EKONOMI

Zbardhet VKM-ja, tokë me 7501, ndryshojnë afatet për tapitë. Procedurat për marrjen e certifikatës

09:20 - 03.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela Manjani

Këshilli i Ministrave vendosi të shtyjë afatin për pajisjen me certifikatë pronësie të tokave që janë shpërndarë me ligjin 7501. Aktet e marrjes së tokës në përdorim për tokat bujqësore janë shpërndarë në zbatim të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, i cili është ndryshuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave. “Afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon në datën 31 korrik 2018”, – thuhet në VKM. Ndërkohë vetëm pak kohë më parë qeveria vendosi që të gjithë titujt e pronësisë që janë përftuar në zbatim të ligjit për ndarjen e tokës bujqësore do të verifikohen jo vetëm për gjithshmërinë e lëshimit të tyre, por edhe me ballafaqimin e sipërfaqeve në terren me ato të regjistruara në dokumentet. Në ligjin 7501 përcaktohet që toka bujqësore të ndahet për frymë për banorët që janë regjistruar në fshat në momentin e ndarjes së tokës, në korrik të vitit 1991. Të dhënat e sakta do të hidhen në regjistrin e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive. Në ZRRP do të regjistrohen edhe të gjitha vendimet e gjykatave që kanë marrë formë të prerë. Në përfundim të këtij procesi gjitha sipërfaqet që do të rezultojnë të lira do të kalojnë në fondin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave. Vendimi është marrë dje në Këshillin e Ministrave.
Vendimi
Qeveria miratoi dje disa ndryshime në vendimin nr.1269, datë 17.9.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, mënyrën e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e strukturave shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar. Në vendim përcaktohet që të kryen vlerësimet ligjore të krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, të plotësuar nga kryetarët e bashkive, për familjet bujqësore ose individët, në rastet e kërkesave të paraqitura nga qytetarët apo institucionet shtetërore, në territoret e: a) ish-kooperativave bujqësore, në zbatim të pikës 1/1, të nenit 17, të ligjit nr.9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar; (Procedura e ndarjes së tokës bujqësore në pronësi, sipas dispozitave të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar, rindarja e tokës sipas nenit 5 të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, si dhe krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore përfundojnë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji) b) ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zbatim të ligjit nr.57/2012, “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore” dhe të ligjit nr.171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar.
Komisionet  
Qeveria urdhëron komisionin vendor të vlerësojë aktet e marrjes së tokës në pronësi, të plotësuara nga kryetarët e bashkive, për bazueshmërinë ligjore të tyre dhe merr vendim për rikonfirmimin e tyre, në rastet kur: a) vërtetohet se familja bujqësore ose individi, në emër të të cilit lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi është subjekt i përfitimit të tokës bujqësore në pronësi, sipas ligjeve të sipërpërmendur; b) verifikohet se sipërfaqja, për të cilën është lëshuar akti i marrjes së tokës në pronësi, është objekt i trajtimit sipas ligjeve të sipërpërmendur dhe madhësia e saj është në përputhje me përcaktimet ligjore; c) janë krijuar në përputhje me procedurat dhe afatet e përcaktuara në ligjet e sipërpërmendura”.

Ligji nr.9948, datë 7.7.2008
Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën, të krijuar te:
a) Sipërfaqet që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar.
b) Sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”.
c) Sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.
2. Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.