, nëse shërbimi ndaj publikut nuk “shoqërohet” me ndonjë shërbim ndaj privatit, të bën të papranueshëm mjedisi i sotëm politik. Dhe që t’i vë kapak përgjigjes, nuk jam i pasur dhe as më ndihmoi politika të ndryshoj gjendjen pasurore. Bashkë me Evën kemi punuar gjithnjë në profesion dhe kemi jetuar e jetojmë mirë. Në disa raste përfshirja ime në politikë na ka ndëshkuar.

Çfarë opozite do shohim në parlament?

Opozitën parlamentare e përcjell edhe unë ashtu si ju nëpërmjet medias. Pra, nuk jam aktor, por spektator. Unë vetë bëj politikë kritike në media dhe në rrjetet sociale. Megjithatë, kam një konstatim për opozitën dhe një për median. Partitë e opozitës po bëjnë opozitë sipas situatave që provokon qeveria. Deri diku kjo është normale, sepse është vetëm fillimi i legjislaturës. Opozitës nuk mund t’i kërkohet alternativë, sepse nuk është se qeveria vetë fitoi si alternativë. Ajo deshi tepsinë dhe e mori. Çdo grupim apo individ që artikulon diçka politike pa dyshim që është më e mirë se tepsia. Sidoqoftë, bashkimi i forcave opozitare është kyç i suksesit opozitar. Tashmë opozita politike është bashkë dhe ky është lajm i mirë. Me gjithë projektet e Ramës për t’i mbajtur partitë e opozitës të përçara, ato janë bashkë. Nga ky bashkim mund të lindë edhe alternativa e re politike dhe qeverisëse. Fakt është që qeveria e sotme është kapur në flagrancë në lidhje me krimin. Halli i rilindjes është pastrimi i parave që ka bërë në katërvjeçarin e parë dhe jo të qeverisë së drejt e me përgjegjshmëri. Ndaj, opozita ka një mundësi të artë të ndërtojë një alternativë shumë solide qeverisëse. Së dyti, media nuk mund të mbajë frymën e as të ndalojë kohën duke gjykuar opozitën. Kjo është poshtërsi. Opozita nuk gjykohet më shumë se gjykimi që iu bë në zgjedhje. Opozita nuk qeveris, por kritikon. Dhe nuk mund të kritikohet kritika, se është logjikisht e papranueshme. Analistë e medias kanë lënë fare qeverinë që bën gjëma çdo ditë dhe merren me opozitën. Kulmi! Ka një dashakeqësi të dukshme ndaj opozitës. Për çdo gjë që bën i thonë – s’është kjo opozita; ose – na lodhët, etj… pra nuk i lodh e as i sëkëlldis qeveria, por opozita. Kjo vetëm në Shqipëri ndodh. Kjo tregon sesa rëndë është situata e mediave. Sidoqoftë, denoncimi i lidhjeve të qeverisë me krimin është një detyrë shumë e madhe dhe opozita po e bën shumë mirë. Nuk i kuptoj fare ata që artikulojnë “fajin e opozitës pse qeveria ka lidhje me krimin”. Domethënë, i kuptoj fare mirë! Janë medinë gazetarë, që i shërbejnë qeverisë.

Si janë raportet tuaja me kundërshtarët politikë? Për kë nga politikanët keni më shumë respekt?

Për mua, kundërshtar politik quhet cilido që ka një ide apo mendim ndryshe nga imi. Kudo qoftë ai/ajo. Pra, mbetet tek kundërshtia ideore dhe jonjerëzore. Kam mësuar politikën nga Fatos Nano. Ishte universitet politik ai njeri. I shoqëruar nga vështirësi njerëzore, nga ai kam mësuar shumë nocione politike. Artikulimi i idesë, dialogu, toleranca por edhe vendimmarrja e konsultuar janë shkolla politike e Fatos Nanos. Ai fitoi simpatinë e njerëzve edhe për mesazhet e sofistikuara, por edhe të drejtpërdrejta. Në këtë kontekst, Nano ishte dhe mbetet universitet i mendimit politik në Shqipëri. Nga Rama kam mësuar elementë të aktrimit politik. Substanca e politikës që Nano e kishte aset (më vonë mësova që edhe Berisha ishte politikan i substancës) humbet thuajse e tëra tek stili i Ramës. Duhet thënë se Rama ka qenë i suksesshëm me aktrim. Nga Meta kam mësuar durimin, por edhe guximin, kurajën e njëkohësisht nevojën për të mbajtur fjalën e dhënë. Kam mësuar edhe nga Berisha indirekt, nevojën për të bërë politikë me substancë. Por jam ndarë (jo për gjithmonë) me të gjithë kur më është dashur të jem jurist. Të gjitha debatet e mia në mjedisin politik vijnë si reagime për ligjshmërinë dhe konstitucionalizmin. Në këtë pikë nuk jam tërhequr asnjëherë. Jam larguar ose më kanë larguar, por jo tërhequr.

Fakt është që politika del shumë shpesh mbi ligjin. Fakt është që Kushtetuta në Shqipëri është katandisur si letër që ndez zjarrin dhe jo si dokument serioz që shuan konflikte. Kjo gjë ka ardhur duke u përkeqësuar nga një kryeministër tek tjetri. Ndaj nuk jam pajtuar me asnjë në këtë këndvështrim.

A keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria?

Në situata të caktuara e kam shprehur këtë gjë. Kthimi i partisë-shtet në krye të punëve nuk është një gjendje që sjell shpresë, me thënë të drejtën. Kishim menduar se partia-shtet ishte zhdukur nga realiteti politik, por mesa duket paskemi gabuar. Në kushtet e partisë- shtet gjërat bëhen natyrshëm të zymta. Ka vetëm një udhëheqës që qan e zgjidh hallet e popullit (në fakt, nuk zgjidh asgjë) dhe kjo është revoltuese. Mirëpo vjen një moment që edhe revolta pushon dhe aty fillon e humbet shpresa. Ndaj njeriu kërkon të largohet. Pastaj kur bën pyetjen “ku”, fillon përshtatja… Mesa dëgjoj, kjo gjendje është tek shumë njerëz, përveç atyre që kanë dashur e duan të ikin sido të jetë situata politike këtu. Sidoqoftë, për momentin mendoj të punoj këtu në profesionin tim të avokatit dhe të merrem edhe politike ashtu siç di, duke menduar dhe u shprehur lirisht. Angazhimet në parti në këtë moment i kam minimale, por në çdo rrethanë më ka pëlqyer dhe më pëlqen të mendoj si njeri i lirë. Por kur kam mandat përfaqësimi, veproj sipas rregullave të etikës së grupit.

Përveç politikës, cilat janë impenjimet tuaja?

Ju thashë që puna ime është avokatia, konsulenca ligjore. Politika për momentin nuk është punë, por qejf.

Keni 20 vite që jetoni me bashkëshorten tuaj, Evën. Si ka qenë jeta juaj?

Kemi hyrë në fakt në vitin e 21 -të të martesës. Mund te them se familja që kemi ndërtuar është kryevepra jonë. E kemi bërë me shumë dashuri dhe e mbajmë dhe e përmirësojmë me po të njëjtën dashuri. Jeta jonë ka qenë e rrethuar dhe ende është kështu, me miq e me shokë. Kemi punuar dhe ende punojmë jo pa stres, por me shumë dëshirë.

Cili është pasioni më i madh që keni?

Gjithçka lidhet me familjen. Rritja dhe edukimi i çunave na ka marrë shumë kohë. Jemi të dy natyra të forta, por edhe tolerantë.

Jeni babai i dy djemve. I toleroni apo jeni kërkues ndaj tyre?

Bashkë me Evëm kemi mësuar se rritja dhe edukimi i fëmijëve është një akt tolerance. Por që toleranca të ndodhë duhet që më parë të ekzistojë argumenti i fortë e ndonjëherë edhe ndëshkimi. Pra, kjo punë është tërhiq e mos e këput (qesh). Sidoqoftë, Eva është bashkëbiseduesja e përminutshme me Redin dhe Tonin. Dhe e bën këtë gjë pa u lodhur.

Do donit që ndonjëri nga djemtë të ndiqte hapat tuaj drejt politikës?

Me thënë të drejtën, jo. Nuk do desha që çunat e mi të bëheshin politikanë. Natyrisht, ata janë rritur të lirë mjaftueshëm për të marrë vendime për veten. Edhe tani që janë në shkollë, vendosin vetë. Ne përpiqemi të japim ndonjë këshillë ‘se duam, s’duam konsulentë jemi’ (qesh) Sidoqoftë, edhe nëse do të duan të merren me politikë, do të desha që këtë ta bëjnë vetëm pasi të bëhen më parë profesionistë. Nuk bëhesh politikan pa shkollë e pa profesion. Është i gabuar modeli i politikanëve nga bankat e shkollës, më duhet ta pranoj këtë gjë. Politikani i mirë është profesionist dhe njeri i mirë. Dhe këto cilësi forcohen me kalimin e kohës.

Cila ka qenë dita juaj më e lumtur?

Pa dyshim kur Redi (1997) dhe Toni (2000) erdhën në jetë. Ata ishin kurorëzim i kryelumturisë që përjetuam kur Eva dhe unë u njohëm.

E keni menduar ndonjëherë shkëputjen nga politika? Nëse po, cila do të ishte arsyeja e “braktisjes” së saj?

Unë jua thashë se si e konceptoj marrjen me politikë. Mbetem në thelb një jurist jo tolerant dhe një njeri i lirë në shpirt, po aq sa korrekt në respektimin e detyrave përfaqësuese. Nga ana tjetër, nuk besoj se njeriu hyn e del në politikë. Çdokush merret me politikë edhe kur nuk hyn në parti. Të mendosh e të flasësh për politikë është detyrë qytetare. Por, do të kisha hequr dorë nga çdo angazhim politik për të qenë gjyqtar i shkallës së parë.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.