KULTURË

Mandi Xhika: Nëpërmjet penelit shoh dhe njoh botën, aty e gjej dhe humbas veten

10:04 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Egla Xhemali




Arti për të është mënyrë e të jetuarit, pasioni dhe bashkudhëtari i ciklit të tij si piktor. Mandi Xhika në një intervistë për “Gazeta shqiptare” na tregon për hapat e parë të pasionit të tij të hershëm që më pas do të kthehej në profesionin dhe pasionin e tij më të madh. Për të, arti është një mënyrë dhe eksperiencë e të kuptuarit të botës. “Nëpërmjet tij ne lejojmë të tjerët të shohin diçka te ne, të cilën as vetë nuk e shohim dot”,- shprehet artisti. Ai thotë se nuk ka një stil të caktuar që e ndjek, por i pëlqen të eksperimentoj me ngjyrën dhe formën në pikturë. I pyetur se sa e ka frymëzuar vendlindja, Pogradeci në koloritin e tablove, Xhika pohon se për të është ngacmimi kryesor në formimin e paletit. Piktori rrëfen se është paqësor sa ç’ është dhe agresiv në ngjyrë dhe formë, ashtu siç është dhe liqeni. Ai jeton çdo ditë me natyrën e Pogradecit. I pëlqen kompozimi, po ashtu natyra dhe peizazhi. Artisti dhe piktori surrealist, Dali, ka ndikuar për një kohë relativisht të gjatë te pikturat e Xhikës, por ai është gjithmonë në kërkim të risive dhe kështu do që të jetë dhe arti i tij. Artisti na njeh me kujtimet e janarit të 2017, vit në të cilin ka marrë pjesë me katër punë dhe ka fituar çmimin e tretë në ekspozitën “Ngjyrat e familjes sime”. Po ashtu ai na zbulon se ka marrë pjesë në pesë ekspozita të zhvilluara në Angli, konkretisht në Liverpul dhe Southport, si dhe ka ekspozuar piktura në galeri të ndryshme në to. Për të arti pa emocion s’ka kuptim. Jeta është aq e fuqishme dhe kontradiktore sa krijon dhe na ngarkon me shumë energji pozitive dhe negative. Piktorët sipas tij kanë fatin që këto energji t’i hedhin në telajo, në ngjyra, forma dhe perceptime artistike. Të jetuarit në Liverpul, natyra, arkitektura e ndërtesave janë indicie për punën e tij artistike. Xhika pohon se Ermira Babaliu, këngëtarja e mirënjohur dhe njëkohësisht motra e tij ka qenë e para që e ka inkurajuar në rrugën e artit. Ai është rritur me muzikën dhe këngët e saj e thotë se është me fat që e ka motër. Së fundmi, piktori na tregon për dëshirën e hapjes së një ekspozitë personale në Liverpul dhe në Tiranë. Xhika beson se vitin tjetër do t’i realizojë të dyja.
Si ka nisur pasioni juaj për pikturën?
Pasioni për pikturën është i hershëm. Diku andej nga fillorja kam kuptuar se më pëlqente piktura. Pas shkolle shkoja në kurset e pikturës në shtëpinë e pionierit. Kam pasur fatin që mësues vizatimi kam pasur piktorin e njohur Skënder Lako, i cili më ka ndihmuar në fillimet e mia. Pastaj vazhdova liceun artistik në Korçë. Këto janë fillimet e mia.


Ç’është arti për ju?
Arti për mua është një mënyrë e të shprehurit që shkon përtej imagjinatës. Aty e gjej dhe e humbas vetveten njëkohësisht. Arti është një mënyrë dhe eksperiencë e të kuptuarit të botës. Nëpërmjet tij ne lejojmë të tjerët të shohin diçka te ne, të cilën as vetë nuk e shohim dot.
Në cilin stil punoni dhe kujt rryme i përket?
Nuk mund të them se kam një stil të caktuar në punët e mia. Në të shumtën e rasteve eksperimentoj me ngjyrën dhe formën pa ndjekur një stil apo një tjetër. Më pëlqen surrealizmi, por dhe ekspresionizmi. Punoj më shumë me vaj dhe bojëra uji.
Sa ju ka frymëzuar Pogradeci në koloritin e tablove?
Pogradeci me atë natyrë dhe atë liqen ka frymëzuar shumë piktorë dhe poetë të flasin me gjuhën e penelit ose të penës. Është ngacmimi kryesor në formimin e paletit tim. Shumë herë jam paqësor sa ç’jam dhe agresiv në ngjyrë dhe formë, ashtu siç është dhe liqeni. Jetoj çdo ditë me natyrën e Pogradecit (nëpërmjet fotove) dhe është e çuditshme se çdo ditë më ngacmon në mënyra të ndryshme.
Çfarë ju pëlqen më shumë të pikturoni?
Varet nga gjendja shpirtërore. Por kam vënë re se në periudha të ndryshme kohore kam pasur preferenca të ndryshme për ato që kam pikturuar. Me pëlqen kompozimi ashtu siç më pëlqen dhe natyra, peizazhi. Shumë herë puna ka marrë rrjedha të ndryshme nga ato që kam menduar në fillim dhe kjo i shtyrë nga momenti ngjyra ose forma e diçkaje. Kjo është e veçantë, sepse kuptoj që kam udhëtuar në mendimin tim pa e menduar. Në fund shoh të shkuarën të transformuar në të ardhmen. Dhe me ndodh shpesh.


Kush nga artistët botërorë apo rrymë, ka ndikuar në krijimtari?
Për një periudhë të gjatë më ka pëlqyer Dali, por siç thashë tani vonë më pëlqen të eksperimentoj me format dhe mënyrat e hedhjes të pikturave në telajo, kështu që nuk mund të them se kam më preferenca për një piktor të caktuar. Bota ka aq shumë piktorë dhe rryma sa mund ta gjesh veten në shumë prej tyre pa e kuptuar. Mua kjo më pëlqen. Jam gjithmonë në kërkim dhe kështu dua të jetë dhe arti im.
Në cilat galeri i keni ekspozuar punimet tuaja?
Kam ekspozuar në Muzeun Kombëtar në 2013. Në janar të 2017 në ekspozitën “Ngjyrat e familjes time” kam marrë pjesë me katër punë dhe kam fituar çmimin e tretë. Njëkohësisht kam marrë pjesë në pesë ekspozita të zhvilluara ne Angli. Konkretisht në Liverpul dhe Southport. Si dhe kam ekspozuar piktura në galeri të ndryshme në Liverpul. Gjithashtu, kam marrë pjesë në ekspozita ndërkombëtare që zhvillohen online ku dhe kam marrë certifikata mirënjohje dhe çmime të ndryshme.
Sa ndikon gjendja emocionale në momentin kur i drejtoheni telajos?
Asnjëherë nuk kam filluar ndonjë punë në telajo apo letër pa qenë i ngarkuar emocionalisht. Për mua është i domosdoshëm ana emocionale. Ka momente kur rri me ditë të tëra ose javë pa punuar. Por, vjen një moment kur më shkund dhe e ndjej që është koha për të filluar përsëri. Arti pa emocion s’ka kuptim. Jeta është aq e fuqishme dhe kontradiktore sa krijon dhe na ngarkon me shumë energji pozitive dhe negative. Ne piktorët kemi fatin që këto energji t’i hedhim në telajo në ngjyra, forma dhe perceptime artistike.
Ju aktualisht jetoni në Angli. Sa ju ka ndihmuar të qenit atje në lidhje me artin tuaj?
Unë momentalisht jetoj në Southport në Mbretërinë e Bashkuar. Është një qytet bregdetar i bukur, afër Liverpulit. Ka shumë duna dhe brigje deti të bukura. Natyra është ajo që më ka ngacmuar kryesisht këtu. Ka lëvizje të fuqishme të motit nga diell i fuqishëm në zymtësi dhe shi, ka qetësi dhe furtuna me ditë të tëra. Është një trokitje e përditshme në brendësi, të cilën nuk mund të rri dot pa e hedhur në pikturë. Pastaj është dhe ana e infrastrukturës. Një Liverpul i jashtëzakonshëm me ndërtesa të mahnitshme arkitekturore dhe muze pafund. Të gjitha këto janë indicie në punën time artistike.
Ju jeni familje artistësh, pasi këngëtarja e mirënjohur Ermira Babaliu është motra juaj. Çfarë raportesh keni me të dhe sa shtysë të ka dhënë ajo në pikturë?
Mund të them që Mira ka qenë e para që më ka inkurajuar në rrugën e artit. Që i vogël jam rritur me muzikën dhe këngët e Mirës. Qysh atëherë ka qenë dhe është bashkudhëtare me mua në rrugën e artit. Jam me fat që kam një motër si Mira.
Keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga pasioni juaj më i madh? Nëse po, cila do ishte arsyeja?
As nuk më ka shkuar ndonjëherë nëpër mendje. Kam pasur periudha kur dhe s’kam punuar, por ato kanë qenë periudha mbushje dhe akumulimi për t’u kthyer në pikturë me më shumë fuqi dhe ekspresivitet. Por, që ta lë pikturën, as që e mendoj.
Cilat janë planet tuaja më të afërta? Keni dëshirë t’i ekspozoni pikturat tuaja në Shqipëri?
Kam shumë dëshirë të hap një ekspozitë personale këtu në Liverpul. Dhe dëshira tjetër është hapja e një ekspozite personale në Tiranë. Mendoj se ka ardhur koha për mua ta bëj një gjë të tillë. Besoj se vitin tjetër do t’i realizoj të dyja.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.