KULTURË

Tirana lexon, nisma dhe Festivali Ndërkombëtar kthen sytë nga letërsia

09:37 - 27.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Njëfarë e premteje/ po shkoj të blej shpirtra/ (për ty)/ në Naschmarkt/ tri herë pesëdhjetë cent/ përvëluar krah për krah,/ kjo kishë, mendova pas/ një nate të përgjumur/ ka diçka prej kurrille mbretërore/ qafë të gjatë fyt të kuq pala lëkure anash/. Këto janë vargje të poetes Andrea Grill, përkthyer nga Jonila Godole. Grill është një prej shkrimtarëve që vjen në Shqipëri në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, që mbahet në Tiranë në datat 26-28 tetor. Organizuar nga IDMC me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Tiranës, Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë në Tiranë (TILF) “Letërsi në lëvizje”, ka ftuar autorë nga Shqipëria, Austria, Gjermania, Franca, Italia, Maqedonia, Suedia të dialogojnë me njëri-tjetrin, si dhe me publikun e gjerë, të rinj, studentë dhe të apasionuar pas letërsisë. Andrea Grill (Austri), Daniela Danz (Gjermani), Entela Tabaku Sörman (Suedi/Shqipëri), Jürgen Banscherus (Gjermani), Karl – Markus Gauß (Austri), Muriel Barbery (Francë),

Nikola Madzirov (Maqedoni), Roland Sejko (Itali/Shqipëri), Rudi Erebara (Shqipëri) dhe Thanas Medi (Shqipëri) janë atërorët veprat e të cilëve do të lexohen duke pasur të pranishëm shkrimtarët dhe përkthyesit e tyre.

Sipas drejtores së IDMC, Jonila Godole, moto e TILF 2017, “Letërsi në lëvizje” synon t’u japë autorëve mundësinë që të rrëfejnë rrugëtimin e tyre letrar dhe gjeografik: Letërsia në lëvizje, sfidat e migrimit, udhëtimi dhe mbërritja. “Leximet gjatë festivalit duan të hapin një dialog me publikun mbi këto tema dhe fate njerëzore, të cilat në 27 vitet e fundit kanë kaluar rrugëtime të brendshme e të jashtme, lëvizje demografike dhe migrim. Veçanërisht, publiku i ri shqiptar ka nevojë për këto perceptime që vijnë nga vende të ndryshme evropiane”,-thotë Godole. Sipas saj, festivali kthehet në një auditor të hapur mes të ftuarve dhe publikut për të reflektuar mbi letërsinë bashkëkohore dhe artin në tërësi përgjatë ndryshimeve politike, shoqërore dhe kulturore që ka kaluar Shqipëria. “Festivali, siç është krijuar traditë, hap siparin me maratonën e leximit #TiranaLexon në kafenetë letrare, klasat dhe biblioteka të ndryshme duke iu drejtuar të gjitha grupmoshave nga fëmijët te më të rriturit. Kombinimi i këtyre dy aktiviteteve shpresojmë të përmbushë shijet dhe pritshmëritë e një audience të gjerë letrare me shije të shumëllojta”,-shton ajo.

Mes lexuesish dhe autorësh në sallën gjermane të Bibliotekës Kombëtare, Ministrja e Kulturës u bëri një ftesë të hapur mediave, por jo vetëm, të bashkëpunojnë më shumë mbi shqetësimin që ajo ndau me miqtë e librit, jo vetëm si ministre, por edhe si njeri i letrave.

“Kemi humbur 2 gjenerata lexuesish, por jemi në kohë për të edukuar ata që po vijnë. Duke qenë se jemi një shoqëri që jetojmë shumë virtualisht, rrjetet sociale dhe media, secili prej nesh, le t’i kushtojë 1 minutë në ditë takimit për një libër, kësaj propagande. Pini atë kafenë dhe bashkë me kafenë dhe një libër. Do t’i bëjmë një të mirë shumë të madhe vetes dhe fëmijëve”,-tha ministrja Kumbaro.

Këtë vit nisma kushtuar librit “Tirana lexon”, synon të çojë librin edhe në periferitë e kryeqytetit, si në bibliotekën e Bathores, por edhe të kthehet në një traditë leximi, që të mbushë me lexues kafenetë e çdo qyteti.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.