EKONOMI

Sufali: Cilat janë kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike. “Pagesa jo më shumë se 8000 lekë në muaj”

14:59 - 30.10.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Voltiza DURO

Plot 80401 familje në vendin tonë përfitojnë ndihmë nga Shërbimi Social Shtetëror për shkak të situatës të vështirë ekonomike. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Drejtoresha e Përgjithshme e këtij institucioni, Luneda Sufali tregon të gjitha kategoritë që përfitojnë ndihmë sociale e shërbime të kujdesit shoqëror nga ShSSh. Gjithashtu, ajo bën me dije se rreth 67 mijë persona në Shqipëri marrin një masë të caktuar pagese për shkak se janë deklaruar si të paaftë për punë, e po ashtu marrin ndihmë edhe kujdestarët e tyre. Drejtoresha thekson se ndihma ekonomike është e përcaktuar me VKM e llogaritet sipas strukturës së familjes, por masa maksimale e plotë e kësaj ndihme për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8000 lekë të reja në muaj. Që prej qershorit të vitit 2014 drejt Shërbimit Social Shtetëror janë dërguar rreth 100 mijë kërkesa nga 12 qarqe për të përfituar ndihmë ekonomike. Ky institucion, ndërkaq merret edhe me programimin dhe detajimin e fondeve për shërbimet shoqërore, pagesat e personave me aftësi të kufizuara dhe ndihmën ekonomike.

Çfarë është Shërbimi Social Shtetëror dhe çfarë ofron?

Shërbimi Social Shtetëror është institucion varësie i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Misioni i tij është zbatimi e politikave të mbrojtjes sociale përmes vlerësimit të nevojave për shërbime të kujdesit shoqëror, kontrollit për zbatimin e legjislacionit për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Gjithashtu, SHSSH ofron edhe akomodimin në institucionet rezidenciale të individëve në nevojë.

Cilat janë kategoritë që përfitojnë nga shërbimet e kujdesit shoqëror që ofron ShSSh?

Kategoritë në nevojë që përfitojnë nga shërbimet e kujdesit shoqëror që ofron ShSSh janë fëmijët në nevojë, të moshuarit e braktisur dhe pa të ardhura, personat me aftësi të kufizuar deri në moshën 21 vjeç. Gjithashtu, prej shërbimeve tona përfitojnë edhe personat që kanë rënë pre e dhunës në familje, viktimat e trafikimit dhe individët apo familjet në situatë emergjence.

Për cilat kategori ofrohet ndihmë ekonomike?

Ndihma ekonomike nga Shërbimi Social Shtetëror ofrohet për këto kategori: familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme; jetimët, të cilët nuk janë në institucione; prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë; viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre. Gjithashtu, ndihmë ekonomike përfitojnë edhe viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes si dhe fëmijët e vendosur në shërbimin e kujdestarisë.

A përfitojnë pagesë personat me aftësi të kufizuar?

Gjithashtu, përfitojnë ndihmë edhe personat paraplegjikë-tetraplegjikë dhe të verbrit. Aftësia e kufizuar deklarohet me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë. Sipas vendimit të komisionit mjekësor përfitojnë pagesa personat, të cilëve u është kufizuar aftësia fizike, shqisore, e intelektit, psikike apo mendore të lindura apo të fituara nga sëmundje, që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin.

A ofroni trajtime të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuara?

Disa prej llojeve të shërbimeve që u ofrohen fëmijëve me aftësi të kufizuara janë shërbime terapeutike dhe edukative për rritjen e aftësive konjiktive. Gjithashtu, institucionet përkatëse, që janë nën varësinë tonë ofrojnë edhe terapi okupacionale, logopedi, fizioterapi e aktivitete socializimi dhe kulturore. Në varësi të nevojave që kanë personat me aftësi të kufizuara, ofrojmë edhe plotësimin e nevojave shëndetësore, shërbim mbështetës zhvillimi dhe ndihmë për integrimin e kësaj kategorie në shoqëri. Shërbimet për personat me aftësi të kufizuara deri në 21 vjeç ofrohen në 8 qendra zhvillimi publike, 2 me shërbim ditor dhe 6 rezidenciale, të cilat financohen nga buxheti qendror;  6 prej tyre janë në administrim të bashkive. 2 qendra zhvillimi janë në varësi të Shërbimit Social Shtetëror të vendosura në Tiranë dhe Durrës.

Cilat janë kriteret për të përfituar ndihmën?

Risia e skemës se re të ndihmës ekonomike, ndryshe nga skema e vjetër, nuk ka kritere përjashtuese për individët dhe familjet që duan të përfitojnë këtë pagesë. Të gjithë mund të aplikojnë dhe më pas sistemi elektronik bën verifikimet me të gjitha institucionet dhe pasi përfundon ky verifikim në lidhje me saktësinë e informacionit  merret vendimi për këto familje.

Sa është numri i personave që marrin ndihmë ekonomike sipas kategorive të caktuara?

Plot 80401 familje përfitojnë ndihmë nga ky institucion për shkak të situatës ekonomike. Ndërkaq përfitojnë ndihmë edhe 375  fëmijë trinjakë, 24 katërnjakë, 5 pesanjakë dhe 564  jetimë. Gjithashtu, rezultojnë 198  viktima dhunë në familje që marrin ndihmë nga SHSSH, 9 viktima trafikimi, 238  fëmijë me familje kujdestare, dhe 14    fëmijë me aftësi të kufizuara ne familje kujdestare.

Sa persona përfitojnë pagesë për shkak të paaftësisë në punë?

Në të gjithë vendin 67069 individë me aftësi të kufizuar marrin një pagesë mujore pasi janë të paaftë për punë dhe krahas kësaj ndihmë ofrohet edhe për 18668 kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar.

Sa varion pagesa e ndihmës ekonomike sipas kategorive përkatëse?

Masa e ndihmës ekonomike është e përcaktuar me VKM dhe llogaritet sipas strukturës së familjes dhe  masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8000 lekë të reja në muaj. Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh është: për trinjakë, 3000 lekë për çdo fëmijë; për katërnjakë, 4000 lekë për çdo fëmijë; për pesënjakë, 5000 lekë për çdo fëmijë. Ndërsa për kategoritë e veçanta masa e ndihmës ekonomike për jetimët është 3000 lekë në një muaj, për viktimat e trafikimit 3000 lekë, për viktimat e dhunës po 3000 lekë në muaj. Ndërkohë, të gjithë fëmijët e vendosur në shërbim kujdestarie marrin ndihmën ekonomike prej 9000 lekë në muaj, shtuar këtu edhe 25000 lekë në vit për fëmijët që ndjekin shkollën. Më tej pagesa ekonomike për fëmijët me aftësi të kufizuara, të vendosur në kujdestari është 10000 lekë në muaj.

Cili është dokumentacioni që duhet të paraqesin kandidatët për të përfituar ndihmë?

Në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan aplikohet sistemi elektronik për përfitimin e ndihmës ekonomike. Për të përfituar ndihmë ekonomike me skemën e re, kryefamiljari së bashku me bashkëshorten nga data 1-10 të çdo muaji paraqiten pranë administratorit shoqëror të seksioneve të ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki apo njësitë administrative për të aplikuar për ndihmë ekonomike si familje në nevojë me kartën e identitetit të aplikantit dhe kopje të kartave të identitetit të anëtarëve të tjerë të familjes, për fëmijët nevojiten certifikata. Personat që disponojnë tokë duhet të paraqesin edhe dokumentin e pronësisë së tokës. Në 9 qarqet e tjera të vendit vazhdon paraqitja e dokumentacionit në bashki. Këto dokumente përfshijnë: vërtetimin si punëkërkues i papunë për të gjithë anëtarët ë familjes të aftë për punë, dokumentin e pronësisë së tokës për familjet që disponojnë tokë, dokumente të tjera, që kërkohen nga ligji plotësohen në zyrën e bashkisë nga aplikuesi dhe administratori.

Sa është numri i aplikantëve që duan të përfitojnë ndihmë nga Shërbimi Social Shtetëror?

Numri i aplikimeve për përfitimin e ndihmës ekonomike në 3 qarqet në të cilën zbatohet sistemi elektronik i ndihmës ekonomike që nga qershori 2014 është 31.000 familje apo individë aplikues. Ndërsa në 9 qarqet e tjera numri i aplikuesve, i hedhur në Regjistrin Elektronik Kombëtar është 64.000 familje apo individë aplikues. Shifra për personat që komisionohen për aftësinë e kufizuar ndryshon çdo muaj. Gjatë muajit shtator 2017 janë rikomisionuar dhe komisionuar për herë të parë 30581 persona, prej të cilëve janë vlerësuar nga komisioni mjekësor si persona me aftësi të kufizuar 27740 individë.

Cilat janë masat që merrni për fëmijët në situatë rruge, pra që janë të pastrehë?

Trajtimi i fëmijëve në situatë rruge është detyrë funksionale e bashkive dhe posaçërisht punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve në drejtorinë apo seksionin e shërbimeve shoqërore pranë bashkisë.
Përfaqësuesi i ShSSh është pjesë e tryezës teknike kur kjo kërkohet nga përfaqësuesi i Bashkisë. Në vitin 2015, ShSSh me asistencën e UNICEF dhe partnerëve jo shtetërore, pilotoi projektin “Për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rruge” në qytetin e Tiranës. Gjatë këtij projekti u ndërtua dhe implementua metodologjia e punës me fëmijët në situatë rruge, e cila u transferua si model në bashkitë e qyteteve të tjera me ndihmën e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Si e realizon misionin e tij SHSSH?

Këtë mision e realizon nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme dhe 12 Drejtorive Rajonale të ShSSH në 61 njësi të qeverisjes vendore, 28 Institucioneve të Përkujdesit Shoqëror për individë në nevojë si: fëmijë, të moshuar, persona me aftësi të kufizuar, viktima të dhunës në familje, viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, individë e familje në situatë emergjence si dhe në partneritet me aktorë joshtetërorë.

Sa qendra të shërbimeve për individët në nevojë administrohen nga ShSSh?

Shërbimi Social Shtetëror administron në nivel kombëtar 12 qendra të Shërbimeve Shoqërore për individë në nevojë dhe monitoron e financon shërbimin në 16 qendra të tjera të shërbimeve të përkujdesit social. Gjithashtu, bën monitorimin për zbatimin e legjislacionit për shërbimet shoqërore në të gjithë vendin. Bën vlerësimin vjetor të nevojave për shërbime të kujdesit shoqëror me objektiv prioritar ofrimin e shërbimeve komunitare, ditore sa më pranë individit.

Cilat janë fondet që programohen nga ky institucion?

SHSSH programon dhe detajon fondet për ndihmën ekonomike; për pagesat e personave me aftësi të kufizuar; e për shërbimet shoqërore. Ndërkohë SHSSH kontrollon zbatimin e legjislacionit dhe përdorimin e fondeve buxhetore për ndihmën ekonomike, pagesën e personave me aftësi të kufizuar dhe shërbimet shoqërore. SHSSH bën edhe administrimin e Regjistrit Elektronik për aplikantët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike në tre qarqe Tiranë, Durrës edhe Elbasan. Madje ky institucion administron Arkivin Elektronik të  përfituesve të aftësisë së kufizuar, kujdestarëve të tyre dhe invalidëve të punës.

Cilat janë disa nga problematikat që has institucioni juaj?

Aktualisht SHSSH është në proces implementimi të dy reformave të rëndësishme: shtrirja në të gjitha qarqet e skemës së re të ndihmës ekonomik dhe pilotimi i sistemit të ri për vlerësimin e Aftësisë së Kufizuar. ShSSh asiston Bashkitë për hartimin dhe miratimin e planeve sociale me objektiv ngritjen e shërbimeve shoqërore sa më pranë grupeve në nevojë sipas nevojave të identifikuara. ShSSh bashkëvepron më bashkitë për aftësimin e burimeve njerëzore.

Kategoritë që përfitojnë ndihmë ekonomike:

Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme;
Jetimët, të cilët nuk janë në institucione;
Prindërit e fëmijëve të lindur trinjakë e më shumë njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë;
Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, pas daljes nga institucionet e përkujdesjes shoqërore deri në çastin e punësimit të tyre;
Viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.
Fëmijë të vendosur në shërbimin e kujdestarisë
Kategoritë që përfitojnë shërbime të kujdesit shoqëror:
Fëmijë në nevojë
Të moshuar të braktisur dhe pa të ardhura
Persona me aftësi të kufizuar deri në moshën 21 vjeç
Viktima të trafikimit të qenieve njerëzore
Viktima të dhunës në familje
Individë dhe familje në situatë emergjence

Masa e ndihmës ekonomike, në muaj për kategoritë e veçanta:

për jetimet      3000 lekë/muaj,
viktimë trafikimi  3000 lekë/muaj,
viktimë dhune    3000 lekë/muaj,
për fëmijët të vendosur në shërbim kujdestarie  9000 lekë/muaj.+25000lekë në vit për fëmijët që ndjekin shkollën
për fëmijët me aftësi të kufizuara të vendosur në kujdestari 10 000 lekë/muaj

Masa e ndihmës ekonomike, në muaj, për prindërit me më shumë se dy fëmijë të lindur njëherësh është:
për trinjakë, 3000 (tremijë) lekë për çdo fëmijë;
për katërnjakë, 4000 (katërmijë) lekë për çdo fëmijë;
për pesënjakë, 5000 (pesëmijë) lekë për çdo fëmijë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.