MILOSAO

Gašper Malej, një përkthyes dhe poet slloven në “POETEKA – Tirana in Between” 2017

14:57 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Rezidencë europiane për shkrimtarë dhe përkthyes letrarë

Gjatë muajit shtator, mik në Rezidencën letrare “POETEKA Tirana in Between” ishte përkthyesi dhe poeti slloven Gašper Malej. Kjo rezidencë, që fton shkrimtarë dhe përkthyes letrarë nga rajoni dhe Europa, organizohet prej pesë vjetësh nga Poeteka me mbështetjen e rrjetit europian për letërsinë dhe librat TRADUKI, Ministrisë së Kulturës, Ambasadave të Gjermanisë, Austrisë dhe partnerëve të tjerë vendas.
Gašper Malej lindi në vitin 1975, në Koper, Slloveni, qytet ku dhe jeton e punon. Në vitet 2004 dhe 2009 ai botoi dy librat e parë në gjuhën sllovene: Otok, slutnje, poljub (Ishull, paralajmërime, një puthje) u propozua për çmimin e “Librit të parë më të mirë në Slloveni”. Pas tij erdhi libri Rezi v zlatem, ndërkohë që gjatë vitit 2017 ai ka bërë gati për botim edhe librin e tij të tretë me titull Pod to celino (Nën këtë kontinent).
Poezia e Gašper Malej u përkthye që herët dhe me përhapje të gjerë, në njëzet gjuhë të huaja, duke u përfshirë në disa prej antologjive të botuara në Slloveni dhe jashtë saj. Falë kësaj njohjeje ai u ftua të merrte pjesë në shumë festivale letrare në Europë dhe në botë, mes të tjerësh në festivalin e Poezisë në Pekin, në Nikaragua apo në Kolumbi. Ai është ftuar të bashkëpunojë gjithashtu edhe në atelie të shumta për poetë dhe përkthyes letrarë, ku ushtrohen teknikat e shkrimit krijues dhe të përkthimit letrar.
Për krijimtarinë e tij Gašper Malej është vlerësuar shpesh me çmime. Në vitin 2008 ai u nderua me Grantin e Ministrisë së Kulturës së Sllovenisë “Për autorë të shkëlqyeshëm të letërsisë”, çmim ky që në vitin 2016 vijoi me Grantin e Agjencisë Sllovene të Librit (JAK) “Për autorë të shkëlqyeshëm të letërsisë”. Po ashtu edhe në vitet 2007, 2010 dhe 2015 ai u nderua me çmime e grante pune nga Organizata Sllovene e Përkthyesve Letrarë. Për meritat e punës së tij si përkthyes, në vitin 2011 Gašper Malej u nderua me çmimin prestigjioz “Zogu i Artë” për përkthimin e romanit P. P. Pasolini-t “Petrolio”. Në vitin 2016 atij iu dha edhe një çmim i veçantë kombëtar për përkthim, akorduar nga Ministria Italiane e Kulturës dhe Turizmit.
Përveç çmimeve dhe nderimeve letrare, në vitet 2013 dhe 2016 Gašper Malej fitoi bursën për qëndrim njëmujor në Ventspils (Letoni) si autor në Rezidencën për Shkrimtarë dhe Përkthyes. Në qershor të vitit 2015 ai ishte i fuar në Rezidencën e Shkrimtarëve në Vjenë, mbështetur nga Ministria Sllovene e Kulturës dhe në dhjetor të vitit 2016 ai fitoi të drejtën për të qëndruar në rezidencë pranë Qendrës Baltike për Shkrimtarë dhe Përkthyes (Visby, Suedi).
Pas krijimtarisë poetike, veprimtaria kryesore e Gašper Malej është përkthimi i fiction dhe non-fiction bashkëkohor italian, ku përfshihet poezia, narrative, drama, esetë etj.
Bibliografia e përkthimeve të tij nga gjuha italiane në atë sllovene është mjaft e pasur dhe përfshin rreth 30 libra të zhanreve të ndryshme. Krahas këtyre janë edhe mbi 150 përkthime të shkrimtarëve sllovenë, të cilët janë botuar në revista letrare, në gazeta si dhe janë lexuar në Radion Kombëtare. Ai ka përkthyer edhe pjesë për teatër.
Gašper Malej është gjithashtu një nga anëtarët-themelues dhe, prej vitit 2009, është edhe kryetar e redaktor ekzekutiv i KUD AAC Zrakogled – një shoqatë kulturore jofitimprurëse me qendër në Koper, e cila që nga viti 2011 boton serinë “Helia”, kushtuar përkthimit të librave fiction të autorëve bashkëkohorë të Mesdheut, të tillë si D. Drndiæ, N. Milani, F. Ebejer, Z. Zateli, JJ Millas, J. Nikolaidis, D. Velikiq, N. Fabrio.
Ndër autorët italianë të përkthyer prej Gašper Malej përmenden Dino Campana, Cesare Pavese, P.P.Pasolini, Paolo Ruffilli, F. T. Marinetti, Dario Fo, Antonio Tabucchi etj.

Nga Gašper Malej*

Si një flutur e heshtur,
që në boshllëkun e erës pret
rrëshqitjen e hijeve
të çlirohet
nga përfytyrimet e mendjes
dhe mbretëritë e tokës.
Ke filluar t’i theksosh limitet;
në përplasjen e krahëve të saj
zbërthen arratisjen e botës,
që as nuk i prek tregtarë,
argjendarët dhe profetët
që betohen në histori.
Zëri yt është më i qashtër si grija
e gurëve të çmuar dhe peliçeve me shkëlqim:
siç mulliri i reziston
tundimit të zjarrit të tij.
Në flatrimin e një fluture
lëkundet dhe ulet qetë.

***
Në çastet e heshtjes më të thellë
je i ftohtë, magjepsës si një sirenë.
Pasi fërkon mirë dyshemenë,
Dhe me përkushtimin t’i bësh pjatat të shkëlqejnë,
mund t’i kushtohesh poezisë.
Këto fjalë të vënë në mëdyshje.
Provon me një karficë të vogël,
me një gjilpërë, me kalin prej druri
të një fëmijërie të pajetuar.
Provon sërish, e pastaj sërish.
Durimit i erdhi fundi.
S’mund të arratisesh më: emrat
shkojnë e vijnë. Herët a vonë
do të bien në paqe,
ndoshta pak më shumë objekte boshe.
***
I lodhur nga pritja,
I lodhur nga zërat
brenda nesh dhe hapat
që ja mohojmë ekzistencën.
Me dëshirën e përjetshme për të qenë
e nesërmja. Ose dikush tjetër,
vetëm një qepallë që hap këndin
e shikimit. Atje lart,
përtej horizontit dhe të paprekshmes,
shenjat e së cilës kthehen në të huaj.
në dilemë. Duke pritur që të ndodhë
një tjetër shpërthim,
zbulojmë përgjigjen;
duke pritur që
qielli me yje të hapet
– e jo të shpërndahet –
ku të mund të prehemi të qetë,
si mbi një qilim persian.

***
Puls i pandjeshëm: si lidhesh
me farkëtimin e fjalës, duke e tërhequr
në një largësi që e shformon,
squfur me baltë mbi diagramën e mpirë.
Sa shumë peshojnë, peshojnë, peshojnë kocka:
dhe sa e pandjeshme je kur vjen në shtrat,
përmbys prej ankthit. të shtyp
me zell: me dridhje kristalesh
të bëj thirrje prej vetëdijes sime. Atalanta fugiens;
nuk e di përse, nuk e di nga ku.
Sërish hiri i kujtimit të pavullnetshëm
që zgjon një koncept të paprekshëm, të huaj,
që e mbaj parasysh: që më pushton
teksa hap krahët në një fluturim të heshtur,
i shënjuar për të duruar, të pazabulueshmit
ligje të rënies.

***
gjithnjë e më pak i përsosur,
duke e njohur gjithnjë e më shumë,
veten do ta përkufizoja me fjalën –
me halucinacione: si gjurmët e fshehura
në pikën e takimit,
vigjilent si një kafshë,
i gatshëm për t’u bërë i padukshëm,
një tog heshtjesh fatale. I destinuar
për një mallkimi që jeton diku tjetër:
kjo, sepse, çështje pa zgjidhje,
parabola lakohet dhe zbret
në zbrazëtirë: atje ku unë e ndjek,
e ku nuk mund të më mbërrish
aq thjesht, vetëm me një përqafim,
marr përposht. Humnerë
zbritje e padurueshme.
Për këtë po të flas.

***
Diçka po ndodh përmes gjethesh.
Dhe ndoshta një pranverë ndryshe
mund të mbush hapësirat boshe
me zëra që nuk i përkasin qetësisë.
Dhe do të dëgjohet jehona –
një rrjedhë e përhershme e përvojës
do të pëshpëritë përmes muresh.
Mos lëviz. Dhe deti
është këtu. Është buzëqeshja
e një loje fëmijësh, përralla
e harruar në pyje.
Diçka po ndodh përmes gjethesh.
Dhe po konturon fytyrën tënde –
Ashtu siç s’e ke parë kurrë më parë.

***
Ende e kam frikë emrin tënd –
Megjithëse dhimbja tashmë është larg,
hije e padepërtueshme, dridhem
I frikësohem linjave që bëj rastësisht,
pa dashje, në vendet e shënjuara
që më ngjisin mbi humnera, ngrica,
gjëra që i mbështolla me
rezerva të bollshme intimiteti.
Një tjetër idiomë u krijua,
lidhje të reja, thuajse
pa teprica, vazhdoj i them vetes –
veçse mund të më zë pritë,
edhe në momentet më shumë vigjilente,
dridhem, shenja të së shkuarës
që zhyten gjithnjë e më shumë në errësirë –
Dhe unë të them, me heshtje mashtruese,
pa më ndryshuar rrahjet e zemrës –
që unë, fal.

*Përktheu: Silvana Leka


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.